27/07/2024

INDIVIDI PËRBALLË FORCAVE TË TERRIT

0

“PROCESI” I FRANC KAFKËS

Nga Prof. Xhelal Zejneli

Analiza e veprës

Njërën prej veprave më të njohura gjermane të të gjitha kohëve, romanin “Procesi” Kafka e shkroi në vitet 1914 dhe 1915. Romani u botua psthum (pas vdekjes), në vitin 1925. U botua i papërfunduar. Megjithëkëtë, e përmban kapitullin përfundimtar që e çon veprimin deri në fund. Romanin e përgatiti për shtyp shoku i Kafkës, shkrimtari Maks Brod (Maks Brod, Pragë, 1884 – Tel Aviv-Xhafa / Yafo, Izrael, 1968). Ky e bëri sistemimin dhe radhitjen e veprës sipas kapitujve. Vepra përmban dhjetë kapituj.

Me titullin e vet, vepra sugjeron veprimin në qendër të të cilit vihet një proces gjyqësor. Në të vërtetë, vepra është revoltë e Kafkës kundër sistemit dhe burokracisë së kohësSi i tillë, “Procesi” nënkupton edhe luftën e njeriut të mbetur pa mbështetje, kundër atyre që janë më të mëdhenj se ai.

Gjykata si një instancë e padukshme, por megjithëkëtë ekzistuese, figuron nëpër tërë veprën. Ajo e përndjek individin i cili as që e di se çfarë faji i ngjishet dhe e dënon. Kësisoj, jeta e njeriut reduktohet në model dhe shndërrohet në forma të jetës robotike, ku ligjet dhe sistemi janë mbi jetën. “Procesi” interpretohet edhe si padiskutueshmëri dhe pashmangshmëri e fatit. Këtë e vërejmë edhe në sjelljen e Jozef K-së në fund të romanit, kur ai pa rezistencë i dorëzohet dënimit me vdekje. I tërë koncepti i tjetërsimit të cilin te Kafka e hasim edhe te “Metamorfoza”, është reflektim i përpjekjes së autorit për ta gjetur veten. Si një çifut çek që flet gjermanisht, Kafka gjithmonë ndjehej i huaj, pavarësisht se në çfarë mjedisi ndodhej. Tjetërsimi vërehet më së miri në papërcaktueshmërinë e kohës, të vendit të zhvillimit të veprimit, në numrin e personazheve (të cilët paraqiten një herë ose përnjëherë humbin në mes të veprimit), por edhe në ripërkufizimin e fajit që i ngjishte personazhit kryesor. Megjithëkëtë, në situatën në të cilën ndodhet personazhi kryesor, s’mund të bëjë asgjë, përpos ta pranojë atë, gjë që në fund edhe e bën.

Shumë prej personazheve janë nëpunës të ndryshëm bankarë, gjyqësorë apo policorë. Bie në sy edhe atmosfera e interierit dhe e eksterierit që e pasqyron Kafka në roman. Hapësirat gjyqësore ndodhen në tavane, në pjesët e varfra, periferike të qytetit. Pranë hapësirave gjyqësore kryhen punë të përditshme, si për shembull larja e rrobave. Ndjenjat e ankthit dhe paradoksalizmi i veprimeve krijojnë dimensionin kafkian të romanit dhe reflektojnë dimensionin psikologjik të tij. Më e keqja nga të gjitha është fakti se personazh kryesor mund të jetë cilido njeri në botë. Ai është njeri i zakonshëm dhe kjo vërehet edhe te emri i tij. Ai nuk ka një identitet të plotë, por vetëm emër dhe inicial – Jozef K. Në vend të tij mund të jetë kushdo qoftë. Këtu qëndron edhe kanosja më e madhe e romanit.

Për këtë arsye “procesi” i Kafkës është bërë sinonim i situatave absurde në të cilat ndodhet njeriu, pa fajin e vet. Prej situatave të tilla nuk mund të nxirret me logjikë. Në rrethana të tilla s’i tjetër pos të pranojë gjendjen në të cilën ndodhet.

Është një vepër e madhe dhe e rëndësishme e modernes e cila si asnjë tjetër tregon absurdin e shoqërisë moderne dhe të njeriut të ngatërruar në të.

Elementet letrare

Gjinia letrare: epika; Lloji letrar; roman; Vendi ku zhvillohet veprimi: qytet evropian i papërcaktuar; banesat e zonjës Grubah (dhoma e Jozef K.-së), salla e gjykatës, banesa e avokatit, banka, banesa e piktori Titoreli, gurorja; Koha e zhvillimit të veprimit: shekulli XX; Tema: procesi gjyqësor ndaj një njeriu të fajësuar në mënyrë të pabazuar; Ideja: pasqyrimi i absurdit të shoqërisë dhe individit i cili aty nuk ka mundësi të dëshmojë pafajësinë e vet.

Përmbajtja e shkurtër e veprës

Jozef K. është një nëpunës bankar i cili zgjohet në ditëlindjen e vet të tridhjetë me një  trokitje në derë. Në dhomën e tij hyn një i panjohur, ndërsa tjetri e pret në dhomën tjetër. Prezantohen si nëpunës gjyqësorë të cilët kanë ardhur për ta arrestuar. Arsyet nuk duan t’ia tregojnë. Jozef K. mendon se krejt kjo nuk është veçse një shaka e pa kripë e kolegëve të byrosë. Pranon të merret në pyetje nga inspektori i cili i thotë se deri në fillim të gjykimit, është i lirë. Jozef K. e pa të udhës që lidhur me rastin ta njoftonte edhe pronaren e banesës, zonjën Grubah (Grubach), pastaj zonjushën Byrstner (Bürstner), në dhomën e së cilës zyrtarët kishin ndenjur atë mëngjes. Për ta qetësuar, Jozef K. e mbyti me puthje zonjushën Byrstner.

Thirrja telefonike e njofton Jozef K.-në se hetimi i rastit të tij është caktuar për të dielën.   Nëpërmjet telefonit nuk ia treguan kohën, por vetëm adresën. Jozef K. supozoi vet se marrja në pyetje fillon në orën nëntë të mëngjesit. U nis vetë. Nuk dëshironte që në krejt këtë ta implikonte as ngasësin e taksisë. Kur mbërriti para ndërtesës, i pengoi fakti se ishte një godinë tejet e madhe me shumë shkallë dhe kate të veçanta. Ai s’e kuptonte se cila ishte banesë e vërtetë. U përcaktua për do shkallë dhe derisa ngjitej, e hidhte syrin në çdo hapësirë për ta gjetur atë që kërkonte. Nuk pa veçse një mori familjesh të varfra të cilëve u thoshte se e kërkon zdrukthëtarin Lanza. Në katin e pestë sheh një grua e cila lante do tesha fëmije. Ajo e udhëzon në një derë. Dalëngadalë mbërrin në një hapësirë që i ngjan sallës së gjyqit. Njeriu për të cilin pandehu se ishte gjyqtar, i tha se është vonuar një orë. Publiku në sallë e përshëndet, herë me duartrokitje, herë me heshtje.

Shpejt gjyqtari kryesor filloi me pyetjet, duke e pyetur ndërmjet tjerash Jozef K.-në në ishte ai piktor. Jozef K. menjëherë ia filloi me arsyetimet, duke e hedhur notesin e gjyqtarit dhe duke e përshkruar arrestimin e tij. Sakaq e nuhati se të gjithë në sallën e gjyqit kanë do karfica, ndaj mendoi se të gjithë ata s’ishin veçse nëpunës fëlliqur. Donte të dalë dhe të shkojë. Për gjestin e tillë gjyqtari ia bëri me dije se i rrezikoi të gjitha përparësitë që do të mund t’i kishte si një njeri i pafajshëm. Doli me vrap, duke lënë pas vetes turmën e njerëzve të cilët filluan ta analizojnë rastin e tij.

Jozef K. vendosi vetë të paraqitet në gjykatë. E priti po ajo grua eë cila lante tesha. Në bisedë e sipër, mësoi se ishte grua e shërbyesit gjyqësor dhe se banonin aty pa kompensim, në shkëmbim të punës që bënin. Bisedën e Jozef K.-së dhe të gruas së re e ndërpreu një student i drejtësisë. Jozef K. i shikoi nga distanca, i pa të putheshin, pa studentin që e mori gruan me vete. Pastaj i vjen burri i cili i ankohet Jozef K.-së për sjelljen gruas dhe të studentit. Por nuk i ankohet kujt nga frika e humbjes së vendit të punës.

Shërbyesi gjyqësor e shoqëron Jozef K.-në nëpër gjykatë. U ngjiten shkallëve të larta, hyjnë në hollin ku presin të akuzuarit. Në të ecur Jozef K. fillon të ndjehet i lodhur. I lutet shërbyesit ta shoqërojë jashtë, por ai refuzon. Jozef K. ndjen marramendje dhe fillon të bërtasë. Britmën e tij e dëgjon një grua në zyrën aty pranë. Ajo i thotë se secili që vjen për herë të parë në gjyq, ndjehet i tillë. I sugjeron zotërisë që punon në zyrën e saj, që ta çojnë Jozefin në ambulancë. Por ai i lut që ta shoqërojnë jashtë. Dy policë e rrokën për krahësh dhe e nxorën Jozef K.-në jashtë. Jozefi K. mendon sesi gjykata, si një ajër i ndotur, ndodhet kudo, ndërsa ky s’e sheh.

Jozef K. tenton të bisedojë me zonjushën Byrstner, por ajo i shmanget. I dërgon edhe letër, por nuk merr përgjigje. Të dielën vëren se në dhomën e saj do të vendoset një banore e re, zonjusha Montag. Më në fund Jozef K. i drejtohet edhe pronares së banesës, zonjës Grubah, me të cilën nuk ka folur me javë të tëra. Episodi në të cilin takon dy nëpunës para të cilëve qëndron rrahësi, i krijon huti akoma më të madhe. Në të vërtetë rrahësi kishte marrë për detyrë t’i rrahë dy zyrtarët për arsye se Jozef K. i ishte ankuar ndaj tyre gjyqtarit. Edhe pse Jozef K. i thotë rrahësit që t’i lëshojë, por ky s’e dëgjon. Jozef K. largohet.

Jozef K.-në e viziton xhaxhai i vet Karli i cili është i brengosur për rastin e Jozef. K.-së. Rasti i tij do ta dëmtonte tërë familjen. I kërkon atij të shkojnë te një mik i tij avokat për ta përfaqësuar ai. E takojnë avokatin dhe habiten se ai ishte i njoftuar për rastin. Madje atje kishte qenë edhe prokurori kryesor. Avokati Huld ishte i sëmurë dhe ndodhej i shtrirë në shtrat. Për të kujdesej Leni. Ajo del me Jozef K.-në dhe që të dy lëshohen në aferë dashurie. Jozef K. u kthye pas disa orëve. Kur u kthye, xhaxhai e qortoi ngase e kishte lënë prokurorin që ta priste. Përveç kësaj, vajza mund të ketë qenë dashnore e avokatit.

Jozef K.-në gjithnjë më tepër e preokupojnë mendimet për rastin e tij. Në punë nuk është në krye të detyrës dhe ku s’i shkon mendja. Të gjithë janë të njoftuar me rastin e tij. Midis tyre edhe një sipërmarrës i cili e sugjeron ta vizitojë piktorin Titoreli. Ai i pikturon portretet e nëpunësve gjyqësorë. Si i tillë ndoshta do të mund t’i ndihmonte. Jozef K. e viziton gjyqtarin i cili jeton në pjesën akoma më të varfër të qytetit se ajo ku ndodhej gjykata. Piktori ia ofron ndihmën e vet nëpërmjet personave të gjykatës që i njihte. I flet për epilogët e mundshëm të rastit të tij. Derisa piktori ia tregonte opsionet e aktgjykimit, Jozef K. përsëri u ndje keq, sikur u ngulfat nga ajri. U largua nga banesa e piktorit, pa i thënë se cilin prej aktgjykimeve e parapëlqen. Piktori e përcjell duke kaluar nëpër një korridor të ngjashëm me hollin ku ndodheshin zyrat e avokatëve ku nuk ishte ndjerë mirë. Jozef K. mban një shami mbi hundë dhe i shoqëruar nga shërbyesi gjyqësor del prej ndërtese.

Jozef K. vendos që rastin ta marrë në duart e veta. Shkon te avokati për t’i thënë se heq dorë nga bashkëpunimi. Avokati ia kthen duke i thënë se nuk është durimtar. Sidoqoftë, Jozef K. i jep fund bashkëpunimit. Punët për Jozef K.-në ndërlikohen. Një ditë i kërkojnë në punë që t’ia tregojë një italiani katedralen. Ndonëse klienti nuk u paraqit, Jozef K. hyn vetë. Aty takon klerikun i cili ia rrëfen parabolën për njeriun nga fshati dhe rojtarin. Kleriku i sugjeron që në procesin e tij mos të bazohet gjithaq në ndihmën e huaj dhe të qëndrojë larg femrave.

Procesi filloi në 30-vjetorin e ditëlindjes së Jozef K.-së dhe përfundon në 31-vjetorin e ditëlindjes së tij. Atij i vijnë dy burra të veshur me rroba të zeza. Jozef K. i pret me gatishmëri të plotë, sikur e dinte se do të vijnë. Ishte i veshur me tesha të zeza. Nuk ofron rezistencë dhe i lejon që ta marrin. E çojnë në gurore. Kokën ia mbështesin mbi një gur. Njëri prej tyre e nxjerr thikën prej kapotës së vet. Luanin me thikën sikur të pritnin që ta merrte ai për ta vrarë veten. Më në fund, njëri prej dy nëpunësve ia nguli Jozef K.-së thikën në zemër dhe e vrau.

Fjalët e fundit të tij ishin: “Sikur një qeni!”

Njëherazi mendonte për turpin që e përshkonte gjithë procesin që do ta mbijetonte.

*   *   *

Personazhet: Jozef K., zonjusha Byrstner (Bürstner), zonja Grubah (Grubach), zonjusha Montag, nëpunësit gjyqësorë, inspektori, avokati Huld, xhaxhai Karl, vajza Leni, piktori Titoreli, studenti i drejtësisë, shërbyesi gjyqësor…

*   *   *

Shënime për autorin

Franc Kafka (Pragë, 3 korrik 883 – Kierling, Klostemeuburg, Austri, 3 qershor 1924) është shkrimtar austriak me përkatësi etnike hebraike. Ka lindur në Pragë. Ka lënë gjurmë në letërsi me mënyrën e veçantë të të shkruarit dhe me temat interesante, disi të errëta. Për Kafkën është shkruar shumë. Me veprën dhe personalitetin e tij janë marrë kritikët letrarë më eminentë të botës, filozofët, estetët, psikanalistët, neurologët etj. Vepra dhe personaliteti i tij studiohen edhe sot, njëqind vjet pas vdekjes së tij. Me Kafkën merret çdo brez studiuesish. Figura e tij është ngritur në mit. Konsiderohet kryeidhull i modernizmit. Studiohet në të gjitha universitetet e botës. Për gjendjen psikike të tij kanë lindur shumë teori. Tendenca për të bërë vetëvrasje ishte provë e një çrregullimi psikik të tij. Lindi në një familje të pasur në të cilën mbizotëronte babai Herman Kafka (Hermann Kafka, Osek, Çeki, 1852 – Pragë, 06.06.1931). Profesor Stenli Korngold (Stanley Alan Corngold, 1934- ) babanë e Kafkës e përshkruan si një “person dominues që e njeh mirë natyrën e njeriut”. Nënë e Kafkës ishte Julie Kafka (1856 – Pragë, 1934).

Që të tri motrat e Kafkës – Valli, Elli dhe Otla përfunduan në kampet naziste.

Valerie “Valli” Kafka Pollak lindi në Pragë më 25.09.1890. Vdiq në vitin 1942 në kampin nazist të përqendrimit, Çellmo të Polonisë.

Ottilie “Ottla” Kafka lindi në Pragë më 29.10.1892. Vdiq më 17.10.1943 në kampin nazist të Aushvicit (Auschwitz).

Gabriele “Elli” Kafka lindi në Pragë më 22.09.1889. Vdiq në kampin nazist të përqendrimit në vitin 1944.

ShënimStenli Korngold (Stanley Alan Corngold, 1934- ) është studiues letrar amerikan, profesor i gjermanishtes dhe i letërsisë krahasuese (komparative) në Princeton University.

*   *   *

Në vitet 1889-1893 Kafka u shkollua në Pragë  në Shkollën gjermane për djemtë. Pasi kreu shkollën fillore, u regjistrua në gjimnaz. Pas mbarimit të gjimnazit u regjistrua në fakultet për të studiuar kiminë. Pas kimisë kalon në letërsinë gjermane dhe në histori. Pas kësaj regjistrohet në drejtësi. Gjatë jetës krijonte të ardhura duke punuar si jurist, ndonëse gjithmonë dëshironte të bëhej shkrimtar. Në saje të babait, materialisht Kafka ka qenë i siguruar.

E kanë përshkruar si person të cilin gjithmonë e ka munduar epshi. Gjatë jetës, shpesh i ka vizituar bordelet.

Lidhjet intime të Kafkës – Një lidhje të gjatë e ka pasur me Felice Bauer me të cilën takohej kohë pas kohe. Me të komunikonte më së shumti nëpërmjet letrave. Ishte dy herë i fejuar me të. Lidhjet e tjera i ndërpreu në vitin 1917 kur e goditi sëmundja e rëndë e tuberkulozit.

Në vitin 1920 u fejua me Juli Voriçek, një pastruese e varfër e dhomave të hotelit. Duke qenë e fejuar me Felicen, e tradhtonte me çifuten Margarita Bloh, e cila ishte shoqe e Felices e cila jetonte në Berlin dhe sikur ai vetë, ishte çifute. Flitej se me Margarita Bloh, Kafka ka pasur fëmijë për të cilin ky s’kishte ditur. Fëmija paska vdekur shpejt pasi kishte lindur. Por ka studiues që thonë se kjo histori nuk është e vërtetë.

Kryeidhulli i modernizmit, Franc Kafka ka qenë në lidhje edhe me Dora Diamant.

Mbante lidhje dhe letërkëmbim me gazetaren dhe shkrimtaren çeke Milena Jasenska“Letra Milenës” (Briefe an Milena) botuar në vitin 1952 është një dokument tronditës për përjetimet shpirtërore gjatë miqësisë me Milena Jasenskën në vitet 1920-1923.

Ndonëse kurrë nuk u martua, Kafka e çmonte institucionin e martesës dhe të familjes.

Shënim:

Felice Bauer (Prudnik, Poloni, 18.11.1887 – Rye, Nju-Jork, 15.10.1960);

Juli Voriçek (Julie Wohryzek) lindi në Pragë më 28.02.1891. Vdiq në Polonisë më 26.08.1944, në kampin nazist të përqendrimit Aushvic / Auschwitz;

Margarita Bloh (Margareth Bloch / Grete Bloch) lindi në Berlin më 21 mars 1892. Vdiq në vitin 1944 në kampin nazist të përqendrimit Aushvic / Auschwitz – Brikenau;

Dora Diamant (Pabiance, Poloni, 1900 – Londër, 1952);

Milena Jasenska ka qenë gazetare, shkrimtare, botuese dhe përkthyese çeke. Lindi në Pragë më 10 gusht.1896. Vdiq më 17 maj 1944 në kampin nazist të përqendrimit Ravensbrück në Gjermani.

*   *   *

Ndikimi i Kafkës në letërsinë bashkëkohore është i jashtëzakonshëm. Ai është një prej autorëve universalë të letërsisë botërore dhe krijues i modeleve poetike më sugjestive të shekullit XX.

Kafka ka shkruar tregime, aforizma, romane dhe letra. Veprat e tij i lidh uniteti shpirtëror. Përkundër faktit se krijonte nën përshtypjet e romantizmit, të traditës evropiane siç e kanë kultivuar shkrimtari gjerman Johan Volfgang Gëte (Johann Wolfgang Goethe, 1749-1832), romancieri dhe novelisti rus Fjodor Mihajloviç Dostojevski (1821-1881) dhe romancieri francez Gystav Flober (Gustave Flaubert, 1821-1880), si dhe të doktrinës heteroortodokse çifute, Kafka deri më sot ka mbetur si një prej autorëve që nuk mund të sistemohet në asnjë prej drejtimeve letrare. Megjithëkëtë, përfaqësues të shumë drejtimeve letrare e marrin Kafkën si paraardhës të tyre. Të gjithë romancierët që kanë ardhur pas Kafkës, u referohen veprave si një fillimi të prozës tregimtare moderne.

Veprat e tij e përshkruajnë realitetin e vrazhdët dhe të hirtë në të cilin personazhet kryesisht janë të shtypur në luftën e pandërprerë me sistemin burokratik të ashpër.

Kjo vërehet më së miri në veprat siç janë “Amerika”, “Procesi”, “Kështjella” dhe “Metamorfoza”. Në veprat e Kafkës kemi një atmosferë në të cilën personazhet janë disi të humbur dhe nuk janë në gjendje të komunikojnë me të tjerë.

Kafka hoqi dorë prej pikëpamjeve religjioze dhe iu kthye filozofisë. U shndërrua në një prej shkrimtarëve shpirtërorë më të njohur të shekullit XX.

Në të gjallë, iu botuan dy përmbledhje tregimesh. Do shkrime iu botuan edhe nëpër revista. Sa qe gjallë iu botuan tregimet “Vëzhgimi”, “Mjeku i fshatit”, “Zjarrndezësi”, “”Metamorfoza” dhe “Dënimi”.

Në vitin 1931 dolën nga shtypi tregimet “Gjatë ndërtimit të murit kinez”.

Kafka i kishte lënë porosi shkrimtarit Maks Brod që t’ia digjte romanet “Procesi”, “Kështjella” dhe “Amerika”, por ky porosinë nuk ia çoi në vend. Në vitin 1917 iu paraqit tuberkulozi. Në vitin 1924 gjendja shëndetësore iu përkeqësua. U kthye në Pragë ku kujdesej e motra Otla (Ottla). Vdiq në Kierling, Klostemeuburg, Vjenë më 3 qershor 1024.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok