28/04/2024

AT BERNARD LLUPI- DERI NË VDEKJE PËR ATDHE

0

T’I KUJTOJMË ATDHETARËT TANË:

(7.II.1886- U PUSHKATUA MË 24.XI. 1946)

Nga Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha

Fillimi i vitit 1946 nё Kosovë fillon me një valё tё paparë ndjekjesh e arrestimesh. Hijet e zeza tё UDB-ёs e OZN-ёs, shpërndahen dhe trokasin shtëpi me shtëpi, zanë pritat. Fillojnë reprezaljet që do tё mbeten kujtimi mё i hidhur nё histori. Kosova jetonte natën e Shёn Bartolomeut, pas sё cilёs do tё lindin shumё procese gjyqësore, dëshmi e dhembshme e kohës nёn robërinë jugosllave.

Jemi nё qershorin e vitit 1946, mezi qё kishte ecur njё vit i “Çlirimit” nga fashizmi. Nё Prizrenin legjendar përgatitej kontingjenti prej 27 vetave pёr tё dalё nё bankën e tё akuzuarve dhe nё emёr tё ashtuquajturit “gjyqi i popullit” tё marrin dënimin. Duhet theksuar se pas këtij kontingjenti, qё kryesisht përbëhej prej nxënësve e intelektualëve, ku mё vonë do tё pasohet nga dhjetëra e qindra tё tjerё, po ashtu shqiptarë tё shkolluar, e liridashës, qё grupe-grupe do t’i nënshtrohen “vëllazërim-bashkimit” jugosllav.

Procesi gjyqësor i 27 vetave ose “Procesi i At Bernard Llupit” nuk ishte as i pari e as i fundit për shqiptarët e Kosovës. Burimet që disponojmë për këtë qëllim flasin se nga pushtimi i Kosovës më 1913, regjimi shoven serb kurrë nuk ka pushuar ndjekjen sistematike të shqiptarëve. Megjithatë dënimet dhe proceset e shumta gjyqësore politike, nuk munden të shuajnë idealin e shqiptarëve për liri dhe bashkim kombëtar. Sipas disa hulumtimeve dhe analizave që kam bërë, vetëm nga viti 1945 e deri më 1989 kundër shqiptarëve janë shqiptuar hiq më pak se 666 shekuj, 72 vjet e 7 muaj burg.

At Bernard Llupi, u lind në Shkodër me 7 shkurt 1886, nga babai Filip dhe nëna Luçia Llupi. Ishte i pagëzuar me emrin Mati, ndërsa emrin Bernardin e mori kur u shugurua për prift. Vjen nga një familje e vjetër, me tradita qytetare shkodrane. Pas përfundimit të rregullt të shkollimit, ai i vazhdon studimet në Insburg të Austrisë dhe për rezultate të shkëlqyeshme ai dekorohej me medalje nderi si studenti më i mirë i gjeneratës. Shugurohet meshtar në Romë dhe pas kësaj vjen e shërben në Palç (Mërturë), Hot, Grudë, Bizë të Durrësit, Vlonë dhe Shkodër. At Bernard Llupi njihej si një poliglot, i cili njihte shumë gjuhë të huaja. Si klerik që ishte, duhet përmendur punën e tij për t’iu dhënë mbështetje grave, të cilat kërkonin të drejtat dhe liritë njerëzore. At Bernard Llupi, në vitin 1941 ishte drejtor i Urdhrit të Motrave Katolike “Bijat e Zonjës së Bekueme”, me kuvendin e tyre në qytetin e Shkodrës. Po nga ky vit, fillon edhe njohja me  heroinën shqiptare Marie Shllakun, me të cilën do të bashkëpunoi deri në fund të jetës për përmbysjen e regjimit komunist në Kosovë dhe për bashkimin e trojeve shqiptare.

At Bernard Llupi, kur u arrestua ishte famullitar i kishës katolike në Pejë, dhe deri në fund i ishte mirënjohës at Anton Arapit për emërimin e tij famullitar në këtë qytet. Pas arrestimit të At Bernard Llupit, ai u mor në pyetje shtatë herë. Tri hetimet e para iu bënë menjëherë pas burgosjes, më 20, 27, dhe 28 mars 1946. Për të vazhduar me katër hetimet e tjera më 14, 15, 19 dhe 20 maj 1946.

At Bernard Llupi nga gjykata Popullore e Prizrenit akuzohej se ishte bashkëpunëtor i forcave patriotike shqiptare dhe luftonte kundër regjimit jugosllav dhe sistemit komunist në Jugosllavi; Ishte bashkëpunëtor i ngushtë me Marie Shllakun qysh nga ditët e para të okupimit të Kosovës. Po ashtu bashkëpunonte dhe i ndihmonte organizatat patriotike ilegale në Kosovë si ONDSH-në dhe Besën Kombëtare që e udhëhoqi Prof. Ymer Berisha. Gjithashtu duke e ditur rendësin e Marije Shllakut që e epte nëpër fshatra të Kosovës, ai porosiste dhe urdhëronte njerëzit e vet që ta ruajnë dhe ndihmojnë atë. Maries i dërgonte të holla dhe e ndihmonte me gjëra ushqimore, veshmbathja gjithandej ku kishte nevojë. Me rastin e plagosjes së Marie Shllakut ai i shkruan letër kuraje duke i thënë :”I lumtun ai që bjen për atdhe, me gjakun e të pavdekshmit ndërtohet atdheu”.

Pas gjysmës së vitit 1945, me qëllim që të jep ndihmën e vet sa më të madhe për çlirimin e tokave shqiptare, ai merr iniciativën që të formoi sa më shumë komitete ilegale me qëllim të zhvillimit dhe përgatitjes organizative kundër rregullimit dhe sistemi jugosllav dhe përgatitjen e popullit për të mos u nënshtrua nga bandat jugosllave. Me ndihmën e Atit, në bazë të direktivave të tija, me anën e Marcel Vuçajt u formua organizata e rrethit e Besës Kombëtare në Pejë, e cila kishte për detyrë të riorganizohej dhe të udhëheqë me organizatën e rinisë, formoi dhe udhëhoqi komitetet e fshatrave në grumbullimin e mallrave për t’iu dërgua luftëtarëve në mal. Po ashtu bëri grumbullimin e armëve dhe përgatitjet për kryengritje kundër sistemi jugosllav. Si mbas direktivave të tij dhe në bazë të marrëveshjeve  që ekzistonin më parë ndërmjet tij dhe prof. Kolë Parubit, në Prizren u formua edhe Komiteti Qendror, i cili kishte për qëllim bashkëpunimin e komiteteve të rrethit dhe përgjithësisht udhëheqjen e të gjitha organizatave ilegale dhe bashkëpunimin e grupeve të armatosura. Që kishin për qëllim ngritjen e popullit në luftë të armatosur kundër rregullimit federativ të Jugosllavisë.

Procesi më i madh gjyqësor, dhe që zgjoi interesimin e masave të gjëra shqiptare, pa dyshim është Procesi gjyqësor i At Bernard Llupit, Kolë Parubit, Gjergj Martinit, Marie Shllakut e shumë të tjerëve, që ishin bashkëpunëtorët e ngushtë të prof. Ymer Berishës. Procesi i lartpërmendur filloi me 29 qershor 1946 dhe përfundoi me 11 korrik po të njëjtit vit, që dot thotë se zgjati gjithsej 13 ditë pa llogaritur ditët e hetuesisë e të tjera. Prokuror publik i këtij procesi, siç ishte bërë rregull si në çdo proces tjetër ishte Ali Shukriu. Procesi u mbajt në Prizren. Para trupit gjykues, që e përbënin kryetari i trupit gjykues- Dragutin Janjiq, gjyqtar porotë ishte Ismet Mulla dhe Selajdin Ahmeti. Procesmbajtës ishte Branisllav Kijari. Mbrojtës të të akuzuarve ishin Bozhidar Zuleviq dhe Hysamedin Ejupi, Jovo Poznanoviq dhe Urosh Golluboviq me të vetmin avokat edhe ai ishte një rus i mbetur pas lufte këtu, Vlladimir Znamenski nga Gjakova. Me 29 qershor, Prizreni i bukur kishte ditë zie. Para trupit gjykues të okupuesit, në bankën e zezë u ulën 27 të akuzuar shqiptarë. Ata akuzoheshin vetëm pse kishin dashur vendin e tyre, lirinë dhe një Shqipëri Etnike.

Prof. Ymer Berisha, Marie Shllaku, Atë Bernard Llupi, Kolë Parubi, Gjergj Martini e shumë të tjerë, ishin atdhetar që nuk i përkisnin vetëm një vendi apo krahine, dhe biografitë e tyre përzihen me biografitë shpirtërore të një kohe të tërë, që zëri i tyre është pranë të gjithëve. Robëruesit u munduan ta mbysnin zërin e tyre, gjakimin e tyre, donin t’ia ngushtonin rrethin, dhe donin që t’i asgjësonin, duke i pushkatuar. Ata mendonin se do t’i zhduknin duke bërë krimin më të madh më 24 nëntor 1946. Dhe një filozof (Pëtefi) me të drejt thotë “ Po që se duhet vdekur, le të vdesim më mirë Ne, se sa Atdheu ynë i shtrenjtë. E këta kështu vepruan, për të mos vdekur kurrë as ata e as atdheu i tyre.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok