ISLAM DAMANEKU- PËR NJË SHQIPËRI ETNIKE I’A VLEN TË VDISET POR EDHE TË JETOHET
T’I KUJTOJMË ATDHETARËT TANË:
(1905- e pushkatuan më 12 janar 1947)
Nga Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha
Atdhetari Islam Damaneku u lind më 1905, në fshatin Grackë të Lypjanit. Ishte i biri i Mehmet Damanekut, i cili në atë anë të Kosovës, njihej për trimëri të rrallë dhe burrëri të madhe. Familja e Damanekëve ishte një familje mesatarisht e kamur. Por, duhet përmendur se Mehmeti, Babai i Islamit kishte një jetë të vështirë si të gjithë shqiptarët nën okupimin serbë. Andaj, duke mos u pajtuar me pushtetin okupues, pati shumë ecejake, duke u shpërngulur nga vendi në vend, e nga fshati në fshat, e shkaktari kryesor ishte zullumi i madh që e kishte nga pushteti serb. Mehmet Damaneku kishte tre djem: Osmanin, Islamin dhe Xhemajlin, por këtu duhet përmendur edhe nipin e tij trim Mustafën, që ishte djali i Osmanit, dhe që të gjithë këta dalloheshin për trimëri të pashoq dhe duke parë presionin që bënte pushtuesi ndaj shqiptarëve, që të gjithë këta trima u vunë në shërbim të kombit dhe atdheut, duke luftuar deri në fund të jetës për bashkimin e trojeve shqiptare në një shtet sovran dhe të pavarur, në një Shqipëri Etnike.
Mehmet Damanekut me familje qysh herët kishte ardhur nga Damaneku i Llapushës (komuna e Malishevës), qysh në kohën e Turqisë, në vitin 1870. Ishte vendosur në fshatin Grackë të Vogël të Lypjanit. Ai njihej për trimëri të pashoq, por edhe fjala e tij e matur zinte vend në shumë kuvende që u mbanin në oda të fshatarëve. Duke e parë mençurin, urtësinë dhe zgjuarsinë e tij, fshataret e propozuan që të jetë në krye të Islihatit. Islihati ishte një shoqatë, e cila bënte pajtimin e gjaqeve, ngatërresave e konflikteve të ndryshme në mes fshatarëve. Ai me punën e madhe që bënte në këtë shoqatë arriti që të pajtoj shumë gjaqe e shumë konflikte të cilat mundnin të merrnin përmasa më të mëdha. Veç që u angazhua në fshatin e tij, atë, filluan ta thirrin edhe në fshatrat tjera që kalonin kufirin e fshatrave të Llapushës. Mehmeti si pajtimtar shkonte edhe në Drenicë e gjetkë, ngase atje e priste miku i tij, Xhemajl Obrija, pajtimtar nga Drenica
Veprimtarin e vet atdhetare familja Damaneku e vazhdoi edhe në fshatin e ri ku u vendosën, në Grackën e Vogël. Duke e parë aktivitetin e tij, familjeve kolone serbe iu pengonte ajo. Ata filluan të ndjehen të rrezikuar dhe ishin të pakënaqur që ishin të pa përfillshem. Filluan të shprehin arrogancën ndaj familjes së ardhur dhe të bënin presion ndaj tyre. Mehmet Damaneku iu kishte tërhequr vërejtjen se kjo nuk kalon te ai. Kjo është tokë shqiptare dhe, ata janë vendosur në tokat shqiptare me dhunë, andaj, duhet të kenë kujdes se si po sillen. Por, vërejtja e tij nuk u përfill. Dhe një ditë vije deri te konflikti në mes tyre. Damanekët si trima e atdhetar që ishin nuk duruan sjelljen barbare të serbëve ndaj fshatarëve shqiptar. Një ditë pika e vlimit kishte mbërritur kulmin. Mehmet Damaneku vrau një farë Zhivkun, dhe plagosën një tjetër serb nga një fshat i afërt. Pas kësaj ngjarjeje, filloi presioni i madh i pushtetit të kralit serb dhe familja Damaneku, ishin të detyruar që ta lëshonin fshatin dhe të shpërnguleshin për Turqi përmes Shkupit.
Rrugën për Turqi nuk e miratoi Mehmet Damaneku. Por, presioni i pushtetit e detyruan që të shkonte në Shkup. Aty blen një shtëpi dhe qëndruan për tri vite. Vitet e kishin bërë të vetën dhe një ditë vdes Mehmet Damaneku. Aty e varrosin me mallin e pashuar për lirinë dhe bashkimin e të gjitha trojeve shqiptare. Por rrugën e tij e vazhduan të bijtë e tij dhe nipi.
Me kapitullimin e Jugosllavisë nga Gjermania, më 6 prill 1941, shqiptarët këtë kapitullim e përjetuan si rilindje për ta. Në Kosovë, shumë gjëra ndryshuan, shqiptarët e shpërngulur filluan të ktheheshin në vendet e tyre. Kosova filloi të merrte frymë paksa më lirshëm. Edhe bijtë e Mehmetit Damanekut u kthyen me familjet e tyre sërish në Kosovë, por tash jo më në Grackë të Vogël, ku kishin qenë të vendosur më parë, por në fshatin Topliçan të Lypjanit. Aty, Islamin e caktuan kryeplak të fshatit.
Në Topliçan, për familjen Damaneku, filloi një jetë e re. Me ndihmën e gjermanëve e italianëve në Kosovë u krijuan kushtet më të mira për shqiptarët. Duke e ndjerë përsëri rrezikun nga bandat çetnike serbe, ata u angazhuan në forcat vullnetare për të mbrojtur kufijtë e Kosovës Lindore. Osmani, Xhemajli, Islami dhe nipi- Mustafa, dhanë një kontribut të madh në luftërat që ndodhen në këto anë.
Pas kthimit të shqiptarëve të shpërngulur, përsëri serbet ishin të pakënaqur. Bënin ankesa të shumta ndaj shqiptarëve se ata (shqiptarët) janë vendosur në tokat e tyre. Në të vërtet ndodhte e kundërta, ata ishin vendosur me dhunë në tokat e shqiptarëve. Në këtë drejtim Islam Damaneku kishte luajtur një rol të madh duke i mbrojtur shqiptaret dhe duke i çjerrë maskat kolonëve serb tek pushtetarët shqiptar. Bile, kishte ndodhur shumë herë kur Islam Damaneku me parin e vendit kishte shkuar në Prishtinë duke iu treguar të vërtetën qeveritarëve shqiptar.
Islam Damaneku nuk ishte i shkolluar, por llogaritej si më i ngrituri politikisht në fshat e rrethin. Andaj, për çështje të rëndësishme kombëtare shpesh kishte udhëtuar edhe në Tiranë. Në atë kohë, mbante lidhje të shumta me njerëz atdhetar të kohës si: Gjon Serreqin, Ajet Gërgurin, Ibrahim Lutfiun, Hysen Tërpezën, Adem Gllavicën, Azem Jashanica-Bellaçevcin, Kadri Bebën, Salih Rexha e të tjerë.
Më 16-20 shtator 1943, kur u mbajt kuvendi themelues për Lidhjen e Dytë të Prizrenit, në Prizren, Islamin e kishin caktuar që të marri pjesë në të. Ai gjatë tërë kohës ishte aktiv dhe i përkrahu vendimet që u morën në Kuvend.
Gjithashtu ishte i pranishëm në Aktin e konsolidimit të Qeverisë së Përkohshme Shqiptare të Tiranës, më 1943, gjatë muajit tetor. Islam Damaneku ishte angazhuar tërë jetën e vet për një Shqipëri Etnike, por duke e parë situatën dhe luftërat që zhvillonin njësit partizane, ai ndjeu se Kosova do të jetë e tradhtuar dhe përsëri do të jetë e okupuar nga partizano- çetniket serb. Një gjë të tillë forcat nacionaliste nuk mundën të lejonin. Në vjeshtën e vitit 1944, vëllezërit Damaneku dolën në mal dhe iu bashkuan çetave vullnetare për të mbrojtur tokat shqiptare.
Angazhimi i vëllezërve Damaneku në luftërat për liri dhe kundër partizanëve, iu kishte fut datën serbo-çetnikëve të Lypjanit e më gjerë. Në janar të vitit 1945, partizanët i kishin arrestuar dy vëllezërit Damaneku: Osmanin dhe Xhemajlin. Dhe kusht për lirimin e tyre ishte, që Islam Damaneku, të ndërpres luftën kundër partizanëve dhe të kaloi në anën e tyre. Islami nuk pranoi. Në shenjë hakmarrjeje, partizanët të dy vëllezërit ia pushkatuan pa gjyqe në vendin e quajtur Tauk Bahshqe, në Prishtinë, të cilëve as sot nuk iu dihet varri.
Ilegalja shqiptare, vrasjen e dy vëllezërve Damaneku e përjetuan rëndë, dhe duke u nisur nga kjo ata u angazhuan edhe më tepër në luftë kundër partizanëve. Ndërsa, partizanët me këmbëngulje kërkonte që Islami të kthehej kah partizanët. Por më kot. Partizanet, nuk e dinin se ata- Damanekët, iu kishin dhënë besën atdheut se do luftojnë deri në çlirimin e tij, dhe deri të bëjnë bashkimin me Shqipërinë. Kur dështuan që të përfitonin Islamin në anën e tyre. Partizanët, në shenjë hakmarrjeje e rrethuan fshatin Topliqan dhe filluan luftimet. Nga mbrëmja deri në mëngjes luftuan trimat e damanekëve, pa kursyer asgjë. Në të zbardhur të dritës, u panë shumë kufoma në fusha për rreth. Dhe nga ajo ditë, Islami s bashku me nipin e tij Mustafë Damanekun kaluan në ilegalitet të thellë duke rënë në kontakt me çetën e Kadri Bebës dhe Sali Rexhë Grejçevcit.
Me kalimin e tyre në ilegalitet, ata iu bashkuan grupeve të tjera ilegale dhe lufta e tyre ishte e vazhdueshëm me luftëtaret e nacionalizmës shqiptare të Krahinës së Llapushës, si: Qazim Bajraktarin e Astarzubit, dy bijtë e Sadik Ramës nga Gjurgjeviku i Madh, Ukë e Shaban Sadikun, Alush Smajlin e Llazicës, pastaj Ndue Përlleshin e Zefë Gjidodën nga Lugu i Drinit etj.
Anëtarët e Komitetit Qendror të ONDSH-es, paraprakisht kishin filluar përgatitjet për mbajtjen e një takimi. Iniciativën për këtë e kishin marrë: Ajet Gërguri, Gjon Serreqi, Kemal Skenderi dhe sekretari Mulla Arif Shala, i cili edhe ishte sekretar i komunës në Komoranit. Sipas dokumenteve të Organizatës Nr. 2. Shihej se përgatitjet kishin fillua së paku një muaj më herët. Më datë 18-19 qershor, 1946, mbajtën një mbledhje te Mulliri i Ali Brahimit në Qylagë, bashkë me udhëheqësit e lartë të NDSH-së. Nga njësiti i Kadri Bebës për pjesën udhëheqëse të Kongresit, u caktua Islam Damaneku, i cili luajti rol të rëndësishëm gjatë mbajtjes dhe pas këtij Kongresi. Në kongres kishte marr pjesë edhe nipi i Islamit, Mustafë Damaneku. Që të dy dhanë një kontribut të konsiderueshëm për mbarëvajtjen e kongresit.
Kongresi V, i ONDSH-së, u thirr të mbahet më 25 korrik 1946 në malet e Lipovicës (Blinaj) në Drenicë, por për të humbur gjurmë nga organet e sigurimit jugosllav lajmërohet se do të mbahet në Kozmaç. Kjo taktikë nga ana e udhëheqësve të ONDSH-së u tregua e suksesshme, sepse kongresi u mbajt pa u zbuluar nga organet e ndjekjes. Në kongres merrnin pjesë mbi 250 delegat ndaj edhe ishte më masivi në historinë e NDSH-së. Gjatë zhvillimeve të punimeve do të vijnë në kundërthënie dy rryma politike, të cilat artikulonin mënyrat specifike të luftës. Rryma e parë përfaqësohej nga Osman Bunjaku, i cili konsideronte se atdhetar është ai luftëtar që nuk e lëshon Kosovën, dhe këtu zhvillon luftën; ndërsa rrymën e dytë e përfaqësonte Ajet Gërguri i cili konsideronte se në vitet e pasluftës nuk kishte kushte për të zhvilluar luftën në atdhe, prandaj duhet përgatitur për luftë nga jashtë dhe më përkrahjen e forcave demokratike në mënyrë të organizuar të kthehen në atdhe për të vazhduar rezistencën aktive.
Gjon Serreqi me Ajet Gërgurin, të përkrahur nga Islam Damaneku dhe Kadri Beba, ishin për daljen në Greqi, kurse kundër tyre, gati i pa kompromis do të jetë Osman Bunjaku i ndjekur fuqimisht nga Hilmi Zariqi, Jetullah Rrezalla, Imer Radisheva, Zeçir Lutani i Turiçevcit e shumë të tjerë. Me krahun e Ajetit e të Gjon Serreqit ishte edhe grupi i Shemsi Mramorit dhe i Bajram Çukofcit nga Mirashi. Pas shumë debateve që herë-herë kishte edhe tensione, fitoi opsioni- Të mos lëshohet Kosova dhe të zgjidhet Shtabi Suprem i Ushtrisë Nacional Demokratike Shqiptare. Ku do të emëroheshin komandanti dhe katër udhëheqës- komandantë të Zonave.
Duhet përmendet se, edhe pas përfundimit të LDB, organizatat ilegale të cilat filluan të vepronin në Kosovë karakterizohen me programet e tyre që kryesisht kishin mbështetje në kërkesat e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Organizata e cila bëri bujë dhe emër me veprimtarin e saj patriotike gjatë viteve 1945 e deri më 1956 ishte LNDSH-në, e cila veprimtarin e saj e shtrinte në Kosovë dhe në pjesën Lindore të Maqedonisë, duke u përcaktuar për luftë të armatosur kundër robërisë së re jugosllave dhe formimit të një shteti shqiptar me territoret e veta. Kishte një politik nacionale e demokratike pro-perëndimore, dhe kryesisht udhëhiqej nga patriot dhe intelektual të shquar si Ymer Berisha, Halim Spahiu, Selman Riza, Gjon Serreqi e shumë të tjerë. Programi i saj ishte i përbërë prej pesë pikave të cilat kryekëput përputheshin me pikat e LSHP.
Pas përfundimit të punimeve të kongresit, filluan të shpërndaheshin delegatët. Ajet Gërguri, Gjon Serreqi, Islam Damaneku, Kadri Beba, Shemsi Mramori, gjithsejtë 97, si dhe gra e motra të luftëtarëve. Në njësitin pararojë bënin pjesë luftëtaret më të regjur e më të sprovuar si : Salih Rexha nga Ribari i Madh, Kadri Beba, Azem Bellaqevci, Islam e Mustaf Damaneku nga Topliçani i Lypjanit, Ismail Dragusha me bashkëshorten Fetije Dragushën, Nezir Buja, Ahmet Selaci nga Selaci i Bajgorës, Beqir Gjurkovci, Isuf Muharremi nga Petrova e Shtimes, Emin Saraqi e trima të tjerë.
Në rrugë e sipër, në malin Billush, që shtrihej mbi Hoqë të Gjytetit, në relacionin Prizren- Dragash. Luftëtarët e Lëvizjes Shqiptare më 8 gusht 1946, ishin rrethuar nga forcat e mëdha serbo-çetnike. Gjatë përleshjeve me ushtrinë partizano- serbe, kishin rënë në fushë të betejës: Isuf Muharremi nga Petrova e Shtimes, Emin Saraçi nga Bivolaku i Vushtrrisë dhe predha ia kishte shkurtuar dy këmbët Beqir Zeqirit nga Gjurkovci i Shtimes. Aty ishte plagosur rëndë edhe Sadri Duhla me dhjetëra luftëtar të tjerë. Pas luftimeve të rrepta, ishte urdhri i Gjon Serreqit, Ajet Gërgurit dhe Ibrahim Lutfiut për tërheqje. Rrugën e tërheqjes po e siguronin Islam e Mustafë Damaneku bashkë me tre luftëtar tjerë, që kishin marrë përsipër minimin dhe asgjësimin e pritave të armikut. Ata, me bomba e asgjësuan bunkerin e armikut, ku u vranë shumë partizanë. Pas sigurimit të largimit, luftëtarët e rezistencës dolën nga rrethimi në grupe dhe secili grup iu rrek maleve të Sharrit për të kaluar sërish në terrenet e tyre, në rrethin të Ferizajt e vende tjera të Kosovës.
Islam e Mustaf Damaneku, pas kthimit nga rruga për Shqipëri, ishin strehuar në një shtëpi në fshatin Ribar të Madh. Pas sulmit që kishte ndodhur, OZN-a, ishte shumë më tepër vigjilente dhe me kujdesin më të madh i përcillte luftëtarët. Më 7 janar 1947, punëtorët e OZN-ës serbe kishin arritur ti zbulonin dhe se ku strehoheshin Islam e Mustafë Damaneku. I zunë në befasi dhe i arrestuan. U zu tradhtisht nga UDB-ja, më 12 janar të vitit 1947 në Ribar të Madh dhe u vra në Lypovicë. Trupat e pa jetë të dy atdhetarëve Islam e Mustafë Damanekut (axhë e nip), kurrë nuk u gjetën.
Dhe krejt në fund, edhe përkundër vrasjeve dhe masakrave që i bënë OZN-a serbe lëvizjes ilegale, ata kurrë nuk arritën ta vrisnin idealin dhe gjakimin e tyre, për liri dhe bashkimin e Trojeve Etnike Shqiptare.