HISTORIA E NJE PROFESORI SHQIPTAR NGA KALABRIA, RUAJTJA DHE TRASHEGIMIA E GJUHES SHQIPE
Nga Albert Vataj
Kjo përvojë jetësore e kakohëshme është sa e bukur aq dhe emocionuese. Në të mishërohet shpirti i paepur shqiptar, qëndresa dhe ndedhja epike që shqiptarët i kanë bërë armikut të pamëshirshëm, asimilimit, tjetërsimit, shkombtarizimit.
Aty nga fundi i viteve gjashtëdhjetë të shekullit XX, një profesor nga Kalbaria jetonte në Paris, Luigi Giuri, ku jepte kurse të gjuhës dhe letërsisë italiane.
Fëmijët e tij flisnin shumë mirë shqip, italisht, anglisht dhe frëngjisht. Një mbrëmje, kur u kthye nga universiteti, dëgjoi që bijtë e tij bisedonin frëngjisht me njëri-tjetrin. Atëherë, mblodhi familjen dhe duke treguar derën e shtëpisë tha:
“Kjo derë mbyllet jo vetëm për të mos hyrë qentë dhe furtunat, por edhe për të mos dalë prej këtej ajo çka na përket vetëm neve. Nën këtë çati do të flitet vetëm gjuha jonë shqipe. Kurrë mos harroni se jemi shqiptarë”.
Dhe do të pyesnit ju se si kanë mundur ta mbajnë shqiptarinë të gjallë për pesëqindvjeçarë arbëreshët?
Patjetër që kjo është një nga mënyrat, një prej atyre që po bëhet vrasësi më gjakftohtë i trashëgimisë sonë. Shqipja, Shqipëria, historia dhe identiteti i saj nuk i dhanë më shumë arbëreshëve, por ata dëshmuan se e deshën më shumë atë.
Ndoshta, ajo që bëri profesori kalabrez ishte shumë më pak se ç’bëjnë sot luftërat virtuale dhe propoganda folklorike nacionale, por ai e deshi shqiptarin në shpirt, ndërsa këta e duan në flamur. Ai e bëri vepër pasioni dashurinë për kombin, këta e bëjnë plaçkë për tregjet e propogandës dhe tollovisë. Ndryshe si mund të kuptohet situata alarmante, në të cilën ndodhet integriteti i identitetit tonë.
(Në foto: Vasha arbëreshe me veshjet e tyre karakteristike gjatë një manifestimi festiv në rrugë e Parisit me rastin e inaugurimit të Sheshit “Scanderbeg”, 6-7 maj 1980, ku ishte i pranishëm stërnipi i Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti -Skënderbeu. Gjatë këtij eventi u kënduan këngë shqiptare dhe u kërcyen valle të traditës sonë, të ruajtura dhe të trashëguara me kaq fanatizëm nga arbëreshët)