22/12/2024

Ibrahim Kodra, ai që zbuloi në pikturë “sekretin e madh të papërshkrueshëm të alkimistit”

0
Ibrahim-Kodra

Nga Albert Vataj

Kodra ngjitet në elitën e artit të Europës si një vlerë unike. Ka një koleksion të pasur çmimesh, ku mund të evidentojmë: Medalja e Artë e Akademisë Franceze, “Qytetar Nderi” në shumë qytete të Italisë, çmimi “Ambrogini i Artë” nga Bashkia e Milanos. Më 1996, Presidenti Sali Berisha i akordon titullin e lartë “Nderi i Kombit” për atë që ishte dhe mbeti i tillë.

Vepra e Kodrës, gjendet në të gjithë botën, galerinë prej 6000 punësh të tij përbëjnë visaret e çmuara në muze, galeri, e koleksione private. Vepra e tij është pasuri botërore dhe kombi ynë nderohet me të.

Ekspozon së bashku me Picasso, Dufy, Dali, Modigliani, Ernest, Mattisse e të tjerë personalitete të kohës.

Kodra, i vlerësuar edhe si ftillues i një qytetërimi të ri, “i fundmi i postkubistëve”, kishte pasur fatin që në botën shqiptare, Prishtina e para ta zbulonte famën e tij evropiane. Edhe ekspozitën e parë në tokën arbërore do ta mbajë më 1968 në Prishtinë, ndërsa në Shqipëri ende ishte “i panjohur”. Dhe vetëm në vitin 1974 për herë të parë do të ekspozojë pikturat e tij, që kishin mrekulluar botën, që deri në fund të jetës sipas studiuesve kishte krijuar rreth 6 mijë sosh.

Për herë të fundit në Kosovë do të ekspozojë në Galerinë e Arteve të Kosovës, në vitin 2003 ku pat hapur ekspozitë personale, ndërsa që një pjesë e punimeve të tij janë në fondin e Galerisë. Po këtë vit edhe Tiranën do ta vizitojë për herë të fundit dhe poashtu për herë të fundit do të ekspozojë. Në Galerinë Kombëtare të Arteve të Shqipërisë ruhen vetëm 2 tablo origjinale të kodrës të viteve “30 dhe disa litografi, riprodhime të temës “Shqipëria fantastike”.

Të mëdhenjt për të madhin e tablosë shqiptare

Kritiku me zë Carlo Munari thotë për mjeshtrin shqiptar: “Nëse Kodra do t’ kish jetuar në kohë të moçme, në vend të piktorit ai mund të kishte qenë fare mirë një alkimist”. E Munari nuk e ka fjalën vetëm për aftësitë e mahnitshme të mjeshtrit me transformuar në formë e në ngjyrë kryevepra të post-kubizmit, abstraktimit, apo asaj që un do ta quaja Kodrizmit.

Kritiku flet padyshim edhe për procesin e zhvillimit të krijimtarisë se artistit. Si dhe alkimisti i hershëm i cili ndërmerr udhëtimin e gjatë e të vështirë që sot quhet ‘procesi i identifikimit’, edhe Kodra kryen të njëjtën rrugëtim duke ri-zbuluar dhe ri-përkufizuar vetveten përgjatë procesit.  Mjeshtri ynë me aq hijeshi zbret e ngjitet nëpër neper guvat e origjinave e qytetërimeve të lashta të Mesdheut, me deshifruar e përcaktuar me mjete gjithmonë e më të reja e të larmishme atë që Munari e quan “sekretin e madh të papërshkrueshëm të alkimistit”.

Ibrahim Kodra… ” primitivi i një qytetërimi të ri”, kësisoj e ka përkufizuar më 1947, poeti francez, themeltari i lëvizjes surrealiste, Paul Eluar kumtin e penelatës së shqiptarit nga Ishmi i Durrësit, Ibrahim Kodra.

”Miku im piktor shqiptar! Një piktor i veçantë! Edhe firma juaj është një vizatim, si veprat e tua”, ndërmendim ti ketë thënë Ibrahim Kodrës spanjolli i bashkëthemelimit të kubizmit, kulmëtari i artit të shekullit XX, Pablo Picasso (25 tetor 1881-8 prill 1973), i cili u njoh me Ibrahim Kodrën gjatë një Konference Ndërkombëtare të Paqes më 1948.

“Ai, – shkruan Hans Kinkel në “Stuttgarter Zeitung” më1959 – është konsideruar si një prej më të mëdhenjve të gjeneratës së re të piktoreve italianë. Në pikturat e tij ka një origjinalitet midis lirizmit dhe gjeometrisë. Pëlqen ngjyrën e kaltër që e luan në të gjitha tonalitetet, duke e bërë pjesë themelore të shprehjes. Lirizmi i lehtë, është një mënyrë gati “naive” qe na kujton Paul Klee”

“Lirizëm dhe magji, por edhe autenticitet, në të cilin drama antike dhe moderne janë në konflikt me njëra-tjetrën…” citon Francesco Carbone.

“Me një sintezë kapriçoze, abstragime gjeometrike dhe kompozime piktoreske, Kodra arrin efekte të mrekullueshme të peizazheve detare…” njëmendet me 1959, Karl Diemer.

Besoj se njohja me veprën e tij ka rëndësinë e vet, sepse tek e mbramja, është një figurë artistike me famë botërore dhe që i përket universit shqiptar.

Ka ndodhur shpesh që jeta i tregohet koprace artistit në gjallje. I ka “mjelë” frymëzimin e çdo dite, pa i kthyer shpërblimin. E kanë lënë jetën njerëzore pa e ditur se më pas do të bëheshin pjesë e përhershme e historisë së artit. I tillë ka qenë Ibrahim Kodra. E tillë është orvatur të gjegjet jetës së tij, prej fëmijërisë e deri tek e vona.

Jetëshkrim për piktorin

Ibrahim Kodra u lind në Likmetaj, në Ishëm të Durrësit. Në moshën 3-vjeçare mbetet jetim, i vdes e ëma, Xhixha dhe rritet nga gjyshi Shabani. I ati Murati, ishte marinar, njeri që donte detin dhe poezinë. Ibrahimi pati një fëmijëri të vështirë si shumë gjeni. Punoi si disenjator për një tregtar të qytetit të Durrësit. Vazhdon studimet në shkollën teknike të Harry Fultzit, ndjek kursin e pikturës në shkollën e parë të vizatimit nën drejtimin e skulptorit Odise Paskali, derisa bie në sy të drejtorit të doganave të Durrësit, i cili e ndihmon të futet në oborrin mbretëror, ku edhe njohu direkt mbretëreshën Geraldina, e cila më 1938-n e çon të studiojë në Itali me një bursë studimi nga Oborri Mbretëror.

Në Milano ndjek studimet në Akademinë e Arteve të Bukura në Brera. Ndjek kurset e Aldo Caprit e më pas të Carlo Carra, përsa i përket pikturës, ndërsa për skulpturën ndjek kurset e Francesco Messina.

Jep me sukses provimet e pranimit në Akademi, e cila ende në atë kohë ishte shumë rigoroze në pranimin studentëve dhe përzgjidhte ata që ishin të destinuar të bëheshin të famshëm. Pas mbarimit të studimeve dhe mbarimit të Luftës së Dytë Botërore ai përfshihet në lëvizjet artistike të Milanos, “Oltre Guernica”(1945) dhe “Linea”(1947).

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok