15/10/2024

Nga Edison Ypi

Të gjitha metropolet e botës së bashku, nuk kanë aq Art dhe artista të mëdhenj, kinematografi me regjizorë fenomenalë, Teatër me aktorë korifej, Letërsi nga autorë gjenialë, sa katundi ynë.

Në katundin tonë artistik, katundar i devotshëm i të cilit unë jam, ka, për shembull, aq shumë Tony Montana sa të vijë shpejt rradha për të qënë aq fatlum sa ndonjëri prej tyre ta presi këmbën ose dorën ose kokën me një sharrë motorrike si në filmin e famshëm, jo vetëm nuk është diçka e rrallë, por e ke vetë në dorë.

Në kazanin e lëvereve të katundit tonë aristik ku zjejnë të gjitha zhanret artistike të botës, nga Arti primitiv i shpellave, tek Arti ultramodern, të cilin, për ta kuptuar të plotë duhet ta kesh kokën bosh, Makbethat që tjetrin e vrasin për ti zënë fronin, janë gjithashtu të panumurt.

Ku ka Makbetha që të therin nuk mund të mos ketë Zonja Makbeth që të yshtin.

Por meqënse shumica e Makbethave të katundit tonë kanë ikur në kurbet dhe s’dihet janë a s’janë gjallë, Zonjat Makbeth mbetur batall në katund, yshtin për vrasje gjynafqarë pa lidhje me ngjitje a zbritje nga froni, por për hiçgjë, për punë gardhesh, vija uji për vaditje, vështrime indiskrete, etj. Këtë kontribut të paçmuar në shtimin e dramaticitetit të jetës deri atje ku mendja nuk e rrok, çka përbën thelbin e Artit të katundit tonë,  vejushave të Makbethave, katundi ynë ua njeh për nder dhe i falenderon.

Ku ka Makbetha që të vrasin dhe Zonja Makbeth që të yshtin, nuk mund të mos ketë magjistrica që të bëjnë profecira të rrejshme. Për shembull për pamjen tënde të jashtëme për ibret, si ta bësh aq të bukur me fotoshop sa tjetri kur të sheh nuk të njeh dhe për këtë shkak jo rrallë kërrcet druri dhe kallashi.

Laj, thaj, ndej, hekuros, palos, bota artistike letrare ka vetëm 1 Anna Karenina.

Katundi ynë artistik Anna Karenina ka me qindra, më të ndjeshme, më të menduara, më të sofistikuara, më dramatike se ajo e Tolstoit.

Anna Kareninat e katundit tonë artistik, për shkaqe sentimentale, xhelozira, tradhëtira, dyshime, dëshpërime, në mungesë të trenave shitur për skrap dhe shinave të vjedhura, u vënë gjoksin kalashnikovave, kurrizin sopatave, fytin biçaqeve, pa ju lëvizur aspak qerpiku.

Si hebreu Shajlok nga “Tregëtari i Venedikut” katundi ynë ka me mijra.

Por në ndryshim me Shajlokun e famshëm  që po të mos ja respektoje datën e kthimit të borxhit kishte të drejtë kontraktuale me firmë e vulë për ta prerë me thikë me dorën e vet 1 kg mish në cilëndo pjesë të trupit të borxhliut, Shajlokët e katundit tonë artistik, pakrahasimisht më dramatikë dhe artistikë se Shajloku i filmit, nuk nënshkruajnë kontratë, nuk të presin nga trupi 1 kg mish, por sa kilogram tu teket, ta presin njërën këmbë, njërën dorë, të dyja këmbët, të dyja duart, madje dhe kokën e sapoprerë që rrjedh gjak ta kapin për flokësh dhe ta hedhin mbi asfalt ta shohi mileti si do ta dërrmojnë rrotat e makinave.

Gungaçi Kuazimodo i Hygoit do ishte kampion bukurie në katundin tonë arristik. Deformimet antropometrike të tij ku m’i gjen.

Në katundin tonë artistik ka pafund njerëz surratmace, turi ujku, hungurrimë çakalli, kthetra maçoku, brirë demi, feçkë derri, dhjamë dose, nofulla krokodili, thonj kunadheje, peshë hipopotami, qurre kërrmilli, aq të çuditshëm dhe të frikshëm, pra aq artistikë, sa duke mos ditur asgjë për ekzistencën e tyre, antropologët dhe psikanalistët më në zë të botës, pasi të kishin mohur publikisht dhe zyrtarisht çdo teori mbi monstruozitetin njerëzor, do vrisnin veten.

Pushkina gdhëra, Gëte këllira, Lasgusha qyrranjosa, që i rre menia se janë Poeta, ka pa hesap në katundin tonë artistik.

Hamleta dyshimtarë që pinë kafe përballë murit janë të gjithë banorët e katundit tonë.

S’dinë asgjë nga pasuria artistike e katundit, dhe thonë s’kemi Art, s’kemi kritikë arti, librat s’shiten se s’dinë të lexojnë, sallat e kinamave janë bosh se nga filmat se kanë idenë.

Madje shkojnë aq larg, sa duke mos pasur sy e veshë e shpirt për të vlerësuar Artin dhe artistat e katundit, kanë paturpësinë që në vend të kërkojnë ndihmë nga Arti për Shtetin, lypin ndihmë nga Shteti për Artin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok