03/10/2024

Kaltrina Selimi: Kur hapen dyert e kënëgs

0

Një karrierë e nisur vrullshëm, me një grup dhe me hite. E ndjekur nga një disfatë e vogël. Këngëtarja kosovare Kaltrina Selimi rrëfen se nuk është tërhequr. Përkundrazi, shumë shpejt do të dëgjoni sërish të flitet për të

Nga një vajzë e re, e brishtë dhe e panjohur, Kaltrina Selimi tani është shndërruar në një yll të muzikës. Provën e parë “me ethe” e kaloi në një spektakël të talenteve të rinj në Prishtinë në vitin 2003 (alla “Ethet e së premtes…”), ku fitoi në fushën e këngës. Një vit i mbarë ky për të: në të njëjtën kohë me triumfin në atë konkurs u regjistrua edhe në Fakultetin e Arteve, në degën e muzikës. Karrierën muzikore prishtinasja zeshkane e filloi me një grup, pjesë e të cilit ishte për pothuajse një vit të tërë. Tani po përgatitet edhe për sprovën më të vështirë të karrierës së saj, atë të të bërit e njohur si këngëtare soliste. E ka përgatitur këngën e parë dhe po punon seriozisht rreth albumit. E ndikuar nga muzika e lehtë e Shqipërisë, synimi i saj për të ardhmen është edhe pushtimi i skenës muzikore të Tiranës. Një rrugë që për shumë këngëtarë ka qenë një mision i pamundur. Por që nuk duket aspak i vështirë për Kaltrinën. Sepse ajo është e bindur që ditët e këqija i ka lënë pas. Bashkë me historinë e grupit, ku dikur u fut me shumë dëshirë…

Fillimi i karrierës me një grup muzikor ishte diçka e planifikuar, apo ka qenë ndoshta një lloj frike për të dalë në skenë e vetme?
Fillova të këndoj me një grup, jo për shkak të frikës nga skena, por sepse doja të këndoja live, dhe pa qenë pjesë e një grupi kjo ishte e pamundur. Kështu fillova me “Hana Band”, ndonëse kisha edhe oferta për t’iu bashkangjitur ndonjë grupi tjetër.

Ndonëse nuk qëndruat gjatë në këtë grup, keni realizuar disa këngë dhe videoklipe të shndërruara të gjitha në hite. Cila prej tyre është më e dashura për ty?
Kemi realizuar gjithsej katër këngë, të cilat i kemi bërë edhe videoklipe. Gjatë kësaj kohe kryesisht kemi kaluar mirë, dhe mosmarrëveshjet e vogla që lindnin nga mendimet e ndryshme të anëtarëve të grupit muzikor i kalonim të gjitha me bashkëpunim. Ndërkaq, kënga që më ka pëlqyer dhe vazhdon të më pëlqejë më shumë është “Paradoks”.

Ti dhe grupi, kush i ka dhënë më shumë tjetrit?
Kemi pasur marrëdhënie të ndërsjelltë. Mendoj se po të mos isha unë, nuk do të bëhej kaq i njohur sa është sot, por po të mos ishte grupi, nuk do të kisha mundësi as unë të bëja emër në tregun e muzikës. Ndarja erdhi jo natyrshëm, por më mirë që ndodhi kështu. Tani do ta kem më të lehtë të zgjedh këngët që më pëlqejnë dhe të jem vetvetja, pa qenë e detyruar të bëj siç më thonë të tjerët.

Dukeni e zhgënjyer nga kjo ndarje!
Isha e detyruar të shkëputesha nga grupi, sepse drejtuesit e tij donin të merrnin edhe një vokaliste tjetër, pa e biseduar këtë fare me mua. Dhe meqenëse ata nuk më konsideruan, nuk kisha rrugëzgjidhje tjetër përveç braktisjes së grupit.

Kishe frikë nga konkurrentja?
Jo, jo, aspak. Jam larguar jo pse kisha frikë nga konkurrentja, por isha e revoltuar me gjestin e anëtarëve, të cilët nëpër media u shprehën se gjoja nuk i përmbushja dot kërkesat e grupit për pjesëmarrje në mbrëmje të ndryshme muzikore. Unë e mohoj këtë, sepse nuk është e vërtetë. Thjesht nuk e kuptoj se përse iu duhej një tjetër femër në grup, por nuk jam penduar për hapin që e kam marrë.

Puna pas shpinës sate të ka revoltuar?
Në njëfarë mënyre po. Kishim një kontratë trevjeçare, por nuk punuam më shumë se një vit. Në kontratë është specifikuar bashkëpunimi ndërmjet katër anëtarëve, tre instrumentistëve dhe mua si vokaliste, dhe nuk përmendej se pas një kohe do të përfshihej edhe ndokush tjetër. Ishte kontratë e thjeshtë, por unë do të konsultohem me ndonjë avokat, dhe pasi të marr vesh të drejtat që më takojnë bazuar në atë kontratë pune, sigurisht do ndërmarr edhe hapat e mëtejshëm. Gjithsesi, një gjë nuk do ta lejoj: që këngët e interpretuara nga unë të këndohen nga dy vajzat e reja të grupit.

Cilat kanë qenë momentet më të mira që kujton nga kjo përvojë?
Nga të gjitha skenat brenda dhe jashtë vendit ajo që më ka bërë përshtypje më shumë ka qenë përkrahja e publikut, i cili mësonte shumë shpejt këngët e mia dhe i këndonim së bashku. Në fakt, kjo kishte edhe lodhjen e vet, sepse shpesh mbetesha pa gjumë. Por gjithmonë e kam ndier veten mirë. Kam pasur edhe nga pak frikë, sepse më mungonte përvoja si këngëtare, por fansat e mi me përkrahjen e tyre më kanë motivuar të tejkaloj këtë sfidë.

A ke menduar të bashkohesh me ndonjë grup tjetër?
Jo, do të vazhdoj si solo-këngëtare.

Mendon se kështu do të jesh më e suksesshme?
Kam pak frikë, por tani kam krijuar një marrëdhënie me publikun, me fansat, të cilët më njohin, prandaj besoj se do më pranojnë si solo-këngëtare dhe nuk do të më mungojë përkrahja e tyre, sidomos në këtë kohë kur më nevojitet edhe më shumë. Këngën e parë e kam përfunduar dhe jam duke punuar rreth videoklipit dhe albumit, që shpresoj të mund ta realizoj së shpejti. Por puna nuk varet vetëm nga unë, por edhe nga sponsorët, pastaj produksioni e gjëra tjera, që ndoshta do të më marrin kohë… Dëshira ime është që të mos vonoj shumë, sepse nuk dua t’i mungoj publikut. Fillimisht po bashkëpunoj me kompozitorin Florent Boshnjaku, por gjatë realizimit të albumit bashkëpunimin mendoj ta zgjeroj. Do të këndoj në zhanrin pop, pop-rok, muzikë të lehtë dhe baladë.

A hyjnë në planet e tua festivalet?
Natyrisht, synoj të marr pjesë edhe nëpër festivale. Ndonëse më pëlqen të këndoj live, do të marr pjesë edhe në festivalet që njihen si play-back, kryesisht ato që organizohen në Kosovë, por edhe “Kënga magjike” në Shqipëri. Synimi im kryesor është të marr pjesë në Festivalin e Këngës në RadioTelevizionin Shqiptar, që është festivali më prestigjioz mendoj. Do punoj intensivisht që të arrij të realizoj këtë ëndërr timen, e pse jo, të konkurroj në mënyrë të denjë.

Çfarë pretendon në të vërtetë të arrish në muzikë?
Unë muzikën e kam profesion dhe nuk do të ndalem së punuari, derisa të arrij të jem vërtet këngëtare profesioniste. Pretendoj që të këndoj këngë që do t’i rezistojnë kohës.

Po ato elementët e pakëndshëm që shoqërojnë botën e artit, intrigat, thashethemet, a do të jesh e zonja që t’i përballosh?
Është çudi mbase, por unë nuk ndiej zili ndaj askujt, sepse secili ka stilin dhe personalitetin e tij. Por, natyrisht do të kem kujdes që të mos lejoj të bëhem pre e zilisë apo intrigave, nëse do të ketë, kuptohet. Sa i përket thashethemeve, nuk më bezdisin fare, sepse ekzistojnë gjithkund.

Ke folur deri tani vetëm për muzikën. A do të të interesonte edhe ndonjë art tjetër?
Nuk besoj se do të më shihni të merrem me ndonjë gjë tjetër, ndonëse dikur edhe aktrimi më tërhiqte tej mase. Ndoshta, tani që po e mendoj sërish, edhe mund të paraqitem në ndonjë rol… Por muzika është dhe do të mbetet primare për mua, dhe do t’i përkushtohem gjithnjë shumë seriozisht.

Drita Loshi

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok