22/12/2024

HISTORITË E MASAKRAVE SERBE NË DUMRE DHE SULOVË

0
u1_Ushtare-serbe-Elbasan-1913

NGA PËLLUMB GORICA

Pas Shpalljes së Pavarësisë, më 1912, e cila shënoi edhe momentin kyç për krijimin e shtetit shqiptar, ekzistenca e tij po tkurrej me shkëputje të trojeve të tjera, nga grekët në Jug, bullgarët në Lindje, serbo-malazezët në Veri-lindje. Kjo periudhë e fillimshekullit të kaluar ishte një nga momentet më të trishtuara në historinë shqiptare. Shteti i sapo krijuar shqiptar, në terësinë e tij të brishtë territoriale ku shtrihej, po krijonte institucionet që punuan për hapjen e shkollave, postë telegrafisë, të strukturave ushtarake, xhandarmarisë, etj. Ndërkohë, Qeveria e Përkohshme e Vlorës e nisi veprimtarinë diplomatike për ta njohur Shqipërinë në Evropë. Ajo protestoi pranë Fuqive të Mëdha kundër monarkive ballkanike të etura për cënimin e kufijve të Shqipërisë, me mësymjet e tyre pushtuese e shkatërruese.

Historitë e masakrave ndaj shqiptarëve, në fillim të shekullit të kaluar janë ende të paharruara e vijnë si kujtesë e një kohe tragjike. Aq të pashoqe ishin këto sa nuk mbetën pa u vënë re nga udhëtarë e studiues të huaj, e jo vetëm ata, duke përmendur fakte interesante. Ato kanë vlerë të madhe historike, sepse gjithka e shkruar mbetet. Veçse, asgjë nuk është më e dhimbëshme se kjo kohë e përgjakshme me masakra të shumta nga makuteritë e kuçedrave fqinje.

Edith Durhami, kjo mike e madhe e shqiptarëve, bëri të mundur ndërkombtarizimin e çështjes shqiptare në botë për të thënë të vërtetën e hidhur ndërmjet përshkrimit të gjallë të këtyre ngjarjeve barbare dhe kafshimeve të fqinjëve. Le të citojmë disa radhë nga botimi i saj, “Njëzet vitet e trazirave të mëdha

Gjatë kësaj kohe Shqipëria ishte e shqetësuar për vdekje. Serbët dhe Grekët si do që ishin ngopur me gjak kërkonin të thithnin edhe gjakun e saj. Nga krahinat e pushtuara na vinin lajme të dhimbshme mbi mizoritë e panumërta që bënin si serbët ashtu edhe malazezët në popullsinë shqiptare. Në Tiranë dhe në Elbasan gjenden mijëra njerëz të shkretuar, me këmbë të copëtuar dhe të këputur nga rruga. Ata janë dibranë e lumjanë të ikur prej barbarive të shkaktuara. Dhe në vend që t’i mbulonin krimet e tyre, serbët përkundrazi mburreshin me këto dhe vazhdonin të thërrisnin: Vdekje shqipëtarëve!.

Një përmbledhje të shkurtër, të këtyre ngjarjeve, i trajtoi Lef Nosi në “Dokumentat historike”. Ky libër i rëndësishëm për periudhën e fillimshekullit të kaluar, që është botuar pas viteve ’90, tregon për ecuritë kronologjike, të ngjarjeve, të shtrira në kohë e hapësirë, për figura patriotike qoftë të njohur, por edhe pak të njohur, gadishmërinë e tyre në shërbim të çështjes kombëtare, dhe vetë historinë tragjike shqiptare. Këto Lef Nosit ja mundësonte qenësia e tij në detyrën e Ministrit të parë të Postë Telegraf në Qeverinë e Përkohshme të Vlorës, dhe si një intelektual i mprehtë i gjysmës së parë të shekullit të kaluar. Po sjellim tekstualisht një pjesë nga libri në fjalë i tij, të korrespodencave të kohës, për të dhënë sadopak atmosferën e kësaj periudhe.

Vlonë, 16 Vjeshta e Tretë 1328-1912

Me anë të zyrës telegrafike t’Elbasanit

Komandantit Serb Gjeneral Metoviçit

Tyke qenë se gjithë Mbretniët e Mbretnia e Juej e pohojnë qenjen kombëtare të kombit Shqiptar, edhe ai e ka shpallë Indepedencën e Tija e i  ka njoftue zyrtarisht Mbretnivet të Mëdha, Mbretnivet të Ballkanit dhe Ministriës së Punvet të Jashtme të Serbiës, marr vesht ndashti, se Fuqia Ushtarake qi asht ndën komandën Tuej, po ecën përpara e ka vu mend me Shkelë Elbasanin. Asht e ditun se sikur shkelja e tokës Shqiptare asht kundër së drejtës, asht edhe shkelja e Elbasanit prej Jush do me thanë se kërkoni me i ngelë mbë qafë nji vendi independent, i cili nuk dishron me luftue me Serbiën. Protestoj vepërimin Tuej edhe lutem të prapseni nga ky vepërim.

Kryetari i Qeverriës së Përkohshme Indepedente Shqiptare

Ismail Qemali”

“Berat, 14 Vjeshta e tretë 1328-1912

Shërbesë telegrafike me randësië të madhe e urgjente Shkëlqesiës Tija Ismail Qemal Beut Vlorë

Sikurse ju tregova edhe ma parë, ushtria qi asht tyke ardhë pa pushim, nuk asht vetëm ajo e Trupit Ushtarak të Vardarit, por ashtë edhe e fuqiave të ndryshme. Numri i saj si duket, nuk asht sikurse ju asht thanë… Ndo nga vështirësia e mulkimit të nji shumice të jashtëzakonshme qi shtohet përditë, ndo nga vrevat e rreziqet qi mund të lejnë, pa dyshim nuk e shof në sigurim vendin. Lutemi me na tregue ç’duhet të bajmë edhe presim ma parë nga Zoti e pastaj nga Shkëlqesia e Juej, qi të shpëtojmë nga këto vreva e nga këto rreziqe. Aziz Vrioni”

Elbasan 19 Vjeshta e Tretë 1328-1912

Të Naltës Kryesië të Qeverriës së Përkohshme Shqiptare Vlonë

Pas të thanmes s’Ahmet BejMatjes, i cili erth këtu, populli i Lumës edhe nji pjesë e Malsiës së Dibrës qi asht njitë me të, të ndezun nga hymja e Serbet në Lumë me vrasje e me djegje shpiash, i kanë ndenjun kundër edhe kanë vramë afro gjashtë batalione ushtarë. Fuqiën tjetër qi ka mbetë e kanë shporrë e largue nga Luma tyke pushtue edhe disa topa e mitraloza. E ranmja e Serbvet më qafë me këtë mënyrë, nji populli qi nuk do me qënë në luftë me ‘ta asht kundër detyravet njerzore e të Drejtës Ndërkombëtare. Mirpo nji sjellje e këtillë kundrejt nji popullsie të Shqipniës sikurse asht Çermenika – qi nuk i uka bind e shtrue kurrë regjimit të parë – mendojmë se do të shkaktojë nji situatë si ajo e Lumës. Këtu, pa ditë gja Qeverria e Vendit, ushtarët Serbë po vijnë nga dhetë e nga tridhetë edhe sot a nesër pritet nji fuqië ushtarake, numrin e së cilës nuk e dimë.

Pasi situata e sotme asht tepër e padallueshme, lutemi qi tyke bame me të shpejtë hapa dipllomatike përanë kabinetevet, t’i epet nji përfundim i shpejt i çashtjes edhe të merren masa sa ma shpejt, qi ushtria Serbe të mos e konsiderojë popullin e kësaj ane si armik e si Ottoman, edhe të na bani me ditë.

Kryetari i Qeverrisë se Përkohshme të Shtetit

Indepedent të Shqipnisës n’Elbasan

Aqif Pashë Biçaku”

Në konteksin historik paraqet interes për t’u trajtuar, mungesa e shkrimit të disa ngjarjeve që kanë ndodhur. Ndonëse ka kaluar një shekull, për këto krimeve të shëmtuara të ushtrive serbe ndaj popullsisë së trevave të Elbasanit, kujtesa historike është kokëforte. Të apasionuarit pas historisë së trevës në fjalë dhe rrëfimtarë të saj kanë sjellë fakte rreth masakrave barbare të shkaktuara në krahinat e Dumresë dhe Sulovës, të cilat janë vetëm një kapitull i vogël ngjarjesh në territoret shqiptare.

Serbët, me inkursionet e tyre në fund të vitit 1912, dhe fillim të vitit 1913 kërcënuan edhe Shqipërinë e Mesme. Erdhën tek dera siç thonë shqiptarët. Në një dokument që gjendet në Arkivin Qendror Shqiptar, dosja 4/1, faqe 101 shkruhet për një njoftim nga Gramsh, më 9 mars 1913, për kryesinë e Qeverisë së Vlorës “Ushtria serbe okupoi Prefekturën e Elbasanit në dhjetor të 1912. Serbët kanë arritur deri dy orë afër Gramshit”. Përballë rrezikut që kanoste ardhja e forcave pushuese serbe u ngritën patriotët e trevës, duke hedhur kushtrimin për të grumbulluar trupa të armatosura vullnetare. Thirrjes iu përgjigjën të gjithë dhe çdo shtëpi nga këto treva dërgoi nga një luftëtar. Por, të shkruash sado shkurt për këto ngjarje duhet patjetër të përmendësh patriotët, që me ndikimin e tyre të padiskutueshëm luajtën rol të rëndësishëm në ngjarjet e historisë tonë. Nuk mund të anashkalohet kontributi i Aqif Pashë Biçakut, i cili ka meritën e kushtrimit dhe organizimit të luftëtarëve nga treva e Elbasanit për t’i paraprirë uraganit pushtues serb. Natyrisht luftëtarët e krahinave të Dumresë dhe Sulovës së bashku me ata të Vërçës, Shpatit dhe Darsisë së Peqinit nën drejtimin e Çeç Cërrikut, Beqo Gjinit, nga Sulova, i Hasan Hysës, Sul Zdravës, nga Dumreja, i Musa Cakanit, Dervish Plakës nga Shpati etj, në kohë kishin zënë shtigjet, duke parandjerë rrezikun që u kanosej. Të vendosur në kodrat e Cërrikut, Malasenit, Shtërrmenit, Gostimës, Shtëpanjës, serbët të komanduar nga gjenerali Metoviç kërkonin një rrugëkalimi drejt bregdetit për eleminimin e shtetit të sapo krijuar shqiptar. Ata bënë përpjekje të shumta për të vazhduar rrugën për në Berat e më tej në Vlorë po kudo u ndeshën me prita të banorëve. Luftëtarët nga Dumreja dhe Sulova, zunë kodrat e larta të Shalësit, Valasit, Broshkës, Gjyralës, Floqit, Banjës, Lumasit, dhe krijuan një brez mbrojtës me qëllim pengimin e përparimit të serbëve. Historitë gojore tregojnë se ata që morën pjesë në pozicionet, nuk harrojnë të ftohtin e madh, shiun që nuk pushoi për javë të tëra, mungesën e ushqimeve dhe sende të nevojshme, e sidomos mungesën e armatimeve, por ishin mjaft të vendosur për të penguar serbët. Ndonëse qëndresa dhe pjesmarrja me sakrificat e përmendura të dumrasakëve, shpatarakëve dhe sulovarëve ishte e madhe, furia serbe me anë të ekspeditave ndëshkimore hyri në Dumre dhe Sulovë, duke shkaktuar masakra ndaj popullsisë. Është për të ardhur keq që historiografia e Shqipërisë deri në fillim të viteve ’90  nuk dihet për ç’arsye, edhe pse shkroi dy rreshta rreth ngjarjes në Dumre, e deformoi vendndodhjen e saj në një vendbanim tjetër, ndërsa për ngjarjen në Sulovës nuk i ka kushtuar asnjë rresht!?. Kur historia dokumentohet, nuk ka më mirë dhe ajo nuk duhet të harrohet, por as nuk duhet të tjetërsohet, veç të përjetësohet. Le t’i bëjmë jehonë ngjarjes më barbare në trevën e Elbasanit, si ndër të shumtat në territoret shqiptare, të Allajbegut në Dumre nga studiuesi Shefqet Hysa.

Çka ngjau në Allajbeg të Dumresë që i kaloi kufijtë e barbarisë?

Në javën e fundit të marsit 1913, ushtria serbe pas përpjekjeve që bëri, vendosi të sulmoi në drejtim të Belshit. Me topa gjuajti kodrat e Shalësit, Cërrikut, Xibrrakës për të frikësuar e terrorizuar popullsinë e krahinës. Këmbsoria serbe u prit me plumba nga luftëtarët e Dumresë, të grupuar në një çetë e drejtuar nga Sulë Zdrava, Hasan Hysa dhe Abaz Bali. Përplasja qe e ashpër, duke i shkaktuar ushtrisë serbe dhjetra të vrarë e shumë të plagosur. Plagosen edhe dhjetëra luftëtarë nga Dumreja, ku vritet Kamber Xhemal Dervishi nga Belshi. Municioni i luftërarëvë nga Dumreja mbaroi dhe u detyruan të tërhiqen. Ushtria serbe e tërbuar nga humbjet vërshoi pas tërheqjes së luftëtarëve, duke bërë terror. Ajo hyri nëpër shtëpi e lagje të Shalësit dhe Belshit, duke djegur, plaçkitur bagëti, por edhe kapën e vranë burra e djem të rinj. Siç ndodh zakonisht në kushte të tilla banorët u larguan për të shpëtuar kokën në pyje nga kjo murtaje shfarosëse. Tmerri e terrorri që kishte shkaktuar ushtria serbe në gjithë zonën bëri që nuk guxonte kush të lëviste nëpër rrug, dhe kush kapnin e vrisnin në vend.Vranë disa prej tyre, por, edhe kapën shumë të tjerë, duke i terrorrizuar, të cilët i grumbulluan në kodrën e Monrës, dhe pasi zgjodhën më të rinjtë i nisën në shtabin e ushtrisë serbe të vendosur në Allajbeg. Atje i mbajtën tre ditë, duke i vënë të punonin për të hapur dy gropa të mëdha. Një pasdite vonë, i afruan tek gropat, të lidhur dhe i qëllojnë me plumba njëherësh. Sikurse të mos mjaftonte kjo i shponin me bajoneta, një për një ashtu të vrarë. Nga dyzet burra, dy me plagët që kishin marrë nuk kishin vdekur, por shpëtuan, dhe në mbrëmje pasi ushtria serbe u largua, ata të lidhur në errësirën e natës më shumë zvarrë se në këmbë rrëshqasin drejt një përroi, ku gjenden nga barinjtë e fshatit Grykësh në gjëndje gjysëm të vdekur. Ata ishin Isuf Sulë Dervishi dhe Hasan Bejte Sina, të cilët panë me sy e vuajtën në shpirt atë masakër dhe e tregonin më pas. I mjekon mjeku Cane Hoxha nga Belshi, dhe pasi u shëruan e mbijetuan edhe shumë vite ishin si dëshmitarë të  barbarisë ç’njerzore, që shkaktoi ushtria serbe në Dumre.”

Edhe pse e harruar nga historia, populli i Dumresë e përjetsoi këtë masakër në këngë:

Aqif Pasha ka çu fjalë/ Po vjen servbi me taborrë/ T’i dalim para për ta ndalë/ Rrugën t’ja presim për në Vlorë/ Në Cërrik lufton nji çetë/ Serbi me top ata me dyfekë/ Lart në kodër në Allajbeg/ Serbi bëri një mysybet/ Dyzet djem lidhur në brez/ I theri i la të gjithë mbi dhet/  Ti o kral me gjithë ushtri/  Dogje Belëshin e bani hi/ Por Dumreja s’të la kurrë/  Që në Vlorë të rrëzosh flamurë/ E gjithë bota ta mësoj/ Ç’bani serbi në këto anë/ Vrau dogji e shkatërroj/  Të zaptojë vendin nuk e lanë.”

Pa hyrë në hollësi të tjera, të fakteve të përmendura më sipër, të kësaj masakre dhe dëmeve nga ana e serbëve, le të shkruajmë edhe për ngjarjen makabre të shkaktuar në mars të 1913 në Linas të Sulovës. Është tronditëse që pushtuesi zgjedh viktimat e radhës krejtësisht të pafajshme. Prej dëshmive historike të rrëfyera ne kemi shkëputur ato të treguara nga 80 vjeçari, Sadik Metushi, nipi i atyre që u masakruan nga ushtria serbe në Linas të Sulovës. Natyrisht një rrëfim i interpretuar me emocionin e ngjyrave të kohës:

Ishte mars dhe gjethi kishte çelur në pyje. Duheshin siguru ushqimet për ditë të këqija. Duhej të mbilleshin edhe arat. Xhaxhallarët  e mi dhe të tjerë nga fisi ynë kishin shkuar në pazarin e Beratit, të shisnin djath, duhan e lëkura bagëtish, të blinin sende të nevojshme, dhe  miell e misër farë për të mbjellë arat. Në Sulovë kishte ardhur haberi që vendit i kishin msy ushtritë e huaja, greku e serbi. Në Qafën e Blirit afër Gegë së Kuçovës ushtarët serbë i kapën teksa po ktheheshin nga pazari i Beratit. Në mënyrë të rrufeshme pasi i kontrolluan, i vunë përpara, dhe duke i torturuar i dërguan në Linas, në breg të lumit  Devoll, në vendin e quajtur Dushku i Madh. Pastaj gjithçka ndodhi shumë shpejt. I masakruan barbarisht me thika e bajoneta, duke vrarë katër prej tyre: Ismail Osman Metushin, Hysen Braush Metushin, Kalem Braush Metushin, Sadik Braush Metushin. Por, Haxhi Sulo Metushi në çastin e kësaj gjëme shpëton në kacafytje e sipër me një ushtar serb, dhe si dëshmitar i kësaj ngjarje vjen në fshat, duke lajmëruar burrat që të organizohen dhe t’i ndjekin. Sapo kryen masakrën serbët ikin në drejtim të Lushnjës.”

Çuditërisht këtë ngjarje dhe emrat e këtyre burrave të pafajshëm, që ua morën jetën në mënyrë ç’njerëzore, e ka mbuluar pluhuri i harresës. As edhe një përmendore për të kujtuar masakrën e pushtuesëve serbë në krahinën e Sulovës. Dhe nuk ka gjë më të pavlerë se harresa. Ndaj, organizimi i aktiviteteve përkujtimore të këtyre masakrave rikuperon historinë e harruar nga ata që ngrohin karriket e institucioneve akademike. Mjaft është heshtur një shekull. Asnjë masakër e serbëve nuk mund të krahasohet me një tjetër, por kujtesa e barbarive serbe, janë atje, të pakundërshtueshme. Mjegulla e harresës për fatin e mirë nuk mund t’i lerë në heshtje ato dhe t’i anashkalojë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok