Kosova një oqean me gjak…
Shkruan: Don Lush Sopi
Populli ynë Shqiptar, gjatë gjithë historisë së vet, ka kaluar periudha shumë të vështira, si në aspektin fetar, gjithashtu në atë kombëtar, nga pushtues dhe ideologji të ndryshme. Periudha të vështira politike, ekonomike, arsimore, kulturore, të cilat kanë shkaktuar dëme të mëdha, në të gjitha sferat e jetës.
Historia e popullit tonë është e larë me gjakë, me gjakun e shumë martirëve dhe dëshmorëve, të cilët flijuan jetën për sovranitetin e Kosovës.Sado që ka përjetuar periudha të hidhura dhe të errëta, ajo ka shkëlqyer dhe ka shndrritur me personalitete, të cilët kanë lënë gjurmë të mëdha dhe të pashlyeshme në historinë tonë, si në aspektin fetar, gjithashtu në atë kombëtar, kulturor dhe arsimor.
Situata e tanishme në Kosovë, në çdo aspekt, si në atë politik, ekonomik, fetar, edukativë, kulturor…është jo stabile, e tencionuar dhe pa perspektivë për një të ardhme më të mirë.
Përpos që jemi të zhgënjyer me këtë situatë, jemi edhe të shqetësuar, sepse, gjithë ajo që është arritur me shekuj, e arritur me shumë flijime dhe sakrifica, me përndjekje e persekutime, me gjakë të derdhur gjatë shekujve, mund të dëmtohet, apo edhe të shkatërrohet tërësisht.
Shoqëria jonë është në krizë të thellë, ndoshta si kurrnjë herë më parë, sepse gjithnjë e më tepër po e humb kuptimin dhe qëllimin e jetës, sikur nuk dinë të çmoj as lirinë, e cila i jep kuptim dhe vlerësim të plotë jetës së njeriut.
Të fyhen personalitetet më të mëdha që ka pasur kombi ynë, të cilët kanë lanë gjurmë të mëdha në historinë e Kombit tonë, vepra që kanë mahnitur botën, vepra të cilat vlerësohen dhe çmohen nga personalitetet më eminente në botë, është turpi më i madh për shoqërinë tonë dhe dëmi më i madh që mund t’i bëhet kombit tonë.
Nëse fyejmë Heroin Kombëtar Gjergj Kastriotin-Skenderbeun, Nënën e mbarë botës, bijën tonë Shqiptare Shën Nënë Terezën, shkrimtarin e nivelit botëror z. Ismail Kadare, Presidentin historik të Kosovës Dr. Ibrahim Rugova, Komandantin legjendar Adem Jasharin, rilindasit kombëtar, pa marr parasysh përkatësinë e tyre fetare, martirët dhe dëshmorët që flijuan jetën për Kosovën, nëse nuk çmojmë dhe vlerësojmë kontributin e madh të të gjithë shqiptarëve, të cilët në mundësit e veta vazhdimisht kanë mbështetur dhe përkrahur çështjen kombëtare dhe shtetërore deri më sot, jo vetëm që është e turpshme, por është mëkatë i rëndë i cili do të na hakmerret.
Nëse ne nuk çmojmë dhe vlerësojmë vetveten, nuk mburremi me historinë tonë të lashtë, me personalitetet të cilët kanë vërë bazamentin e shtetit të Kosovës, mos të presim të na respektojnë dhe çmojnë të tjerët, sepse “koha e artë” e mbështetjes dhe përkrahjes së faktorit ndërkombëtar dhe miqëve tanë në përgjithësi, si duket, dita-ditës gjithnjë e ma tepër po zbehet.
Është sinjal i ndezur dhe shumë i çartë për ne, sinjal i cili nuk guxon asesi të neglizhohet, sepse propagandat e atyre që nuk e duan Kosovën janë aq të madha, sa që, shfrytëzojnë të gjitha kanalet e mundshme tokësore dhe nëntokësore, jo vetëm për ta penguar Kosovën drejtë perspektivës së saj, por duan edhe kthimin e saj mbrapa…
Debatet politike në televizionet tona, kanë kaluar çdo normë njerëzore dhe morale. Në to ndëgjojmë deklarata shokuese dhe shqetësuese, deklarata të pamatura, të pavërteta dhe skandaloze.
Të qëndrojmë indiferent ndaj deklaratave të tilla, nuk është njerëzore as morale. Prandaj, si qytetar i Republikës së Kosovës, i shtyrë nga ndërgjegja, nga përgjegjësia fetare, kombëtare, dhe morale, e ndiej për obligim, në këto rrethana të vështira për shoqërinë tonë, ku fyerjet, nënçmimet dhe kërcnimet kanë arritur kulminacionin e vet, të shpreh shqetësimin tim të madh, për të ardhmen e vendit tim, sepse Kosova ende e ka një rrugëtim të gjatë dhe të mundimshëm, deri në arritjen e stabilitetit kulturor, shoqëror, politikë dhe ekonomik.
Para disa ditëve, në një debat televiziv ndëgjova këtë deklaratë: “Ndarja e Kosovës ka filluar me Rugovën”!!!
Në këtë kontest, pyetja e parë që shtrohet është: Nëse ndarja e Kosovës paska filluar me Rugovën, kush vallë e paska pamundësuar këtë ndarje deri më tani?!
Po e marr hipotetikisht, nëse kjo deklaratë është e vërtet (sepse s’është e vërtet), po i bie që, ndarjen e paskan pamundësuar ata të cilët e kanë udhëhequr shtetin e Kosovës deri më tani!
Edhe kjo përgjigje sigurisht do t’i revolton ata që kanë mendime të tilla, sepse nuk ka si të kuptohet ndryshe, pos që këtë ndarje e paskan shpëtuar ata, të cilët kanë qenë në krye të shtetit deri me tani, dhe paskan merita të mëdha për këtë!
Është e vërtet që ndarja e Kosovës ka filluar me Presidentin historik të Kosovës Dr. Ibrahim Rugova, por NDARJA E KOSOVËS NGA SERBIA.
Presidenti Rugova, me urtinë, mençurinë dhe diplomacinë e një burrështetasi të nivelit botëror, në periudhat më të vështira të Kosovës, së bashku me gjithë popullin shqiptar, me përkrahjen më të madhe që ndonjë herë ka pasur ndonjë lider politik apo shtetror, arriti ta mobilizoj gjithë shoqërinë, për të qenë unik dhe të pathyeshëm në idealet kombëtare, deri në realizimin e aspiratave shekullore të popullit tonë shqiptar, ndarjen e Kosovës nga Serbia dhe shpalljen e Kosovës SHTET TA PAVARUR DHE SOVRAN.
I vetëdijshëm se kjo nuk mund të arrihet pa mbështetjen dhe përkrahjen ndërkombëtare, Presidenti Rugova shfrytëzoj gjithë potencialin e vet politik dhe diplomatik, potencialin mendor dhe shpirtëror, për t’i bashkuar shqiptarët kudo në botë, duke i ftuar në unitet dhe bashkëveprim, për ta bindur faktorin ndërkombëtar në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për mbështetje, përkrahje dhe realizim të aspiratave shekullore të popullit shqiptar, për të jetuar të lirë në Shtetin e vet.
Me një urti të veçantë dhe të rrallë, me diplomaci të një burrështetasi dhe intelektuali të nivelit të lartë botëror, arriti të fitoj besim të plotë, mbështetje dhe përkrahje për dalje nga robëria dhe skllavëria sllave, si dhe mbështetje dhe përkrahje për sovranitetin e Kosovës.
Presidenti Rugova, në të gjitha takimet, në të gjitha intervistat, kudo që kërkohej, pavarësisht rrethanave, kërcnimeve dhe rrezikut për jetë, gjithnjë ka potencuar dhe theksuar se e vetmja zgjidhje për Kosovën është KOSOVA E PAVARUR DHE SOVRANE me kufijt ekzistues. Aq shpesh e përsëriste këtë, sa që, kishte përshtypje se është bërë “monoton” me këtë deklaratë.
Prandaj, ata që mendojnë dhe deklarojnë se ndarja e Kosovës ka filluar me Rugovën, e kanë gabim dhe është në dëmë të madh për Kosovën, ndërsa në favor të armiqëve të saj, të cilët vazhdimisht punojnë dhe e kërkojnë ndarjen dhe coptimin e saj.
Deklarata tjeter, “Rugova ka qenë një pacifist” është deklaratë e nivelit të ulët politik dhe diplomatik, sepse, ai që i parapiu dhe që nxiti luftën në Kosovë, ishte Presidenti Rugova së bashkut me bashkëpuntorët e vet, i mbeshtetur dhe përkrahur nga i gjithë populli shqipar.
Pas heqjes së autonomisë së Kosovës, si Krahinë e Jugosllavisë me 23 mars 1989, fillimit të represionit të Serbisë mbi popullatën shqiptare, ishte momenti vendimtar për shqiptarët, të fillojnë me rezistencën politike, që pashmangshëm do të ndezte përplasjet ndëretnike dhe do t’i hapte rrugë konfliktit të armatosur.
Si bashkëthemelues i Lidhjes Demokratike të Kosovës, që më vonë do të transformohej në parti politike, Dr. Ibrahim Rugova me 23 dhjetor 1989 u zgjodh kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, partisë së parë politike në Kosovë.
Deklarata Kushtetuese e 2 korrikut të vitit 1990, shpallja e Kosovës Republikë dhe miratimi i kushtetutës së saj me 7 shtator të vitit 1990, referendumi popullor për pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës në fund të shtatorit 1991, zgjedhjet e para shumëpartiake për Kuvendin e Kosovës dhe zgjedhja e Ibrahim Rugovës për President të Republikës së Kosovës me 24 maj 1992, nxitën reagime të ashpra në Serbi.
Populli shqiptar, në krye me Presidentin Rugova, jo vetëm që nuk u përkul para masave rigoroze dhe drastike që Serbia ndërmori ndaj shqiptarëve, por guximshëm vazhdoj veprimtarinë në të gjitha fushat, duke e bërë të qartë se nuk do të ndalet deri në realizimin e plotë të aspiratave shekullore, për Kosovën Shtet të Pavarur dhe Sovran.
Për të dëshmuar vendosmërinë e arritjes së këtij qëllimi, në kuadër të institucioneve të Republikës së Kosovë, gjegjësisht Ministrisë së Mbrojtjes, Presidenti Rugova formoj Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës (FARK), për çlirimin e Kosovës dhe krijimin e paqës dhe stabilitetit në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës. Emëroj Ministrin e Mbrojtjes, të cilin e autorizoj për mobilizim të popullit shqiptar, në mbrojtje të atdheut.
Deklarata dhe miratimi i Kushtetutës së Republikës së Kosovës në vitin 1991, referendumi popullor për pavarësinë e Kosovës po në këtë vit, zgjedhjet e para për Kuvendin e Kosovës dhe zgjedhja e Dr. Ibrahim Rugovës për President të Republikës së Kosovës, janë gurthemel i shtetësisë së Kosovës.
Këto vendime ishin të paimagjinueshme dhe të papranueshme për Republikën e Serbisë, prandaj ishin si pretekst dhe “asyetim” për intervenim në Kosovë.
Të jesh në Kryetar i partisë së vetme politike në Kosovë, të jesh President i Republikës së Kosovës, Komandant suprem i Forcave të Armatosura të Kosovës, të marrësh përgjegjësinë për shpallje të vendimeve më të mëdha politike, juridike dhe shtetërore, në atë kohë, ishte burrëri, trimëri dhe heroizëm i vërtet.
Një udhëheqës i tillë, që ishte në krye të të gjitha këtyre proçeseve, në periudhat më të vështira për Kosovën, si dhe deklaratat e shprehura publikisht, para gjithë faktorit ndërkombetar, se për Kosovën zgjidhja e vetme është PAVARËSIA dhe SOVRANITETI i saj në kufijtë ekzistues, të quhet “pacifistë”?!!! E papranueshme dhe e pajustifikueshme.
Mohimi i këtyre proçeseve, mohimi i kontributit të jashtëzakonshëm dhe të pakontestueshëm të Presidentit Rugova, do të thotë, shlyerje e një periudhe historike, shumë të rëndësishme për Kosovën.
Megjithatë, është shumë e çartë dhe duhet pranuar, se Kosova nuk fillon me Rugovën, nuk fillon me ata të cilët u flijuan dhe u sakrifikuan për te, nuk fillon me ata që e lexuan Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës, nuk fillon me ata të cilët e udhëheqin sot dhe do ta udhëheqin në të ardhmen Kosovën, kushdo qofshin ata.
Kosova, vend i vlerave dhe virtyteve, vend i flijimeve dhe sakrificave, vend i persekutimeve dhe martirizimeve të shumta, është një oqean i mbushur me gjakë, shekuj me radhë. Ky oqean i mbushur me të gjitha grupet e gjakut (shqiptarët e të gjitha besimeve), ka plotësuar mungesën e gjakut në organizmin e njeriut (Kosovës), pavarësisht grupit të gjakut për të cilin ka pasur nevoj.
Në këtë mënyrë i është mundsuar trupit të njeriu (Kosovës), që ti vë të gjitha gjymtyrët (organet shtetrore) në funksion, sepse: “Një trup i vetëm ka shumë gjymtyrë e të gjitha gjymtyrët e trupit, edhe pse shumë – nuk trajtojnë por një trup të vetëm…Prandaj, syri nuk mund t’i thotë dorës: “S’kam nevoj për ty”, ose duartë këmbëve: “S’kam nevoj për ju…!” Hyji ashtu e ka përbërë trupin, sa që gjymtyrës së fundit i ka dhënë më shumë nder, që të mos ketë përçarje në trup, por që gjymtyrët barazi të kujdesen njëra për tjetrën. Dhe, nëse vuan nje gjymtyrë, vuajnë së bashku të gjitha gjymtyrët; e nëse nderohet një gjymtyrë, të gjitha gjymtyrët gëzohen bashkë me të” (1Kor 12, 12, 21, 24-26).
Ta ruajmë këtë oqean si sytë e ballit, sepse po qe se në atë aqean hedhim diçka tjetër pos gjakut, gjaku do ta humbë efektin e vet, dhe jo vetëm që nuk do ta ndihmoj organizmin e njeriut (Kosovën), por mund edhe ta infektoj-helmoj atë.
Mbrojtja e këtij oqeani na takon të gjithëve, sepse pa atë gjakë (histori), ka mundësi që në të ardhmën mos ta njohim as vetveten, jo ma të na njohin të tjerët. Këto ditë, të gjithë qytetarët e Kosovës janë në pritje të vendimit të rëndësishëm të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, vendim i cili do të zgjidhë ngërçin politikë në Kosovë, duke i hapur rrugë formimit të institucioneve të Kosovës.
Çdo qytetar i Kosovës i ka preferencat e veta dhe lirinë e plotë për tu përcaktuar për ndonjë individë apo parti politike, që pretendon se duhet ta udhëheq shtetin. Por, nëse ajo dëshirë tejkalon dashurinë që duhet ta ketë ndaj SHTETIT, është përkrahje dhe mbështetje e dëmshme, sepse Shteti nuk varet nga një subjekt politikë, por subjekti politikë varet nga Shteti.
Prandaj, urojmë dhe lusim Zotin, që të gjitha subjektet politike, si dhe shoqëria civile, pavarësisht vendimit të Gjykatës, të pranojnë vendimin e saj, sepse është organi më i lartë juridik shtetror.
Është përgjegjësi dhe obligim moral për të gjithë.Zoti e bekoftë Gjykatën Kushtetuese të Kosovës.
Zoti e bekoftë Kosovën dhe gjithë popullin e saj!