Jehona e krismës së armëve të Rexhep Malës dhe Nuhi Berishës natën e 11-12 janarit 1984, në Kodrën e Trimave (ish Vranjevci) ishte jehona e lirisë
Nga Fazli Maloku
Viti 1983, është i njohur tashmë për arrestime i shumë grupeve ilegale të cilat vepronin anëekënd trojeve shqiptare të pushtuara nga Jugosllavia, me fjalë tjera, ishte viti më i tmerrshëm për shqiptarët nga represaljet e dhunimet masovike, sidomos ndaj studentëve e të rinjve shqiptarë. Pushteti pushtues, gjegjësisht drejtuesit e UDB-ës dhe të LKJ, me këto veprime të ndërmarra ndaj shqiptarëve, vlerësuan se me shqiptarët u zgjidh problemi për një kohë të gjatë, por nuk doli ashtu. Dorën në zemër, nga këto masa represive e metoda shtazarake të përdorura nga organet e UDB-së nëpër qelitë e burgjeve jugosllave, një pjesë jo e vogël e shqiptarëve i kapu paniku dhe krijuan bindjen se UDB-ja kishte arritur që po thuaj në çdo familje shqiptare kishte futur agjentin apo bashkëpuntorin e vet. Kjo bindje rezultoi nga se shumë orgenizsata e grupe ilegale, të cilat punonin sipas parimit të “Tresheve”, u dekonspiruan shpejtë dhe kjo metodë u braktis duke kaluar në veprimin me “Dyshe”, e cila rezultoi më e sukseshme. Pikërisht në këtë gjendje të rëndë të popullit shqiptar të pushtuar , kur drejtuesit e shtetit jugosllav, shkie e puthadorë shqiptarë, ngrenin dolli të bindur se ideja shqiptare për çlirim e bashkim me Shqipërinë u përmbys njëherë e përgjithmonë, në Kosovë , nga atdhetarët idealistë si Rexhep Mala, Nuhi Berisha, Kadri Osmani, Xhafer Shatri…e të tjerë u formua Partia e Luftës, e cila për një kohë relativisht të shkurtër, më pak se një vit veprimi në ilegalitet të thellë, pati një shtrirje gjeografike po thuaj në gjithë Kosovën. Puna në “Dyshe”, disiplina dhe konspiracioni i nivelit të lartë ia mundësonte jetën e veprimit nën çizmën e hekurt të UDB-ës jugosllave. Në kuadër të Partisë së Luftës, Prishtinën e drejtonin : Kadri Osmani – Mani, drejtues kryesor, Ramush Jashari, Sokol Duraku dhe Fazli Maloku. Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha vepronin në ilegalitet të thellë, Kadri Osmani – Mani, icili kishte pak muaj që kishte dalë nga burgu dhe ne të tjerët me shumë kujdes jetonim dhe punonim si gjithë qytetarët tjerë.
Si u zbulua vendstrehim ilegal i Rexhep Malës dhe Nuhi Berishës?
Me Kadriun kishim përcaktua vendtakimet për të raportuar për veprimet në pjesën time të qytetit të Prishtinës si dhe për të marrë detyra shtesë dhe intruksione të nevojshme për punën e mëtutjeshme. Isha i sigurtë se Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha jetonin ilegalë në Kodrën e Trimave, e cila me vite ishte vatër e ngrohtë për shumë grupe, organizata ilegale, por për Rexhepin e Nuhiun asnjëherë nuk biseduam me Kadriun. Të pyesësh për shokët ilegalë në këtë kohë veprimi ishte rreptësisht e ndaluar. Për zbulimin e vendodhjes së Rexhepit e Nuhiut, po e shpjegoi variantin sipas rrëfimit të Kadriut, disaherë të analizuar me te, kuptohet pas daljes së Kadriut nga Burgu (fillim vitet e ’90-ta.Kadriu shpjegon:
” Rexhepi dhe Nuhiu ishin strehuar tek një familje në afërsi të shkollës fillore “Asim Vokshi” në lagjën Kodra e Trimave në Prishtinë. Pronari i shtëpisë ishte një ish polic i pensionuar. Me qenëse Rexhepi e kishte humbur besimin edhe te një pjesë e shokëve të ilegalës, nuk lejonte që për veq meje dikush tjetër ta dij për vendodhjen e strehimit. Mua dhe vetëm mua më kishte autorizuar ti dërgoja ushqime e veshmbathje. Kjo ishte njëra nga detyrat më të vështira për mua, ngase isha i vetëdijshëm se mua mundohen të më përcjellin në çdo hap posa dilja nga shtëpia. Kjo vazhdoi për një kohë disa muajsh. Natën kritike të 11 janarit 1984, mora ushqim e veshmbathje për ta dhe pasi ra terri vazhdova rrugën duke bërë shumë leqe, në mënyrë që ti përvidhesha survejimit të ndjekësve, i veshur si një plak i mbetur me një krryle në dorë, i mbështjellur si zakonisht me plis e mahramë dhe torbën në krah arrita në afërsi të banesës së tyre. U ndala në një qoshe dhe po vezhgoja, mos më erdhi dikush nga mbrapa. Jo më shumë se 20-30m largësi nga banesa e tyre vërejta një pëerson i cili vezhgonte kah hyrje-dalja e shtëpisë ku ata ishin strehuar. E lexova shpejt situatën si shumë të rrezikshme. Vrapova me të shpejtë dhe trokita në derë me parullën e njohur për ne. Doli Rexhepi. Unë i thash. Sa ma shpejtë të ikim nga këtu sepse vendodhja e juaj është zbuluar. Dolëm me të shpejtë. Trupuam rrugën Vëllezërit Fazliu (ish Jabllanica) duke u futur në rrugën Marevci në drejtim të hekurudhës. Në fillim të rrugës Ramë Govori (ish Podujeva), u ndalëm për të marrë frymë. Unë isha në dilemë të vijmë tek ti (fjala është për mua), por më dukej larg dhe vendosa të futemi në shtëpinë e Sejdi Veselit me të cilin njiheshim dhe bashkvepronim por jo në të njëjtën organizatë. U futëm në shtëpinë e Sejdiut, pra në rrugën Ramë Govori (ish Podujeva). Sejdiu, na futi në një dhomë ku priste ilegalët, paksa më e sigurtë për të mos rënë në sy. Nuk vonoi dhe ra zilja e oborrit. Doli Shemsiu, vëllai i Sejdiut. U kthye shpejt dhe tha: Policia, jemi të rrethuar. Sejdiu, me një gjakftohtësi burrash deklaroi: Shokë. Nuk kam mundësi t’iu shpetoj. Nëse keni vendosur të rrezistoni, krisne luftën. Jam i gatshëm të vdes me ju si dhe ta sakrifikoj edhe familjen. Rexhepi, foli qartë: Nuk ka rrezistencë në familjen e Sejdi Veselit. Nuk dua të na e shohin sherrin. U ngritëm në këmbë. Rexhepi, Nuhiu dhe unë, kishim me vete nga pistoletë, prodhim spanjoll me nga 100copë fishekë. Sejdiu, përmes një dalje të maskuar mirë po për këto nevoja na përcolli dhe u futëm në një oborr të fqinjit të Sejdiut. Filluam ti kalonim muret e oborreve. Ata kalonin si me krah, sidomos Nuhiu, i cili ishte djalë drangua, i shëndetshëm e i fuqishëm. Unë si më i vjetri me moshë, por edhe shumë shëndetlig që isha, nuk kisha fuqi ti kaloja këto pëngesa. Kështu që disaherë Nuhiu kthehej dhe me mirrte si të isha foshnje dhe më kalonte përtej mureve. Duke mos dashur të bëhem pëngesë e tyre, propozova të ndahemi, ndoshta më lehtë do ta qajmë rrethimin. Ramë në dakord të gjithë. U përqafuam për të fundit herë. Unë ashtu zhagazi u futa në një bodrum në mehallën e romëve, për bri hekurudhës, në rrugën “Qeramika”.Hidheshin predha ndriçuese nga të gjitha anët. Helikopteri i policisë speciale lëvizte përmbi çati. Krisma automatikësh. Luftë e vërtetë. Dëgjoheshin edhe krismat e pistoletave të Rexhepit dhe Nuhiut. Kishin një krismë të veçantë. Luftë e pabarabartë 2 me 200 (dy revolucionarë, idealistë shqiptarë me 200 policë duke mos llogaritur edhe “njësinë speciale”. Lufta nuk pushoi deri rreth mëngjesit të datës 12 janar 1984. Mua më diktuan romët, pronarët e shtëpisë dhe fqinjët e tyre. Më sulmuan burra e gra,v me mjete të ndryshme: sopata, lopata…Ua drejtova pistoletën dhe pa dëshirën time isha i detyruar të shtija. Lajmëruan policinë. Kur erdhi policia, kryesisht shqiptare, u gëzova. Nuk bëra rrezistencë. U dorëzova. Më mbante shpres se Rexhepi dhe nuhiu, duke i njohur fuqinë, trimërinë e shkathtësinë e tyre, ndoshta kanë arritur të qanin rrethimin. Në burgun e Prishtinës, pas disa ditësh kuptova se Rexhepi e Nuhiu ishin vrarë. Një çast tepër i rëndë për ta përballuar. Por, nuk duhej ligshtuar para katilave të Udbës.” Ky ishte shpjegimi i atdhetarit, idealistit për çlirim e bashkim kombëtar, Kadri Osmanit – Mani
Me këtë rast, u arrestuan gjithë vëllezërit e Sejdi Veselit, duke u dënuar gjerë më 15 vite burg (Sejdi Veseli). Po ashtu edhe u zbulua grupi i Sejdiut, pjesëtarë të Organizatës Fronti Nacional Çlirimtar i Kosovës, të cilët u dënuan me shumë vite burg.
Tani rreth zbulimit të vendodhjes së Rexhep Malës e Nuhi Berishës, rrjedhin edhe variante të tjera jo të qarta e të hamendsuara. Unë them se e vërteta mund të dihet vetëm atëherë kur do të hapen dosjet kriminale të UDB-ës jugosllave për këtë përiudhë kohore.
Rexhep Mala e Nuhi Berisha, ranë dëshmorë të lirisë së Kosovës dhe bërjes së Shqipërisë. Sot të rinjët e shqiptarisë, duhet të mësojnë historinë e Heronjve, të Dëshmorëve, histirinë e Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por edhe gjeneratave të më hershme shekullore, të frymëzohen, të rritën e të kalitën me dashuri për Atdheun, të jenë të gatshëm ta ruajnë çdo cep të Shqipërisë Etnike. Lagjeja Kodra e Trimave, ndihet e privilegjuar që në gjirin e saj rrodhi gjaku i Rexhepit e Nuhiut. Frymëzim për brezat.
Lavdi jetës e veprës së Rexhep Malës e Nuhi Berishës!
Lavdi Dëshmorëve të Kombit të të gjithë brezave!
Fazli Maloku, 16 janar 2021, Prishtinë