22/12/2024

Kristo (Kiço) Zhongo dhe opozita e parë

0
Kristo-Zhongo

Nga Kastriot Dervishi

Në historikët e Sigurimit të Shtetit për zbulimin në vitet 1945-1946 të opozitës së parë të drejtuar nga Sami Çeribashi, Qenan Dibra dhe Musine Kokalari, thuhet se rolin e madh e pati agjenti “Dara”. Duke mos pasur dokumente operative të kësaj çështjeje, ishte bërë një interpretim i gabuar. Merita e vetme e “Darës” ishte se mori më qafë djalin e xhaxhait të vet. Gjithë rolin kryesor inë këtë histori e kishin dy të panjohur: ish nëpunësi i viteve 1941-1943 Kiço Zhongo dhe gruaja e njërit nga të dënuarit e grupit zogist, e cila dekonspiroi notat që iu çuan misioneve të huaja. I instruktuar nga këshilltarët jugosllavë të Drejtorisë së Mbrojtjes së Popullit, Zhongo (që ish shkolluar në liceun e Korçës), “mori nismën” për krijimin e një partie zogiste të radhët e elementit që njihej si i tillë. Para se të arrestoheshin, grupi zogist e kuptoi misionin e tij. Reis Hasho dhe Qenan Dibra bënë hetime por ishte shumë vonë. Në kohën kur nisën arrestimet masive në Tiranë, më 5.2.1946 Zhongo u arratis në Greqi. Informacionin rreth mbërritjes së tij në tokën greke e jep stacioni i komandës së Delvinaqit. Këtu jepen gjeneralitetet: Kristo Zhongo, i biri i Dhimitrit dhe Athinasë, vjeç 34, ish nëpunës, fliste shqip, greqisht, frëngjisht dhe italisht. Zhongo u prezantua si sekretar i një organizate antikomuniste ilegale. Autoritetet greke vunë re si, ai “ra në shumë kundërthënie” e përsëritje, se ishte shqiptar e jo grek, se donte më shumë Shqipërinë sesa Greqinë. Po ashtu nuk kishte treguar asgjë për gjendjen në Shqipëri, ndërsa tha se pará nuk i gjendeshin sepse kish ikur me nxitim. Ky pretendim nuk i bindej realitetit pasi ai ish kujdesur të merrte me vete një valixhe plot me sende kozmetike.

Në procesin gjyqësor kundër opozitës së quajtur Koalicioni Demokratik, emri i Zhongos doli disa herë, por gjykata ose prokurori sa herë përmendej ai, e anashkalonte temën.

Nga Greqia ku jetonte, Zhongo hyri disa herë në Shqipëri. I kallëzuar nga një bashkëkombës i vet si bashkëpunëtor i komunistëve të Shqipërisë, ai u gjet i vrarë, pa u marr vesh me se prej kujt. Megjithatë, Zhongo nuk u trajtua kurrë si hero i heshtur i armës së Sigurimit të Shtetit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok