IK! VETËM IK, EDI RAMA, QË SHQIPËRIA TË MARRË FRYMË!

0
Ilir-Cumani1

Nga Ilir Çumani

Ik, që të marrë frymë Shqipëria!

Që të marrë frymë e gjithë toka arbërore, kudo ku jetojnë shqiptarët, këtej dhe andej kufirit!

Shqipëria nuk ka lindur me ty, nuk fillon me ty dhe as nuk mbaron me ty.

Ti nuk je Shqipëria!

Nuk je as hija e saj, aq më pak pronari i fatit të saj. Sepse, në gjithë këtë rrugëtim tëndin të gjatë në pushtet, Shqipërisë më shumë i ke marrë sesa i ke dhënë.

Shqipëria u përket shqiptarëve të vërtetë, atyre që e duan këtë vend jo si pronë personale, jo si plaçkë pushteti, por si atdhe të përbashkët.

Ajo u përket shqiptarëve kudo që ndodhen, brenda dhe jashtë kufijve, të gjithë atyre që ende besojnë se ky vend meriton një të ardhme më të mirë.

Ik bashkë me frymën tënde sunduese, me tipologjinë tënde sadomazokiste dhe me atë kulturë politike që, për kaq gjatë, ke ushqyer e injektuar në çdo qelizë të jetës publike shqiptare!

Mjaft me përçarjen, me tensionin e përhershëm, me përplasjet e nxitura dhe me klimën e konfliktit që po e çon vendin drejt një përballjeje të rrezikshme civile, së bashku me të ngjashmit e tu.

Shqipëria nuk ka nevojë për më shumë urrejtje, as për më shumë propagandë. Ka nevojë për qetësi, dinjitet, drejtësi dhe një horizont të ri shprese.

Ka nevojë të çlirohet nga një pushtet që kërkon të paraqitet si i pazëvendësueshëm, sikur pa të vendi nuk mund të jetojë e të ecë përpara.

Dhe mbaje mend mirë: me ikjen tënde, bashkë me gjithë aradhën tënde, me Ballukërat, Zeqinerat, Sarat & Co., Shqipëria nuk do të humbasë; përkundrazi, do të ketë mundësinë të ngrihet, të marrë frymë më lirshëm dhe ta mbajë kokën shumë më lart!

Asnjë pushtet nuk është i përjetshëm. Asnjë njeri nuk është më i madh se vendi i tij.

Dhe asnjë ekran televiziv, sado të përdoret për propagandë, nuk mund ta shpëlajë pafundësisht mendjen e njerëzve, as ta fshehë të vërtetën pas fjalimeve të stërholluara e spektakleve politike.

Mjaft me iluzionet, me manipulimin dhe me përpjekjet për ta zgjatur edhe më tej një sundim të gjatë e të turpshëm!

IK!

Jo sepse Shqipëria mbaron me ty, por sepse Shqipëria duhet të vazhdojë pa ty.

Sepse Shqipëria është më e madhe se çdo pushtetar, më e lashtë se çdo pushtet dhe shumë më jetëgjatë se çdo ambicie personale.

Shqipëria duhet të marrë frymë. Dhe koha për një kapitull të ri duhet të vijë!

Ilir Çumani

Tiranë – 18 tetor, 2026

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

YouTube
YouTube
Tiktok