24/12/2024

Koronavirusi – Ku dallon Shqipëria nga Kosova?

0
u6_Enver-Bytyci

Nga Enver Bytyçi

Në Shqipëri rasti i parë i konfirmuar zyrtarisht i Covid-19 daton me 9 mars. Në Kosovë me 11 mars. Po cila është situata në secilin prej këtyre dy vend dhe ku dallojnë ato midis tyre në këtë situatë “lufte”?!

  1. Shqipëria ka një qeverisje të përfaqësuar nga një person, kryeministrin e vendit me plotfuqishmëri, për fatin e tij e për shkak të pandemisë të pa shqetësuar edhe nga opozita. Kosova ka një qeveri dhe kryeministër në detyrë, me mundësi të kufizuara, me një opozitë krejt destruktive e të papërgjegjshme, në interesin e së cilës dominon ruajtja e pushtetit të rrënuar. Kryeministri i Shqipërisë drejton vendin me tanke e autoblinda në rrugë. Qeverisë së Kosovës me padi nga ana e presidentit të vendit ia ka ndaluar Gjykata Kushtetuese të pengojë lirinë e qytetarëve. Në Shqipëri edhe presidenti i vendit, pavarësisht uzurpimit të pushtetit të tij nga ana e kryeministrit, në respekt të të sëmurëve nuk reagon.
  2. Ndërsa Kreu i ekzekutivit shqiptar drejton situatën nga Surreli, homologu i tij në Prishtinë nga zyra. Edi Rama del çdo ditë në TV dhe kërcënon popullsinë me pranga, gjoba e vdekje, Albin Kurti ka autorizuar ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitinë, të komunikojë dhe thjesht të japë informacion për qytetarët. Komunikimi me publikun është në Kosovë shumë herë më pozitiv se në Shqipëri. Nuk është qeveria ajo që në Prishtinë të ushqejë panikun, frikën, tmerrin, si në Tiranë.
  3. Në Shqipëri janë bllokuar kufijtë dhe qytetarët shtetas të të saj në zonat neutrale të pikave të kalimit kufitar. Në Kosovë qytetarët në kufi shoqërohen nga automjetet e shtetit dhe strehohen në ambiente të posaçme për 14 ditë, derisa të provohet ose jo infektimi me koronavirus. Në Shqipëri, nëse dikush kalon në kufi, porositet të qëndrojë në karantinë për 14 ditë në shtëpi, ndryshe gjobitet, një masë kjo fakultative e lënë në dorë të hallexhinjve, të cilët në përpjekjet për mbijetesë nuk e respektojnë karantinën. Në Kosovë nuk lejohet që kjo kategori qytetarësh të shkojnë në familje, por karantinoren në kampusin universitar nën mbikëqyrjen dhe kujdesin e autoriteteve shëndetësore e të sigurisë.
  4. Në Shqipëri ka terror dhe shtetrrethim ushtarako-policor, sidomos në 40 orët e fundjavës, në Kosovë ka liri lëvizjeje dhe bëhet thirrje për distancim fizik e social, pastërti dhe përdorimin e maskave e dorezave. Tek ne farmacitë dhe ushqimoret punojnë 5 orë në ditë, në Kosovë së paku 12 orë në ditë. Në Shqipëri duhet leje të dalësh nga shtëpia e të shkosh punë, në Kosovë janë të lirë njerëzit të punojnë duke respektuar rregullat e vendosura për mbrojtjen nga Kovi-19. Qeveria shqiptare prej një muaji ka bllokuar udhëtimin me automjet nga shtëpia në punë, duke i detyruar njerëzit të grumbullohen me dhunë në autobusë e duke rrezikuar infeksionin me koronavirus. Në Kosovë mjetet lejohen për udhëtim në punë, sipas një procedure të caktuar rregullash.
  5. Kosova merret si shembull i menaxhimit të situatës në parlamentin e Australisë, Shqipëria merret me lobimin për personalitetin e kryeministrit të plotfuqishëm në Itali. Kosova është i pari vend në Europë që ka siguruar kurën e mjekimit nga SHBA-të. Shqipëria, nëse i referohemi specialistëve, ende nuk ka një protokoll mjekimi. Secili mjek jep kurën që dëshiron.
  6. Në Kosovë flasin dhe i diktojnë vendimet specialistët, në Shqipëri të drejtën e fjalës dhe vendimmarrjes e ka vetëm kryeministri.
  7. Kosova ka vënë në dispozicion të bizneseve dhe njerëzve të dëmtuar 200-400 milion euro, Shqipëria vetëm 100 milion. Në Kosovë askush nuk përfiton më pak se 100 euro, në Shqipëri ndihma ekonomike është rritur nga 30 në 60 euro. Në Shqipëri një pjesë e administratës publike paguhet me gjysmën e pagës, në Kosovë mësuesit do të marrin gjatë kësaj kohe 300 euro më shumë se paga!

Rezultatet? Kosova ka 3 vdekje nga virusi, Shqipëria 22, ndërsa e para ka rreth 2 milion banorë rezidentë dhe e dyta rreth 3 milionë. Shqipëria ka rreth 400 të infektuar dhe qindra të tjerë të pa raportuar qëllimisht, Kosova ka diku te 150 të infektuar. Numri i të shëruarve është më i lartë në Kosovë, sesa në Shqipëri. Nëse raporti i popullsisë është 1:1.5, raporti i atyre që kanë humbur jetën është 1:7!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok