21/11/2024

KOMEDIA HYJNORE NË TEATËR, NJË AKTOR TE PORTA DHE VERA ME EMRIN “DANTE”…

0

Nga Visar Zhiti

Në Chicago, në Athenaeum Center Theatre, pamë “Dante 360”, një udhëtim nëpër “Komedinë Hyjnore” si një përvojë gjithëpërfshirëse, shumëdimensionale, – kështu thuhej  në publicitetin që i bëhej shfaqjes. Teatër, art pamor, muzikë… dritë-hije, – shtoj unë, – vegime, zëra humnerash të përmbysura, qiellore, ujëvara dritash etj, etj.

Në skenë Ferri, Purgatori dhe Parajsa, u ndjemë si “të ftuar në audiencën e eksplorimit të temës së dashurisë njerëzore dhe hyjnore, të shëlbimit dhe jetës së përtejme”.

Me dizajn inovativ dhe fytyra të reja aktorësh, një performancë magjepsëse me shumë ndijime.

Një nga poemat më të mëdha të letërsisë botërore na u dha kështu në një mënyrë krejtësisht të re, “vorbull dhe festë” – një zhytje e vërtetë në Bukurinë e pandryshueshme të botës, – vazhdonte të lexonte Eda ime shënimet.

Nuk na ikej nga teatri. Po rrinim ende te portat, kur na përshëndeti një burrë i panjohur siç ndodh rëndom, kur s’ka njerëz të tjerë afër.

– Ju pëlqeu drama? – na pyeti befas.

– Shumë, – u përgjigj Eda ime menjëherë.

– Jeni aktor? – iu drejtova unë, i sigurtë që ai ishte.

– Po, – tha thjeshtë.

– Shën Bernardini në skenë? – e poeti Eda.

– Po, – u gëzua ai.

Në “Komedinë Hyjnore” Shën Bernardi e udhëheq Danten në hapat e fundit të udhëtimit të tij nëpër Parajsë, – pashë shpejt e shpejt ç’shkruhej për këtë pjesë teatrore. – Si një simbol i përkushtimit të pastër, Bernardi i lutet Virgjëreshës Mari, duke i hapur rrugën Dantes për të përjetuar vizionin beatifikues. Prania e tij shënon çastin kur intelekti ia lë vendin dashurisë, duke e çuar Danten në një takim të drejtpërdrejtë me Zotin – një kujtesë e fuqishme se e vërteta përfundimtare gjendet te përulësia dhe hiri.

– Pra, jeni Jerry Marzullo – Shën Bernardini?!

– Pooo…

Unë i tregova foton e tij në ekranin e celularit tim, i kisha bërë gjatë shfaqjes dhe ai më falenderoi i ngazëllyer.

– A t’ju bëj dhe një foto bashkë? – i tha Eda aktorit.

– Patjetẽr.

– Edhe unë jam djalë aktori, – shtova siç bëjmë zakonisht ne, shqiptarët, që tregojmë pa na pyetur.

Po edhe aktori na tha se ishte me origjinë italiane, nga Napoli…

Edhe këtë teatër italianët e kishin ndërtuar, emigrantët, në vitin 1911 dhe i kushtohej Dantes, diku në krye ishte dhe një si emblemë, një murale ku qenë pikturuar Dante me Beatriçen, pra, teatër i dashurisë…

Dhe unë do të doja të tregoja se befas më kishte lindur idea të hipja në skenë a në njërën nga llozhat anash, ku pjesa po luhej dhe aty, të  thosha se Dante është përkthyer dhe në shqip, shkëlqyer madje, në ferr, nga një ish i burgosur, Pashko Gjeçi, bashkëvuajtës imi, sikur e pashë midis jush fantazmë, dhe “Ferrin” Dante duket se e ka shkruar posaçërisht për ne, po ju na shfaqët një parajsë arti plot dritë, t’i besojmë asaj, etj, etj.

– Sonte të pijmë nga ajo vera me emrin “Dante”, – më tha Eda kur u kthyem në shtëpi, teksa desha të shfletoj “Komedinë hyjnore” tonën, por e lashë librin dhe hapa shishen e verës danteske. Dhuratë e bukur, po mendoja…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok