03/12/2024

Jorgo Papingji: – Poezia ka ngritur në këmbë Perandorë, Presidentë, Kryeministra, një popull, por jo politikanët tanë

0
Jorgo-Papingji

Flet “Mjeshtri i Madh” Jorgo Papingji:

– Tregu i lirë i ka prishur shumë punë poezisë. Sot shikon më shumë poetë se kuzhinjerë.

– Sot kushdo që ka dëshirë boton se nuk ka filtra, nuk ka tekste, por ka fjalë.

Nga Albert Z. ZHOLI

Ai është poet i madh dhe njeri i thjeshtë. Intelektual njerëzor. Jorgo Papingji është një ndër personalitetet më të spikatur të poezisë shqiptare, në festivalet e këngëve për fëmijë dhe të festivaleve në Radio Television. Dhënia e mësimit nëpër disa nga shkollat e kryeqytetit e ka bërë atë më të lidhur me nxënësit dhe me kolegët, ku mësimdhënia sipas tijë është një art shumë i vështirë që kërkon, studim , përkushtim, seriozitet dhe punë sistematike. Lumturohet kur fëmijët e përqafojnë për tekstet dhe nuk e percepron krijimtarinë në vende moderrne dhe salla llamburitëse. Thjeshtësinë e ka tiparin dallues në marwrdhëniet shoqërore, tipar që e ka bërë më të dashur tek këngëtarët dhe më të respektuar në masën e gjerë të artëdashësve.

– Fëmijëria për secilin ka veccoritë e veta. Diçka  mbi fëmijërinë tuaj. Si lindi tek ju dëshira për të krijuar deri sa arritët në nivelet e sotme ku jeni protagonist i shumë krijimeve me çmime?

-Sot mund të them se kam pranë vetes shumë fëmijëri. Kam ecur dhe eci më fëmijërinë. Fëmijëria ime më ka shoqëruar gjatë gjithë kohës së rritjes sime. Edhe në këtë moshë them se kam brenda vetes shume fëmijëri. Jam sa edhe plak edhe fëmijë. Dhe këtë pleqëri që mbaj ma zhduk kjo fëmijëri që mbaj brenda vetes. Unë mendoj se njeriu, po ta ketë brenda vetes këtë fëmijëri dhe po të di ti marri erë kësajë fëmijërie, nuk plaket asnjëherë. Është një gjë e çuditshme nganjëherë, që në moshën time të hershme kam pasur dëshirë të merrem me artin. Që fëmijë i vogël në kopësht unë bëja teatër kukullash.Kam lindur në Vlorë dhe në shtëpi gjithmonë ëndërroja për skenën, teatrin. Vlora vetiu të jep frymëzim. Ajo të magjeps. Të nxit për art. Në shtëpi ishte një penxhere hajati  dhe ne në atë penxhere merrnim kukulla dhe improvizonim lojën teatrore, pra sajonim teatër me aq sa kishim dëgjuar. Më vonë, në shkollë, kur bënim fletoren e kujtimeve ( i linim kujtimet njëri tjetrit në fletore) në fund të vitit shkollor, gjithmonë, në fund të shkrimit më shkruanin ose vendosja vetë Jorgo Papingji, regjizor. Në atë kohë unë nuk e kisha idenë se ccfarë ishte regjizori. Ngadalë, ngadalë kjo u binjakëzua me veten time. Shpirti binjak i imi ka qenë dëshira gjithmonë për artin. Kjo më bëri të shkruaj. Në atë kohë ne kishim një gazetë në shkollë në Vlorë “ Fjala Jonë”. Kjo ishte gazetë muri. Gazeta kishte një redaksi që mblidhnin artikuj për fëmijë përvec problematikave të ndryshme të mëdha, si gjëra  që ndodhnin në klasë etj. Unë u bëra kryeredaktor i asaj reviste. Kjo revistë muri ishte si një ogur i mirë në krijimtarinë time.

Bëhet fjalë për vitin 1948. Unë kam  filluar të shkruaj shumë shpejt. Kam pasur një nënë shumë të kujdesëshme që na mësonte vazhdimisht edhe kur nuk kishim shkollë. Unë jam rritur pa baba dhe nënën e kishim edhe baba edhe nënë. Ajo i donte fëmijtë të mirw, të edukuar dhe të kulturuar. Kjo siç duket dha frytet mbrapa. Pas Vlorës ne u vendosëm në Tiranw. Në Tiranë kam ardhur nga klasa e katërt fillore dhe këtu kam filluar të ndjek mësimet në një shkollë me shumë emër, që në atë kohë quhej “ Shkolla e Kuqe”. Kjo shkollë ka pasur mësues shumë të mirë, ku të gjithë kanë mbjellur diçka  tek formimi im. Atë që kanë dhënë ata me gjithë shpirt, unë e ndjej tek vetja ime. E gjej nga një filiz të mbjellë nga ata tek vetja, qoftë  për artin, kulturën, gjuhën e huaj etj.

-A mund të vecconit ndonjë moment më të hollësishëm për ndonjë konflikt me mësuesit tuaj, ose kur një mësues ka reaguar ndaj një sjelljeje jo të hijshme tuajën?

-Unë mbahesha si fëmijë i mirë, i edukuar, por edhe sensibël. Problem kam pasur me një mësues të ciklit të ulët, sepse unë gjithmonë kam shkruajtur me dorën e majtë dhe ai donte të shkruaja me të djathjtën pasi ishte e ndaluar të shkruaje me të majtën. Mësuesi mbante në dorë gjithmonë një vizore edhe kur e shikonte që unë e kisha në dorën e majtë penën, më godiste me vizore. Ky ka qenë konflikti më i madh që unë kam ndeshur në jetën time shkollore. Ky ishte një konflikt njerëzor, në emër të ndihmës së sinqertë. Por edhe sot unë shkruaj me dorën e majtë. Kjo mënyrë të shkruari ishte brenda meje. (qesh).

-A e mbani mend poezinë e parë që keni shkruar?

-Poezinë e parë që kam shkruar e kam hedhur në  fletoren e kujtimit si e quanim.

Si zjarri që le hirin, Po lë edhe unë kujtimin.

Në këto vargje kam hedhur dashurinë shkollore. Dhe e kam bërë si kujtim për shokun tim të klasës. Në fund e nënshkruar Jorgo Papingji, regjisor. Këtë ngjarje e mbarta me vete dhe pastaj e shkruajta në një festival të këngës për fëmijë. Kam një këngë të bërë vite më mbrapa kur kam ardhur në Tiranë, që e ka zanafillën në ato materiale të kohës së fëmijërisë.

Kur ula të mendohem.
Për një lodër të mendoja,

nisa penën ta kafshoja.
Më shpëtoi një pikë me bojë.

Rri mendoj e rri  mendoj:
si t’ja bëj njollës me bojë.

Fletën e bëra pis.
Si t’ia bëj?
Ta fshi apo ta gris..?!

S’do ta  fshij, e s’do t’a gris,
fletën që e bëra  pis.

Përditë ta shikoj
e më mos të gaboj!

-Nga shumë krijues flitet se ka shumë tekste, që nuk ngjiten në nivelin e artit poetik. Pra poezi sidomos nga kantautorë, por edhe nga pseudopoetë…Mendimi juaj??

Tregu i lirë i ka prishur shumë punë poezisë. Sot shikon më shumë poetë se kuzhinjerë. Sot kushdo që ka dëshirë boton se nuk ka filtra. Pra, ndaj sot nuk ka tekste. Sot ka fjalë. Poezi do të thotë fjalë e bukur, fjalë e artë, fjalë që të mbërthen. Poezi apo tekst kënge do të thotë: Fjalë magjie. Sot në një tekst kënge ka vetëm 4 fjalë. Kaq! Ku është fjala e magjishme?! Në poezi kur lexon të rrëqethet mishtë. Ngrihesh në këmbë nga emocionet. Kënga ka tekst, ka muzikë, ka këngëtar. Pa tekst të bukur si do të jetë një këngë e bukur?! Poezia ka ngritur në këmbë Perandorë, Presidentë, Kryeministra, një popull. Poezia është fjala më e bukur e zotit.

-Po dita më e vështirë kur ka qenë si krijues dhe pse në shumë këngë më shumë vlerësohen këngëtari dhe kompozitori dhe aspak poeti?

-Që  të jem i sinqertë të këqijat nuk i mbaj mend. Ndwrsa për këtë të fundit ndihem keq. Është e vërtetë pse nuk i kushtohet po aq vëmendje poetit sa dhe këngëtarit? Mund të këndohet pa tekst. Këngëtari është i fundit në radhë.

-Ku ndjeni më shumë emocion, tek festivalet për fëmijë apo tek ato për të rritur?

-Çdo lloj aktiviteti kanë emocionet e veta që nuk krahasohen me njëra -tjetrën. Unë edhe sot e kësajë dite marr pjesë sistematikisht në të gjitha festivalet e të rriturve, por kënaqësinë që ma jep festivali i  fëmijëve nuk ma jep asnjë festival tjetër.

-A kujtoni ndonjë moment në festivalet e fëmijëve që mes tyre ju keni qenë shumë i emocionuar?

-Ajo më ka ndjekur gjithë jetën. Unë çdo vit kam pjeswmarrje në festival qoftë në atë të Tiranës qoftë edhe në atë të Shkodrës. Dhe në të gjitha rastet është bukur kur thonë që ky xhaxhi është ai që ka bërë këngën, të përqafon. Urimet e fëmijëve janë të sinqerta. Ato të gjallojnë dhe të zgjasin jetën.

– Kompozimi i muzikës lidhet ngushtë me tekstin. Sot tek këngët e Festivalit në Radio  Televizion tek tekstet ka përsëritje fjalësh dhe një refren  me dy tri fjalë, ku teksti stonon, të lodh, të mërzit. Pra në vend që të të mbërthejë, mallëngjejë, ndodh e kundërta të largon. Çfarë do të  thoni ju për tekstet e sotme të këngëve?

-Unë nuk marr përsipër të jap mendime për tekstet  e këngëve të të tjerëve. Gjithmonë çdo njeri që krijon ka sensin e krahasimit. Dhe shija e njerëzve nuk ka marrë një formim të plotë. Kjo ka  arësyen e vet. Ne u hapëm se ishim  të mbyllur dhe në këtë hapje pa doganë hynë pa rubinetë të gjitha të huajt dhe u la pas dore tradita. Por, mbas kaq vjetësh duket se po  kalon ajo që ne kopjuam dhe shkundëm. Pra sikur po hiqen at  të tepërta  dhe shihet se po del një gjethe e gjelbër dhe e bukur. Unë them se kjo është një  kohë që do të kalojë në krijimtari. Tranzicioni hapi plagët e veta dhe në muzikë. Koha e filtron çdo gjë. Ka filluar të ndjehet përgjegjësia në tekstet.  Po i jepet më shumë rëndësi. Një tekst i bukur duhet muzikuar bukur. Kur muzika nuk thotë dot  atë që thotë teksti kënga nuk del bukur. Stonon. Humb harmoninë. Rrjedhshmërinë. Një këngë e harmonizuar është si burimi në mal. Gurgullima e ujit, cicërima e zogjve dhe fëshfëritja e gjetheve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok