20/04/2024

GJERGJ KASTRIOTI DHE ANDRONIKA ARIANITI KASTRIOTI, NË VEPRAT MUZIKORE TË SHEKULLIT XVIII

0

Nga Lutfi ALIA, Siena – Itali

Jeta dhe vepra e lavdishme e Gjergj Kastriotit, Zoti i Alba-nia, është prezantuar në mbi 2800 vepra, të shkruara nga histo-rianë, shkrimtarë, poetë, kronistë, nga Papët dhe klerikët, nga strategë e diplomatë, të cilët kanë prezantuar figurën e kryetri-mit arbëror, kontributin në mbrotjen trojeve arbërore dhe të krishtërimit. Në të gjitha këto vepra krahas tij është bashkë-shortja Andronika Arianiti, zonja e parë e Arbërisë.

Ndërmjet veprave të shumta, në shekullin XVIII janë dhe tre vepra muzikore, tre opera me të njejtin titull “Scanderbeg” të kompozitorëve Antonio Vivaldi (1718); të François Rebel e François Francoeur (1731) dhe e Bernard Germani (1785). [Lutfi Alia, I legami con l’Albania. Il Carroccio di Siena, nº122, anno 22, marzo – aprile 2006, p. 36 – 38].

Opera e parë “Scanderbeg”, me nëntitull “Drama për muzikë” u kompozua nga Antonio Lucio Vivaldi, prift katolik, violinist dhe kompozitor italian, i vlerësuar nga kritika eksponenti më i madh i muzikës barok. Libreti i operës u shkrua nga Antonio Salvi. Libreti origjinal i operës ndodhet në arkivin e Bibliotekës së Bolonjës. [Reinhard Strohm, The operas of Antonio Vivaldi, Firenze, Edizione Olschki, 2008, I, p. 232].

Vivaldi e përfundoi operën “Scanderbeg” në prill 1718 e më 22 qershor 1718 u shfaq premiera në Teatrin e Akademisë “Imobili”, në rrugën “Pergola” në Firence. Në nëntitujt e kopertinës të libretit, është shkruar se opera “Scanderbeg” e Antonio Vivaldi u shfaq në Firence nën patronazhin e Lartmadhërisë, i Përndritur Princi i Madh i Toscanës. [Reinhard Strohm, The operas of Antonio Vivaldi, Firenze, Edizione Olschki, 2008, p. 232]

Shumë autorë mendojnë se libreti i Salvit është përkthim dhe përshtatje e tragjedisë të Christofer Marlowe: “The True History of George Scanderbeg”, vepër që ka humbur, por nuk përjashtohet mundësia të jetë bazuar dhe në vepra të autorëve të tjerë si të Marin Barlezi, Paolo Giovio etj, vepra të botuara në Itali dhe në shumë vende të tjera europiane. [Paolo Betinetti, Storia della letteratura inglese, Einaudi, Torino 2000, pp. 128-129]

Në Siena, opera “Scanderbeg” u shfaq më 25 korrik 1718, në patronazhin e Lartmadhërisë, të Përndriturës Violante, Princesha e Madhe e Toskanës dhe Guvernatore e Republikës së Sienës.

Në këtë opera janë dy grupe personazhe, arbërorët: Skenderbeu (mbret i Albania), Donika (bashkëshortja e Skenderbeut e veshur si bareshë), Arianiti (babai i Andronikës), Kont Urani (gjeneral i ushtrisë) dhe Klementi (kapiten i Skënderbeut). Grupi i dytë i personazheve janë turqit, të përfaqësuar nga sulltani Murati II, Asteria (e bija e Muratit) dhe nga Akomati, gjeneral turk dhe dashnori i Asteria. [Reinhard Strohm, The operas of Antonio Vivaldi, Firenze, Edizione Olschki, 2008, I, p. 232]

Nga 25 korriku deri më 17 shtator 1817, opera u shfaq 18 herë, me dy shfaqie në javë dhe megjithë sukseset e kësaj vepre madhore dhe me famën e Antonio Vivaldit, në vitet e më pasme u ndalua shfaqia kësaj opere.

Në shtator 1817, përfundoi lufta e venecianëve kundër Perandorisë Osmane dhe pas kësaj situate, të gjitha operat që shprehnin aspekte të reagimit kundër turqëve, ndërmjet tyre opera “Scanderbeg” e Antonio Vivaldit, u ndaluan, me synimin që diplomacia e Srenissimas të mos krijonte probleme dhe pakënaqësi me kundërshtarin e saj të përhershëm.

Nga kjo kohë, opera “Scanderbeg” u harrua, madje humbën partiturat, por në vitet e para të shekullit XX, dy muzikologët Mark Piklerle dhe Arnold Schering, zbuluan partiturat dhe pas studimeve të hollësishme, vlerat e kësaj opere i prezantuan të dy në tezat e diplomave universitare. [Marc Pincherle, Vivaldi genie du baroque, 1942, f. 211] [Bernoholf Schmid. Schering Arnold, Neue Deutche Biographie. Bd. 22, Berline, 2005, f. 696]

Në vitin 1913, Mark Pinkerle gjatë studimit të operave të Antonio Vivaldi të arkivuara në Bibliotekën e Amsterdamit, zbuloi dorëshkrimet dhe partiturat e kësaj opere, të cilat ishin huazuar nga Biblioteka Nacionale e Torinos. Këto dorëshkrime ishin në koleksionet private të M. Foà dhe të R. Giordano, të cilët i kishin marrë nga biblioteka e kontit Giacomo Durazzo, fisnik gjenovez me origjinë shqiptare. [Angela Valenti Durazzo. Il fratello del doge. Giacomo Durazzo, un illuminista alla corte degli Absburgo tra Mozart, Casanova e Gluck. CHRA, Principata de Monaco, 2012]

Konti Durazzo ishte diplomat, iluminist, personalitet i kulturës dhe pronari i teatrit kryesor të Gjenovës, i ndërtuar në Pallatin e familjes Durazzo. Konti Giacomo Durazzo ishte dhe koleksionist veprash letrare dhe artistike, ndër ato kishte mbledhur disa partitura të operës barok “Scanderbeg” të Antonio Vivaldit. Ndërmjet dorëshkrimeve të zbuluara, janë katër arie të aktit të parë, dy arie të Andronikës dhe një arie e Gjergj Kastriotit në fund të aktit të dytë (RV 732) dhe aria me palmat dhe dafinat, si dhe dy duete të Gjergj Kastriotit me Andronikën në aktin e dytë, ndërsa partiturat e tjera kishin humbur.

Mark Pinkerle, me katër ariet dhe dy duetet e zbuluara të operës barok “Scanderbeg”, në vitin 1913, prezantoi tezën e diplomës, ku ekspozoi vlerat dhe talentin e Vivaldit, në prezantimin e veprës heroike të Gjergj Kastriotit dhe të bashkëshortes dinjitoze Andronika Arianiti.

Edhe Arnold Schering (1877 – 1941), muzikolog gjerman, violinist dhe kritik muzikor, në vitin 1907, në përfundim të studimeve në Universitetin Lipsia, prezantoi tezën e diplomës për muzikën e koncerteve instrumentale të Antonio Vivaldit dhe çka ka rëndësi, Ai evidencoi një ngjashmëri impresionuese të melodisë të arieve të Andronikës, me koncertin “Pranvera”, pjesa e parë e koncertit të famshëm për violina “Katër stinët” të Antonio Vivaldi, të kompozuara në vitet 1723 – 1725. Schering thekson: Vivaldi, pesë vite më vonë, muzikën e dy arieve të Andronikës të operës “Scanderbeg” i përfshiu në koncertin e parë për violinë “Pranvera”.  [Bernoholf Schmid. Schering Arnold, Neue Deutche Biographie. Bd. 22, Berline, 2005, f. 696]

Krahas operës barok “Scanderbeg” të Antonio Vivaldi, në shekullin XVIII janë dhe dy opera të tjera.

Opera e dytë dedikuar Gjergj Kastriotit dhe Andronikës është vepër e François Rebel (1701 – 1775) dhe François Francoeur (1698 – 1787), kompozuan operën liriko-tragjike me titull “Scanderberg”, e cila u shfaq për herë të parë më 22 tetor 1735, para mbretit të Francës Luigji XV dhe mbretëreshës Maria Charlote Leszynska. Autori i libretit të kësaj opere është Antoine Houdar de la Motte. Opera u vu në skenë nga Akademia Mbretërore e Muzikës dhe pati sukses. Libreti dhe partiturat e operës janë të arkivuara në Biblio-tekën e Parisit.

Opera e tretë e shekullit XVIII, me titull “Scanderberg” u kompozua nga Etienne Bernard Germain, konti i Lacepade (1756 -1825), politik dhe muzikolog. Opera u vu në skenë nga Akademia Mbretërore e Muzikës me premierën në vitin 1785. Kritikët e muzikës e vlerësuan këtë opera dhe e konsideruan  vazhdim i traditës të klasiçizmit të kompozitorit Christoph W. Gluck.[Ora Fishberg Saloman. Aspects of Gluckian operatic thought and practice in France. 1984, f. 361 – 362].

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok