21/12/2024

Ibrahim Rugova – gjeni i të sotmes dhe të ardhmes së Kosovës!

0
Ibrahim_Rugova

Nga Enver Bytyçi

Dy shtata janë fat. Sot Ibrahim Rugova ka bashkuar dy shtatat e tij dhe ne e përkujtojmë në këtë 77 vjetor të lindjes si askënd tjetër! Janë dy shtatat që do të sjellin fatin e Kosovës në disa kuptime:

Së pari: Rugova shtroi trasenë e pavarësisë së Kosovës. Dy shtatat e ditëlindjes së tij do të jenë fati i përkushtimit të politikës e diplomacisë shqiptare, sidomos të Kosovës, për pëmbylljen në aspektin e subjektivitetit ndërkombëtar të kësaj pavarësie. Nuk ka asnjë arsye pse Kosova të mos njihet tashmë nga bota e civilizuar e të mos bëhet pjesë e këtij civilizimi.

Së dyti, Rugova e projektoi Kosovën si pjesë të Bashkimit Europian dhe të NATO-s. Nuk ka asnjë pengesë që të mos realizohet ky projekt. Kosova duhet të punojë fort ta arrijë këtë fillimisht përmes njohjeve të pesë shteteve anëtare të BE-së. Duhet të bëjë çmos ta arrijë këtë njohje. Më pas me angazhim maksimal për anëtarësim në NATO e BE!

Së treti, Rugova konsolidoi projektin e një miqësie të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ruajti marrëdhënië të shkëlqyera me kryeqytetet europiane. Kjo përvojë historike e tij është detyrim-përcaktim për çdo qeveri dhe për institucionet e Kosovës.

Së katërti, Ibrahim Rugova apeloi për një Kosovë të hapur me Serbinë dhe me Shqipërinë. Por sot Kosova gjendet e rrethuar dhe e trysnuar nga të dyja këto shtete në lidhje të ngushtë me njëra-tjetrën. Eshtë dilemë e madhe sesi do të realizohet kjo hapje në kushtet kur kryeministri i Shqipërisë dhe presidenti i Serbisë komplotojnë kundër Kosovës. Këtë lidhje nuk e kishte parashikuar Rugova. Por ai në rastin e takimit të Fatos Nanos me Milosheviçin në nëntor 1997 në Kretë të Greqisë e pati dhënë një paralajmërim: “I kujtojmë qeverisë shqiptare, tha ai, se Shqipëria e ka njohur Republikën e Kosovës (Rezoluta e Kuvendit të Shqipërisë 1991)”! Me këtë tërhiqte vëmendjen e kurtheve të Tiranës zyrtare me Beogradin! Kjo ndodhi me Edi Ramën. Trashëgimia e Rugovës na mëson se kur vëllai bashkëpunon me hasmin, atëherë i duhet vënë një kufi edhe vëllait!

Së pesti, Rugova e projektoi shtetin e Kosovës si shtet demokratik dhe ai ishte një demokrat i jashtëzakonshëm. Që do të thotë më shumë mirëkuptim, më shumë tolerancë, më shumë respekt për pakicat dhe opozitën, më shumë bashkëpunim dhe transparencë. Kosova është modeli i demokracisë në Ballkan, por ajo mund të bëhet edhe një demokraci e niveleve euro-atlantike!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok