14/10/2024

KOHA KUR “ARNAUTËT” SHQIPTARË TË SANXHAKUT TË PAZARIT TË RI KËNDONIN SHQIP DHE BOSHNJAKISHT

0

(Shkas i këtij shkrimi është një publikim i një interviste në YouTub, 31 maj, 2020 me titull: Intervju iz 1934, Novi Pazar, Dzemail Dzemo – Zogiç)

Nga Syrja Etemi

Nuk dua këtu të intrigohem me pretendimin për zgjidhjen e nyjës gordiane në sqarimin e etnonimit të popullit tim shumë-shumë të lashtë e të stërlashtë, si: Ilirë, arbërorë, arbanasë, arvanitasë, arnautë, shqiptarë, albanë, allbanac, por me rëndësi është se, pavarësisht se si quhemi, e se, si na quajnë, pjesëtarët e këtij populli gjithmonë kanë lindur dhe vdekur shqip, kanë qeshur dhe kanë qarë shqip, madje edhe kanë folur dhe kanë kënduar po në këtë gjuhë. Ky popull i ka kënduar jetës së hijshme, por edhe vdekjes në përpjekje për të ruajtur substancën e vet që kurrë nuk mund të zhbëhet e të tjetërsohet. Tjetër gjë është se ai ka lëvizur në këto hapësira të serta, jo vetëm në tokat e Ballkanit. Një fakt i gjallë dhe kryeneç për të dëshmuar këtë që them, është edhe gjallimi dhe historia epike e shqiptarëve të Sanxhakut.

Ja po e shtroj para jush një detal, për të dëshmuar se është kështu, e ndryshe s’mund të bëhet.

INTERVISTË NGA VIT 1934 DHËNË SHKENCTARËVE DHE GJURMUESVE AMERIKANË TË UNIVERSITETIT TË HARVARDIT, ALBERT LORD-it DHE MILMAN PARRY-së, XHEMAIL XHEMO ZOGIQ, NJË NDËR KAFEXHINJTË MË TË NJOHUR NË NOVI PAZAR.

RRËFIMI I TIJ NË VAZHDIM (Në gjuhën boshnjakishte):

“Kam lindur në fshatin Gllogovik. Kam 38 vjet. Tash jetoj në Novi Pazar. Mbaj një kafehanë. Punoj, shes kafe. Kam jetuar në Gllogovik 20 vjet. Atje kemi qenë 4 vëllezër. Kemi patur pronat e përbashkëta dhe, kur u ndamë me vëllezërit, na ngeli shumë pak tokë dhe ishte shumë e vështirë për të jetuar, prandaj u shpërngula dhe erdha në Novi Pazar për një jetë më të mirë. Rri në kafe; luaj në lahutë dhe këndoj, sidomos në ramazan kur mblidhen mysafirë. Kështu, në ramazan, kur janë netët e gjata, bëjmë zefk deri mbas mesnate e, mandej shkojmë në shtëpi, hamë syfyr dhe biem të flemë. Ditën zgjohemi aty kah ora katërmbëdhjetë apo pesëmbëdhjetë mbas iqindie, para akshamit. Kur zgjohem, shkoj për të punuar, mandej pas darke, prap dal në kafe, këndoj unë, këndojnë edhe mysafirët…

INTERVISTA:

(Pyetje e parashtruar në gj.angleze, kurse përkthyesi serb ia parashtron Xhemailit): -Na thuaj, Xhemo, si keni jetuar në atë kohë në fshat?

Përgjigje: -Bukur jetohej, vetëm se pak tokë kishim. Edhe atë pak mall që e kishim, e ndamë me vëllezërit në katër hise.

Pyetje: – A keni qenë atëherë i martuar?

Përgjigje: – Po. Kam qenë dhe kam patur një fëmijë, dhe, tani i kam dy fëmijë – me dy gra.

(Intervistuesi): – Keni dy gra?!

Përgjigje: – Po, i kam dy gra.

Pyetje: – E, si mund t’i keni dy gra?!

Epo, ja! Zakoni ynë e lejon. Tradita jonë “turke” e lejon burrin t’i ketë dy gra dhe, mund të jetohet mirë, vallah!

Pyetje: – Si mund t’i mbani dy gra kur është shumë vështirë me i ruajtur ato?!

Tash është vështirë, por në atë vakët, jo. Akoma me këto të dyja sot jetoj në Novi Pazar – në dy dhoma: me njërën – në njërën dhomë dhe me të dytën – në dhomën tjetër. Kështu, shumë mirë jetojmë.

Pyetje: – Pse nuk e bëni që të jetoni apo të fleni në një dhomë e, dhomën tjetër ta keni për nevoja tjera?

Jo.Jo. Zakoni jonë nuk e lejon një gjë të tillë!

Pyetje: – Kur i keni dy gra, a ndodhë që ato të kenë zili apo xhelozi ndërmjet vedi dhe, të paraqesin probleme familjare?

Njëra-tjetrën ato mund ta urrejnë, por nga unë kanë frikë dhe nuk guxojnë.

Pyetje: – Nuk guxojnë?! (Shprehen të habitur intervistuesit)

Nuk guxojnë, vallahi. Kështu unë ua plotësoj dëshirat të dyjave njësoj. Unë kam fëmijë me të dyja gratë. Kam dy vajza. Ndërmjet tyre kanë dy muaj ndërmjet. E, gratë i kam: e reja ka njëzetepesë vjet, kurse unë kam 38 vjet, e, ajo më e moshuara ka 30 vjet.

Pyetje: – E, na thuaj drejt: cilën e do më tepër ti?

E, kuptohet, të them të drejtën: më anon zemra kah kjo më e reja. (Qeshje…). Unë nuk mund të jetoj gjatë me “Plakën”. Prapëseprapë me të renë mund të jetoj më gjatë. (Qeshje…)

Pyetje: – Fëmijët e të dyjave, a i don njësoj?

Kuptohet… Deri sa janë nga “zemra ime”, i dua njësoj. Nuk mund t’i dalloj.

Pyetje: – (Po. Po. Nënkuptohet!!!)

(Me ndërhyrjen e profesorit amerikan, në gjuhën angleze, përkthyesi parashtron pyetjen serbisht):

Pyetje: – Na trego tani: Atje ku ke lindur, a gjendet aty ndonjë fshat shqiptar (“Arnautsko sello)?

Nuk është “Arnautsko sello”, por janë ardhacakë (doshljaci) – nga viset shqiptare – përpara 300 vjetëve. Janë të shpërngulur edhe nga Rugova. Kjo Rugova është afër Shqipërisë. Këta, para treqind viteve vijnë këtu dhe blejnë tokë. Të parët tanë flisnin shqip (arnautski). Mbasandej kur kanë kryer marrëdhënie martesore me boshnjakë, disa paraardhës kanë folur edhe boshnjakisht. Babai im dhe nëna, kanë folur shqip (arnautski).

Pyetje: – Kjo don të thotë që, gradualisht ka filluar të humbë gjuha shqipe në këtë anë?

Po (Jeste)! Ata dobët e flisnin gjuhën boshnjakishte, por, këtu, me martesat e përziera me boshnjakët (kur kanë krijuar familje), brezat e tyre dobët e kanë folur gjuhën shqipe, por edhe atë boshnjakishte.

Pyetje: – A ka këtu raste që banorë të këtij fshati të këndojnë me lahutë këngë shqiptare (arnautske pjesne)?

Po, ka sa të duash… Këndojnë me lahutë. Ka nga Veselenjaka, Uglla, Gllogoviku…

Pyetje: – A ka shqiptarë që këndojnë krahina me lahutë, për shembull: Këngë për Mujin, Halilin?

Po, i këndojnë të gjitha këngët boshnjake që kanë qenë të vjetra (po starini).

Pyetje: – A ka shqiptar që këndon në gjuhën shqipe e që nuk din boshnjakisht?

Ka. Edhe ashtu ka.

Pyetje: – A ka ndonjë këngëtar që di të flasë boshnjakisht, por që këndon këngë shqiptare ( arnautske pjesne) , por edhe këngë boshnjakishte?

Po. Ka. Ka të tillë që kurrë nuk ka dëgjuar për Bosnjën dhe gjuhën boshnjakishte, por di këngë boshnjakishte.

Pyetje: – A ka këngëtarë të tillë që këndojnë këngë të tilla që quhen kreshnike (krajishniçke), me ata turqit e moçëm (ku ta di unë), që kanë shembur kulla e kala, që kanë kënduar shqiptarët, të cilët nuk kanë dëgjuar kurrë gjuhën malazeze apo boshnjake?

Ka.Ka.

Pyetje: – A i ke dëgjuar ti ata këngëtarë apo ato këngë?

Po.Po. I kam dëgjuar ato. Kur kanë ardhë nga Rugova dhe i kanë kënduar shqiptarët në gjuhën shqipe. Ato këngë që i kanë kënduar në Shqipëri (Arnautlluk), i kanë sjellë këtu dhe, po ato këngë i përdorin këtu.

Pyetje: – Ti, a di shqip (arnautski)?

Po. Di. Di mirë.

Pyetje: – Ti a i kupton fjalët kur këndojnë rapsodët shqip?

Po. I marr vesht shumë mirë, edhe shqip, edhe boshnjakisht.

Pyetje: – A di të na thuash se në cilën gjuhë janë këngët më të mira: në gjuhën shqipe apo boshnjakishte?

Pooo, s’e di! Për mua, të dy gjuhët më duken të mira. Nuk mund t’i ndaj! Këta, boshnjakët tregojnë se, edhe gjyshërit e tyre këndojnë edhe boshnjakisht, edhe shqip.

Pyetje: – A ke dëgjuar që, shqiptar nga të tjera vise, të kenë ardhur këtu e të këndojnë në gjuhën shqipe?

Po. Kam hasur. Kam hasur nga Sjenica, Prijepolja, Peshtera. Ata dinë të këndojnë edhe këngë boshnjake.

Pyetje: – A i këndojnë pastër?

Pastër. Pastër (Çisto!!!)

Pyetje: – Unë e di që vargjet e këngëve “arnaute” janë më të shkurta… A e ke vështirë t’i këndosh ti ?

Po. Në të dy gjuhët dhe në të dyja – njësoj, pa kurrfarë vështirësie. Unë e di që si është kënga e kënduar në gjuhën shqipe, ashtu këndohet edhe në gjuhën boshnjakishte, por edhe – në boshnjakisht kur këndohet, e di se si është në gjuhën shqipe.

Pyetje: – A mund të këndoni ju me lahutë, p.sh. boshnjakisht – këngën: “Pije vinu sa Klladushe Mujo” që ka dhjetë rokje brenda?

Mundem edhe këtë ta bëj: “Po pin ven Muja pej Klladushe”.

(Këtë këngë, Xhemali Xhemë Zogiqi e këndon në shqip)

Pyetje: – Ja lahuta, Xhemë Aga! Më thuaj kështu: “Jedno jutro bijeshe osmanullo/ I to sunce zharko ogrenullo” , dhe, njëherë këndoje (me lahutë) në gjuhën boshnjakishte e, mandej-në gjuhën shqipe! Vetëm tre vargje!

Bën! Bën!

… (Dhe i këndon tre vargjet në të dy gjuhët…)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok