30/12/2024

IBRAHIM RUGOVA DHE ”DARKA E LAMËS”

0
Ibrahim-Rugova

(Kur e dëgjova të fliste për këtë ritual festiv dhe si e mendonte ringjalljen e tij në traditën shqiptare Ibrahim Rugova)

NGA FARUK TASHOLLI

Derisa në ditëlindjen e tij (2 dhjetor 1944), ish presidentin historik Ibrahim Rugova, do të gjejnë forma ta kujtojnë, politakanë e intelektualë, gazetarë e mjete të informimit, familjarë dhe miq të afërt e të largët të tij, madje edhe me forma stereotipe, unë në këtë ditë dua ta rrëfej rastin kur Ibrahim Rugova foli për „Darkën e Lamës“ duke propozuar që jo vetëm ky rit, por edhe rite të tjera, në dritën e re, të ridimensionoheshin  dhe të shënohenshin në përmasa kombëtare.

Ishte diku dhjetëditëshi i parë i muajit dhjetor 1989. Pas orarit të punës, pas dite, në rrugën që tash është nën Katedralen e Prishtinës, e aso kohe kishte lokale zejtarësh e më shumë lokale gastronomie e pijetore, u takova me Milazim Krasniqin dhe Ibrahim Rugovën, që së bashku hymë në njërin nga lokalet aty. Sytë e të pranishmëve drejtoheshin nga tavolina jonë, pasi tashmë I.Rugova, me reagimet e tij publike dhe me intervistat nëpër mediat e huaja sidomos, duke dënuar dhunën serbe në të gjitha sferat e jetës shqiptare në Kosovë, ishte shndërruar në një simbol të qëndresës kombëtare. Pas pak në atë ndejë rasti, na u bashkuan edhe miqtë tanë Nehat S.Hoxha, Basri Çapriqi dhe Abdullah Konushevci. Bisedat e lira, relaksuese, rreshqitnin sa nga një temë në tjetrën, por megjithatë riktheheshin kah letërsia. Atë vit insitucionet shkencore dhe kulturore shqiptare, me iniciativën e Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, po e shënonin në mënyra të ndryshme 300-vjetorin e vdekjes së Pjetër Bogdanit. Në emisionet e kulturës në Radio Prishtinë ku unë punoja, e kisha ftuar dy-tri herë gjatë vitit I.Rugovën të fliste për figurën poliedrike të Bogdanit. Dua të shtoj me këtë rast se udhëheqja e dërguar nga Komiteti i Komunistëve të Kosovës në gazetën „Rilindja“, muajve të fundit, e shmangte emrin dhe paraqitjet e Ibrahim Rugovës. U ndalëm te një emison njëorësh që e kisha dhënë para dy-tri ditësh në Radio, e që ishte incizim nga kumtesat e I.Rugovës, Mahir Domit, Androklli Kostallarit, Dalan Shaplos dhe Martin Camajt nga Seminiari për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare të atij viti në Fakuktetin Filologjik të Prishtinës nga sesioni qe iu kishte kushtuar vepres se Pjeter Bogdanit..Kumtesat e tyre në mënyrë integrale i kishte dhënë vetëm gazeta „Fjala“ ku kryeredaktor ishte Milazim Krasniqi. Po e përmend këtë rast, pasi në Prishtinë, pas vitit 1981, deri atëhërë nuk kishte shkelë asnjë studiues nga Shqipëria, ndërsa Martin Camaj, pas shumë vitesh mërgimi, po kthehej për herë të parë. Natyrisht që kënaqësia ime personale ishte në kulm që në emisionin tim, po e shpalosja dijen e këtyre shkencëtarëve por më shumë kishte rol në ato rrethana paraqitja e tyre publike, madje në një medium me ndikim për kohën. Kur ishim te kjo temë, biseda u soll se si ishte ndaluar të mos shkonte në Tiranë Ibrahim Rugova në një konferencë shkencore që atje po mbahej për Bogdanin në këtë përvjetor, lajm që ishte përhapur më shumë përmes Radio Tiranës. „Nuk desha ta bëj më të madhe këtë pengesë që m’u bë, pos letrës që i shkrova Konferencës për arsyet e mosshkuarjes atje, se ndoshta do të detyroheshin këta të pushtetit të më jepnin vizë!“, na tha mes tjerash Rugova.

Më pas, kur muzgu i fillim dimrit veç kishte mbuluar Prishtinën, ashtu si ishim, shkuam në Institutin Albanologjik, ku me sa më kujtohet, mbahej një simpozium për etnologjinë. Hyme në seancë dhe referuesit njëri pas tjetrit paraqisnin kumtesat.Pas mbarimt të kumtesave, si ishte zakon në këso rastesh, zhvilloheshin diskutimet për temat në fjalë. Në diskutim u inkuadrua edhe Ibrahim Rugova i cili për shumë rite tradicionale që u fol aty, propozoi që të mos mbyllen si tema vetëm në institucione shkencore dhe në skedat dhe punimet e shkencëtarëve, por ato të funksionalizohen edhe në jetën praktike, madje gjithnjë duke ua dhënë atributin „shqiptare“, pasi dilnin nga traditat e vetë popullit që i kishte bartur brez pas brezi. Ndër këto rite tradicionale, u ndal edhe te Darka e Lamës, duke thënë se edhe këtë rit festiv, duhet ta riaktualizojmë, duke caktuar një datë dhe ta mbajmë ashtu si është mbajtur në mënyrë tradicionale në çdo familje shqiptare në fund të lëmës. Pas këtyre fjalëve, mua m’u kujtua ky rit që e kisha ndeshur qysh në fëmijëri edhe në familjen time, por që më vonë, me dinamikën e kohës, e kishim braktisur. Kështu ndodhte edhe me familjet e tjera të cilat me zhvilimin e shoqërisë po shkëputeshin nga mënyra rurale e jetës. Duke u rikthyer me kujtime  në darkën e lëmës, nuk di a e kam dëgjuar më shumë në ato çaste Ibrahimin, por pas përfundimit  të atij sesioni, vazhduam të pimë kafe në kabinetin e tij me Milazimin dhe me Nehatin. Nuk u durova ta pyesja Ibrahimin se si po mendon të shënohet „Darka e Lamës“, kur lëma bëhet nga familja në familje, varësisht kur arrijnë ta fusin dridhin në hambar, që tashmë pothuajse gati nuk ekzistojnë.  Ai me urtinë dhe qetësinë e ti karakteristike, ma ktheu: Po duhet ta caktojmë një datë optimale dhe të shënohet ky ritual që është praktikuar nga antika e këndej në praktikën jetësore të popullit tonë!

Mirëpo me zhvillimin e ngjarjeve, erdhi koha dhe ketë ide, pas konsolidimit të institucioneve me mund të madh, vetë Ibrahim Rugova e shndërroi në praktikë jetësore, duke organizuar Darkën e Lamës dhe duke e rikonfirmuar këtë traditë që aty-këtu edhe tash po funksionon.

Kjo traditë, pak a shumë, praktikohet në mënyra të ndryshme edhe sot në vendet e Europës perëndimore, si në Gjermani ku zakonisht në të dielën e parë të tetorit, në forma të ndryshme ekspozohen bereqetet e motmotit, duke defiluar rrugëve  me qerret tërheqëse me kuaj dhe traktora etj. Pastaj këndohet e vallëzohet, duke falënderuar Zotin për  mot të mirë që ka mundësuar të korrat të jenë të frytshme dhe tryezat e njerëzve të kenë ushqim të bollshëm.

(Dhjetor, 2018)

facebook.com/faruk.tasholli.5

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok