Historia e përdorimit dhe nëpërkëmbjes të Kuçit të Labërisë nga e majta shqiptare, nga Enver Hoxha te Edi Rama
Nga Kastriot Myftaraj
Lufta e Edi Ramës kundër kryetarit të Bashkisë së Vlorës Dritan Leli është në traditën e së majtës shqiptare të nëpërkëmbjes së burrave të Kuçit, fshatit më të madh dhe më të njohur të Labërisë. Dritan Leli është kuçiot. Kjo traditë ka nisur që me themelimin e partisë komuniste në 1941 dhe ka vazhduar në kohën e regjimit komunist.
Megjithëse Kuçi ishte fshati me kontributin më të madh në Shqipëri në luftën partizane në pëpjesitim me numrin e popullsisë, si për numrin e partizanëve ashtu edhe të dëshmorëve, Enver Hoxha nuk bëri asnjë kuçiot gjeneral.
Nga Tërbaçi, fshati i Hysni Kapos u bënë gjashtë gjeneralë. Për të rritur artificialisht kontributin e Tërbaçit në luftën partizane u sajuan dëshmorë tërbaças. Kuçiotët bënin ironi duke thënë se shumica e tërbaçiotëve që kanë qenë partizanë e kanë të vështirë ta shkruajnë biografinë e tyre. Në të vërtetë tërbaçiotët kishin qenë oportunistë dhe shumë prej tyre në pjesën më të madhe të kohës së Luftës së Dytë Botërore kishin marrë rrogën si punonjës të regjimit fashist.
Asnjë kuçiot nuk u bë anëtar i Byrosë Politike gjatë gjithë kohës së ekzistencës së këtij organi që ishte më i larti partiak, që prej vitit 1943 deri në 1991. Kur u bë Xhelil Gjoni anëtar i Byrosë Politike në 1990, kuçiotët bënin shaka duke thënë se tani erdhi radha edhe për dhëndurët e Tërbaçit që të hyjnë në Byronë Politike, por jo për kuçiotët.
Në vitin 1981, me rastin e 40 vjetorit të themelimit të partisë, u fol se në Kongresin VIII që do të mbahej atë vit do të bëhej kandidate e Byrosë Politike kuçiotja Liri Gjoliku, vajza e Heroit të Popullit Jaho Gjoliku, anëtare e Gjykatës së Lartë, e cila në të vërtetë nuk ishte as anëtare e Komitetit Qendror të partisë. Por nuk u bë as në 1981, as në 1986, në Kongresin IX.
Edhe me këtë kuçiotët bënin shaka duke thënë se në Byronë Politike hyri një karrocier podgoriçan (boshnjak) Muho Artunda (me këtë rast ndryshoi mbiemrin në “Asllani”), por nuk hyri një vajzë kuçiote.
Muho Asllani i cili ishte Sekretar i Parë i Partisë për rrethin e Shkodrës, u prek shumë nga talljet e kuçiotëve për të dhe u hakmorr ndaj një kuçioti në Shkodër, futbollistit të “Vllaznisë” dhe kombëtares shqiptare, Roland Luçi, duke e përjashtuar nga futbolli në moshën 27 vjeç në.
-Ma largoni këtë Roland Kuçin,- tha Muho Asllani.
-E ka mbiemrin “Luçi” shoku Muho.- I thanë.
-E di unë si e ka, -tha Muho Asllani që vetë kishte ndryshuar mbiemrin duke harruar se nga fisi “Luçi” kishte disa dëshmorë dhe heronj të popullit.
Madje nuk kishte asnjë kuçiot anëtar të Komitetit Qendror të partisë. Meqënëse u vu re se kjo gjë kishte bërë përshtypje të keqe, në vitet tetëdhjetë u bë anëtar i Komitetit Qendror Halil Leli, babai i Dritan Lelit, i cili ishte komisar i bazës ushtarake detare të Vlorës.
Udhëheqja e së majtës shqiptare nuk i ka dashur kuciotët se ata janë burra me karakter të fortë, prandaj I kanë pasur frikë se do t’ u marrin udhëheqjen e partisë. Kështu ka qenë në Partinë Komuniste (1941-48), në Partinë e Punës (1948-1991) dhe kështu është edhe në Partinë Socialiste (1991 deri më sot).
Kuçi, që në vitin 1941 kur u themelua Partia Komuniste ka pasur dhjetra djem të shkolluar, komunistë dhe simpatizues të komunizmit. Ndaj komunistëve kuçiotë u ndoq që në fillim një politikë ndaluese. Shumë djem dhe vajza kuçiotë që duhet të kishin qenë anëtarë themelues të PKSH u regjistruan vetëm si simpatizues, për të ulur numrin e anëtarëve të partisë nga Kuçi. Nëse do të ishte përdorur i njëjti kriter për Kuçin si për pjesën tjetër të Shqipërisë, duhet të kishte në 1941, kur u themelua partia, 200 komunistë vetëm nga Kuçi, me banim në këtë fshat ose në qytete të tjera, pra aq sa ç’ pati gjithsej partia kur u themelua.
Për kuçiotët në udhëheqjen komuniste u ruajt mendësia e vjetër se janë të mirë për xhandarë dhe zaptije. Djemtë e Kuçit u bënë oficerë e shumta të rangut të mesëm të ushtrisë, Policisë dhe Sigurimit.
Enver Hoxha, duke e ndjerë pakënaqësinë e kuçiotëve, për atë që asnjë prej burrave të tyre nuk ishte bërë gjeneral bëri një nga ato gjestet e veta duke vizituar komandantin legjendar partizan Jaho Gjoliku kur dergjej I sëmurë në shtrat dhe kur hyri në shtëpi thirri: “Ku e ke automatikun Jaho Gjoliku, shkrepe një herë!”
Jahoja mori automatikun Italian Breda-38, të varur në murin e dhomës së tij dhe e shkrepi nga dritarja e vilës ku banonte, pranë shkollës së sotme “Edith Durham”, afër ish-bllokut në Tiranë, gjithë karikatorin me dyzet fishekë. Meqënëse i dridheshin duart gjysma e plumbave shkuan në dritaret e pallatit përballë, por pa dëme se të gjithë apartamentet nga ajo anë ishin zbrazur nga banorët si masë sigurie për ardhjen e shokut Enver.
Por në momente të vështira e majta në pushtet i përdorte djemtë e Kuçit. Në tetor 1998 kur bëhej Lufta e Kosovës kishte dyshime edhe te ndërkombëtarët nëse ministri i ri I rendit publik në Qeverinë e re të Majkos, i cili ishte Petro Koçi, nga Qeparoi i Himarës, do të mund të kontrollonte situatat e vështira të rendit public që mund të krijoheshin. Shqetësim kishte edhe ambasada amerikane pasi pritej një valë refugjatësh lufte dhe ndërhyrja ushtarake e NATO-s kundër Serbisë.
Atëherë dikush në udhëheqjen e PS-së pati idenë që t’ i vemë ministrit të ri një burrë kuçiot si zëvendës, sipas mendësisë së vjetër që kuçioti është i mirë për xhandar dhe zaptije. Dhe kështu u bë zëvendësministër 34 vjeçari Veton Gjoliku. Ai ishte në atë kohë sa Edi Rama por u mënjanua nga PS megjithëse bëri shumë punë në atë kohë të vështirë.
Kështu ndodh me kuçiotët te e majta. E majta nuk ua mban shënim kontributet por dikush i regjistron të gjitha që nga 1941 deri më sot. Bashkë me naivitetin politik të kuçiotëve.