21/12/2024

KRIPTOKRISTIANIZMI TEK SHQIPTARËT E MAQEDONISË SË VERIUT

0
Syrja-Etemi

Nga Syrja Etemi

Patjetër të theksoj që në fillim faktin se, qëllimi i këtij shkrimi nuk është që të futem thellë në çështjen se kur ka filluar fenomeni i  konvertimit të shqiptarëve nga një fe në tjetrën, apo të gjej arsyet apo shkaqet që determinuan për këtë praktikim, sepse intencat e tilla do të më intrigonin thellë. Prandaj, duke iu shmangur këtij pshtjellimi, unë do të fokusohem vetëm në qasjen e dokumentave të autorëve të ndryshëm rreth dukurisë të ashtuquajtur  si “kriptokristianizëm”  në mesin e shqiptarëve, e, më konkretisht – tek shqiptarët e Maqedonisë së Veriut. Këtu nuk mund t’iu shmangemi edhe të dhënave gojore të trashëguara brez pas brezi përkitazi me këto praktikime, ku ndër popullatë deri vonë bënte vaki që disa familje edhe t’ i stigmatizonin me shprehje të tipit: “Ato jën shkie”, “Ata vuan jan thkej”, ose: “Ato nen vuan i kan raujt kazënët e rakiis n’tra…” e k.m.r. Për këtë arsye, nën ndikimin e mendësive negative të krijuara  për të parët e tyre, të ngarkuara me primesa pezhorative, urrejtja arrin deri në atë masë – sa për t’i konsideruar  edhe si  “shkie” , madje duke i barazuar  bile edhe si sllavë.

PËRQASJE BURIMESH KOMPLEMENTARE

Duke përcjellur në hollësi linjën patrolineare të brezave  të familjeve shqiptare në këto treva, ajo që të bie në sy menjëherë është fakti se largësia më madhe deri te i pari i “fisit” mund të shkojë deri në brezin e tetë apo nëntë. E, kështu, duke qenë i vetëdijshëm se  ky fakt është problem tjetër, për dukurinë në fjalë, domosdoshmërisht do të fokusohem në burime e shënime komplementare që për subjekt kanë “kristianizmin e fshehtë” ndër shqiptarët. Sa për ilustrim do të marr shembull fisin Nikaj (ku edhe shumë vendemërtime (sidomos në Kosovë – në zonat ku kufizohet me Maqedoninë) – marrin këtë patronim, si: KaçaNiku, KryeNiku, Pus’teNiku, etj), dhe fisin tjetër: Marku.  Për këtë qëllim, më së pari do të shkoqis dhe do të paraqes shkrimet e autorit, Robert Elsie, “Fiset shqiptare”, Prishtinë, 2017, i cili në fq. 226, përveç tjerash, shkruan:

“Megjithëse Nikajt ishin fis katolik, emrat myslimanë ishin të zakonshëm në mes tyre . Shumë sish, si , në Shalë, emra të tillë i merrnin që në lindje. Paolo Dodmasei, peshkop katolik i Sapës dhe i Pulatit, më 1884, raportonte se  “Pjesëtarët e fisit Nikaj, i përdornin emrat myslimanë kur shkonin në tregjet e Gjakovës, Pejës e Prizrenit. Arsyeja për këtë, siç thonin ata, ishte se ata ishin të shtrënguar  të kalonin nëpër rajonet myslimane  dhe mendonin se ishte më e përshtatshme të përdornin emra myslimanë, ndonëse të gjithë e dinin se ata ishin të krishterë. Pos kësaj, ata nuk bënin asnjë përpjekje për të fshehur fenë e tyre të vërtetë, ashtu si bënin kriptokrishterët në dioqezën e Shkupit.”

Si rasti i mësipërm  ka  edhe ndër shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, për çka na sjellin shënime shumë autorë të huaj. Me këtë rast do të paraqes shënimet  apo studimet  antropogjeografike të gjurmuesit, Jovan Trifunovski në librin: “Pollog”, fq.195, ku, përveç tjerash, shënon edhe këtë:

“Familja  Ali Marku (në fshatin Padalishtë-Gostivar, S.E.), në vitin 1947 ka 17 shtëpi. Janë të ardhur nga Mati i Arbanisë.  Ata ngulmohen këtu si katolikë qysh para 150 viteve (Aty kah fundi i sh. XVIII, S.E.).  Themeluesi i fisit është Ali Marku – i pari i brezit të katër (nga viti 1947, S.E.), edhe atë: Ibishi, gjallë, 60 vjeç – Asipi – Bajrami – Mustafa – Ali Marku. Pas ngulitjes në Padalishtë, kalon në islam. Në fshatin Cerovë (shprehet autori),  më kanë treguar se kët Arbanasë  deri para 80 viteve kanë festuar Shën Thanasin , pra, ishin dyfetarë (“dvoverci”). Kështu, njëherë një familjar, për nder të festës së lartëcekur, e therrë një dash, ndërsa me gruan bisedon dhe i thotë se, për festën e radhës do ta therrë edhe dashin tjetër nëse vijnë shumë mysafirë. Fëmijët e kanë dashur shumë këtë dash dhe, për këtë dalin në dollap dhe thirrin:

Frije-frije, shej ne bije, o, Thanas

Të mos veje shaum gostije, o, Thanas

Të mos veje shaum gostije, o, Thanas

T’mos e presëm dashin e Madh, o, Thanas!

Pjesëtarët e këtij fisi, pra – të Ali Markut akoma, bashkë me disa pjesëtarë të fiseve tjera të Padalishtës, fshehurazi kanë hyrë në kishë me rastin e ndonjë kremteje fetare kristiane – te shenjtori me emrin Shterjo – në fshatin fqinj. Për këtë arsye, në fund të shekullit XIX, klerikun e lartëpërmendur e mbysin banorët myslimanë të fshatrave përreth. Me banorët e islamizuar të Padalishtës, Arbanasët e fshatrave fqinj, gjatë kohë nuk kanë lidhur marrëdhënie martesore, sepse këta i kanë llogaritur si myslimanë  të “lishtë” (cekët).

Për kultin e Shën Thanasit ndër shqiptarët shkruan edhe linguisti rus, Afanasii Selishçev  në librin: Pollog i ego bollgarskoe naselenie, 1929, fq.211:  “Култ св. Афанасија широко распространен бјил и по Албании. Много пунктов поселенија и много руни посјате название етого свјатого:   Shen Thanas”

Duke iu referuar këtyre dëshmive të shkruara dhe atyre gojore të trashëguara e të përcjellura brez pas brezi, vijmë në konkludim se,  nderimi i shenjtorëve nuk ka qenë “ekskluzivitet” vetëm i të krishterëve sllavë, por edhe të krishterëve shqiptarë (madje edhe tek ata të konvertuarit), tek të cilët, shumë  rituale e tradita fetare i kanë të rrënjosura që nga besimi pagan me kultet bazë në mitologji. Kështu në këtë kontekst, shkruan Elira Çela në librin e saj: Tradita afetare e shqiptarëve:  “Me lindjen e kishës së krishterë, filloi ndjekja e egër ndaj atyre që u përmbaheshin besimeve dhe riteve primitive parakristiane, prandaj mbi bazën e botëkuptimit pagan lindën veprime e rituale të reja, ose veprimet e ritualet e vjetra,  marrin një kuptim të ri magjik. Kështu, shumë festa, rite e ceremoni, si përkujtim i të parëve, janë gërshetuar me elementë kristianë e islamikë, duke ndryshuar  emrat dhe veshjen e jashtme. Të tilla kemi ritet e Shën Kollit, Shën Gjergjit (Shinxherxhit, S.E.), Shën Mitrit (Shumejtrit, S.E.), etj., të cilët janë me përmbajtje parakristiane.”  Kulti i këtyre shënjtorëve festohej si nga të krishterët, ashtu edhe nga myslimanët.

Si do që të jetë, nga këto shembuj që i paraqitëm në këtë trajtesë, mund të dëshmohet qartë prania e sinkretizmit  apo koekzistencës ndërfetare, dhe se, marrëdhëniet  midis besimeve të ndryshme, nuk kanë qenë pengesa të pakapërcyeshme për lidhjen apo bashkëjetesën ndërbesimore ndër shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, por edhe me pjesëtarë të komuniteteve të ndryshme që i takojnë të njejtit besim, si: turq, sllavë, romë, torbesh etj).

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok