23/12/2024

Harresa shoqërore dhe institucionale e dëshmorit Zejnullah Berisha!

0
Zejnullah-Berisha

Shkruan: Florim Zeqa
Sëmundja e harresës apo shlyerja e trurit, nga vende të ndryshme të botës është duke u trajtuar si sëmundje e shekullit, e emërtuar në gjuhën internacionale mjekësore “Alcaimer”.
Alcaimeri i shoqërisë kosovare, i ardhur si pasojë e egoizmit njerëzor, injorancës dhe urrejtjës ndaj njëri-tjetrit, shërimin duhet ta gjejë brenda vetvetes e jo diku tjetër.

Kush është Zejnullah Berisha?
Zejnullah (Nazmi) Berisha ka lindur lindur më 13.09.1973 në Graboc të Poshtëm, i vrarë nga forcat serbe më 26 Mars të vitit 1999 tek rrethi në Fushë-Kosovë. Tradita atdhetare e Zejnullah Berishës është e lashtë, ai e kishte të burgosur gjyshin Haxhiun në kohen e Rankoviqit për vrasje të serbëve, axhin Fidaimin të rrahur në vitin 1991, po ashtu babain Nazmiun dhe axhën Hysniun të rrahur dhe torturuar gjatë luftës në tetorin e vitit 1998.
Gjaku i derdhur i dëshmorit Zejnullah Berisha nuk është vetëm gjak personal, por është gjak i derdhur ndër breza i familjes Berisha për lirinë e atdheut.
Përveqse e pafalshme, është edhe e pandershme të harrohet dhe injorohet familja atdhetare Berisha nga Graboci i Fushë Kosovës, e cila u sakrifikua gjeneratë pas gjenerate deri tek Zejnullahu në moshën 26 vjeçare, i vrarë në marsin e vitit 1999 nga forcat pushtuese serbe në Fushë Kosovë.
Sipas të dhënave të xhaxhait të Zejnullahut, diku rreth orës 10 të datës 26 mars 1999 të rrethrrotullimi i Fushës Kosovës, një grup paramilitarësh e kanë marrë Zejnullahun në prezencën e prindit të tij, e kan futë në një xhip të blinduar dhe e kanë zbritë të shkolla “Mihail Grameno”. Aty fillimisht e kanë maltretuar dhe më pas e kanë masakruar bashkë me një grup të rinjësh shqiptarë. Më pas policia i ka marrë nga aty trupat e pajetë dhe i ka dërguar në Spitalin e Prishtinës. Pas mbajtjes disa ditore në Morg të Spitalit i kanë varros në një varrezë masive në lagjen Dragodan të Prishtinës.
Me të marrur vesh prindërit për këtë, menjëherë kanë shkuar për t’i zhvarrosur, por OSB-ja nuk i ka lejuar pa verifikim përmes analizave të ADN-së. Kësisoji, pas një kohe relativisht të gjatë, i kanë ftuar prindërit për marrjen e trupave, të cilët më pas i kanë varrosur në Fushë Kosovë.

Kërkohet nderim më i madh kombëtar për dëshmorët
Kjo është e mundur të arrihet përmes respektimit të vlerave të njëri-tjetrit, përmes dashurisë, solidaritetit, humanizmit dhe respektimit të traditave tona fisnike kulturore dhe kombëtare.
Varri i dëshmorit Zejnullah (Nazmi) Berisha dhe të tjerëve kanë mbetur në harresën e të gjithëve. Përveq familjarëve, i paprekur dhe i pa vizituar nga askush tani e 24 vite më parë!
“Të vetmit jemi ne familjarët që kohë pas kohe i sjellim lule të freskëta dhe shuajmë mallin me Zejnullahun. Jemi të indinjuar thellë në institucionet komunale dhe ato shtetëtore të cilët trajtimin e dëshmorëve të lirisë sonë po e bëjnë në mënyrë selektive; dikujt i ndërtohen lapidare dhe komplekse memoriale më paratë e taksa paguesve, ndërsa dikush tjetër po harrohet dhe anashkalohet nga kujtesa shoqërore siq është rasti i Zejnullah Berishës e shumë të tjerëve që ranë heroikisht në përballje më forcat serbe. Mbase Zejnullahu sot do të ishte i gjallë sikur të bënte atë që i kishin kërkuar paramilitarët serb, që ai fillimisht të këndonte në gjuhën serbe për “Serbinë e Madhe” apo të thoshte; “Rroftë Millosheviqi”, por në vend të kësaj ai me guxim të paparë ua kishte kthyer; “Coftë Milloshi”, gjë e cila i kushtoj me jetë”, përfundon rrëfimin xhaxhai i dëshmorit, Fidaim Berisha, ish veprimtar dhe mësimdhënës i shkollës fillore në Graboc të Poshtëm, paralele kjo e ndarë e shkollës fillore “Zejnel Salihu” e Bardhit të Madh.

Gjaku i harruar i dëshmorëve
Padyshim së harresa e dëshmorit të lavdisë sonë kombëtare në radhë të parë është shoqërore, por edhe politike. Së pari nuk ishte dashtë të harrohet nga shoqëria duke u nisur qytetarët e deri tek drejtuesit e komunës së Fushë Kosovës.
Mirëpo përgjegjësia më e madhe morale bie mbi institucionet komunale, pastaj dhe tek ato shtetërore, të cilat, dëshmorët dhe martirët e shtetit të Kosovës po i trajtojnë sipas përkatësisë partiake, rajonale dhe zonale.
Ky shkrim le të shërbejë si thirrje në ndërgjegjën e çdo qytetari të komunës së Fushë Kosovës dhe më gjerë, së heronjët dhe dëshmorët nuk janë të asnjë partie politike, feje apo rajoni, janë të të gjithëve, janë të shtetit të Kosovës.
Andaj përkujdesja ndaj varrezave të dëshmorëve është shprehje e respektit ndaj veprës së tyre, dashurisë ndaj atdheut dhe shprehje e nivelit kulturor të shoqërisë sonë në përgjithësi.
Familjarët e Zejnullahut dhe të tjerëve kërkojnë nga institucionet komunale që të ngritet një Pllakë Përkujtimore me emrat e të gjithë dëshmorëve tek rrethi në Fushë Kosovë si dhe të përjetësohen në emra rrugësh gjithandej qytetit, në përkujtim të krimeve dhe masakrave serbe në këtë komunë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok