08/10/2024

KRIMI SI TREGUES SINTETIK I KRIZËS MORALE TË SHOQËRISË  SHQIPTARE

0

Nga Fran Gjoka

Vitet e fundit, ngjarjet kriminale nё shoqёrinё tonё, kanё qёnё tё shumta. Ne duhet të jemi të ndërgjegjshëm që shenjat në jetën tonë shoqërore janë të tilla, që tregojnë se në shumë aspekte shëndeti i shoqërisë është dëmtuar nga sasia dhe intensiteti në rritje i krimit. Madje ai po shfaq patologji të reja sociale, pikërisht nga ndikimi negativ dhe theksimi i nuancave të forta të krimit, intolerancës, dobësimit të solidaritetit social dhe komunikimit human. Kjo nga që në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë, krimi po dëmton keq “mekanizmat” socialitetit human, aftësinë për të jetuar në mënyrë normale me tjetrin në çdo situatë, dhe për pasojë ka pësuar rupture evidente edhe sociabiliteti, si kërkesë e njeriut të qytetëruar, për të qënë i integruar në mënyrë normale në jetën shoqërore. Krimi është duke u bërë një e keqe sociale shumë e madhe, që ka përfshirë të gjithë llojet e konflikteve personale e interpersonale në “luftën” për hapësira jetike e pronësi, që vijnë nga kolapsi urban apo varfëria, depresioni social në zgjerim. Bashkë me to është zgjeruar konfliktualiteti i politikës, mungesa e diskutimeve të qeta dhe dialogut konstruktiv, që rrit tensionet dhe shfaqjet militanteske të shpërthimit alogjik të një lloj neurotizmi social, i cili gjithashtu shpesh herë është kthyer në faktor që gjeneron krime me natyrë politike apo elektorale. Padyshim, shumë nga fatkeqësitë e tjera që kemi kaluar në të kaluarën, i kemi shpjeguar herë në mënyrë thelbësore e herë në mënyrë të sipërfaqshme dhe justifikuese, kryesisht me ekzistencën e sistemit totalitar. Por si shpjegohet që në shoqërinë tonë, vazhdojnë çuditërisht shumë efekte sociale, edhe pse shkaku i tyre është larguar nga jeta jonë e përditshme. Paradoksalisht fjala vjen, krimi në shoqërinë shqiptare në vend që të “zbutej”, për fat të keq kohët e fundit përkundrazi po zgjerohet dhe agravohet. Ai gati ka marrë përmasat e një çmenduarie sociale, është shtuar jo vetëm në sasi, por është bërë akoma më i sofistikuar, barabar edhe si “cilësi”.

Për pasojë, jemi në momente sociale, kur jeta urbane është turbulluar pikërisht nga shfaqja e krimit si patologji e zgjeruar e jetës. Situata kriminale në shoqërinë tonë është një realitet imediat, i prekshëm, gati i përditshëm, që po e bën jetën e shqiptarëve të vështirë, të parehatshme për ta jetuar atë si duhet. Krimi është kthyer në një “teh” të mprehtë, i fortë dhe kërcënues për jetën urbane. E keqja më e madhe është se sasia në rritje e tij, po shoqërohet me shfaqjen gjërësisht të ndjenjës së pesimizmit social, që ushqehet nga ideja disfatiste, se kjo e keqe e madhe sociale po bëhet e papërballueshme. Midis shumë arsyeve me natyrë objektive dhe të kuptueshme, krimi në shoqërinë tonë po zgjerohet, nga një tendencë negative e deformimit dhe reduktimit të mënyrave të komunikimit social, qytetar dhe të qytetëruar. Për fat të keq jemi në një situatë kur përditë shtohen dhe zgjerohen format e krimit, duke kapur formatin e trajtave më të përbindshme. Po qe se vlerësojmë shtrirjen, gjërësinë dhe intensitetin e krimit në shoqërinë tonë, besoj se treguesit sasiorë janë në nivel maksimal dhe të patolerueshëm. Nganjëherë të duket sikur kjo kohë na ka vënë në një situatë paradoksale, të vështirë për ta kuptuar ontologjinë e saj. Padyshim, statistikat në rritje të krimit në shoqërinë shqiptare, janë pasqyrë e një lloji krize të “moralit publik”. Sepse demokracia që solli lirinë për të gjithë, duket se solli edhe “çlirimin” e krimit dhe praninë e zgjeruar të njerëzve asocialë e kriminelë. Kjo ka bërë që shpesh herë të bëhet evaziv kufiri i ndarjes, midis sjelljes normale sociale dhe humane nga ajo patologjike, irracionale e kriminale. Sipas gjykimit tim, lufta me krimin nuk është betejë e lehtë, as e thjeshtë. Jo vetëm në aspektin e dominimit, si veprim fizik kriminal por mbi të gjitha në kuptimin metafizik e konceptual, si anomali me pasoja të zgjeruara sociale dhe efekte përkeqësuese të cilësisë në jetën tonë të përditshme. Madje ky “rrezik metafizik” i krimit në shoqëri është më ndikues dhe thelbësor, sepse përpjekja e errët, strategjia okulte e tij, synon ta kthejë dhunën, krimin dhe vrasjen në një “normë sociale”, që duhet konsideruar si “gjëndje normale” në jetën e shoqërisë tone. Kjo përpjekje retrograde e destruktive është ajo që unë mendoj se duhet kundërshtuar e para, radikalisht, në mënyrë të vendosur dhe vazhdimisht nga e gjithë shoqëria jonë. Sepse sulmet me natyrë konceptuale kanë “prapavijë morale”, dhe në një farë mënyre janë pjesë e strategjisë diabolike dhe me pasoja të rënda, afatshkurtra dhe afatgjata.

Padyshim në këto momente krimi, dhuna dhe shumë të këqija sociale, jo vetëm që ekzistojnë (ekzistojnë edhe në shoqëri të tjera), por tek ne krimi dhe e keqja sociale është masivizuar dhe banalizuar. Ndaj duhet të heqim dorë nga semplifikimi i sfondit social dhe peshës fizike e metafizike të shumë të këqijave sociale, sidomos të atyre që janë të lidhura dhe burojnë prej krimit. Sepse e vërteta është që kohët e fundit, krimi po bëhet një nga “karakteristikat e tmerrshme” të kohës sonë. Madje, në jetën e përditëshme po shfaqen shenja të thella të mungesës së stabilitetit social, pikërisht nga determinimi destabilizues i krimit, dhe për pasojë edhe nga shtimi njerëzve, që me sjelljen asociale e kriminale, tregojnë qartë se janë në pozitat e veprimit pa busullën personale të orientimit human. Një pjesë e njerëzve me prirje e sjellje kriminale, e përdorin krimin si mënyrë për të shfaqur “trimëri”, por gjithnjë e në çdo rast kjo “trimëri” përdoret vetëm për arsye të liga individuale. Prania e tyre në shoqëri është një ndër arsyet e shumta, që midis nesh janë shtuar “objektet e konflikteve”, subjektet e krimit që gjërat konfliktuale preferojnë t’i zgjidhin në rrugë kriminale, duke ngushtuar në këtë mënyrë hapësirat dhe rrugët e mundshme të zgjidhjes së tyre me dialog, mirëkuptim qytetar, nëpërmjet rrugës “paqësore” dhe përdorimit të “instrumenteve” të bashkëekzistencës dialoguese. Është dukuri tejet shqetësuese, fakti që në shoqërinë tonë është duke lulëzuar një kundërkulturë sociale, që determinon shfaqjet e intolerancës, mungesën e “hapësirave dialoguese” të mirëkuptimit në raportet njerëzore interpersonale. Në të gjitha rastet, sjellja kriminale është rezultat I konfliktit të paarsyeshëm, në konfliktin e krijuar me “palën tjetër”. Krimi është rezultat edhe i faktit që janë zgjeruar disa difekte sociale në sjelljen e njerëzve tanë, sikurse janë shfaqjet e forta të egoizmit, shenjat evidente të “kokëfortësisë ballkanike”, të cilat në përgjithësi nxitin “kulturën e dhunës”, shfaqjen evidente të karakterit destruktiv të sjelljes njerëzore. Kultura e dhunës dhe agresiviteti janë shfaqjet nga më të shëmtuara, që pengon përpjekjen sociale që krimi në shoqëri të mund të frenohet. Të gjitha këto dukuri kanë marrë përmasa shqetësuese, pikërisht gjatë procesit tranzitiv të kalimit nga totalitarizmi në situatat sociale të një lloji “liberalizmi eksentrik”.

Këto sjellje e veprime anormale e kriminale, të shoqëruara me dhunë, vrasje e sjellje sociale neurotike, janë faktorë, ndoshta nga më kryesorët, më të rëndësishmit që e kanë cënuar dhe dëmtuar “shëndetin social” të shoqërisë shqiptare. Ato e kanë prekur cilësinë e jetës së njerëzve, duke tentuar ta bëjnë shoqërinë tonë një ambient social të vështirë për të jetuar normalisht. Kjo është arsyeja pse pikërisht sasia e lartë e dhunës, numuri në rritje i krimit dhe vrasjes e kanë bërë të ulët “çmimin e jetës” së shqiptarëve, duke e konsideruar krimin si një gjë që mund të ndodh dhe të cilit nuk kemi çfarë t’i bëjmë, përveçse duhet të mësohemi me këtë kundërkulturë dhe të “mësohemi” që të bashkëjetojmë me të në mënyrë të “natyrshme”. Krimi dhe vrasjet njeriun normal, qytetarin e arsyeshëm, individin me sjellje rracionale, e kanë vënë përballë dilemës: A mund të jetohet normalisht në një “shoqëri të kriminalizuar”, në të cilën krimi është bërë gati si “buka e përditshme”? Ku duhet të jetojmë në një shoqëri që funksionon normalisht apo në një shoqëri që vazhdon të pësojë metamorfozë e të transformohet, sikur të jetë “kopësht zoologjik”? Pse familja është bërë kaq e dhunshme dhe me sasi të larta të krimit brenda saj? Familje apo çmendinë? Duhet të bëjmë jetë të qetë sociale, apo shoqëria po mbushet me të “çmendur” duke marrë trajtën dhe formën e një spitali psikiatrik? Pse kaq shumë njerëz në shoqërinë tonë vriten, humbin jetën për motive banale dhe gjëra pa vlerë? Këto janë pyetjet që i lindin çdo qytetari që jeton në këtë shoqëri, përballë me dhunën dhe krimin e përhapur kudo, në familje, shkollë, ambiente sociale e vende publike, për të gjitha llojet e shkaqeve dhe motiveve personale apo sociale qofshin. Sasia e zgjeruar e vrasjeve dhe krimit në familje e jashtë saj, janë kaq të zgjeruara e intensive, saqë në mënyrë intuitive të duket sikur jemi në një shoqëri, në të cilën krimi dhe vdekja janë bërë “nevoja natyrale” e shoqërisë, shumë pak shqetësuese, duke harruar të vërtetën humane që në jetën e njeriut dhe shoqërisë biofile, normale, të humanizuar “vdekja biologjike në formë natyrale është nevoja e fundit e njeriut”. Analiza sociologjike e ontologjisë dhe fenomenologjisë së krimit në shoqërinë tonë, sipas mendimit tim, tregon për një prirje shumë delikate që ka lidhje me një lloj “strukturimi homogjen”, midis fenomenit antisocial të krimit dhe veprimit të kriminelëve, të cilët kanë tendencën e thellimit të sjelljes kriminale, duke u shfaqur si “qenie të degraduara”, të cilët nuk kanë kurfarë sensi human, nga që kanë nxjerrë “jashtë përdorimit” dialogun, komunikimin, humanitetin apo tolerancën. Kjo është arsyeja pse duket qartë që në disa drejtime, shoqëria jonë ka marrë karakteristika të dhunshme, që shfaqet shpesh si krizë sociale me difekte serioze në mënyrat e komunikimit social dhe personal. Kjo e bashkuar me një proces të përshpejtuar të dehumanizimit dhe desolidarizimit të lidhjeve njerëzore, janë arsye të zgjerimit të konflikteve, dhunës, krimit. Në qëndrimin ndaj krimit dhe gjykimin e merituar ligjor të kriminelëve, shpesh herë ndeshemi me analiza sempliste të shkaqeve, shoqëruar me argumentime ngushëlluese e moralizuese të atyre që i kanë kryer ato, duke zbutur fajin dhe përgjegjësinë penale të kriminelëve, nën arsyetimin ngushëllues të “ekzistencës së përjetshme” të së keqes, krimit në shoqërinë njerëzore, faktit që vrasjet kanë qënë pjesë përbërëse e jetës. Këto qëndrime, qoftë edhe në trajtë latente janë tejet të rrezikshme, të papranueshme. Në se justifikojmë krimin dhe kriminelët me argumentin banal të “ekzitencës së përjetshme” të së keqes dhe vazhdimësisë së vrasjes në shoqëri, “…kështu vëmë veten në rrezik; dhe rrezikojmë në rradhë të parë njerëzoren te ne, e cila në thelb është pjesa jo kafshërore, aspekti etik i vetes”. (Z. Bauman, “Moderniteti dhe Holokausti”, f. 314

Besoj se krimi është një nga aktet më të shëmtuara, shoqërisht shumë i rrezikshëm. Nuk ka propagandë sado liberale qoftë që të mund ta justifikojë ekzistencën e tij, ta trajtojë atë si “zakon të ligjshëm” apo që veprim që mund të tolerohet. Koncepti për shoqërinë liberale, për kufirin moral, human dhe ligjor midis asaj që lejohet dhe asaj që ndalohet, është fare i qartë. Profesor Claudio Magris i Universitetit të Triestes sociologjikisht mendon me të drejtë, se “Një shoqëri liberale duhet t’i lejojë një individi thuajse çdo gjë – idetë, kënaqësitë, dëshirat, fiksimet e tij- dhe kategorikisht t’i ndalojë ato pak gjëra që mund ta shndërrojnë atë në një persekutues, të madh a të vogël, të individëve të tjerë; këto akte të dhunshme duhen bërë tabu, të ndërpriten përpara se të na paraqiten si opsione konkrete”. (C. Magris, “Panairi i Tolerancës”, f.36).

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok