13/06/2024

GJERGJ KASTRIOTI – SKENDERBEU: “SIMBOL HEROIK I KOHEZIONIT EVROPIAN”

0

Nga Frank Shkreli

Nga disa burime, përfshir Radio Vatikanin shqip –Një monument kushtuar Gjergj Kastriotit në Trento të Italisë – Vatican News mësova se të shtunën që kaloi në qytetin Trento të Italisë veriore është zhvilluar një ceremoni mjaft me rëndësi për komunitetin shqiptaro-italian në atë qytet dhe në mbarë Italinë, por me rëndësi edhe për shqiptarët kudo.  Paraprirë nga një konferencë shkencore, pasditen e së shtunës, në një park të qytetit italian Trento, u përurua një monument kushtuar Krye-Heroit të Përgjithëmonshëm të Kombit Shqptar, Gjergj Kastriotit-Skenderbeut.   Seminari shkencor kushtuar Gjergj Kastriotit-Skenderbe, përshtatshmërisht, i titulluar nga organizatorët, “Simboli heroik i kohezionit evropian” dhe inaugurimi i monumentit të Heroit Kombëtar të Shqiptarëve në Trento të Italisë, ishte një nismë dhe rezultat i një pune të gjatë dhe të rendë nga Shoqata shqiptaro-italiane, Teuta” e atij qyteti dhe krahinës Tirol, ku jetojnë e punojnë shumë shqiptarë.

Në konferencën kushtuar Gjergj Kastriotit-Skenderbeut, sipas burimeve, morën pjesë prezantues nga Italia dhe nga Shqipëria, personalitete politike dhe kishtare vendase dhe shqiptare, si dhe shqiptarë nga krahina të tjera të Italisë. Ndër folësit e spikatur në atë konferencë ishte edhe Kreu i Ipeshkvijve të Shqipërisë, i përndershmi Angelo Massafra — Metropolit i Shkodër-Pultit — i cili u foli të pranishëmve për Gjergj Kastriotin si mbrojtës i qytetërimit perëndimor.”

Prelati i lartë i Shkodër-Pultit lavdëroi nismën dhe promovimin e kësaj vepre duke thekësuar se,  “Angazhimi i Shoqatës TEUTA për ndërtimin e këtij memoriali, nё përkujtim të Heroit Kombëtar Shqiptar nuk është thjesht një element krenarie, por më tepër një njohje e atyre vlerave të mishëruara nga Skënderbeu, që shqiptarët të cilët banojnë në Itali vazhdojnë t’i bëjnë të vetat, thellësisht të bindur se janё pjesë e një Evrope moderne, tё hapur e mikpritëse, tё gatshme për integrimin e kulturave, kuptuar si një pasuri që duhet vlerësuar për rritjen dhe zhvillimin e shoqërisë”.

Pas përfundimit të punimeve të konferencës kushtuar Gjergj Kastriotit -Skenderbeut, “Simboli heroik i kohezionit evropian”, në Parkun e qytetit Trento, “Maksimiliani i Habsburgëve”, u zhvillua ceremonia e përurimit të monumentit kushtuar Gjergj Kastriotit-Skenderbeu — me përshëndetjet e rastit nga përfaqsues të Shoqatës kulturore “Teuta” të grave shqiptare në Trento si dhe nga përfaqsues politikë vendas dhe shqiptarë.  Në këtë rast historik për komunitetin shqiptaro-italian të asaj zone të Italisë veriore, nuk munguan as këngët dhe vallet e rastit, të përgatitura për këtë ceremoni historike nga Shoqata e Artistëve të asaj krahine dhe nga Grupi artistik “Teuta”.

Jo më shumë se gjashtë muaj më parë në lagjën Bronks të Nju Jork-ut është zhvilluar një ceremoni për emërimin e një rruge kushtuar Heroit Kombëtar të Shqiptarëve.  Me ceremoninë e lartëpërmendur dhe me inauagurimin e  një përmendoreje tjetër në Itali kushtuar Gjergj Kastriotit-Skenderbeut – më duket sikur Gjergj Kastrioti e ndjenë veten të harruar, të anashkaluar dhe madje edhe i zhgënjyer nga keq-trajtimi që i bëhet atij në trojet e shqiptarëve, për lirinë e të cilëve ai luftoi kundër Perandorisë Otomane për një çerek shekulli. Nga gjithë këto aktivitete në nder të heroit Kombëtar të Shqiptarëve në Shgtetet e Bashkuara dhe në Itali, duket sikur “I Përgjithmonshmi” i Kombit shqiptar po kërkon strehim më të denjë dhe më të paqët, diku tjetër – si shumë prej nesh të arratisur – jashtë trojeve shekullore shqiptare prej dekadash. Frank Shkreli: Monumenti i Heroit Kombëtar në Lezhë kthehet në nevojtore | Gazeta Telegraf Ai duket më i pranueshëm për dhenat e tjera, në Amerikë dhe anë e mbanë Evropës, ku ai edhe sot pas pothuaj 5-6 shekujsh nuk është harruar dhe ku ende konsiderohet si shpëtimtari i Evropës dhe “Simboli Heroik i Kohezionit Evropian”, siç e cilësuan folësit në konferencën e Trento-s, Heroin e Shqiptarëve dhe Shpëtimtarin e Evropës.

Ndonëse janë organizuar një numër aktivitetesh dhe nderimesh të veçanta gjatë këtij viti dhe viteve të kaluara në nder dhe kujtim të Gjergj Kastriotit Skenderbe, në Evropë dhe në Amerikë –kjo nuk mund të thuhet që të ketë ndodhur pothuaj aspak në Shqipëri as dhe në trojet shqiptare —Frank Shkreli: Gjergj Kastrioti- Skënderbeu, i harruari i Kombit në ditëlindjen e tij | Gazeta Telegraf.  Nuk mund të durohem pa e lidhur ceremoninë e nderimit të Gjergj Kastriotit Skenderbe në Trento të Italisë ditët e fundit, ku Ai u cilësua, si “Simboli Historik i Kohezionit Evropian”, me njoftimin e Presidentit të Këshillit Europian, Charles Michel, për të mbajtur më 6 dhjetor, në Tiranë, të ashtuquajturin samit BE-Ballkani Perëndimor.  Me siguri që Tirana zyrtare ka filluar tanimë të vejë në lëvizje rrotat e propagandës për ta paraqitur këtë ngjarje si një meritë të saj në fushën ndërkombëtare, madje, do ta quajnë “historike”,për nga natyra e saj, megjithëse jo për nga rëndësia

Por realiteti është ndryshe. Evropa i ka shumë borxhe Shqipërisë dhe shqiptarëve, ç’prej kohës së Gjergj Kastriotit -Skenderbe e deri më sot. Por edhe Shqiptarët i kanë borxhe Evropës dhe Amerikës.  E turpshme ishte periudha e marrëdhënieve të regjimit komunist të Enver Hoxhës me Evropën Perendimore. Por për mua edhe më e turpshme është periudha aktuale “post-Komuniste” e marrëdhënieve të Shqipërisë “demokratike” me Evropën demokratike të bashkuar dhe me Shtetet e Bashkuara. Flitej e flitet për vlera të përbashkëta! Por këto 30-vite “tranzicion”, ishte dhe vazhdon të jetë një periudhë e turpshme kërcënimesh ndaj Evropës (U kujtohet ajo deklarata e famshme e kryeminsitrit: kemi alternativa tjera?)  Megjithëse me fjalë, Tirana zyrtare vazhdon të kërkojë antarësimin në Bashkimin Evropian – ajo ndërkohë – pa pikë turpi — vazhdon flirtimet me diktatorët më të urryer të kohës së sotëme në Evropë dhe me më anti-evropianët dhe antiamerikanët, të cilët nuk kanaë asgjë të përbashkët me vlerat perëndimore – me vlerat për të cilat jetoi e luftoi Gjeergj Kastrioti-Skenderbeu, Shpëtimtari i Evropës dhe simboli heroik edhe i kohezionit të sotëm evrropian, siç e cilësoi Heroin e Shqiptarëve – konferenca e javës së shkuara në Trento të Italisë.  Eh, sikurë Tirana zyrtare sot të mbronte vlerat perëndimore, të kishte vizionin, nderin, burrërinë dhe trimërinë e Gjergj Kastriotit -Skenderbeut – simbolit historik të kohezionit evropian?!

Vlerat e Gjergj Kastrioi -Skenderbe nuk gjënden as tek Putini e Vuçiqi dhe as tek Erdogani. Popujt që këta pëprfaqsojnë sot, historikisht, kurrë nuk i kanë dashur të mirën Kombin shqiptar. Ashtu është edhe sot. Këta “udhëheqës” të shqiptarëve që pretendojnë “vlerat e përbashkëta” me Perëndimin demokratik e ndjejnë veten më rehat në shoqërinë e Erdoganit, Vuçiqit dhe Putinit se sa në shoqërinë e Heroit Kombëtar, Gjergj Kastriotit Skenderbe. Kombi shqiptarë e ka simbolin e vet përbashkues dhe të vlerave perërndimore – Skenderbeun.  Shqiptarët nuk kanë nevojë për shëmbëlla liderësh autoritarë, arrogantë që mbjellin vdekje.  Çdo komb tjetër do e trillonte një hero si Skenderbeu – Shqiptarët e kanë por…

Zgjidhni rrugën e Skenderbeut dhe të vlerave e trashëgimisë së tij, qoftë në Shqipëri, Kosovë e trojet tona ashtu edhe në diasporë.  Të pakën diaspora po përpiqet të mbajë fjalën dhe amanetin e Skenderbeut të besë e të burrënisë, duke kujtuar Kryetrimin, siç bëri komuniteti shqiptar në Trento të Italisë, javën që shkoi.

Ndërkohë që edhe sot po kërcënohet drejtimi kastriotian, pro-perëndimor i Shqipërisë dhe i shqiptarëve, me të cilët çdo shqiptar ka të drejtë të krenohet para botës së qytetëruar kudo që gjëndet fisi i shqiptarit, në trojet shqiptare shekullore e deri në Amerikën e largët. Nga Italia dhe Evropa, e deri në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me vlerat e tija pro-perëndimore, Gjergj Kastrioti-Skenderbe vazhdon tu tregojë shqiptarëve kudo, rrugën që duhet ndjekur – që Ai të jetë jo vetëm simbol i kohezionit evropian – por edhe një simbol i përgjithëmonshëm i kohezionit ndër-shqiptar.

Urojmë që takimi i njoftuar i nivelit të lartë BE-Ballkani Perëndimor më 6 Nentor në kryeqytetin shqiptar, t’i kujtojë Tiranës zyrtare dhe përfaqsuesve evropianë e ballkanas të mbledhur aty, flijimet dhe sakrificat e mëdha që kanë bërë shqiptarët  e kohës së Gjergj Kastriotit-Skenderbe dhe të gjithë brezave më vonë,  për të siguruar lirinë dhe pavarësinë e vet, duke mbrojtur, identitetin e tyre kombëtar, por njëkohësisht, edhe qytetërimin perëndimor evropian, që ata gëzojnë sot.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok