21/12/2024

INSTITUCIONALIZIMI I KLEROFASHIZMIT SERB

0
Klerofashizmi-serb

-Themelimi i djeshëm i  Këshillit Kombëtar të Popullit Serb në Beograd nga ana e Këshillit Gjithëserb paraqet zyrtarizimin e platformës së hegjemonizmit të njohur serb nga “Naçertanja” e Garashaninit si dhe tri memorandumet e akademikëve serbë nga ai Çubrilloviqit e deri te i Qosiqit. Me këtë platformë Serbia i shpall luftë politike dhe kulturore shtetit të Kosovës.

Nga Jusuf BUXHOVI

Dje në Beograd, siç pritej, u mbajt Kuvendi i Gjithëserb, i përbërë nga përfaqësuesit më të lartë të shtetit serb, të Republikjës serbe në Bosnje dhe Hercegovinë, nga anëtarët e Akademisë Serbe së Arteve dhe të Shkencave, Kishës Ortodokse Serbe dhe përfaqësuesve të shoqatave serbe nga diasporë.

Atmosfera folklorike-klerikale gjatë kuvendit si dhe ecuria përkujtoi atë nga fundvitet e tetëdhjeta të shekullit të kaluar, kur Millosheviqi me anën e të ashquajturit “jogurt-revolucion” ,me puçe antikushtetuese, rrëzoi qeveritë e  Vojvodinës dhe të  Malit të Zi  për të vazhduar me rrënimin  me dhunë të autonomisë së Kosovës, prej nga ai  mori timonin politik dhe shtetëror të Serbisë po edhe të Jugosllavisë me ç’rast filloi edhe procesi i përgjakshëm i shpërbërjes së federatës jugosllave me pasoja tragjike (me gjenocide në Kroaci, Bosnje dhe Hercegovinë dhe Kosovës).

Një çerek shekulli pas disfatës ushtarake nga dy ndërhyrjet  të NATO-s (në vitin 1995 në Kroaci dhe 1999 në Kosovë), që mori politika  luftënxitëse e Millosheviqit, i cili për krimet kundër njerëzimit përfundoi në Gjakatën e Hagës, si dhe krijimit të realiteteve të reja politike në hapësirat e ish Jugosllavis – shteteve të pavarura: Sllovenisë, Kroacisë, Maqedonisë, Bosnjes dhe Hercegovinës, Malit të Zi dhe së fundi të Kosovës, po del se shteti i Serbisë, i trimëruar nga agresioni rus në Ukrainë dhe pasojat që do të ketë për gjeopolitikën rajonale, me  sloganin e “botës serbe”, po i rikthehet platformës   së “Naçertanjes” për krijimin e Serbisë së Madhe, me fokus tek Bosnja dhe Hercegovina dhe Kosova, po ku nuk përjashtohen as  Mali i Zi dhe Maqedonia.

Bazuar në konkluzionet e aprovuara në Kuvendin e djeshëm gjithëserb,  nga 47 pika,  njëmbëdhjetë prej  tyre, me nyansa politike dhe kulturore,  i referohen Bosnjes dhe Hercegovinës dhe Kosovës. Përndryshim nga Bosnja dhe Hercegovina, që formalisht akceptohet në përputhje me marrëveshjet e Dejtonit, por si entitet i pavarur në pikëpamje intitucionale dhe kulturore gjithnjë i ndërlidhur me Serbinë, Kosova shihet si pjesë e pandashme e Serbisë. Në pikën 11  thuhet : “Kuvendi gjithëserb konstaton se Kosova dhe Metohija është pjesë e pandashme e Republikës së Serbisë, pjesë qendrore e identietit nacional serb, themel shpirtëror serb në frymën e Shën Savës. Kuvendi gjithëserb insiston përdorimin e emërtimit të krahinës jugores serbe : Kosova dhe Metohia, të cilën secesionistët shqiptarë e anashkalojnë”.

Edhe në tri pikat tjera në vijim, “pronësia shpirtërore, etnike dhe shtetërore” e Serbisë në Kosovë, mbështetet mbi  “tapitë historike” dhe veçmas ato kishtare, ku theksohet se Kisha ortodokse ka autoqefali nga mesjeta. Me këtë rast, thuhet  se objektet e kultit në Kosovë (manastiret) janë pasuri kulturore identitate e shtetit serb që duhet të mbrohen me të gjitha mjetetet.

Mbajtja e këtij kuvendi si dhe porositë që vinë prej andej, tregojnë qartë  se Serbia është në rrugë të pandalshme të  institucionalizimit të hegjemonizmi klerikofashist serb edhe në rrethanat kur faktori ndërkombëtar po përpiqet që  realitetet e reja shtetërore në hapësirat e ish Jugosllavisë t’i shfrytëzojë që ato të bëhen pjesë e integrimeve europiane dhe atyre veriatlantike.

Mesazhet nga Beogradi, veçmas ato që kanë të bëjnë me atë që theksohet  “identitet kulturor dhe shpirtëror serb”, duhet të merren seriozisht, kur kihet parasysh se me dokumentet e Ahtisarit, kishës ortodokse serbe i janë dhënë tapitë e krishterimit ortodoks, me çka hegjemonizmi klerikofashist serb do të ketë vazhdimisht “alibi” për ndërhyrje në emër të mbrojtjes së “tapive historike”!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok