22/12/2024

Gratë në institucionet vendimarrëse: realitet apo…?!

0
Entela-Grate

Nga Entela Binjaku

Prania më e lartë nga viti në vit e grave në politikë, në tregun e punës dhe në jetën publike ka bërë që hendeku mes gjinive në vendin tonë të vijë duke u zvogëluar. As kjo dukuri nuk i ka shpëtuar shprehjes klishe: “nuk ndodh vetëm tek ne”,  sepse sipas Forumit Botëror Ekonomik (WEF) në 10 vitet e fundit ky ndryshim nga ndodhur në shumicën e shteteve që kjo organizatë merr në studim.  Të flasësh për gruan shqiptare të shekullit XXI do të thotë të kesh njohur së paku neutralitetin e Kushtetutës sonë ku në nenin 18 përcaktohet se: “të gjithë shtetasit janë të barabartë përpara ligjit dhe se askush nuk mund të diskriminohet për shkaqe të tilla si gjinia, raca, feja… etj.  Po të shohim përfaqësimin sasior të gjinisë sonë në Kuvend aktualisht janë  41 gra deputete ose 29% e të gjithë trupës parlamentare. Ky përfaqësim ka qenë i ulët në këto vite pas kufirit historik të viteve 90.

Open Data Albania raportonte se më 1 Janar 2016, Kuvendi i Shqipërisë kishte në përbërje tridhjetë e një deputete ose 22,14% dhe se një vit më parë  në Kuvendin e Shqipërisë ishin vetëm 26 deputete duke shënuar pjesëmarrje prej 18,6%. E megjithatë pavarësisht hapave të bërë përpara, diskriminimi është një koncept me të cilin jemi mjaft të familjarizuar, kjo për shkak se të drejtat e njeriut,  mbeten në tërësi abstrakte dhe mungesa e respektit për këto të drejta,  ka çuar deri në marrje jete.

Me diskriminim kuptojmë trajtimin e ndryshëm dhe të padrejtë ndaj disave që janë pjesë e një grupi të caktuar shoqëror. Format e diskriminimitt janë të ndryshme por në thelb kanë një emërues të përbashkët që është: përjashtimi apo refuzimi.  Zakonisht kategoritë shoqërore që e vuajnë më shumë janë: gratë, të moshuarit, personat me paaftësi fizike apo edhe psikike, homoseksualët dhe emigrantët. Duke u përqëndruar tek realiteti politik, po ta mendojmë politikën si një organizatë pune do të shohim se edhe aty shumica janë të gjinisë mashkullore. Diskriminimi në një vend pune të tillë është thuajse normal dhe duket sikur edhe gratë që e kuptojnë  apo e pranojnë që kanë qenë të diskriminuara apo janë ende, janë të pakta.  Përndryshe do të kishin ndonjë përfaqësim më të shprehur dhe që nuk ndihmohej vetëm nga kuotat.

Nisur nga afrimi i zgjedhjeve lokale mbi nevojën për një theksim të rolit të gruas në një panoramë politike kryesisht monogjini,  u  mbajt në Tiranë seminari me temë:  “Fuqizimi i pjesmarrjes së grave dhe vajzave në politikë përmes reformave ligjore dhe advokimit”. Ky seminar u organizua nga Rrjeti i Grave për Demokraci – Shqipëri (Ëomen’s Democracy Netëork – ËDN Albania) që drejtohet nga Blerta Brovina.  Reforma e munguar zgjedhore dhe përfaqësimi i ulët të grave në institucionet vendim-marrëse, ishin disa nga shqetësimet që ndërmorën këtë nismë.  Në  këtë aktivitet të mbajtur në datën 19 shkurt 2019 në mjediset e hotelit “Xheko imperial” në Tiranë u diskutua mbi sfidat përpara zgjedhjeve lokale dhe reformën zgjedhore si një mekanizëm për të advokuar për rritjen e rolit të grave dhe vajzave në zgjedhjet e ardhshme.  Seminari  mblodhi në një tryezë zonja të angazhuara ne jetën publike të vendit: përfaqësuese  nga Aleanca e Grave Deputete, zonja titullare të bashkive, anëtare të Këshillave Bashkiakë, aktorë me ndikim në jetën civile të vendit etj.,  të gjithë  bashkë shprehën shqetësimin për situatën në të cilën jemi dhe atë që presim të shkojmë.

Nën shembullin e përditshmërisë, nisur nga pozicionet përkatëse, të pranishmet ndanë përpjekjet e bëra për të sfiduar një realitet aspak të lehtë ku për një grua që “nuk gjendet” partia është e gatshme të paguajë edhe një çmim! Por në takim u fol edhe për përmbushjen e 30-përqindshit që sipas Platformës së Pekinit është mëse i domosdoshëm në politikë, e sërish për këtë skenar që “mirë që është” ka edhe edhe një plan B: ai i renditjes në mënyrë të atillë që fitorja dhe zona e komfortit të jenë për një përfaqësues nga gjinia tjetër. Tërheqja e  grave kur krijohet mundësia e përfaqësimit në institucion, afrimi në to i figurave që me realitetin në terren kanë pak apo aspak njohje, apo edhe vetëdija se pavarësisht se çfarë do të dëshironin gratë si gjysma e kësaj popullsie, as në këto zgjedhje nuk është se do të ndryshojë ndonjë gjë…ishin disa nga temat e diskutuara.  Reforma zgjedhore dhe amendimet e kodit zgjedhor për zgjedhjet e 2019,  kuotat partikake për forcimin e mekanizmave partiakë ligjorë për fuqizimin e grave e vajzave ne partitë politike shqiptare,  ndikimi i reformës territoriale në përfaqësimin e zonave rurale ishin disa nga fjalët kyç të këtij seminari.

Rinia si shpresa e vendit për përparimin politik,  puna e komisionerit antidiskriminim, klima stigmatizuese çdo herë që në dritën e publikut del një grua, (pa)siguria e grave shqiptare në një mjedis që reflekton ngritjen e ulët kulturore të shoqërisë, në një mjedis ku shkolla shqiptare përgjegjëse për edukimin ka njohur regres, ku vetë gratë kanë mbetur në dimensione të ulta të zhvillimit kulturor, ku “luftës” brenda llojit i shtohet edhe ajo e gjinisë tjetër, në një shoqëri që paragjykon sa herë në një pozicion të lartë vjen një grua me parametra fizikë të bekuar, por edhe paaftësia dhe përdorimi i të tjerave që ka krijuar mosbesim në radhët e shoqërisë,  nuk mbetën pa u diskutuar.

Për sociologët nuk është edhe aq fakti në vetëvehte që përbën interes studimor, por se sa ky fakt përbën një shembull të sjelljes njerëzore.  Shembujt nga jeta e gruas shqiptare janë sa të larmishëm, aktualisht edhe aq të bujshëm, dhe flasin për një pozitë  inferiore, pre e paragjykimit të gjithanshëm që buron edhe  nga stereotipizimet karakteristike për psikologjinë tonë shoqërore.  Aktualiteti shqiptar është i mbushur me statistika, që përshkallëzohen nga  gratë e vrara, e deri ato të dhunuarat, nga gratë e shfrytëzuara e deri tek ato që fyhen përditë, dukuri  kjo që as nuk statistikohet. Vetëm në këto 40 ditët e fundit 5 gra kanë humbur jetën si rezultat i krimit brenda familjes që u shtohen të tjerave të pasqyruar në opinion vitet e mëparshme.

Diskriminimi si pjesë e mendësisë nis që në familje kur ende edukohemi me: “Ti nuk je njëlloj si yt vëlla”…Abortet e larta selektive flasin për parapëlqime që e lënë jashtë gjininë femërore, në publik dëgjon shpesh: ”Epo, unë grua jam, nuk jam njëlloj me burrat”…dhe kështu siç pohohej  në fillimet e shekullit XX, kështu pohohet edhe në fillimet e shekullit XXI.

Shqipëria ka njohur ndryshime të  pozitës së gruas, por ende në të shumtën e herëve pohimet që i takojnë një shekulli më pare,  mbeten aktuale.

Shpesh edhe grave ju mungon vullneti për të lobuar më fort për të avancuar proceset e arritjes së barazinë gjinore edhe ne aspektin elektoral e politik. Publicisti Safet Butka (1901-1943) pohonte se “keqpërdorimi që i është bërë grave në të shkuarën, ua ka hequr atyre besimin dhe ua ka shuar vullnetin”.  A nuk aktual ky pohim edhe sot?

Por duke mos mbetur në krahasim me vetëveten, një  bashkëkohës i Safet Butkës, fitues i Nobelit në letërsi Anatole France, (1844- 1924) shfaqte një tjetër mendësi kur pohonte se ”gruaja është edukuesja e madhe e burrit. Ajo i mëson atij disa virtyte të çmuara siç janë  mirësjellja dhe krenaria; disave si të jenë të pëlqyeshëm;  por të gjithëve ju mëson si të mos jenë të papëlqyeshëm”. Në realitetin Evropian të shek XXI roli i grave, megjithë ndryshimet nga vendi në vend, ka arritur nivele të atilla që janë të panjohura për nivelin tonë  kulturor dhe psikologjinë tonë shoqërore.

Shpesh harrohet edhe prej vetë grave se ato mund të ndryshojnë pozitat e tyre në shoqëri dhe nuk duhet të presin thjesht përmes kuotave, që burrat t’u lëshojnë  vendin. Sepse çdo fitore e grave për arritjen e të drejtave të tyre, në vetëvete është sanksionim i virtyteve dhe të drejtave të saj në shoqëri.

Sociologu gjerman Georg Simmel, (1858 – 1918) thoshte se:  “Burrat dhe gratë… me kalimin e kohës  kanë krijuar profile të ndryshme, por përfundimi është i njëjtë: nga njera anë kërkojnë të theksojnë individualitetin, dhe nga ana tjetër synojnë pranimin e tyre nga ana e shoqërisë”.  Pra ai fliste për respekt pa tjetërsimin e tipareve gjinore, apo sjelljeve të secilës gjini.  Ku jemi ne me respektin apo me origjinalitetin e tipareve tona gjinore?

Respekti lidhet edhe me përfshirjen më të lartë të gruas në proceset vendim-marrëse sepse kjo do të nënkuptonte edhe rritjen e ndjeshmërisë ndaj çështjeve gjinore, do të ndihmonte në frenimin e dhunimit të gruas,  do ti vinte në ndihmë promovimit të kujdesit ndaj saj dhe fëmijëve duke kontribuar në përmirësimin e qeverisjes si në nivel qëndror, ashtu edhe në atë lokal…që siç është edhe presim të ndodhë…mbetet ende një realitet imagjinar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok