12/12/2024

KRYENGRITJA E MALËSISË SË MBISHKODRËS 1911

0
Processed with VSCO with fp4 preset

Processed with VSCO with fp4 preset

Nga Nikë Gashaj

Nisemi nga njohja e historisë politike se Kryengritja e Malësisë së Mbishkodrës  e vitit 1911 iu imponua fuqishëm historiografisë shqiptare. Kryengritja e Malësisë së Mbishkodrës si dhe gjithë që e përcolli atë u bë objekt shkrimesh e analizash të bashkëkohësve, të huajve që përcollën për së afërmi këtë ngjarje, ndër të cilët spikat Edit Durham.

Në fakt, kjo ngjarje historike u identifikua dhe u përkufizua në përmasat reale të saj, që në hapat e parë të historiografisë shqiptare. Po veçojmë këtu numrat ekskluzivë të revistës Leka të botuar me rastin e përvjetorit të njëzet e pestë të Pavarësisë së Shqipërisë, në vitin 1937. Në këta numra të kësaj reviste iluministe, paraqiten një kronikë e detajuar me titullin “Kryengritja e Malcisë së Mbishkodrës” brenda një kuadri më të gjerë me titull:”Kronikë e Agimit të Lirisë”.

Ndërkaq, historiografia shqiptare që në fazën e parë të saj(vitet 50, 60 të shek.XX), këtë ngjarje historike e përkufizoi si segment të rëndësishëm konstitutiv të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Kështu në sintezën e parë histografike për historinë e shqiptarëve, titulli Kryengritja e Malësisë së Mbishkodrës zë vend të veçantë në kuadër të kapitullit Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë, e të cilin kapitull e përgatiti historiani Prof. dr. Stefanaq Pollo. Kurse në sintezën e fundit të historisë së shqiptarëve, kësaj ngjarje i kushtohet një kapitull e veçantë, i cili është përgatitur nga historiani Prof. dr. Gazmend Shpuza.

Kryengritja e Malësisë së Mbishkodrës vazhdoi të jetë objekt studimi deri më sot dhe atë në të gjitha zhanret historiografike: trajtesa shkencore, monografi kushtuar ngjarjes dhe personazhave kryesore të saj, si pjesë e monografive shkencore për lëvizjen Kombëtare që mbulojnë këtë periudhë etj. Në këtë drejtim do të përmendim kontribitin e autorëve: Prof. dr. Shukri Rahimi, Prof. dr. Romeo Gurakuqi, Prof. dr. Ramiz Abdyli, Prof. dr. Emine Bakalli, mr. Gjergj Nikprelaj etj.

Aspekti politik i kryengritjes

Për parashtrimin e aspektit politik të kësaj ngjarje historike, kemi parasysh një titull sinjifikativ:”Revolta, kërkesa, ndërhyrje”, titull ky që mbulon kryengritjen e vitit 1911 në monografinë e historianit Prof. dr. Stavro Skendi, me titullin Zgjimi Kombëtar Shqiptar.

Çka i revoltoi shqiptarët ?

Shqiptarët, më së pari, i revoltoi: politika e shtypjes dhe e antishqitarizmit që zbatoi regjimi xhonturk;  mungesa e përkrahjes së duhur nga arbitri ndërkombëtar të kohës – gjashtë Fuqitë e Mëdha evropiane; politika e pasinqertë, respektivisht armiqësore ndaj Lëvizjes së tyre kombëtare e fqinjëve ballkanik; ndërhyrja në front të gjerë që ata të hiqin dorë nga kërkesa politike për autonominë e Shqipërisë, si dhe skamja materiale e tyre.

Masat antishqiptare të regjimit xhonturk

Masat antishqiptare të regjimit xhonturk: mbydhja e shkollave shqipe, e klubeve, e gazetave; përndjekja dhe ndëshkimi i mësuesëve dhe veprimtarëve shqiptarë; mobilizimi dhe organizimi antikombëtar i pjesës fanatike dhe të pavetëdijshme të shqiptarëve kundër alfabetit dhe simboleve tjera kombëtare; vjelja me dhunë e taksave të vjetra dhe të reja; çarmatimi, rekrutimi etj. filluan shumë shpejt pasi që xhonturqit morën pushtetin. Nivelet më të larta të pushtetarëve të rinj osmanë pretendonin për shkrirjen e shqiptarëve në osmanë duke mohuar ekzistencën  e kombit shqiptar. Sa për fillim xhonturqit projektuan idenë që shqiptarët të zhvishen nga aspiratat kombëtare përmes një represioni të paparë. Dhe natyrisht e gjithë kjo fushatë u kamuflua me propagandën intensive për shqiptarët “rebelë”, antireformistë dhe me mendësi antishtetërore.

Lëvizja Kombëtare Shqiptare, synim politik i kryengritjes së

Malësisë së Mbishkodrës -1911

Jo rastësisht në fokus të goditjes dhe represionit  të pushtetit xhonturk u gjend Malësia e Madhe, banorët e së cilës kishin ruajtur me xhelozi gjithë tiparet etnike-kombëtare paraosmane. Prandaj, malësorët me prijësit e tyre shpirtëror-tribunët popullor nga bota shqiptare perceptoheshin si “atdhetarë të zjarrët shqiptarë”. Prandaj, kjo kategori shoqërore e cila tradicionalisht ishte bartëse e lëvizjeve masive nacionale dhe e rrezikshme për Perandorinë Osmane. Andaj, regjimi osmanë, malësorët i konsideroshin si “nacionalistë shqiptarë”. Mbi të gjitha, malësorët kishin arritur të ruajnë pozitë autonome në relacion me pushtetin osman. Lëvizja kombëtare shqiptare ishte synimi politik i tyre, si dhe preokupim i madh i malësorëve.

Malësia e Mbishkodrës e mori stafetën e luftës së shqiptarëve për shtetin autonom shqiptar

Derisa një pjesë e mirë e elitës politike dhe intelektuale shqiptare të kohës, ishin ithtarë që çështja shqiptare të gjejë zgjidhje mundësisht në rrugë paqësore dhe në kuadrin kushtetues osman. Prandaj, nuk ishte çudi që kjo elitë deshi të besojë në këtë opsion politik dhe u involvua sinqerisht në jetën politike osmane sidomos gjatë viteve 1908-1911. Përkundrazi,  Malësia e Mbishkodrës u detyrua të niste rezistencën e saj në shkallë të gjerë kundër përpjekjeve të regjimit xhonturk që kjo të nënshtrohej dhe popullsia e saj të instrumentalizohej. Apo siç thoshte Tringë Smajlja”… do ti vem pushkën turkut, se raja e tij nuk bahena…”

Malësia e Mbishkodrës me faktin që doli me kërkesat politike, të cilat i paraprinë Memorandumit të Greçës dhe sidomos me këtë Memorandum, e mori stafetën e luftës së shqiptarëve për shtetin autonom shqiptar dhe u bë epiqendra e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Malësorët e kësaj krahinë u treguan krejt të gatshëm që të hiqnin dorë nga venomet e tyre me kushtin që këto venome të shkriheshin në autonominë e madhe, në autonominë e Shqipërisë. Prandaj mund të thuhet se revolta fillestare e malësorëve u shndërrua në një lëvizje të gjerë e cila pati jehonë në gjithë Evropën. Stabolli u detyrua që kryengritësit shqiptarë t’i pranojë si palë dhe të   nënshkruajë një marrëveshje me ta.

Fillimi i kryengritjes së Malësisë së Mbishkodrës

Kryengritja e Malësisë së Mbishkodrës filloi më 24 mars 1911. Udhëheqësit kryesor të saj kanë qenë Ded Gjo Luli, Gjek Marash Gjeloshi e të tjerë. filluan veprimet e armatosura dhe në fillim sulmuan fortikantën kufitare të Rapshës. Lëvizja u shtri shumë shpejt në Grudë, në Kelmend dhe në Kastrat.

Shpërthimi i kryengritjes shkaktoi panik tek autoritetet xhonturke në Shkodër. Autoritetet osmane menduan të përdorin si mjet për ta penguar kryengritjen fanatizmin fetar, duke synuar të nxisnin përçarjet e grindjet fetare ndërmjet shqiptarëve myslimanë e katolikë, por pa sukses.

Kryengritja përfshiu menjëherë krahinat e Malësisë së Madhe. Numri i kryengritësve arriti brenda pak ditësh në 3000 veta. Më 28 mars kryengritësit morën qytetzën e Tuzit. Garnizoni i vogël ushtarak dhe qeveritarët u detyruan të mbylleshin në kalanë e quejtur Shipshanik.

Mbledhja e udhëheqësve të kryengritjes në Cetinë

30 mars 1911

Më 30 mars 1911 u bë në Cetinë mbledhja e udhëheqësve të kryengritjes, e cila miratoi një memorandum drejtuar Fuqive të Mëdha. Në këtë dokument kërkohej paprekshmëria e territoreve shqiptare, të njihej gjuha shqipe si gjuhë zyrtare në katër vilajetet, në zyra e gjyqe dhe si gjuhë mësimi në shkolla; të  gjithë nëpunësit në Shqipëri të ishin shqiptarë dhe të njihej zyrtarisht kombësia shqiptare; të ardhurat buxhetore të shpenzoheshin në dobi të vendit; ushtarët shqiptarë të mos shërbenin jashtë trojeve shqiptare, me përjashtim të rasteve të luftës. Memorandumi ishe nënshkruar nga Muharrem Bushati, Isa Boletini, Sokol Baci, Dedë Gjo Luli, Abdulla Aga, Preng Kola dhe Mehmet Shpendi. Shtypi i kohës theksonte se, megjthëse kryengritja zhvillohej në një trevë të ngushtë, të banuar kryesisht nga katolikë, kryengritësit dolën me kërkesa kombëtare. Ata në thelb kërkuan autonominë e Shqipërisë.

Lufta e malësorëve në Deçiq ( 6 prill 1911)

Më 6 prill 1911 u zhvilluan përleshje të ashpra ndërmjet malësorëve dhe forcave turke prej Tuzit deri në Kastrat. Por luftimet më të rrepta u zhvilluan atë ditë pranë Deçiqit, ku  asgjësuan 30 ushtarë, ndërsa nga kryengritësit mbetën në fushën e luftës shtatë veta, midis të cilëve ishte edhe prijësi i tyre, Nish Gjelosh Luli.

Më 8 prill 200 malësorë u bënë ball në afërsi të Kastratit për gjashtë orë rresht 1200 forcave xhonturke, të cilat pas tërheqjes së kryengritësve plaçkitën dhe dogjën Bajzën e Kastratit.

Me qëllim që t’i fuste shqiptarët në mes dy zjarresh, komanda e ushtrisë osmane dërgoi nga Gjakova katër batalione nën drejtimin e Ethem Pashës. Kur po vinte nga Gucia, natën e 16 prillit, ushtria osmane u sulmua te Hani i Gropës nga banorët e Selcës. Ajo nuk arriti të vazhdonte marshimin drejt vendit kryesor të luftimeve përreth Tuzit.

Për tri javë rresht xhonturqit nuk mundën jo vetëm t’i nënshtronin malësorët, por as të lidheshin me garnizonin e rrethuar të Tuzit dhe të përforcoheshin në Deçiq.

( Historia e Popullit Shqiptar II, Akademia e Shkencave e Shqipërisë-Instituti i Historisë, Tiranë, 2002, f.445).

Fillimi i parakohshëm i kryengritjes

Kryengritja e Malësisë së Mbishkodrës filloi para kohe të planifikuar, si pasojë e presionit dhe kushtëzimit të ndihmës nga kreu malazias. Andaj, në një pjesë të historiografisë shqiptare është konstatuar se fillimi i parakohshëm i kryengritjes së Malësisë së Mbishkodrës negativisht është reflektuar në planin e Lëvizjes kombëtare shqiptare për një kryengritje të përgjithshme në nivelin kombëtar. Por, sa qëndron ky konstatim kur kihet parasysh kohëzgjatja e kryengritjes? Ajo filloi më 24 mars dhe përfundoi më 2 gusht 1911. Në fakt, çështjen e dështimit të organizimit të një kryengritje të përgjithshme shqiptare duhet kërkuar në shpresën dhe besimin e një pjese të elitës politike shqiptare se ende kishte hapësirë që autonomia e Shqipërisë të realizohej pa luftë, por përmes angazhimit legal politik, respektivisht nuk ishte e gatshme dhe e vendosur për një kryengritje të përgjithshme mbarëkombëtare shqiptare.

Përkrahja e jashtme politike

Kryengritjen e Malësisë së Mbishkodrës, më 1911.  e përkrahi Mali i Zi – ku kishte selinë dhe Komiteti Qendror Kombëtar. Ndihma malazeze vinte nga lart, nga vetë mbreti Nikollë. Kjo ndihmë, siç edhe del nga të gjitha burimet e kohës, kishte të bëjë me planet ekspansioniste të kreut malazias. Njëkosisht, kreu malazias ndërmori hapa për marrëveshje me kreun serb për ndarjen e sferave të interesit në trojet shqiptare. Ndihma që iu dha shqiptarëve në sistemin e të përndjekurëve nga Kosova dhe malësorëve kryengritës, kishte për qëllim që ata të lidheshin  këmbë e krye me Malin e Zi, dhe, mandje pse jo edhe të përkrahnin ekspansionin e këtij shteti në pjesën veriprëndimore të Shqipërisë me qytet Shkodër, Pejë, Prizren etj. Nëse kjo nuk mund të arrihej, atëherë së paku të parandalohej një kryengritje e përgjthshme shqiptare e cila mund të përfundonte me autonominë e Shqipërisë. Dhe në fund të fundit, kjo përkrahje do duhej të ndikonte në topitjen e rezistencës së shqiptarëve në momentin kur forcat e Malit të Zi do të depërtonin në Shqipëri. E vërteta është se shumë pak shqiptarë besonin në altruizmin e kreut malazias. Të gjithë e dinin se ku qëndronte puna, kështu që mund të thuhet se bashkëpunimi shqiptaro – malazez bazohej thjesht në interesa të ndërsjellë. Prandaj Mali i Zi arriti të instrumentalizojë shumë pak nga malësorët e zhgënjyer dhe të dëshpruar.

Po ashtu, në Itali zhvillohej një aktivitet i tërë në përkrahjen të Shqipërisë e të synimeve kombëtare të shqiptarëve. Atje po vepronin komitete si “Pro Albania”, “Komiteti italo-shqiptar”, “Organizata Kombëtare e Shqipërisë” etj.  Prezenca dhe ndihma e dhënë dhe e pritur nga Italia ishte e një natyre jozyrtare. Në Itali, Lëvizja Kombëtare Shqiptare përkrahej nga forca politike me orientim revolucionar garibaldian, antarë të Partisë Republikane dhe Socialistë, demokratë dhe elementë të tjerë përparimtarë italiane. Midis tyre kishte edhe 60 deputetë.

Çështja shqiptare u përkrah veçanërisht nga kolonitë arbëreshe, që zhvilluan një veprimtari të gjerë në të mirë të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Komiteti filloi ta shtrijë veprimtarinë e tij me anën e nënkomiteteve në vise të ndryshme të Gadishullit Apenin, duke synuar të mblidhte ndihma në të holla dhe të regjistronte vullnetarë për kryengritjen shqiptare.

Në këto rethana, me nismën e patriotit kombëtar Nikollë Ivanaj, u krijua në Bari një komitet i kryengritjes, i cili u orvat të vendoste lidhje me kolonitë e mërgimit dhe me komitetet e fshehta brenda vendit.

Komiteti i Podgoricës

Një punë të madhe bëri Komiteti i Podgoricës për sigurimin e armëve dhe të municioneve. Ai u bë qendër, ku u grumbulluan gjatë kryengritjes ardhetarë nga viset e ndryshme të Shqipërisë, si edhe nga kolonitë e mërgimit. Komiteti u ndihmua edhe nga atdhetarët që ndodheshin në Mal të Zi, si Risto Siliqi,  Nikollë Ivanaj, Hilë Mosi, Luigj Gurakuqi etj. që shkuan më pas në Podgoricë.

Përfaqësuesit të lëvizjes Kombëtare Shqiptare bënë përpjekje për të siguruar përkrahje e qeverive të shteteve fqinje dhe sidomios të Serbisë e të Bullgarisë. Por si Bullgaria, ashtu dhe Serbia, nëpërmjet pëfaqësuesëve të vet diplomatikë në Romë, u kumtuan përfaqësuesve të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare se, derisa nuk do të cenoheshin interesat e tyre shtetërore dhe kombëtare, ato do të vijojn t’i përmbaheshin neutralitetit të plotë.

Në këto rrethana Komiteti i Podgoricës u përpoq të shfrytëzonte ndihmën e qeverisë malazeze, por pa rënë në kurthin e politikës  grabiçare ndaj tokave shqiptare. Por kjo nuk ishte e lehtë të arrihej. Qeveria e Malit të Zi mori të gjitha masat që kryengritja të mos fitonte karakter kombëtar, por kufizohej në caqet lokale. Kjo do t’i jepte mundësi kral Nikollës të ndërhynte më lehtë e ta përdorte atë për interesat e veta. Përveç kësaj ai punoi që kryengritja të fillonte para kohe. Në shkurt qeveria e Malit të Zi njoftoi Portën e Lartë dhe Fuqitë e Mëdha se nuk do t’i mbante malësorët më gjatë se 28 marsi i vitit 1911.

Ndërkaq, Isa Boletini, në një takim që pati me kral Nikollën, hodhi poshtë propozimin e tij që veprimet luftarake të malësorëve të mbështetshin nga trupat malazeze. Po kështu veproi dhe Dedë Gjo Luli.

Mirëpo, Mali i Zi, duke synuar t’i nënshtronte me anë të urisë, më 14 mars ua preu ndihmat malësorëve. Në këto rrethana malësorëve të arratisur iu desh ta fillonin kryengritjen para kohe.

Kuvendi i Greçës (23 qershor 1911)

Memorandumi i Greçës

Me nismën e Komitetit të kryengritjes (të Podgoricë), u mblodh në Greçë të Bëkajve të Trieshit( Malësia e Madhe) Kuvendi i Përgjithshëm i krerëve shqiptarë i cili më 23 qershor miratoi dokumentin më të  rëndësishëm të kryengritjes, të njohur me emrin”Memorandumi i Greçës”, i hartuar nga Ismail Qemali e Luigj Gurakuqi. Këtë dokument, i njohur si “Libri i kuq”(për shkak të ngjyrës së ballinës së broshurës në të cilën u shtyp) ia paraqiti Kuvendit të krerëve të Kryengritjes Luigj Gurakuqi.

Me këtë akt kryengritja e armatosur e shqiptarëve të veriut kishte tani një program kombëtar në të cilin aderuan tashmë të gjithë shqiptarët.

Memorandumi i Greçës parashtronte një program të plotë të autonomisë së Shqipërisë.  Ky memorandum kishte një rëndësi të veçantë, sepse dilte nga gjiri i kryengritjes dhe në formulimin e tij morën pjesë veprimtarët atdhetarë të krahinave të ndryshme të vendit e të kolonive shqiptare të mërgimit.

Në memorandum parashtrohen këto kërkesa: t’u jepej garanci se nuk do të përsëriteshin veprimet antikushtetuese nga qeveria qendrore dhe nga autoritetet lokale në të gjithë Shqipërinë dhe se do të respektoheshin fetë e zakonet e vendit; të njihej kombi shqiptar me po ato të drejta që kishin kombet e tjera të Perandorisë Osmane; të kishte liri të plotë për zgjedhjen e deputetëve shqiptarë, numri i të cilëve të ishte në përpjestim me popullsinë;  të kishte liri për përhapjen e gjuhës shqipe dhe të shkollave shqipe; të bëhej bashkimi i vilajeteve, ku jetojnë shqiptarët, sipas decentralizimit administrativ, dhe të harmonizoheshin ligjet turke me të drejtat zakonore të vendit; nëpunësit e lartë të dinin gjuhën e zakonet e vendit; të gjithë nëpunësit civilë dhe financiarë të  ishin shqiptarë, ndërsa gjyqtarët, xhandarët e policët të ishin gjithashtu vendas; të caktohej një guvernator i përgjithshëm nga sulltani për një periudhë të caktuar; të përdorej gjuha shqipe në administratë, në gjyqe e kuvende, përkrah turqishtes, që mbetej gjuhë zyrtare e qeverisë qendrore;shërbimi ushtarak i detyrueshëm për të gjithë në  kohë paqeje të kryhej në vend, ndërsa për banorët e zonave kufitare të organizohej një shërbim i veçantë ushtarak, që do të kryhej në krahinat e tyre, për të ruajtur kufijtë; të përdoreshin në vend, për ndërtime rrugësh, hekurudhash, shkollash e  të tjera, të ardhurat fiskale me përjashtim të atyre të doganës, të postës, të telegrafës, të duhanit, të alkoholit dhe të pullave, të cilat ishin monopole të shtetit ose u ishin dhënë të huajve sipas kapitulacioneve; t’u njihej fshatarëve e drejta të për prerjen e pyjve sipas një takse;  këshillat e përgjithshme të kishin të drejtë të  jepnin vendime për buxhetin e vilajeteve dhe të kontrollonin shpenzimet; të jepeshin fonde të nevojshme për rregullimin e shtëpive e të dëmeve të tjera të shkaktuara nga operacionet e ushtrive osmane dhe t’u ktheheshin shqiptarëve armët që u ishin marrë ( Historia e Popullit Shqiptar II, Akademia e Shkencave e Shqipërisë-Instituti i Historisë, Tiranë, 2002, f.450).

“Libri i kuq” iu dorëzua nga përfaqësuesit e kryengritësve ambasadorit turk në Mal të Zi, Sadredin Beut. Për të pasur garancinë e Fuqive të Mëdha për plotësimin e kërkesave të tyre, një delegacion i kryengritësve, i përbërë nga Luigj Gurakuqi, Dedë Gjo Luli, etj., ua dorëzoi Memorandumin e Greçës përfaqësuesëve të Fuqive të Mëdha në Cetinë.

Përfundime

Më 2 gusht 1911 në  përfaqësinë e Perandorisë Osmane në Podgoricë, u nënshkrua marrëveshja e malësorëve me përfaqësuesit e qeverisë xhonturke.

Marrëveshja e 2 gushtit 1911 e arritur me presionin frontal(malazias, ndërkombëtar po dhe nga segmente të shoqërisë shqiptare (Jak Sereçi),  kishte 12 pika të ofruara nga pala osmane. Pala turke hyri në negociata me malësorët dhe doli me kundërpropozime sepse kryengritja mund të përhapej; sepse ajo po bënte jehonë dhe po merrte përkrahje; sepse kishte presion nga Fuqitë e Mëdha dhe në radhë të parë nga Austro-Hungaria dhe Britania e Madhe etj.

Kryengritja e Malësisë së Mbishodrës nuk arriti të shëndërrohej në një kryengritje të përgjithshme shqiptare: sepse, në kohën kur ajo ishte në kulmin e saj, krahinat e tjera shqiptare ngurruan të ngriheshin në kryengritje; sepse, një pjesë e mirë e elitës politike dhe intelektuale shqiptare ishte e involvuar në jetën politike osmane dhe insistonte që çështja shqiptare të zgjidhet në mënyrë paqësore në kuadrin kushtetues osman.

Gjithashtu, Kryengritja u zhvillua në kushte të vështira brenda vendit dhe në rrethana jo të favorshme ndërkombëtare. Shtetet ballkanike, duke e vlerësuar autonominë e Shqipërisë si një pengesë për plotësimin e synimeve të tyre pushtuese ndaj tokave shqiptare, vunë të gjitha forcat për ta pënguar Kryengritjen e Malësisë së Mbishkodrës dhe për të mos lejuar që ajo të kthehej në kryengritje të përgjithshme.

Gjëndjen e malësorëve e rëndonte edhe më shumë qëndrimi i qeverisë malazeze, që u bë më armiqësor kur kryengritësit nuk paranuan të vinin luftën e tyre në shërbim të politikës së Cetinës. Prandaj, Qeveria malazeze ua preu furnizimin me bukë kryengritësve malësorë dhe ushtronte presion mbi ta, që të prënonin marrëveshjen me xhonturq. Në ato rrethana malësorët pranuan të bisedonin me përfaqësuesit e Perandorisë osmane, por ata përsëri, duke parë kombin shqiptar si një të tërë, kërkuan që të drejtat, që do t’u jepshin malësorëve, t’u njiheshin të gjithë shqiptarëve.

Megjithëse Kryengritja e vitit 1911 nuk arriti të sendërtojë objektivat e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, respektivisht, ajo nuk arriti ta detyronte qeverinë xhonturke të pranonte kërkesat autonomiste të Memorandumit të Greçës, ajo zë një vend të rëndësishme në historinë e popullit shqiptar. Sepse, ajo shënoi një hap cilësor përpara në organizimin e lëvizjes kombëtare dhe ngriti në një shkallë të lartë ndërgjegjen politike të shqiptarëve. Ajo u zhvillua nën udhëheqjen e një qendre të vetme, të Komitetit të Podgoricës. Kulmin e saj kryengritja e arriti në qershor, kur duke miratuar (më 23 qershor) Memorandumin e Greçës, shpalli kërkesën e autonomisë së Shqipërisë, si program të mbarë lëvizjes kombëtare.

Kryengritja nxori në pah çështjen shqiptare si një problem ndërkombëtar. Për këtë dëshmon, krahas të tjerave, edhe interesimi i diplomacisë angleze për kryengritjen dhe sidomos përkrahja prej Londrës e kërkesave kombëtare të shqiptarëve.

Historiania e njohur Emine Bakalli, ndër të tjerat shkruan: “Me plotë gojë mund të thuhet se Kryengritja e Malësisë së Mbishkodrës e vitit 1911 u bë katalizator homogjenizues te shqiptarët. Ndërkaq, fakti që Perandoria Osmane u detyrua të nënshkuante një marrëveshje me malësorët, në sytë e shqiptarëve zhveshin mitin e pathyeshmërisë së saj dhe trasoi rrugën drejt organizimit të revolucionit nacional shqiptar të vitit 1912.

Kryengritja e Malësisë së Mbishkodrës e vitit 1911 është shembull i shkëlqyeshëm se rëndësinë dhe madhshtinë e ngjarjes historike nuk e përcaktojnë përmasat fizike, por përkushtimi, vendosmëria dhe orientimi politik në harmoni me rrjedhat e kohës, në harmoni me postulatat universale, siç janë dinjiteti, prosperiteti dhe liria.

Sukseset që po shënonin kryengritësit shqiptarë të Malësisë së Mbishkodrës patën jehonë të gjerë në opinionin evropian dhe afirmuan çështjen shqiptare si asnjëherë më parë.”

(Prof. dr. Emine Bakalli, Revista Gjurmime albanologjike-Seria e shkencave historike, Instituti Albanologjik, Prishtinë, 2011, f.187).

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok