14/10/2024

Jo Asosacion pa njohjen e Kosovës nga ana e Serbisë!

0

Nga Enver Bytyçi

Më 18 mars Kurti dhe Vuçiç, në prani të Borrell dhe Lajçak, do të takohen në Ohër. Ohri është pikë takimi i rëndësishëm për paqen në Ballkan. Eshtë përzgjedhje e qëllimshme, ashtu siç edhe u përzgjodh Kumanova për të nënshkruar kapitullimin e Serbisë në Kosovë më 9 qershor 1999. Pra simbolika e 18 marsit është e qartë dhe e padiskutueshme. Po çfarë do të ndodhë pas 9 ditësh në Ohër? A do ta nënshkruajnë palët projekt-marrëveshjen e dakorduar në Bruksel?

Pritshmëritë janë të larta. Të dy palët kanë rënë dakord që ta nënshkruajnë tashmë planin franko-gjerman dhe t’i japin fund konfliktit Kosovë-Serbi. Megjithatë presidenti i Serbisë ende dëshiron të rrëshqasë dhe të mos e pranojë që Kosova të bëhet anëtare e OKB-së. Ai i ka premtuar politikës serbe dhe qytetarëve të tij se “nuk do të nënshkruajë një dokument, i cili parasheh anëtarësimin e Kosovës në OKB”! Në fakt pranimi në OKB i jep fund dilemës shtetërore të Kosovës dhe për pasojë Beogradi pikërisht këtë dëshiron ta evitojë. Ka zëra që thonë se në Ohër mund të tolerohet Serbia dhe t’i kërkohet që ajo ta pranojë anëtarësimin e Kosovës në të gjitha organizatat e tjera, përveçse OKB-së.

Ky ndryshim, nëse ndodh, është substancial dhe përfaqësuesit e Kosovës nuk duhet ta pranojnë në asnjë rrethanë. Sepse pranimi në OKB është e vetmja pikë e marrëveshjes, e cila i jep kuptim asaj. Po ia hoqe këtë, atëherë bie e gjithë marrëveshja ose projekti i saj. Siç duhej të binte marrëveshja e Uashingtonit e shtatorit 2020, kur asaj iu hoq pika 10, në të cilën Serbia do të detyrohej ta nihte shtetin e Kosovës pas një viti.

Nëse nënshkruhet kjo marrëveshje në Ohër me detyrimin për Serbinë që të mos pengojë pranimin e Kosovës në OKB dhe organizatat e tjera, Beogradit i del për detyrë që të ndalë lobimin kundër pavarësisë së Kosovës dhe njëkohësisht e shumta të abstenojë në votën e saj për këtë. Kosova me aleatët e saj, me këtë marrëveshje në dorë, kanë tagrin, mundësinë dhe të drejtën të kërkojnë votën e secilit vend sovran për t’u pranuar në këto organizata.

Deri këtu jemi ok! Po me Asosacionin çfarë mund e duhet të bëhet? Asosacioni është obsesioni i Christopher Hill, ambasadorit amerikan në Beograd. Ai më shumë merret me këtë çeshtje, sesa me të gjitha çeshtjet e tjera të Serbisë, përfshi raportet shqiptaro-serbe në Kosovë dhe marrëdhëniet SHBA-Serbi. Mesa duket duhet të ketë bërë një premtim e për pasojë është i përkushtuar në këtë aspekt në ndihmë të presidentit Vuçiç. Asosacioni duket se e shqetëson zotin Hill edhe në ëndërr.

Por deri tani nuk ka një premtim publik nga ana e zotit Kurti për ta krijuar atë. Se ka ose jo premtime diskrete, këtë nuk e dimë, pavarësisht shpekullimeve të shumta. Por qëndrimi i kryeministrit duket se ka ndikuar te bashkëbiseduesit. Kryetari i Komunës së Shtërpcës, Jeftiç, thoshte se asosacioni nuk është njëetnik, mbasi sipas tij, së paku pesë ose gjashtë komuna me shumicë serbe janë multietnike. Kjo do të thotë se ekziston dilema e marrjes në konsideratë të arsyetimit të zotit Kurti. Megjithatë Jeftiç nuk përmend komunat në veri të Kosovës si ,ultietnike, të cilat duket se i konsideron si njëetnike-përkatësisht serbe. Pikërisht në këtë detaj fle lepuri. Sepse janë pikërisht këto komuna, territoret e të cilave synohen nga Serbia. Padashur, Jeftiç zbulon se së paku tri komuna të veriut kanë për qëllim përmes asosacionit të shkëputen nga territori i Kosovës.

Këtë tendencë e shpreh edhe një deklaratë e sotme e Listës Srpska, e cila refuzon të marrë pjesë në zgjedhjet e prillit në komunat e veriut, zgjedhje të cilat u diktuan nga dorëheqja e kryetarëve në vjeshtën e kaluar. Lista Srpska përpiqet të imponohet me forcë edhe në kushtet kur nuk ka asnjë bazë juridike. Ndërkohë që në rastin e krijimit të asosacionit ajo do të jetë akoma më agresive kundër dhe në refuzim të institucioneve të Kosovës. Fakti që përfaqësuesit politikë të serbëve në Kosovë veprojnë sipas orientimit dhe diktatit të Beogradit për të bllokuar jetën institucionale në vend, bën që ideja për krijimin e Asosacionit të Komunave me Shumicë Serbe të duket së paku e parakohshme dhe jo solide.

Për këto arsye qeveria e Kosovës fillimisht duhet të jetë kategorikisht kundër krijimit të tij. Nëse presioni nuk përballohet dhe bashkësia perendimore këmbngul në këtë drejtim, atëherë krijimi i asosacionit duhet kushtëzuar me njohjen e Kosovës si shtet të pavarur e sovran nga ana e Serbisë. Dhe krijimi i tij duhet të standartizohet gjithnjë në pajtim me Kushtetutën e vendit. Kushtetuta ishte lëshimi më i madh që Kosova ka bërë, me qëllim marrjen e njohjes nga ana e Beogradit. Nuk mundet që Beogradi ta marrë Kosovën ose pjesë të saj për ta njohur atë. Kjo shënon fundin e gjithçkaje! Ndaj dhe dikush duhet ta njoftojë zotin Hill, se Kosova nuk është e gatshme të bëhet sërishmi gjah i politikave të krijimit të Serbisë së Madhe!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok