13/12/2024

I tillë ishte Isa Boletini

0
Isa-Boletini

Nga Blerim Latifi

Nga jugu në veri, nga lindja në perëndim, përgjatë gjithë Vilajetit të Kosovës, të gjithë ia kishin frikën. Rrjedhimisht të gjithë donin t’i kishin mirë punët me të.

Po si ia doli ta krijonte një autoritet të tillë?

Për ta pasur një përgjigje në këtë pyetje, duhen shikuar rrethanat sociale e politike në të cilat u rrit dhe jetoi. Ato ishin rrethanat e një shoqërie ku ligjet edhe kodet e fisit e kishin supremacinë mbi çdo ligj tjetër. Po ashtu ishin rrethanat e një anarkie të përgjithshme politike, që vinte nga pafuqia e Perandorisë Osmane për të vendosur rendin në vilajetin më të trazuar të saj, Vilajetin e Kosovës.

Në rrethana të tilla autoriteti i dikujt buronte dhe mbështetej, parasegjithash, në kapacitetin për të ushtruar dhunë efektive. Prej këtij kapaciteti varej se sa të vlente lëkura.

Në këtë kontekst, ai qysh herët shkelqeu mbi gjithë të tjerët. Përveç guximit të çartur për të zgjidhur mosmarrëveshjet me anë të koburës, ai e zotëronte një shkathtësi tjetër të pazakontë : precizitetin e pashembullt të shenjtarisë. Ai ishte në gjendje të vriste me një plumb zogun, derisa fluturonte në qiell. Për këtë ia vunë nofkën “qitësi i zogjëve”.

Kur fama e tij mori dhenë, të gjithë vrapuan ta bënin për vete, Sulltani, Krajli i Serbisë, konsujtë e shteteve europiane që vepronin në Kosovë, ndërsa zyrtarët lokalë osmanë kujdeseshin të mbanin raporte të mira me të.

A u korruptua apo jo nga lajkat e gjithë këtyre? Kjo vazhdon të mbetet temë diskutimi mes historianësh.

Eqrem bej Vlora, në kujtimet e tij, e përshkruan si prototip të condottierit italian. Në mesjetë condottieri ishte një luftëtar i kontraktuar nga një mbret apo princ për të shërbyer në luftë. Prej kësaj praktike rrjedh termi i mëvonshëm i mercenarit.

Dëshmitë relevante flasin se para vitit 1912 konceptet e tij politike linin shumë për të dëshiruar. Pas largimit në Shqipëri, në nëntorin e vitit 1912, ndodhi kombëtarizimi i vërtetë i tij. Dhe kjo hetohet në qëndrimet dhe veprimtarinë e tij pas kësaj date. Ai u vu nën autoritetin e Qeverisë së Vlorës, e cila kishte dalë nga Kuvendi i 28 Nëntorit që shpalli pavarësinë e Shqipërisë, nuk u pajtua kurrë me lënien e Kosovës jashtë kufijve të shtetit të ri shqiptar, pastaj, një vit më vonë, u vu në dispozicion të Princ Vidit dhe bashkë me katolikët e Mirditës luftoi kundër rebelimit islamik të Haxhi Qamilit.

Në kaosin e Luftës së Parë Botërore, nuk arriti ta shihte me sytë e tij çlirimin e Kosovës nga ushtritë austro-hungareze, ngase u vra në Podgoricë nga xhandarët malazezë, në momentet kur vetë Krajl Nikolla po e humbte pushtetin, si pasojë e invadimit austro-hungarez.

Folklori shqiptar është i mbushur me këngë për të, këngë të cilat e paraqesin në dritën e një heroi pozitiv. Edhe historiografia zyrtare shqiptare e trajton në të njëjtën dritë, ndërkaq, historianë të ndryshëm ndërkombëtarë përmendin edhe detaje e ngjarje të cilat bijnë në kundërshtim me mitin kombëtar të krijuar për të.

Në vitin 1998 varreza ku ai prehej që nga viti 1916 u prish nga autoritetet malazeze dhe dikush u kujdes që eshtrat e tij dhe të djemëve e nipërve që u vranë me të, të silleshin në Kosovë. Kjo ndodhi në një kohë kur Kosova sapo kishte hyrë në një luftë tjetër. Ishte kjo lufta për çlirimin përfundimtar nga Serbia. Një luftë të cilën ai ëndërronte dikur ta udhëhiqte vetë.

I tillë ishte Isa Boletini.

___________

Tregimi për “lumin e pabesë”

Lumi Klina, një lum i çuditshëm. Në verë të trishton me pamjen e një lumi që pothuajse ka vdekur, e në dimër të frikëson me vërshimet e tij të papritura. Edhe emrin e ka të çuditshëm. Askush nuk mund ta thotë me siguri se si i mbeti ky emër. Një hipotezë thotë se në kohët e vjetëra bizantine quhej Sfina. Mbase emri i sotëm Klina është modifikim fonologjik i atij emri. Sfina në greqisht do të thotë pykë. Edhe emri Klina e ka këtë domthënie.

Por për çfarë pyke bëhet fjalë? Kush mund ta di. Mbase gjeografia mund të na japë një ide. Lumi Klina qëndron si një lloj pyke ujore midis Ibrit në veri dhe Drinit në perëndim të Kosovës.

Kur ishim fëmijë ne shkonim nga Prekazi të bënim plazh në rrjedhën e tij, e cila kalon nëpër fshatin Klinë. Fëmijët e Klinës nuk na shihnin me sy të mirë, ngase lumin e konsideronin të tyrin dhe nga kjo i jepnin të drejtë vetes të na lejonin ose jo që të laheshim në të. Si pasojë e kësaj shpesh ndodhnin edhe kacafytje mes “vendorëve” dhe të “huajve”. Mua, ndërkaq, “pronarët e lumit” më përjashtonin nga kjo ndarje diskriminuese, ngase isha nip i tyre. Sot, sa herë kaloj atypari, ndalem për pak çaste dhe i kujtoj me nostalgji romantike ato kohë tanimë të largëta. Malli për kohërat që nuk kthehen më, gjithmonë e zbukuron kujtimin e tyre.

Të vjetërit ia dinin huqet lumit Klina. E njihnin “pabesinë e tij”,  prandaj kurrë nuk ndërtonin shtëpi afër tij dhe as në fushat që i vërshonte herë pas here. Viteve të fundit mësimi i tyre ishte shpërfillur krejtësisht, duke i mbushur me shtëpi dhe objekte të tjera këto fusha, sidomos në qytetin e Skënderajt. Dje Lumi Klina u “hakmorr” egërsisht ndaj kësaj shpërfilljeje, duke e përmbytur gjithë pjesën e qytetit që shtrihet në dy anët e brigjeve të tij, e duke lënë prapa dëme tepër të mëdha, dëme që do t’ua bëjnë edhe më të rëndë jetën familjeve e bizneseve që i pësuan ato.

___________

Kur e shikojmë për herë të parë këtë fotografi, na krijohet përshtypja se kemi të bëjmë me fotografinë e një të moshuari mbi të shtatëdhjetat. Në fakt, kemi të bëjmë me fotografinë e një 33 vjeçari, të cilin e kishin sjellur në këtë gjendje torturat e pafundme të UDB- së. Ai ishte anëtar i grupit të NDSH-së të drejtuar nga Ajet Gërguri. I kapur në pabesi, i dënuar me shumë vite burg, ai vdiq nga torturat në Burgun e Nishit. Familjes kurrë nuk ia kthyen trupin e tij, ndërsa varrin ia humbën diku në ndonjë gropë të paidentifikuar në Serbi. Ai quhej Isuf Kabashi. Nga Polaci i Skënderajt.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok