09/11/2024

KOPRI I VOGËL SLLOVEN, HISTORI E LASHTË SHQIPTARE

0

Shoqata “Iliria” e Koprit, vatër e fuqishme shqiptare në Slloveni.

Zbulohet e kaluara shqiptare nga Peter Stoka (Shtoka), një histori e vjetër e pluhurosur shekujve që nga Iliria e lashtë. Shoqata “Iliria” e  drejtuar nga Heset Ahmeti, shembull i veçantë në diasporë.

Nga Hazir MEHMETI

Dikur, isha vizitor në qytetin e vjetër të Koprit, por nuk dija asgjë për historinë e lashtë të qytetit. E shija si arkitekturë interesante me rrugët e gurta dhe shtëpi të vjetra në të dy anët e tyre. Një arkitekturë e vjetër e ngjashme me qytetet tjera të vjetra në “Atyria  (italisht: Adria), apo selia stërgjyshore, fjalë për fjalë Atësia”.

Kontaktet me mërgimtarët në Kopër fillojnë nga kryetari i Shoqatës Kulturore të Shqiptarëve të Istrës Sllovene “Iliria”, Heset Ahmeti. Ai ka bërë emër si organizator i aktiviteteve të shumta kulturore e hulumtuese në shërbim të kulturës dhe historiografisë shqiptare në Istrinë Sllovene dhe më shumë.  Hesetin e njihja nga njohuritë mbi veprimtarinë e tij dhe takimi me te në Samitin e Parë të Diasporës në Tiranë para tetë viteve.  Ai e mundësoi takimin me hulumtuesin e njohur  Profesor Peter Stoka. Studiuesi i njohur slloven erdhi  pa përtesë nga rrethina veçan për takimin tonë.   Dhe, kishim çka të mësojmë prej njeriut  me duar plotë. Librat e tij  dhe shënime interesante që askush nuk i kishte arrirë gjerë më tani në rajonin e Istrisë Sllovene. Iliricumi kishte histori interesante mijëra vjeçare mbi të cilin ishin rrahur erëra të shumta, gjurmë kalorësish dhe ankorime të shumta shpesh tragjike deri në ditët tona.   Peter Stoka, njeri modest dhe i pa lëkundur në shpjegimet e tij faktike bazuar nga zbulime të dorës së parë, të shkruara gjithkund: gurë, kështjella, kisha, varre, tempuj idhujsh, hyjni në shekujt e Iliricumit.

Burime të shumta nga e kaluara shqiptare të hulumtuara nga Peter Stoka, në librat e tij  “Monumenta Albanica Justinopolitana“,  “Historia Illirii Divina” dhe libra tjerë, zbulon një histori të vjetër shqiptare të pluhurosur shekujve që nga Iliria e lashtë. “ Istria ishte më parë Lapidia (sipas Amsterdam: Wilem Blaeu /1640( SIKKP, DR 235/92).  Kërkimet albanologjike të bazuara në gjuhësinë pellazge-ilire kanë identifikuara shumë hyjni autoktone në Istria, të pakuptueshëm dhe të panjohur deri më tani si në kërkimet kombëtare dhe ato botërore.  Këto hyjni, të paraqitura dhe të shpjeguara përmes një hermeneutike të përzgjedhur  zbulon origjinën e përbashkët të këtyre vendasve, të cilët për nga shpirti dhe gjuha i përkasin familjes së gjerë të popujve pellazgë. Dhe, pavarësisht ndikimeve të shumta e të ndryshme, ata i qëndrojnë besnikë traditës së tyre, gjë që dëshmon integritetin dhe unitetin e kulteve të ndryshme fetare dhe shprehjen e tyre mitike në gjuhën e përbashkët të popujve pellazgë.”

Tani rrugët e Koprit shndrinin më mirë. Ato lidhnin tempuj e shtëpi të vjetra me gjithë gjuhën e historisë së tyre. Peter Stoka, vazhdonte të na njoftonte në detaje gjuhën e shkruar tempujve, afreskeve, gurëve me gjithë porosinë e tyre. E mësuam, se Pallati i Brutit kishte festuar 300 vjetorin e tij para dhjetë viteve. Datë e shënuar në histori e përcjellë në kujtesë gjeneratave. Derisa Peter-i fliste rreth Pallatit Bruti dhe Katedralen e Koprit, lidhur ngushtë me peshkopin shqiptar kontin Augustin Bruti, me vëmendje përcillnim  hapësirat e katedrales madhështore.  Piktura e mjeshtrit të njohur Vittore Carpacci (Vitore Karpaç) “Madona në fron me shenjtorët”, e vitit 1516,  e zbukuronte katedralen me artin dhe gjuhën e saj shekujve. Shenjtorët në historinë kombëtare ku dallohej dhe “Atleti i Krishtit” Gjergj Kastriotit-Skënderbe.  Aty pranë guri i varrezës së familjes së kontëve Bruti, nga e cila dolën figura madhore historike, artistike, letrare etj. Mes tyre ishte letrari i njohur Alessandro Bruti, letrar, humanist dhe njëri nga themeluesit e kolegjit ose seminari i laikëve në Kopër në fillim të shekullit të shtatëmbëdhjetë ku ai ishte njëri nga mësuesit e gramatikës. Njëra nga rrugët e Koprit, jo larg tempuve të kontëve shqiptarë është emëruar “Calle Albanse- Rruga Shqiptare”, por ne nuk e takuam tabelën e shkruar.

Mbi rrethportën e gurtë të Pallatit Bruti dallohet fytyre e gdhendur në gurë e Antonio Brutit II, kurse pak më lartë fytyra e gruas së tij nga familja fisnike Bruni, Maria Bruni apo Diana. Pastaj, Portrete  të Ipeshkvit Agostin  kont de Bruti në Oborrin Ipeshvnor të Koprit.  Mësime interesante nga shpjegimet e Peter Stok-ës të lenin pa gojë. “ Në disa prej këtyre familjeve ka rrjedhur gjak i Gjergj Kastriotit. Në fakt Oria Katriota, u martua me Antonio Brutin dhe në gjakun e familjes Bruti rrjedh gjaku i Skënderbeut. Po ashtu në gjakun e Domenico Rossettit, historianit më të rëndësishëm të Triestes Austriake, rrjedh gjaku i heroit shqiptar. Madje, kur ai mori titullin fisnik, u bë Domenico Rossetti De Scander, si tregues se vinte nga familja e Skënderbeut”.

Shpjegimet e studiuesit slloven Peter Stoka ishin aq interesante sa harruam çdo gjë tjetër. Muzika që vinte nga festa e karnavaleve na pasuroi dhe freskoi në shijimin e artit mbi gurët e shkruar si përkujtues të ngjarjeve të mëdha shekujve. Në qendrën tregtare, Sheshi Carpaccio,  pamë Kolonën e Shën Justinës e ngritur nga drejtuesi i Koprit Andrea Justiniani me stemën e saj karakteristike dhe mjaftë domethënëse. Kjo stemë përmban hartën e Italisë, Dalmacisë dhe Shqipërisë duke shprehur qëllimin e një familje fisnike shqiptare të Justinianit në Koper. Kolona e Shën Justinianit u ngrit në vitin 1572, një memorial dhe falënderim për Betejen e Lepantos kundër ushtrive aziatike ku morën pjesë edhe anijet luftarake të Koprit.

Në portën hyrëse të Pallatit Bruti (tani biblioteka qendrore e qytetit) e rrethuar me gurë  dalloheshin  simbole  shqiptare shqiponja dy krenare shoqëruar me pamje të hyjnive ilir.   “I sheh këto figura, janë dardha, që përfaqësojnë Dardaninë ilire, e sheh luanin me të dy këmbët e lidhura njëra mbi tjetrën, të gjitha këto paraqesin pushtimin aziatik të Dardanisë. Paraqesin brengën, dhembjen dhe porosinë shekujve. Ata që nuk e kuptojnë gjuhën e figurave, nuk e kuptojnë gjuhën e historisë së themeluesve të Koprit, vetëm i kalojnë ato sikur të ishin vetëm zbukurime rasti, shprehet studiuesi i njohur slloven. Ai i lidhur fuqishëm me historinë dhe gjuhën shqipe, kishte mësuar shumë fjalë në gjuhën shqipe dhe derisa ne flisnim me Hesetin  shqip, ai dëgjonte kureshtar bisedën tonë.

Kafja freskuese me Greta Shirokën nga Prizreni, ishte sa e shijshme, po aq e pa harruar në ambientet e qytetit të lashtë. Greta shpalosi kujtimet e saja rrjedhshëm në shqip edhe pse kishte ardhur shumë e vogël nga Prizreni me të atin Tomen, filigran i njohur dhe nënën e saj mësuese e cila kishte qenë nxënëse e Ibrahim Fehmiut, (i ati i Bekim Fehmiut).

Historia shqiptare vazhdon në Koprin modern me gjithë koloritin e banorëve tê saj. Mes tij Shoqata ILIRIA qëndron tempull me aktivitet e saja në afirmimin dhe ngritjen e ndërgjegjes kombëtare. Ajo me revistën e saj ILIRIA dhe botime që nxjerr, pasurojnë kulturën, historiografinë, por mbi të gjitha pasurojnë miqësinë me banorët e Koprit, Istrisë dhe më shumë.   Urat e miqësisë mes dy kombeve u ngrit shekujve me punën e albanologëve të njohur slloven Kapitari, Franz Miklosiq, Rajko Nahtigal dhe kontëve shqiptar nga familjet fisnike shqiptare Bruti, Bruni, Dukagjini e cila vazhdon deri në ditët e sotme.  Ata që ndërtojnë ura miqësie në kohën tonë, pa dyshim, janë Peter Stoka dhe Heset Ahmeti. Heseti  me punën e tij madhore është shembulli i pa përsëritshëm i një mërgimtari në diasporë. Ai është ambasadori më i mirë i atdheut jashtë tij. Atdheut i detyrohemi për të gjitha, por mbështetja dhe vlerësimi nga Atdheu, janë forcë e jetës, edhe për nesër.

hdrpl

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok