04/12/2024

Ideali dhe Patriotizmi – Gjergj Kastrioti shembull i përhershëm për brezat

0
u6_elini-Kastrioti-Skenderbeu

Nga Gjon Keka

Vetëm nëpërmjet edukimit shoqëria mund të formohet dhe ta dallojë patriotizmin e vërtetë nga patriotizmi sektar apo patriotizmi i rremë. Universitetet dhe shkollat në përgjithësi mund të veprojnë me shumë sukses në këtë drejtim, duke i dhënë shoqërisë dhe brezave edukimin e shëndoshë.

Le të analizojmë e të bëjmë dallimin midis patriotizmit të vërtetë nga ai i rremë dhe si manifestohet ai. Patriotizmi është një fjalë e bekuar; çdo popull e do thellësisht atdheun e tij, porse kjo ndjenjë nuk mund të shprehet vetëm me slogane, duhen fjalë të ndjera që dalin nga thelbi i zemrës dhe mendjes, veprime të përditshme, që nisin me ditën e re, për të punuar për atdheun tënd, për t’i dhënë atij sa më shumë dritë e dituri edhe për brezat e të ardhmen e tyre të sigurt.

Suksesi i edukimit të brezave në një shoqëri mban vazhdimisht ndezur flakën e shenjtë të altarit të atdheut, zjarrin e pashuar të patriotizmit të populli, shoqërisë së saj, por, mbi të gjitha, të të rinjve fisnikë, të cilët janë e ardhmja e atdheut dhe kombit. Kurdoherë duhet nënvizuar se patriotizmi “është një fjalë shumë e bukur, fjalë thellësisht domethënëse, fjalë e shenjtë e popujve. Miliona gjuhë e shqiptojnë fjalën patriotizëm, por jo të gjitha shpirtrat e perceptojnë kuptimin e saj të vërtetë. Patriotizmi i referohet një vlerësimi të veçantë të traditave, vlerave, arritjeve kulturore dhe historike të popujve. Në kuptimin negativ, patriotizmi mund të çojë në arrogancë kombëtare, shovinizëm dhe nacionalizëm të ekzagjeruar. Në aspektin pozitiv, kuptimi bashkëkohor i patriotizmit kuptohet si një angazhim për themelet demokratike të shoqërisë dhe të mbrojtjes së të drejtave themelore të njeriut – Patriotizmi kushtetues”.(K. Schuber,2006)

Ndodh shpesh të ketë shumë keqkuptime, kundërthënie në gjykime dhe në veprime të atyre që e përdorin këtë fjalë, vërehen gabime në lidhje me thelbin e saj. Kjo ndodh me mendjelehtët dhe me njerëzit pa vizion, që e shpërdorojnë fjalën e shenjtë Atdhe. Nga këto abuzime me fjalën atdhedashuri shumë popuj dhe shoqëri janë futur në qorrsokak, duke mohuar të mirat e përbashkëta të shoqërive dhe popujve. Kështu që, vetëm me anë të edukimit, iluminizmit, larg paragjykime dhe mentaliteteve pseudopatriotike mund të ushqehet ndjenja e pastër te shoqëritë dhe te popujt e të gjitha kombeve. Vetëm nëpërmjet një patriotizmi të pastër mund të zhduken instinktet, urrejtja, egoizmi dhe verbëria, sepse patriotizmi i pastër e ka gjenezën te virtyti njerëzor e qytetar, te dashuria e thellë për të mirën e përbashkët të vendit ku ke lindur e që e quajmë Atdhe. Patriotizmi nuk është fjalë pa kuptim, brenda saj ka shenjtëri ndjenjash, ka jetë në zemrën e popujve, të shoqërive dhe kombeve. Të gjitha këto janë të trashëguara ndër breza, u janë përcjellë shoqërive për ta mbajtur gjallë shenjtërimin e saj, larg veseve, egoizmave dhe paragjykimeve që e dëmtojnë kombin.

Patriotizmi i vërtetë shfaqet përmes jetës aktive dhe pasqyrohet përmes veprimeve të çdo individi, shoqërie apo kombi; gjithçka arrihet përmes edukimit paraprak të shoqërisë, e cila tregon me vepra se është e gjallë, e shëndetshme dhe efektive për t’i shërbyer atdheut, për të mos e rrënuar atë duke e shitur për interesa personale, egoiste, karrieriste dhe ideologjike.

Nuk mund të ketë patriotizëm të vërtetë te sektet patriotike apo te maskat patriotike, pasi ata nuk kanë edukim patriotik,ata i ngrenë në mënyrë spektakolare flamujt patriotikë, shfaqen plot hipokrizi sikur po mbrojnë qenien kombëtare dhe identitetin, por, në fakt, janë pikërisht ata që e përzgjedhin dhe e mohojnë pjesë-pjesë të vërtetën historike të së kaluarës, nuk dinë të dallojnë rrugën e vërtetë nëpër të cilën ka kaluar kombi, por shpikin rrugët e tyre të mashtrimit. Ata janë egoistë dhe karrieristë, dalin me parulla, por që, pa kaluar shumë i mohojnë edhe ato, për të cilat kanë ngritur furishëm duart. Janë ata që nuk e çmojnë atdheun, nuk i vlerësojnë dhe nuk i mbrojnë personalitet kombëtare nga sulmet dhe njollosjet e vazhdueshme që u bëhen nga individë të pamoralshëm dhe dritëshkurtër apo edhe vetë pushtetarët e shtetit. Ata janë patriotë sektarë apo gënjeshtarë që nuk kanë asgjë të përbashkët me patriotizmin e vërtetë. Sektet të tilla pseudopatriotike janë sëmundje e trupit të shoqërisë dhe kombit, janë pjesë e sëmurë e shoqërisë që më tepër e dëmton kombin sesa tregon shenja shprese për të. Prandaj shoqëria e edukuar në mënyrë të shëndoshë duhet t’i njohë edhe këto sekte patriotike gënjeshtare, në mënyrë që të mos bjerë pré e tyre, e ëndrrave dhe instinkteve të tyre prej demoni.

Vlen të bëhet e ditur se indiferentët, egoistët, ideologët e errësirës, zemërngushtët, renegatët, tradhtarët etj., etj., nuk kanë të bëjnë aspak me patriotizmin. Edhe nëse ata shfaqen si patriotë, këtë e bëjnë për të fshehur marrëzitë nga maska e turpit që mbajnë në fytyrat e tyre. Prandaj shoqëria duhet të ketë një edukim të shëndoshë, që të nxjerrë një shoqëri dhe brez të denjë për të ardhmen, t’i dëbojë veset dhe sindromën e dukurive negative, të forcojë një shoqëri që nuk i mbyll sytë ndaj dukurive negative.

Si mund të ekzistojë krenaria kombëtare pa patriotizmin dhe e anasjella? Po ashtu, si mund të ekzistojnë këto të dyja pa u njohur rrënjët e vërteta të kombit, identiteti i tij, kultura dhe vlerat e personaliteteve kombëtare që kanë lënë gjurmë? Mohuesit e kombit dhe ata që mbajnë maska patriotike, apo ata që mbajnë veshur kostume kombëtare, por që në realitet në brendësi të tyre nuk kanë gjak Kastrioti, nuk janë patriotë. Logjika të çon se ata nuk janë krenarë për kombin e tyre, se ata për interesat e tyre duan një tjetër komb, një atdhe të huaj. Ai atdhe për ta mund të jetë ideologjik, i pushtuesve, por kurrsesi një atdhe i asaj çka ata shfaqin dhe që po e shpërfytyrojnë dhe turpërojnë para botës.

Ky lloj sekti i këtyre lloj patriotëve të rremë nuk mund ta arrijë asnjëherë qëllimin me anë të kësaj shtirjeje të tillë, edhe pse ata punojnë për ta arritur këtë qëllim sipas sektit të tyre patriotik, por që nuk ka të bëjë aspak me themelet e vërteta të kombit, me politikën kombëtare apo identitetin e vërtetë europian të kombit tonë arbëror. Të gjitha sektet patriotike, maskat patriotike jashtë rrugës reale të identitetit dhe themeleve të kombit shqiptar europian janë sëmundje që po e gërryejnë përbrenda trupin e këtij vendi, pasi jo vetëm e pengojnë zhvillimin e tij, por edhe ia dëmtojnë thellë imazhin, identitetin, vlerat europiane, atë pjesë të politikës së saj të shëndoshë, pengojnë rrugën e brezave të rinj drejt të ardhmes.

Më duhet të nënvizoj se, ishin pikërisht turqit, ata pushtues barbarë, të cilët e shpërbënë krenarinë kombëtare dhe admirimin që kishin shumë popuj ndaj popullit të lashtë arbëror europian. Kjo e keqe e madhe vendit arbëror nuk i erdhi vetëm prej tyre, por edhe prej renegatëve dhe shërbëtorëve që ishin në krye të institucioneve të saj ideologjike e politike. Kështu ata mbollën farën e ideologjisë së tyre shkatërruese ndër shqiptarë, duke u dhënë atyre një imazh krejtësisht të kundërt me atë që ata kishin në gjenezën e tyre. Pushtuesit e dëmtuan shtyllën kurrizore arbërore dhe ia ndërprenë rrugën europiane kombit tonë, për t’u bashkuar me kombet e tjera europiane. Vendi mbeti pas në çdo gjë. Tashmë, në shekullin XXI, ka tendenca të errëta të individëve e grupeve që synojnë rrënimin e kombit, ashtu siç donin pushtuesit dhe armiqtë e popullit arbëror. Fatkeqësisht, shihen shfaqje të vëllazërisë me armiqtë e kombit tonë të lashtë. Porse çdo përpjekje e tyre, për ta shkulur nga zemrat arbërore krenarinë kombëtare, patriotizmin e Kastriotit dhe vlerat europiane të rrënjosura në zemrën e këtij kombi që nga lashtësia, është e kotë.

Te të gjitha kombet ku mbretëron patriotizmi i vërtetë, shihen njerëz me virtyte, që e duan atdheun e tyre dhe që punojnë për t’ua lënë brezave të njëjtën trashëgimi. Gjithashtu, këto kombe punëtore dhe atdhedashëse nuk e përbuzin njëri-tjetrin. Ta duash atdheun është kauza më sublime e çdo individi, por dashuria ndaj atdheut nuk shfaqet vetëm me fjalë, as me dogma spektakolare, as kur fizikisht mban veshje të traditës kombëtare, por në shpirt ke kostumin e pushtuesve, as me plis të bardhë e në tru çallmën turke dhe ideologjinë e saj barbare. Dashuria ndaj atdheut ndodhet thellë në rrënjët e zemrës, te mendimet dhe te veprat që përputhen me veprimet e individit apo popullit; dashuria ndaj atdheut shprehet vetëm me vepra, jo me mashtrime dhe me fjalë boshe. Sepse vetëm një shpirt i lartë, që gjeneron efekte pozitive për kombin e tij, që e do atë dhe punon për të, pa i shkaktuar dëme, duke ia mbrojtur dhe ruajtur rrugën e drejtë të etërve, identitetin, kulturën dhe imazhin e tij të vërtetë, tregon se shoqëria është e edukuar, se ka atdhedashuri dhe mëmëdashuri të ushqyer nga të parët, se jeton dhe vepron për të mirën e përgjithshme, pa i shkaktuar dëme, vuajtje, mjerim dhe përbuzje kombeve të tjera.

Shpeshherë, edhe ekzagjerimet patriotike janë jo të sinqerta, nuk dalin dhe nuk burojnë nga zemra, janë mashtrime mediatike që nuk korrespondojnë me punë për atdheun, as për dashurinë ndaj tij. Të gjitha këto janë thjesht ekzagjerime teknike që nuk lindin së brendshmi, por nga rastësia e ndonjë ngjarjeje apo e ndonjë manifestimi. Pasi kalon kjo frymë e rastësishme, venitet edhe ekzagjerimi e bashkë me të edhe ai individ që e nxiste këtë ekzagjerim qesharak. Duhet theksuar se ekzagjerimi patriotik nuk është vetëm qesharak, por edhe i rremë; ajo çka është e gabuar, kurrë nuk mund të merret si e vërtetë dhe as si një shembull i mirë. Atdhedashuria është shembull i sakrificës, i punës, i respektit për njëri-tjetrit, i ruajtjes dhe mbrojtjes së traditës, identitetit dhe kulturës europiane të kombit dhe vazhdim i rrugës së paraardhësve, nën shembullin e liderit të urtë të kombit tonë arbëror europian Gjergj Kastriotit Skënderbeu. Që nga kohërat e lashta, dy parime themelore ishin të rrënjosura thellë në natyrën e arbërorëve, Ideali dhe Patriotizmi i vërtetë. Nëpër këto gjurmë është punuar gjithmonë me shenjtëri, pasi ata janë aty edhe sot, pasi arbërorët i kishin mbështetur shpresat e tyre te Gjergj Kastriot Skënderbeun, ku ata kishin vënë shpresat e tyre. Por ende ka shumë punë për të bërë, sepse askush nuk ka dalë që të vazhdojë rrugën dhe vizionin e Skënderbeut dhe ta rikthejë kombin arbëror te rrënjët e tij europiane, te rikthimi në familjen e vet europiane, prej nga ishte ndarë me shekuj nga perandoria barbare osmane. Nuk ka patriotizëm më të madh për shqiptarët në ditët e sotme sesa vepra të mira për atdheun,bashkimi pa dallim i shqiptarëve për të mirën e përbashkët ,vetëm kështu lulxon dhe ecën mbarë kombi ynë.

Vetëm atëherë kur kombi ynë të jetë vërtet i lirë dhe i fuqishëm, i zhvilluar brenda vetes, do të mund ta shprehë edhe në arenën ndërkombëtare; mënyra më e mirë për të arritur deri te kjo gjendje është stimulimi i të rinjve, ruajtja e bindjeve të vërteta patriotike kombëtare, e identitetit kombëtar europian, formimit dhe edukimit të duhur politik, si dhe rinjohja me rrënjët e vërteta të kombit.

Jo rastësisht nënvizonte shkrimtari gjerman Johann Tobias Beck, se “një shkollë e artit nuk lulëzon pa shpirtin artistik të mësuesve dhe nxënësve; një institut për edukimin politik kërkon frymën patriotike, në qoftë se ajo është për të sjellë shpëtimin e Atdheut…”. Tepër e rëndësishme është të qëndrosh besnik ndaj rrënjëve, ndaj të vërtetës së kombit; tashmë ky është edhe një lloj patriotizmi, duke parë tendencat e errëta të pushtuesve të ndryshëm, të renegatëve dhe mohuesve të identitetit dhe rrënjëve të kombit. Prandaj sot sfida e madhe dhe patriotike e shoqërisë sonë është edukimi i shëndoshë kombëtar,njohja e vetes dhe identitetit historik arbëror.Vetëm shkolla është e ardhmja jonë, të qëndruarit besnik ndaj rrënjëve tona të lashta, vetëm duke pasur në këtë shekull patriotizëm mund të punohet për të ecur përpara, të respektohet kushtetuta, të sundojë rendi dhe ligji. Vetëm kështu kombi ynë mund të arrijë të qëndrojë në sofrën e kombeve të zhvilluara demokratike, të hyjë përkrah tyre në rrugën që të çon drejt kombeve të civilizuara.

Formimi i karakterit patriotik është i rëndësishëm dhe nuk duhet të lihet në dorë të fatit. Nëse ne duam, pra, të ecim përpara në rrugën e kombeve të civilizuara dhe të shteteve kushtetuese e demokratike, atëherë mund të themi se ne e kemi rritur interesin për jetën e shtetit e të kombit. Ne e ndjejmë nevojën për t’i zhvilluar dhe edukuar të rinjtë tanë brenda kombit dhe shtetit, që ata të jenë bartës të denjë të vetë kombit dhe shtetit, për të formuar karakterin e ndershëm jo vetëm të qytetarit të kulturuar dhe efikas në veprim, por edhe për të forcuar karakterin kombëtar dhe njohjen e thellë të vetes, të së kaluarës dhe të identitetit kombëtar me rrënjë të vjetra europiane. Sepse “karakteri i popullit dhe i shoqërisë rezulton nga kultura harmonike e ideve, dëshirave dhe ndjenjave”. Vetëm në këtë mënyrë kuptohet shoqëria në harmoni dhe kulturë, e bashkuar dhe e lirë.

Patriotizmi dhe liria janë dy ide të ndërlidhura dhe, nëse qëndrojnë krah njëra- tjetrës në unitet të plotë, atëherë mund të thuhet se kemi të bëjmë me një panoramë të plotë të kombit dhe shoqërisë. Ajo shoqëri që ka lirinë, por nuk ka patriotizmin, nuk e ka elementin thelbësor për ta kuptuar lirinë. Vetëm me anë të patriotizmit të vërtetë mund të kuptohet edhe lira, ndaj, nëse këto të dyja ndërlidhen, kombi ecën drejt të ardhmes dhe lulëzimit të tij i sigurt. Portretizimi i patriotizmit apo kultit të patriotizmit është liria. Vetëm me anë të lirisë ne e shohim të plotësuar veten, të ardhmen, punën dhe veprat e çdonjërit brenda shoqërisë dhe kombit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok