23/12/2024

KALAJA  BIZANTINE QË NUMËRON GRAHMËN E FUNDIT TË JETËS

0
Syrja-Etemi

KALAJA E LESHKËS DHE SLLATINËS

Nga Syrja Etemi

Leshka dhe Sllatina(që i përkasin komunës së Tearcës së Pollogut) janë dy vendbanime të stërmoçme ku përzihen e nakatosen mitet e legjendat me ndodhi, dëshmi e fakte reale, shpesh të pleksura me  inate e  kapriçe tekanjoze, sidomos kur ato indicojnë në rrënjët e të parëve apo stërgjyshërve të kësaj zone. Eh, sa argumente të gjetura në nëntokën e këtyre trevave, sa e sa shkrime janë dergjur e po dergjen akoma në duart e historianëve sllavë – të kurdisur sipas tekave dhe diktateve të politikave rigjide, për t’i kallaisur mirë e  mirë, deri sa t’u përshtaten kabineteve apo sallave të blinduara, që i quajnë “makedonski arhiv-i”, në të cilët, shqiptarët nuk kanë qasje, apo injorohen tërësisht.

Kështu, në këtë katrahurë, të duket sikur të gjitha këto indicje që mëkojnë njëra-tjetrën, realitetit i japin shtysë legjendat e gojëdhënat e patelehisura, që, më në fund të fitosh përshtypjen se,  e djeshmja e ikur  rishtazi dhe, e sotmja e harlisur pas së ardhmes, të të duket sikur vagëllohet përpara sysh. Befasisht apo me ndërdije, për vendbanimin e parë të vjen vërdallë lokaliteti me shumë emra, ku secili të shpërfaqet më i llastuar se tjetri, më enigmatik dhe më i mistershëm se i pari, me ç’rast, herë të shushuritë si Oene, herë kumbon si Leaskumcosu, për një moment Legjan e Legen e në ndonjë rast tjetër si  Leshak, Leshki, Leshek, Leshkë, Leshka, Leshok, e s’di si… Sido që të jetë, çfarëdo pagëzimesh të ngjitur ndër ndërkëmbëza shekujsh, një gjë është e sigurt: ky vendbanim bashkë me Sllatinën fqinje-ka një histori shumë të bujshme dhe, në këtë “eglendisje me historinë”, akoma gjen gjurmë të së kaluarës herë të lavdishme, herë të dhimbshme e,  herë  intriguese.

Për qytezën: Leaskumcos, shënimin e parë e gjejmë në krisovulën e perandorit bizantin Vasili II të vitit 1019 si Leaskumcosu, për të cilin banorët autokton përdornin emërtimin Leska, kurse me ardhjen e Sllavëve në Pollog (në periudhën ndërmjet shekujve IX, X e XI konkretisht në vendbanimin në fjalë) këtë emër e transkribojnë në Lesh’sk. Me penetrimin e tyre në këtë qytezë, sidomos në anën e djathtë të lumit të sipërpërmendur, fillon edhe përzierja e ardhacakëve me popullatën vendase të krishterë, ku një numër i konsiderueshëm familjesh kalojnë në anën e majtë të lumit dhe këtij lokaliteti (si pjesë integrale të kësaj qyteze) i rrikthehet emri i mëparshëm Shllishtina, përkatësisht SLLATINA, si do ta quajë administrata serbe e shek. XIII e XIV.

MESJETA

Nga të gjitha këto primesa sinjifikante, mund të përfundojmë se Leshka dhe Sllatina nuk kanë qenë  të locuar gjithnjë po në këtë vend ku gjenden sot, por se si të tillë, këta vendbanime shpesh janë dislocuar ose “lëvizur”, herë në pjesën jugore, e herë në atë veriore apo veriperëndimore.

Të theksojmë edhe disa të dhëna për vendbanimin fqinj të Leshkës-Sllatinën. Gjeneza e këtij vendbanimi (të Sllatinës) fillon nga ana veriperëndimore e pjesës së sotme rurale ku është kalaja,duke u shtrirë dhe zgjëruar në jug, madje në juglindje dhe jugperëndim.

D.m.th. në mesjetë kemi të bëjmë me një vendbanim integral (Sllatinë e   Leshkë bashkarisht), me një popullatë kongruente, e cila ka qenë e organizuar në një sistem urban të jetës në atë kohë. Për këtë do të paraqesim disa të dhëna nga autorë të ndryshëm.

DIMENSIONET E KALASË SË LESHKËS DHE SLLATINËS

Një brend sinjifikativ me të cilin mund të identifikohen këto dy vendbanime: Leshkë e Sllatinë, është KALAJA  mbi këto dy fshatra, e cila gjendet 60-70 m në lartësi të një masivi kodrinor, në rëzën e Sharrit, e rrethuar në anën verilindore me luginën e lumit të Sllatinës. Qasjen e ka kah ana perëndimore përmes një ultësire (shtegu) të ngushtë. Muret e suvatuar (emplekton) përfshijnë hapësirën prej 170 x 160 m. (1.6 ha – hektar). Në anën perëndimore ka ekzistuar një nekropolë e vogël, kurse në ballë-kulla (pirgu).

Në anën lindore ka patur dy kulla rrethore apo karakolle (sot të shkatërruara nga eksploatimi i “Oniksit”. (Nuk është e vërtetë se muret dhe karakollet e kalasë janë zhdukur për nevojat e ndërtimit të kalasë së Tetovës apo të Kalasë së Abdyrahman Pashës më 1790-1820, siç pandehin pa të drejtë disa kronikanë tendenciozë.)

Pjesa jugore është e lëshuar në pjerrësirat me mure mbrojtëse, ku ka qenë edhe një kullë e vogël katrore, me portë në anën lindore.

Në brezin jugor shtrihej vendbanimi dhe faltoret paleokristiane. Në sh.4 – 6, o.6 km nga kastrumi çon rruga kryesore kufitare regjionale nëpër Pollog. Dymbëdhjetë k.m.  në veri dhe në lindje çon rruga kufitare drejt Dardanisë.

Kastrumi ishte seli kryesore e njësive kufitare,qendër ushtarake dhe administrative e regjionit të Pollogut. Në sh. XI-XII është renovuar si kala kufitare bizantine dhe qendër regjionale me emrin: Leaskumcosu.

Lartësia e pirgut është  5-6 m. me hapësirat e brendshme: 5.15.m. x 5.35 m.; trashësia e mureve diku-diku = 2 – 2.20 m. mure këto të ngritur apo ndërtuar me gurë nga lumi i Sllatinës dhe gurkalaje  me malter  apo llaç gëlqeror; hatulla druri me vrima të cilat shihen edhe sot; muri mbrojtës i shkatërruar qytetin ka patur strehimore (hambarë) për ruajtjen e drithit dhe prodhimeve tjera ushqimore; afër kalasë, në anën veri-perëndimore ka akzistuar edhe  një mulli, madje edhe një farkëtari apo kovaçhanë;

Një zingi e farkëtuar – e gjetur brenda klasasë (22 janar, 2023)

në anën ndërmjet Kalasë dhe lumit ka ekzistuar një kanal i fshehtë, që me siguri është  përdorur për furnizim me ujë në rast të  ngujimit, por edhe për të lëshuar qytetin në raste rreziku.

SI KA QENË GJENDJA E KËTIJ LOKALITETI?

Si të gjitha qytetet, edhe Leshki (i cili ka ruajtur deri në mesjetë karakteristikat e një vendbanimi urban që nga antika), drejtpërdrejt me feudalizimin e marrëdhënieve prodhuese e shoqërore, zhvillohet edhe në një qytet mesjetar. Para se të flasim konkretisht për këtë qytet, është e nevojshme të shpjegojmë  shkaqet, arsyet dhe kushtet e themelimit të qyteteve në përgjithësi, e pastaj të ndalemi më konkretisht për Leshkin si qytet, i cili paraqet edhe vazhdimësinë mesjetare  të Sllatinës së sotme.

Qytetet krijohen në vende dhe kushte të caktuara gjeografike dhe historike e shoqërore. Në kohën e feudalizmit, qytetet i ka themeluar klasa feudale dhe në to kanë  jetuar feudalë dhe udhëheqës feudalë. Kështu, ata, përveç tjerash  ndërtonin edhe tempuj fetar (kisha e manastire, të cilët posedonin  pasuri të konsiderueshme) e që shpesh i ekspozoheshin grabitjeve të shumta, si nga ana e shenjtorëve feudalë, po ashtu edhe nga armiqtë e jashtëm. Në lidhje me këtë, por edhe në mbrojtje nga sulmet e jashtme, banorët ishin të detyruar të ndërtojnë vendbanime me mure të trasha dhe kulla të larta po me kësi muresh. Ato, para së gjithash ndërtoheshin për nevojat e klasës sunduese në shoqërinë feudale. Qyteti shërbente si pikë strategjike ushtarake për mbrojtjen nga armiku, por gjithashtu edhe si qendër për mbajtjen e sundimit më lehtë të popullatës së varur. Qytetet ngriheshin edhe afër vijave kufitare, si dhe në ato pika që kishin rëndësi të veçantë për mbrojtjen nga sulmet e jashtme ose për kontroll  të komunikimit. Pollogu gjatë kohë, madje deri më 1282, ka qenë zonë kufitare në afërsi të kufirit serbo – bizantin. Këtë zonë atëherë e ndante Sharri, i cili paraqiste një mburojë të mirë për të ndarë të dy shtetet. Në afërsi të këtij kufiri natyror, rrëzë malit Sharr u ndërtuan qytete nga themeli e disa edhe u rinovuan. Bizanti në zonat kufitare malore i popullonte me kolonistë, që pranonin për vete detyra ushtarake. Përveç kësaj, këta banorë të cilët i mbronin këto zona kufitare dhe rrugët që përshkonin ato, kishin  lehtësime të posaçme tatimore.

Kemi theksuar edhe më herët se përmes Ultësirës së Pollogut kalonte rruga perëndimore, e cila, si pjesë e magjistrales: Durrës – Konstantinopojë, ajo ndahej në Ohër dhe pastaj vazhdonte nëpër qytetet: Pollog dhe Shkup. Pollogu, sipas udhëpërshkruesit arab, Idrizit, ka qenë larg nga Ohri dy ditë udhë. Kurse Marin Barleti, biografi i Skënderbeut, shkruan për një rrugë tjetër, e cila nga Dibra e Epërme – Strugë,  çon për në Pollog. Këtu, në mesjetë, patjetër se duhet të ketë ekzistuar edhe udha e rrëzës së Sharrit, dhe e cila të ketë lidhur manastiret në Gostivar, Modriçë dhe Tetovë, dhe përmes Leshkës, për të vazhduar për në Odër, Kaçanik dhe Kosovë. Në këtë komunikim apo në afërsi, edhe atë në cep të kodrinës apo në rypin e dytë të mësipërm, janë ndërtuar disa qytete. Disa syresh kanë qenë  pika transitore për rrugën e cila nga Pollogu çonte për në Malin Sharr  e që dilte në Prizren – për në Adriatik. Ky komunikim i Pollogut me Prizrenin, shpesh vështirësohej për shkak të pasigurisë së lëvizjes, sidomos stinëve të dimrit për shkak të shtresave të mëdha të dëborës. Por alternativë tjetër nuk kishte.

Kur jemi te rrugët, vlen të përmendim këtu edhe faktin tjetër të ekzistimit të komunikimit. Një ndër ta është edhe rruga që gjarpëronte përgjatë lumit Vardar në Zhelinë dhe nga këtu vazhdonte për në Shkup. Në disa burime quheshin edhe si udhë lokale, si për shembull “Udha e Leshkit dhe Podluzhës, Udha e Reçicës dhe  Bregit Kuç”.

Në këto vlime ngjarjesh e zhvillimesh shoqërore dhe kryqëzime rrugësh, po gëlonte e rritej edhe Leshka edhe Sllatina si vendbanime karakteristike ndër periudha dhe etapa historike…

LEGENI – QYTET QË JETON NË LEGJENDA E GOJËDHËNA

Ndër banorët rezidentë të kësaj ane, qarkullojnë shumë legjenda e gojëdhëna në lidhje me paraardhësit e tyre, me vendbanimet e kohërave të thella të historisë, ndër të cilat spikatet edhe ajo për qytetin e quajtur Legjen. Kështu, sipas këtyre burimeve, qyteti ka qenë i ndërtuar në afërsi të një vendbanimi shumë të vjetër e të paidentifikuar, në një gur, i cili lartësohej mbi lumin e sotëm të Sllatinës, përkatësisht në anën perëndimore të tij, ku shquhet me pjerrësira të theksuara. Në anën veriore të lokalitetit ka një toponim që quhet “Kovaçhanë”. Në anën jugore ka qenë i mbrojtur me një hendek të madh toke. Emri i qytetit më së pari përmendet me rastin e pushtimit nga ana e ushtrisë feudale serbe, aty kah fundi i sh. XII.

Në sh. XIV Ipeshkvia e Prizrenit ka poseduar 3 prona kishtare në  Legen të Pollogut të Poshtëm. (Nga autorë të ndryshëm, ky qytet emërtohet edhe si: Legjen, Legjan e Legjin apo me ndonjë sufiks dhe prefiks tjetër), mirëpo deri sot kur shkruajmë këtë monografi, nuk kemi arritur të gjejmë ndonjë toponim të këtillë në afërsi apo më larg (në Sllatinë apo Leshkë). Një emërtim: Legjen, e hasim në një këngë të titulluar: “Martesa e mbretit”, me ç’rast thuhet se qyteti Legjen ka qenë vendbanim latin dhe deri këtu të çon  rruga nga Vushtria dhe Anamali. Madje, në një këngë  tjetër (kishtare): “Mbreti llatin dhe zarmi”, këndohet për  tokën legjene, për të krishterët legjen, për qytetin Legjen dhe për vajzat e tokës legjene.

Sipas këtyre këngëve, ku përmendet qyteti në fjalë, thuhet edhe kjo: “Nën qytetin Legjan shtrihet fusha e Legjanit. Qyteti ka “Derë Legjane” dhe kulla. Në qytet jeton mbretëresha Legjane”.

Për Legjenin flet edhe një burim bullgar, Todor Gerov në librin: Pri Shara. (Shih: në shtojcën Kontribute).

Në vazhdim do të pretendojmë të zbërthejmë domethënien e toponimit (ruronimit)  L e gj e n. Sipas të gjitha gjasave, emri  që potencuam rrjedh nga një fjalë hungareze: “Lenguel” që në gjuhën shqipe ka kuptimin: Fusharak, banor që jeton në  fushë apo në rrafsh. Me këtë rast mund të intrigohemi, sepse këtu në mes Sllatinës dhe Leshkës kanë ekzistuar dy qyteza, një në rrafsh (në antikitet) dhe tjetri në  kodrinë (Te Kalaja), që në këtë rast është antipod i Legenit. Sidoqoftë, për këtë qytet,qytezë apo vendbanim, qoftë edhe virtual apo i sajuar në imagjinatën e njerëzve autokton, ne do të flasim dhe do të glorifikojmë gjithçka që është e ndërlidhur me këtë emërtim, sepse Ushinski në një rast thot: “Atje ku s’ka njohuri të sakta, jepen supozime, e, dhjetë supozime janë  nëntë gabime”, për të  vijuar më tej:

Në fillim të sh.XIX, mitet për qytetin e Legenit transformohen nga tradita gojore edhe në krijimtarinë letrare, me ç’rast Legeni identifikohet me Tetovën. Megjithatë, ky unifikim nuk mund të konsiderohet si i qëndrueshëm dhe nuk mund të argumentohet me të dhëna plotësuese dhe bindëse. Kështu, më vonë, nga autorë të ndryshëm,  duke u bazuar edhe në gojëdhënat e banorëve të Sllatinës  dhe Leshkës, e me këtë edhe shkrimet dhe krijimet letrare në lidhje me këtë, mund të  na “qetësohet kureshtja” për ekzistencën e vendbanimit të dikurshëm të quajtur: Legen. Bile deri vonë banorët vendas kanë  bashkëjetuar dhe po vazhdojnë të jetojnë mbi rrënojat e vendbanimeve të të parëve të tyre në kohëra dhe periudha të ndryshme kohore, e, në këtë rast : “Mbi rrënojat e qytetit përreth të cilit ka ujëra mineralë“, siç do të shprehet edhe Selishçevi.

Në këtë gamë zhvillimesh, mjaft interesante  dhe sinjifikative është edhe gojëdhëna apo legjenda e Peshkut, që ndër banorët sllatinasë është e gjallë, të cilën do ta paraqesim në vazhdim:

PESHKI XHI KCI PI TAVE

Kur ka ardh Llatini* ktaune (n’Legen),nji grue Te Kalipica ka kën tu fërgjau  peshk n’tav.Vejn habieri se du hije Llatini.Kjo thuët: Kur du mxhallet ki peshki xhi e këm n’tav,athere du mund ta mare Llatini Legenin. Kur n’at dakik,peshki nxhallet ene,“pup” – e  n’uj. Athiere ajo thuët: “Nëse vejn Llatini, ne hije pi sejpri (pi ka bgjieshka,dmth.nga ana e  Sharrit) se ka fusha Legenin sën e mer kurri”. Ene ashtau buhët. Askiria hijn pi mas shpejne e marën viendin, ene Llatini  ka  sunau me mija vjet  ktaune.

Tregoi: Hadije Salihi, lindur më 1927

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok