24/11/2024

HYTBI TARELLI. MJESHTËR I PENELIT DHE DALTËS

0

Në magjinë e ujit të çezmës, pranë shtëpisë

(Meditim)

Nga Kadri Tarelli

Duke kaluar si në ekran të një filmi dokumentar, kujtimet e hershme, nuk di si me mbeti ne mendje një ndodhi me vëllain tonë, dikur e pa vënë re, ose si një copëz jete kalimtare, rrëmbyer nga erërat e kohës, që përsëri koha i kthen aty nga u nisen…..!

Ishin vitet 1993-94, vite të emigrimit masiv të shqiptarëve. Hytbiu para se të nisej të mësynte kufirin drejt Greqisë, shoqëruar nga një kushëriri ynë nga Bilishti, ishte drejtuar në fshatin e lindjes Braçanj të Devollit, nga ku kishte rreth 30 vjet pa shkelur, pasi familjarisht ishin vendosur në qytetin e Lushnjës, në vitin 1960.

Ai ishte larguar që fëmijë në moshën tetë-vjeçare. Nuk çuditem për kujtesën e fëmijërisë. Megjithatë ai nuk pyeti as për shtëpinë, që tashmë e zotëronte dikush tjetër, as për kopshtin plot mollë e pemë, ku hipte e zbriste si ketër, por u drejtua vetëm tek çezma fare pranë shtëpisë, që rridhte shkujdesur me ujë të ftohtë e të kulluar qelibar.

Lau duart dhe fytyrën, më pas mbushi disa herë grushtin me ujë dhe piu ngadalë, sikur donte ta shijonte deri në fund atë ujë të bekuar. Lau edhe një herë fytyrën dhe nuk u mundua ta fshijë. Donte  ta kishte ujin e çezmës mbi lëkurë, për gjatë gjithë udhës plot mundim dhe plot të papritura.

Çuditërisht këtë veprim e përsëriti edhe njëherë tjetër, pas gati dy dekadash, në vitin 2014. Dy vjet para se të ndërronte jetë, erdhi nga Kanadaja, ku banonte familjarisht dhe përsërit të njëjtin ritual. Lau fytyrën, piu ujë dhe u ul në cep të postafit prej druri, duke përkëdhelur me dorën e djathtë, ujin që rridhte qetësisht. Qëndroi ashtu disa minuta. U ngrit, por dy pika lot rrëshqitën lehtësish mbi faqen e lagur, duke u këputur nën mjekër, si margaritarë plot shkëlqim. Mbase e ndjeu se do të ishte hera e fundit, që po pinte ujin magjik të çezmës.

Unë nuk jam besimtar, që ngjarjet të tilla t’i lidh me besimin fetar. Por ka diçka mistike, dua të them të panjohur, që më shtyn të besoj në magjinë apo fuqinë e natyrës, ujit, dheut, gurit apo drurit, nga vendlindja. Mos vallë popujt paganë kishin më shumë të drejtë që besoni dhe i faleshin objekteve dhe sendeve të natyrës……..?

Sot kur e kujtoj, pyes veten: Pse vallë e tërhiqte fuqia e ujit? Ç’të ishte vallë ky, një trill mërgimtari, apo magji e ujit, për të mos harruar vendlindjen? Kush i tha, kush e dërgoi nga larg……..? Ç’halle kishte dhe çe priste në udhën e kurbetit? Por nuk pyeti, veç dëgjoi zemrën. Ç’brenga, kujtime e shqetësime mbetën të pa thëna, që t’i dëgjonte veç uji i asaj çezme?

Ne në fëmijëri kemi dëgjuar shumë rrëfime për mërgimtarët, pasi zona e Devollit dhe e Korçës e rrihte shumë kurbetin. Bëhet fjalë para viteve 1944, se më pastaj u mbyllën kufijtë me gardh teli. Vetëm nga fisi ynë kishim pesë kurbetllinj, që mbetën në Amerikë, Australi, Argjentinë, etj, të cilët shkonin punonin, vinin mënjanë ca para nga kursimet dhe ktheheshin përsëri.

Ajo që na ka mbetur në mendje, pasi ishte bërë zakon për të gjithë, ishte, se shumica merrnin një grusht dhe, nga dheu i oborrit, e mbështillnin me kujdes në një qese të vogël. Shumica e lagnin me lot hidhërimi këtë grusht dheu, ndaj edhe e mbanin kudo që shkonin, për të mos harruar dheun e vendlindjes. Çmalleshin kur kalonin shumë kohë pa e parë pragun e shtëpisë dhe fëmijët të rritur.

I njëjti ligji i pa shkruar zbatohej edhe te shqiptarët e Dardanisë dhe mbarë trojet arbnore .

Për një ngjarje të tillë, shkruan edhe Bajram Halil Gashi në librin “Kosovë, Andrra e jetës sime”, kur tregon fëmijërinë e mësuesit hero Bajram Sali Gashi, i cili, si fëmijë, kur u largua nga Uça e Istogut, kishte marrë një grusht dhe, që e mbante fshehur edhe nga familjarët, si thesar të shenjtë. Pikërisht këtë grusht dheu ua tregoi shumë vitë më vonë, nxënësve të shkollës së ShënVlashit, fshat në afërsi të Durrësit, shkollë që drejtonte prej vitesh, pikërisht ditën që vendosi të kthehet në Dardani, tashmë si luftëtar lirie, ku ra edhe dëshmor duke luftuar kundër ushtrisë serbe.

OLYMPUS DIGITAL CAMERA

Por ja që paska edhe një tjetër magji dashurie: Uji i pusit në fund të oborrit, apo çezmës në afërsi të shtëpisë.

Historiani Bedri Tahiri, nga Drenica e Dardanisë, shkruan në librin më të fundit, “Degdisja”:

– Pije pak ujë, biri im, këtu në prag të derës së shtëpisë! — e luste nënëlokja me kovën mbushur poshtë në pusin e thellë shtatëmbëdhjetë pashës, atje tej, në fund të oborrit…….

– Po nuk po më pihet, Nënëloke. Nuk kam etje…! – arsyetohej djaloshi, që sytë veç iu kishin lëbyrë nga përmallimi i ndarjes.

– Duhet, biro, duhet, vetëm një pikë sa për adet, sepse uji të tërheq që të kthehesh sa më shpejt në këtë truall…!  Kështu na kanë mësuar të parët tanë, kështu patën vepruar nënat e gjyshet tona kur i patën përcjellë të rinjtë, nizamë e gjynli për në tokat e nëmura të shkretëtirave të Anadollit, ku kafeja piqej në diell…

– Ani, Nënëlokja ime e dashur, ani, – ia ktheu i biri, duke e kapur me të dy duart kovën, ……… – Ashtu pra, të pastë nëna e m’u kthefsh sa më shpejt……..!

Ky është letrarizim i një zakoni të hershëm, besoj nga rrethanat e kohës, gjatë sundimit disa qindra-vjeçar të Perandorisë Osmane. Por po më godet e njëjta pyetje: Pse me magjinë e ujit, siç i ndodhi edhe vëllait tonë Hytbiut, i cili s’besoj se e dinte këtë ligj apo rregull të pashkruar, por të zbatuar aq ndjeshëm nga nënat, kur përcillnin djemtë nizamë apo në kurbet. Ai s’kishte lidhje me këto, si nga rrethanat, vendi, koha, kultura (Me arsim të lartë), rritur në qytet, mërguar familjarisht në Toronto në Kanada, etj, etj.

Ç’ zë i brendshëm e thërriste të ndërmerrte një udhëtim të tillë!? A ka shpjegim…….!?

Me aq njohje sa kam unë, “Magjia e ujit”, në zonat e Shqipërisë së jugut nuk njihet. Qofsha i gabuar, por nuk e kam ndeshur as me të dëgjuar, sa me të lexuar, megjithëse po më pëlqen së tepërmi, jo thjesht rikujtim dhe përjetim zakonesh të hershme shqiptare, porse janë ndodhi që ngjasin e të lenë pa fjalë. Veç mund të bëjmë pyetjen: Pse? Ç’fuqi magjike ka uji, që të tërheq të kthehesh në vendlindje, në mëmëdhe? Veç nënat, të cilat nuk e dinë, por e ndjejnë fuqinë e ujit, bashkuar me fuqinë e fjalës e të lotëve të saj, lënë si amanet për t’u mbajtur, kudo ku i degdis mërgimi.

Ndërsa shkrimtari Bashkim Saliasi, shkruan:

“Më kujtohet, – tha Xhezmija, (zonja e shtëpisë), se Hytbiu kur erdhi nga fshati i kishte bërë këpucët gjithë baltë. I thashë me shaka:

– Po pse mor Hytbi, nuk pati një grua të pastronte këpucët atje në fshat, po t`i ka lënë gjithë baltë?

– Nuk ka gjë kunatë, më pëlqen balta e fshatit tim… U kënaqa, – thoshte, – se piva një herë ujë, në atë çezmën ku jemi rritur…”.

Janë dy zakone të ndryshme në përmbajtje materiale, (uji e dheu), por të njëjtë në qëllim e botëkuptim shpirtëror, mistik e filozofik, të krijuar e jetuar nga njerëzit e thjeshtë, që në shumicën dërmuese janë kushtet materiale që i detyrojnë të mërgojnë. Besoj, është një lloj tradite që ka mundësi të jetë e pranishme edhe në popuj të tjerë, sepse halli dhe malli i njerëzve, janë të njëjtë dhe përjetohen e përcillen po njësoj. Por mua më pëlqejnë zakonet e popullit tim. Ato marrin kuptim, sepse shprehin një lloj besimi të mbështetur në ngjarje të provuara në jetë.

Kjo ngjarje, mbase e veçuar dhe pa jehonë, vjen një ditë dhe venitet e tretet nga koha, si një histori që rrëfehet pranë zjarrit në netët e gjata të dimrit.

Unë thjesht po e sjell në kujtesë, për t’i dhënë përgjigjen pyetjeve të shumta, që bëra pak më lart, por edhe të tjera që gëlojnë e shtohen, sa herë që e mendoj “Magjinë e ujit”.

Kadri Tarelli

Vjeshta e tretë, 2023.

OLYMPUS DIGITAL CAMERA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok