Intervistë: Elsa Ramiqi, studente, pjesëmarrëse në aktivitete kulturore
Nga Nexhmije Mehmetaj
NM: Nga vjen Elsa Ramiqi dhe çfarë studion?
Jam e lindur ne Gjenevë dhe vij nga Kosova. Studioj shkencat e edukimit, jam në vitin e dytë.
NM: Elsa, ekspozita për Sanxhakun mbante me vete emocione të forta historike. Si u ndjetë gjatë këtij aktiviteti?
ER: Nuk kam pas njohuri. Me këtë ekspozitë mësova historinë dhe identitetin e këtij vendi.
NM: Cili aspekt i ekspozitës ju la më shumë mbresë dhe pse?
ER: Intervista e një zonje të moshuar, përjetimet, rrëfimet e dhimbshme për jetën dhe peripecitë e saj, më kanë emocionuar. Vendosmëria e saj dhe familjeve të tjera që kanë kontribuar në ruajtjen e identitetit të tyre tregon forcë, qëndrueshmëri dhe një ndjenjë të madhe shprese pavarësisht vështirësive.
NM; Si e shihni rolin e rinisë studentore në ruajtjen dhe promovimin e historisë shqiptare?
ER: Formimi i Shoqatës së Studentëve Shqiptarë të Universitetit të Gjenevës, si dhe organizimi i aktiviteteve të ndryshme kulturore e kombëtare, festave dhe ekspozitave të ndryshme, luan një rol shumë të rëndësishëm në ruajtjen dhe forcimin e identitetit tonë kombëtar.
NM:A mendoni se eventet e tilla kontribuojnë në ndërgjegjësimin e brezit të ri mbi çështjet e kombit?
ER: Po, patjetër sepse komunikojmë, këndojmë dhe vallëzojmë në gjuhën shqipe.
NM: Ç‘do të thotë për ju të jeni pjesë e komunitetit shqiptar në Gjenevë dhe të merrni pjesë në aktivitete kulturore?
ER: Së pari, duke u nisur nga edukimi familjar, prejardhja e prindërve të mi, të cilët na kanë rrëfyer gjithnjë për atdheun, si edhe nga dashuria ime ndaj gjuhës dhe historisë shqipe.
NM: A shihni tek studentët potencialin për të qenë ura lidhëse mes brezave të ndryshëm të komunitetit në Zvicër?
- Po, duke e nisur nga arsimimi i gjyshërve të mi pastaj i prindërve dhe vëllezërve të mi, edhe unë si studente jam frymëzim dhe urë lidhëse për gjeneratat e ardhshme në familjen time.
NM: Çfarë ju motivon personalisht të angazhoheni në aktivitete të tilla jashtë auditorit universitar?
EG: Më pëlqen të kem shoqëri shqiptare këtu në Zvicër, sepse kështu ndihem më afër popullit dhe kulturës sime.
NM: Cila është aspirata juaj për të ardhmen, sa i përket kontributit në ruajtjen e identitetit kulturor shqiptar?
EG: Në fakt, që unë jam në drejtimin e edukimit dhe në një të ardhme të afërt do të punoj si mësuese ne shkollë, do të kisha pasur dëshirë t’i këshilloj fëmijët e komunitetit shqiptar që të ndjekin kurset e gjuhës shqipe, sepse kur e njohin gjuhën e tyre shqipe, janë edhe më të fortë në gjuhë të tjera dhe veçanërisht në frëngjisht.
NM Faleminderit dhe ju dëshiroj suksese në vazhdimësi!
