20/04/2024

Krejt si në doktrinën leniniste

0

Nga Blerim Latifi

Duket se në Kosovë dhe në Shqipëri njerëzit e kanë të vështirë të besojnë se mund të ketë mendim politik jashtë dhe pavarësisht linjave partiake dhe lideriste. Kjo gjë është shprehje e strukturës autoritariste të të menduarit, e rrënjosur thellë në shoqëritë e dy vendeve. Struktura autoritariste e të menduarit do të thotë se gjithçka që thuhet e mendohet, kë të bëj me Shefin e Madh të Shtetit, Babën e Madh të Kombit, liderin me L të madhe, sepse në shoqëritë që kanë një stukturë të tillë të të menduarit besohet se fati i secilit dhe i të gjithëve varet nga fati i atij. Prandaj secila fjalë dhe veprim i tij bëhet objekt shqyrtimi, analize e thashethemnaje e secilit dhe e të gjithëve. Prandaj nuk mund të mendohet të ketë pozicione politike të pavaruara nga raporti me të. Ose je me të, ose kundër tij. Nuk ka rrugë të tretë, e as të katërt. Krejt njësoj si në doktrinën leniniste: nuk ka mendim jashtë linjave partiake, as të vërteta jashtë partishmërisë.

Ndërsa në rrafshin e raporteve ndërshqiptare ky monizëm politik e mental duket kështu: Ose je me Ramën ose me Kurtin. Nëse je kundër Kurtit, ti detyrimisht duhet të jesh me Ramën ; dhe anasjelltas, nëse je me Kurtin, gjithqysh duhet të jesh kundër Ramës. Dhe nëse ka shkuar puna aq larg sa je bërë militant i Ramës, duhet të mendosh se gjithçka që ai thotë e bën, është e drejtë, e vërtetë, e duhur dhe e mirë. E njëjta vlenë edhe për Kurtin.

Në një kontekst të tillë politik njerëzit e kalojnë gjithë motin duke e përtypur e ripërtypur atë se çka tha Rama e çka Kurti.

Klasikët e mendimit politik me të drejtë thonë se demokracia nuk është vetëm një regjim i caktuar politik, në bashkësinë e madhe të regjimeve politike. Është edhe gjendje mendore. Parasegjithash, gjendje mendore.

__________

Prej majit të vitit 1998 e deri në mesin e gushtit të atij viti, Juniku ishte kthyer në arterien kryesore përmes të cilës lëviznin mijëra luftëtarë të UÇK, të cilët bënin qindra kilometra në këmbë përmes maleve dhe kufirit të blinduar nga ushtria serbe, që të shkonin në Tropojë, ta merrnin një pushkë, një çantë me fishekë, e të ktheheshin sërish në Kosovë për të luftuar për çlirimin e saj. Natyrisht, Serbia e dinte këtë, prandaj në strategjinë e saj për shkatërrimin e plotë të UÇK-së i kishte vendosur dy objektiva finalë: ofensivën në Junik gjatë gushtit dhe rrethimin e Çyçavicës në shtator. Në betejën e 10 gushtit, në Junik, do të binin dy nga komandantët më trima të UÇK-së, Bekim Berisha dhe Bedri Shala, bashkë me shumë luftëtarë të saj. Pikërisht aty ku në verën e vitit 1912 kishte nisur kryengritja e përgjithshme antiosmane dhe programi politik për Shqipninë e pavarur. Shqipnia e pavarur i ka rrënjët në Kosovë dhe Kosova e ka të drejtën e zanit të saj në Shqipni.Interesat e ngushta ditore dhe meskinitetet brenda shqiptare nuk do të munden kurrë ta errësojnë fatin e tyre të përbashkët historik. As të djeshmin, as të nesërmin.

__________

Teoria kulturaliste e institucioneve politike thotë se sistemet politike nuk janë formula mekanike, që funksionojnë pavarësisht kontekstit kulturor.

Ato janë mishërim i ideve dhe vlerave kulturore dhe kur shkëputen nga trualli kulturor ku kanë lindur, e humbin funksionalitetin.

Në këtë pikëpamje, demokracia liberale konsiderohet jo si një formulë universale e qeverisjes, por si një ide politike që nuk funksionon dot jashtë kontekstit kulturor të civilizimit perëndimor.

Sovraniteti i popullit, sundimi i ligjit, të drejtat e njeriut, ndarja e pushteteve, shteti sekular, të gjitha këto janë produkte të filozofisë dhe kulturës perëndimore, që nuk kanë asnjëlloj kuptimi e peshe në kontekste të tjera kulturore.

Kulturalistët më të moderuar konsiderojnë se një popull që të jetë në gjendje deri diku t’i jetësojë këto ide në institucionet e tij politike, i duhet më parë të përvetësoj kulturën që i ka kriju dhe u jep kuptim atyre. Rruga për në demokraci kalon përmes Iluminizmit.

Tërheqja e amerikanëve nga Afganistani dhe rikthimi i rrufeshëm i talebanëve është shembulli ma i ri që e konfirmon argumentin kulturalist për funksionimin e demokracisë dhe praktikave tjera liberale.

__________

Në rrafshin praktik nacionalizmi shqiptar kurrë s’ka qenë uniform.

Janë tri rryma të tij që vazhdimisht kanë pasur probleme të bashkëveprimit me njëra-tjetrën.

  1. Nacionalizmi zyrtar i Shqipërisë, me qëllimin e tij themelor ruajtjen e sovranitetit të shtetit shqiptar dhe kufijve të tij të vitit 1913.
  2. Nacionalizmi unifikues i Kosovës, me qëllimin e tij themelor bashkimin e Kosovës me Shqipërinë.
  3. Nacionalizmi fetar i shqiptarëve të Maqedonisë, të cilët, duke qenë të ndikuar pak nga ideologjia e Rilindjes Kombëtare Shqiptare, gjithmonë kanë pasur dhe vazhdojnë të kenë vështirësi serioze që të bëjnë dallimin midis kombit dhe religjionit, dallim që është esencial në doktrinën themeltare të nacionalizmit shqiptar.

__________

Shumë i kemi këndu kangë çlirimit të Shkupit me 12 gusht 1912. Edhe historiografia jonë po ashtu e ka glorifiku. Ndërkaq, kur futesh në detajet dhe situatat konkrete të ngjarjes, pamja e saj duket krejt tjetër.Mijëra shqiptarë të armatosur pasi kanë marrë të gjitha qytetet e tjera të Kosovës, në fund hyjnë edhe në Shkup, qyteti më i madh shqiptar në të katër vilajetet. Dhe pas kësaj fillon të bëj punën prirja e vjetër shqiptare për ta humbur betejën në prag të fitorës. Krerët e asaj ushtrie të madhe fillojnë të grinden me njëri tjetrin për atë çfarë duhet bërë më tutje. Hasan Prishtina, i cili ishte i vetmi që merrte vesh nga zhvillimet politike rajonale dhe europiane të atyre ditëve, insiston që të shpallet shteti i pavarur shqiptar. Isa Boletini e Riza Beg Kryeziu, të pashkolluar e pa sens politik, nuk e kuptojnë dot Hasan Prishtinën. Ata duan më pak. Madje Isa Boletini kërcënon të niset drejt Selanikut për të nxjerrë nga burgu Sulltan Abdyl Hamidin e burgosur nga xhonturqit. Hasan Prishtina mundohet ta ruaj idenë pse kishte nisur gjithë ajo sipërmarrje e madhe, por nuk ia del dot. Në fund rreth 20 mijë luftëtarët që hynë në Shkup, shpërndahen, duke u kthyer në fshatrat e tyre, prej nga ishin mobilizuar. Pas dy muajsh ushtritë serbe invadojnë Kosovën. Askush nuk u del përpara për t’u rezistuar. Shqiptarët e Kosovës pastaj duhej të presin dhe të vuajnë kamxhikun serb edhe 86 vjet të tjera, derisa të krijohet një formacion tjetër ushtarak për çlirimin e Kosovës: Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Kështu, Shekulli XX, të cilin e kishim nisur shumë keq, do të kishte një mbyllje fatlume për ne. Shekulli XXI, të cilin e kemi nisur mbarë, mund të ketë një fund të hidhur, kuptohet nëse vazhdojmë që në vend se të mësojmë nga gabimet dhe marrëzitë e bëra gjatë të kaluarës, t’i thurim vargje lavdie dhe kangë epike asaj. Natyrisht, edhe nëse lejojmë të qeverisemi nga politikanë që nuk shohin përtej hundës dhe egos së tyre.

__________

Një hoxhë në Karaqevë i paska hequr fotografitë e Skënderbeut, Ibrahim Rugovës e figurave tjera kombëtare nga muri i një objekti ku qenka duke u mbajtur një e pame.

Para luftës këto fotografi na i hiqnin policët e Milosheviqit dhe paramilitarët e Arkanit, e pas luftës hoxhallarët vahabistë. Kohët janë të ndryshme, heqësit e fotografive kanë emra të ndryshëm, por qëllimi mbetet i njëjtë: të luftohet identiteti kombëtar i shqiptarëve. Dhe ai që e quajmë Shteti i Kosovës mbyllë sytë dhe veshët.

__________

Ky është një vizatim i fundit të shekullit XIX. Në të paraqitet frika e njerëzve të asaj kohe nga një zbulim i sapo bërë: energjia elektrike. Njerëzit mendonin se energjia elektrike ishte një shpikje e rrezikshme, djallëzore, që do t’ua shkatërronte jetën. Pastaj, me kalimin e kohës, e kuptuan se frika e tyre ishte thjesht një formë e fobisë pothuajse instinktive që kanë njerëzit ndaj gjërave e shpikjeve të reja e të padëgjuara. Sot jeta njerëzore nuk mund të mendohet pa energjinë elektrike.

Shopenhaueri, i frymëzuat nga Platoni, e thotë saktë: njerëzit në fillim i përqeshin gjërat e reja, pastaj u kundërvihen atyre dhe në fund i pranojnë.

__________

Gjatë karrierës së gjatë politike dhe nëpër trazirat, kthesat, thyerjet e paqartësitë e mëdha politike të kohës së tij, Hasan Prishtina kishte bashkëpunuar me shumë palë: me bullgarët, austro-hungarezët, italianët, me diplomatë gjermanë e anglezë, e me sa e sa të tjerë. Veç me serbët kurrë. Sepse Kosovën nuk mund ta fuste në pazare me ta.Në asnjë rrethanë, me asnjë çmim dhe për asnjë interes. Ai mund të vritej, por të frikësohej e blihej kurrë. Dhe 22 vite pas përmbushjes së idealit të tij jetësor, eshtrat e tij ende prehen në një varrezë të shkretë të Kukësit.

__________

Është e padrejtë t’u bijmë në qafë qytetarëve të thjeshtë të Shqipërisë për shkakun se nuk ua dinë emrat kriminelëve serbë që vranë e dogjën Kosovën, apo për shkakun që nuk e dinë në hollësi, ta zëmë, problemin në veri të Kosovës!

Sa prej nesh i dijmë emrat e gjeneralëve grekë që dikur vranë e dogjën jugun e Shqipërisë?

Po të na pyes dikush, nuk do jemi në gjendje ta themi një emër të vetëm.

Ose: sa prej nesh e njohim problemin e demarkacionit të detit mes Shqipërisë e Greqisë?

Dyshoj se mund të themi diçka me vlerë për këtë problem.

Qytetarët e thjeshtë rëndom janë të zhytur gjithë kohën në përditshmërinë e tyre, e nuk kanë kohë të merren me shqyrtimin kritik të çështjeve të mëdha mes shteteve.

Janë elitat politike, biznesore e kulturore, ato që i bëjnë pisllëqet e mëdha, prandaj edhe kritikat duhen orientuar gjithmonë drejt sarajeve të tyre.

__________

Kur nazistët po i afroheshin Parisit, dikush u kujdes që “Monalizën”, pikturën ma të famshme në botë, ta largonte nga Parisi dhe ta fshehte në një fshat të humbur të Francës. Edhe në ditët më të rënda për kombin e tyre, francezët nuk harronin të kujdeseshin për artin.Në këtë fotografi shihen disa persona që, pas përfundimit të luftës, po e përgatisin “Monalizën” për ta kthyer në Paris. Fotografi ka kapur momentet e mahnitjes së tyre me pikturën e sapo nxjerrë nga vendi i fshehtë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok