22/12/2024

KUBI I BRODSKIT  DHE POEZIA E SË SHTUNËS…

0
Visar-Zhiti

Nga Visar Zhiti

– Kur të ktheheni, ndalni në Ann Arbor dhe shikoni Kubin e Brodskit, – më tha miku im Lisandri.

– E pse quhet ashtu? – pyeta.

– Unë e quaj se Brodski aty bëri atë foton e tij aq shumë të njohur. Të gjithë studentët, pasi diplomohen, është ritual, dalin në fotografi te Kubi…

– …i Brodskit.

– Po.

Përmes blerimeve të ndezura bukur Dhimoja po i jepte makinës më shpejt, mbase ishte padurim im. Pas ishin Flora me Edën dhe unë përsërisja historitë me Brodskin, si e nxoren në gjyq në Bashkimit Sovjetik me akuzën “parazit”, jo, jam poet, tha ai, e kush të futi në listën e poetëve, e pyeti gjykatësi, po kush të fut në listën e racës njerëzore, ia ktheu Brodski, a ke ndonjë kërkesë, i tha gjykatësi në fund, pse më keni arrestuar, tha Brodski, kjo s’është kërkesë, por pyetje, tha gjykatësi dhe e dënuan me 5 vjet internim, etj, etj, gjersa mori dhe dëbimin nga Bashkimi Sovjetik dhe erdhi në SHBA… ja, këtu në Ann Arbor, qytet i mrekullueshëm studentor.

Po nxitinim për te Kubi i Brodskit në qendër, pas Kishës, në një shesh me pemë anash dhe ngrehina klasike e të reja prej xhami, fakultetet, besoj…

Iu afruam Kubit si gurit filozofal, të madh sa një dhomë, i vendosur pingul mbi njërin kënd të tij, i errët si mermer nate, jo, është bronz, këtu do të ketë venë dorën “Joseph Brodsky”, po thosha. Po ç’është ky kub, ç’do të thotë? Si zar i madh i fatit të jetës, po thoshim, dhe rrotullohet, prandaj, si globi, që kështu ishte në fillim, copë planeti, pastaj u rrumbullakos… e çfarë ka parë Brodski këtu? Gurin e Sizifit? Të modernizuar. Dhe vendosa ta shtyj dhe unë Kubin, kur pashë që e shtynin dhe të tjerë, vinte rrotull vetes hijerëndë, pa zhurmë, s’e di pse m’u bë si kozmik… a ka ndonjë gjë në poezitë e Brodskit për Kubin në Ann Arbor, që Lisandri, i cili punon në Katedrën, ku punoi dhe ai, e pagëzoi “Kubi i Brodskit”? E pse duhet t’i japim një kuptim Kubit? Kur ai mund të marrë shumë ide kubiste ose mund të mos jetë kuptim fare. Dhe kjo ka kuptim, të mos këtë kuptim…

Dhe po kërkoja një poezi të tij, t’i ngjante ose të mos i ngjante Kubit. Kubi është fjala… fjala 3D… ja, kjo, të cilën ai vetë e paska përkthyer në anglisht, po e quaj poezia e së shtunës…

Joseph Brodsky

PJESA E FJALËS.

…dhe kur “e ardhmja” mbllaçitet,

tufa minjsh nxitojnë nga gjuha ruse dhe rrëmojnë një copë të kujtesës së arrirë që është dy herë e mbushur me vrima

si djathë i vërtetë.

Pas gjithë kaq vitesh vështirë se ka rëndësi kush ose çfarë qëndron

në qoshe, e fshehur me perde të rënda,

dhe mendja jote nuk kumbon me një “oh” engjëllore, vetëm shushurima

e tyre. Jetë, që askush nuk guxon

ta vlerësojë, si atë dhuratën me gojën e kalit, nxjerr dhëmbët e tij me një

buzëqeshje në secilin takim. Ajo që mbetet nga një njeri është më shumë se pjesa. Se pjesa e tij e folur.

Se pjesa e fjalës.

Përkthyer në anglisht nga Autori,

(në shqip nga V. Zh.).

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok