22/12/2024

HOP E NDIHMËSMINISTËR

0
Hamza Halabaku 1

Tregim humoristik nga Hamza Halabaku

Kur u pavarësua vendi im, ishte shteti më të ri në Evropën e vjetër. Prej atëherë, ndoshta, është shtuar edhe ndonjë shtet i ri i pavarur. Nuk më kujtohet!

Pak më vonë, sapo kishte nisur muaji i pestë i atij viti, kur ishte shpallur pavarësia, kishte ndodhur ngjarja. Ishte e hëna e parë e ati muaji të vitit dy mijë e tetë të qindvjeçarit që jemi.  Ajo ditë e parë e javës kishte gdhirë me shumë të mira për të lashtat që kultivoheshin në Anën e Drinit.

Shirat e qeta e të pa ndërprera, që kishin rënë dy- tri ditë para asaj të hëne, e kishin njomur mirë tokën bujqësore. Ngrohtësia e natyrshme, nga rrezet e diellit, që ngjallnin çdo gjë që ishte mbi sipërfaqen e tokës, të atij maji, i kishin dhënë hovë të mbjellave pranverore!

Xhaviti, me shati në krah, ishte nisur te ara e quajtur “Te lumi”, sipas porosisë që i ati ia kishte lënë herët në mëngjes nënës së Xhavitit.

-Kur të zgjohet Xhaviti, nga gjumi, kishte porositur i ati, të më sjell bukën e sillës! Mos të harroj të marr edhe shatin me vete, që të më ndihmoj, se misrit do t’i kalojë koha e mihjes. Ara është mbushur me barë e gjethet e para të misrit ka filluar t’i mbulojë një ngjyrë  e verdhë!

Ara ”Te lumi” quhej kështu vetëm se ishte në bregun e majtë të lumit të kthjelltë e të qetë të asaj ane. I ati i Xhavitit ishte shumë i lumtur që e kishte atë arë se çka do që mbillte ajo i jepte rendimente të kënaqshme. Gjithnjë kur tregonte, lavdërohej për plleshmërinë e tokës së vet. Thoshte se ara e tij ishte e lehtë për ta punuar dhe se ishte shumë e bereqetshme. Çka do që ta mbjellim, jemi të kënaqur me atë që na jep ara jonë! Përherë ishte i kënaqur sepse ara jepte rendimente të mira çdo vit, çka do që ai mbillte!

Ditën që i kishte lënë porosinë i ati, Xhaviti, ishte nisur, si zakonisht, pak me vonesë, edhe pse e ëma e kishte përgatitur me kohë bukën që duhej t´ia dërgonte babait. Atë ditë duhej  ta ndihmonte babanë për ta prashitur misrin e mbjellë, edhe pse, Xhavitit, fare nuk ia kishte ëndja të merrej me punët e bujqësisë! Sipas asaj që i ati i kishte thënë në mbrëmje,  misrit jo vetëm që i kishte ardhur koha, por edhe i kishte kaluar, me që dy tri fletët e para të misrit, vërtetë,  kishin filluar të marrin ngjyrën e verdhë!

Xhaviti me babanë e tij, pasi e kishin ngrënë sillen, kishin filluar punën e herë pas here po ndërronin ndonjë fjalë mes veti. Po prashisnin dhe po bisedonin. Dorën në zemër Xhaviti edhe nuk ia kishte shumë haber shatit, sepse rrallë i kishte rënë rasti  që të ishte me babin e tij nëpër punët e bujqësisë. Ata e kishin të vetmen tokë aty, në bregun e lumit, dhe nuk ishe arë me sipërfaqe të madhe, prandaj baba më shumë i kryente vet punët bujqësore, kurse Xhaviti bënte ndonjë punë rreth shtëpisë e në të shumtën i ndihmonte të ëmës për të blerë gjërat e nevojshme për shtëpinë.

Babai i Xhavitit shpesh e këshillonte si duhet të mihet misri e si duhet të ruhen rrënjët e fasules që ishin më të rralla në rreshtat e misrit, me që e vërente se Xhaviti shpesh herë i lëndonte bimën e misrit e më shumë atë të fasules. Bile, bile, në fillim kishte menduar se ishin ndonjë barishte që duhej të hiqej nga rreshtat e misrit dhe e hiqte pa dhembje!

Xhaviti, bëhej nevrik, kur i ati ia tërhiqte vërejtjen, që të kishte kujdes gjatë mihjes me shatë, sepse, si i thoshte i ati, as misri e as fasulja e dëmtuar, nuk do të jepnin frytet e pritura!

Xhaviti  i kishte kërkuar falje t´jatit, për dëmtimin e fasules dhe i kishte premtuar se nuk do ta dëmtonte në vazhdim, se tani e kishte kuptuar se ajo ishte fasulja e jo ndonjë barë që duhej të hiqej nga radhët e misrit!

Deri sa po prashisnin dhe po bisedonin Xhaviti me babanë e tij, zilja e celularit të Xhavitit kishte rënë disa herë. Xhaviti ishte pajisur me një celularë “Samsung”, pak të përdorur, pak kohë më parë. Ai, i mbështetur në bishtin e shatit, e kishte hapur celularin dhe ishte përgjigjur.

-Urdhëroni, kishte folur, Xhaviti dhe kishte dëgjuar me kujdes folësin andej celularit “Samsung”!

-Si thua, si thua – kishte folur Xhaviti, për së dyti, i habitur, e babai i tij si i trishtuar e kishte pyetur ? – çka ndodhi bre biri im i mirë?

Xhaviti e kishte gjuajtur shatin e tij dhe kishte kërcyer dy tri herë përpjetë nga gëzimi për fjalët që kishte dëgjuar nga ana tjetër e telefonit “Samsung”!

-Po çka u bë o biri im? – e kishte pyetur i ati për së dyti.

-Baba, nesër po shkoj në Prishtinë se më kanë emëruar ndihmës të ministrit në njërën ministri të Qeverisë së Republikës së Kosovës!

-Po çfarë ministrie, o i miri i babës! Po ti nuk po din me prashit misrin e po bëhesh ndihmës ministri – i kishte thënë i ati, i habitur shumë! Bile e kishte shikuar të birin gojë hapur e pak si i trishtuar!?

-Çka po thua bre !!!

-Çelësi babi, çelësi! Deshi t’i thoshte, se shteti i Kosovës është një shtet shumë etnik dhe duhet të vendosen ministrat, zëvendësit, ndihmësit e tyre dhe personat e tjerë me “çelës”. Duhet pa tjetër, në pushtet, të përfaqësohen të gjitha etnitë, që jetojnë në Kosovë, pa marrë parasysh nivelin e diturisë së tyre! Ditën apo nuk ditën përfaqësuesit e minoriteteve duhet të jenë në institucionet e shtetit! Kanë kualifikime të larta akademike apo nuk kanë vijuar mësimet në shkollat e mesme apo në fakultete, ata duhet të jenë bashkë me të tjerët!

-Kështu është e rregulluar me Kushtetutën e këtij shteti shumetnik, babush! –  kishte folur i biri. Prandaj, baba i dashur, edhe mua më ra fati që të jem në njërën ministri të kësaj qeverie të këtij vendi. Nesër do të vishem me rrobat më të mira, me kollare e këpucë të reja. Në fund të këtij muaji do të blej rrobe e këpucë edhe më të mira se ato që i kam! Nuk i dihet, ndoshta në qeverinë e ardhshme, mund të bëhem edhe më i “madh” në njërën nga ministritë e asaj qeverie!

-Biri im i dashur, po ti ma sakatove misrin këtu në arën time, e çka do të bësh në ministri, o i miri babës!? Po aty duhet dituri, e ti nuk ia ke haber punës me laps! Duhet të kesh një shkollë të mesme të paktën, nëse nuk e ke fakultetin. E ti këto nuk i ke asnjërën o evlati im i dashur. Mos shko atje me i marrë në qafë këtë milet! Po të ishe pjesëmarrës në luftën që shkoi, hajde, hajde, ndoshta do të takonte ndonjë ndihmë materiale, po ti as nuk je pjesëmarrës i luftës as nuk ke bë shkollë  të duhur e me i ndihmua ministrit në qeverinë e vendit (!), po më duket pak si e pa kapshme …!  Po ti more bir, i merr në qafë shokët e tu. Ata nuk kanë kohë të punojnë për ty, o biri im!

-E di baba, e di, po dalëngadalë edhe unë do të mësohem…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok