13/06/2026

“Gjuha shqipe është trashëgimia më e çmuar që mund t’ua lëmë fëmijëve tanë”

0
Doruntina-Demelezi

Bisedë me mësuesen Doruntina Demelezi për sfidat dhe rëndësinë e mësimit plotësues të gjuhës shqipe në Zvicër.

Nga Nexhmije Mehmetaj

Shkëmbimi i përvojave ndërmjet mësuesve është një nga mënyrat më të vlefshme për ngritjen e cilësisë së mësimit plotësues të gjuhës shqipe në diasporë. Me këtë qëllim, pata kënaqësinë të takohem në Gjenevë me mësuesen e gjuhës shqipe në Nyon të kantonit Vaud, Doruntina Demelezi.

Gjatë takimit biseduam për sfidat dhe mundësitë e mësimit shqip në diasporë, për metodat bashkëkohore të mësimdhënies dhe për rëndësinë e bashkëpunimit profesional ndërmjet mësuesve. Në mungesë të trajnimeve dhe seminareve të rregullta për mësuesit e diasporës, shkëmbimi i përvojave mbetet një mbështetje e rëndësishme që sjell përfitime të ndërsjella.

Doruntina Demelezi është një mësuese e përkushtuar, plot energji dhe vullnet për punë, e cila kontribuon me përkushtim në ruajtjen e gjuhës dhe identitetit shqiptar te brezat e rinj. Në vijim sjellim bisedën tonë për sfidat, arritjet dhe vizionin e saj për të ardhmen e mësimit shqip në Zvicër.

NM: Zonja Dorontina, fillimisht na tregoni pak për veten dhe rrugëtimin tuaj në mësimdhënie.

DD: Jam e diplomuar në Fakultetin e Edukimit të Universitetit të Prishtinës, në programin Bachelor për Arsimin Fillor. Pas përfundimit të studimeve, fitova përvojën time të parë profesionale në Kosovë, duke punuar në shkollën “Dëshmorët e Vitisë”, ku pata mundësinë të zhvilloja aftësitë e mia pedagogjike dhe të përforcoja pasionin për mësimdhënien.

Që nga shtatori i vitit 2022 jetoj dhe ushtroj profesionin tim në Zvicër, konkretisht në Nyon, ku jam e angazhuar në mësimin plotësues të gjuhës shqipe. Puna me fëmijët e diasporës është një përvojë e veçantë dhe shumë domethënëse për mua, pasi përveç mësimit të gjuhës, kontribuoj edhe në ruajtjen e identitetit, kulturës dhe traditave shqiptare tek brezi i ri.

NM: Çfarë ju motivoi të angazhoheni në mësimin plotësues të gjuhës shqipe në Zvicër?

DD: Më ka motivuar dëshira e madhe për të punuar me fëmijët dhe për të dhënë kontributin tim në ruajtjen dhe kultivimin e gjuhës shqipe. Gjuha jonë e lashtë është një nga thesaret më të çmuara të identitetit tonë kombëtar. Ajo është ruajtur ndër shekuj me shumë sakrifica dhe në rrethana të vështira, prandaj ne kemi përgjegjësinë që këtë pasuri ta përcjellim te brezat e rinj.

NM: Sa nxënës ndjekin aktualisht mësimin shqip në Nyon dhe nga cilat treva shqiptare vijnë ata?

DD:Aktualisht, mësimin plotësues të gjuhës shqipe në Nyon e ndjekin 53 nxënës. Për të siguruar një mësim sa më cilësor dhe të përshtatur me nevojat e secilit nxënës, ne jemi dy mësuese, unë dhe Arbërie Vranoci, dhe i kemi ndarë fëmijët sipas niveleve të njohurive dhe moshës së tyre.

Shumica e nxënësve janë me prejardhje nga Kosova, ndërsa një numër i konsiderueshëm janë fëmijë të familjeve shqiptaro-zvicerane. Kjo e bën punën tonë edhe më sfiduese, por njëkohësisht shumë të bukur, pasi secili nxënës sjell përvoja të ndryshme gjuhësore dhe kulturore.

Pavarësisht se janë rritur në një mjedis shumëgjuhësh, fëmijët tregojnë interes të madh për të mësuar gjuhën shqipe. Përmes mësimit përpiqemi jo vetëm t’u zhvillojmë aftësitë gjuhësore, por edhe t’i afrojmë me kulturën, historinë dhe vlerat tona kombëtare, në mënyrë që të ruajnë lidhjen me rrënjët e tyre.

NM: Sa e rëndësishme është ruajtja e gjuhës amtare për fëmijët shqiptarë që rriten larg atdheut?

DD: Ruajtja e gjuhës amtare është jashtëzakonisht e rëndësishme për fëmijët shqiptarë që rriten larg atdheut, sepse gjuha është themeli i identitetit të tyre kulturor dhe kombëtar. Përmes gjuhës, fëmijët krijojnë lidhje më të forta me familjen, me traditat, historinë dhe origjinën e tyre.

Njohja dhe përdorimi i gjuhës shqipe i ndihmon ata të komunikojnë me gjyshërit, të afërmit dhe bashkëkombësit e tyre, duke ruajtur kështu lidhjet familjare dhe shpirtërore me vendin e prejardhjes. Në të njëjtën kohë, studime të shumta tregojnë se fëmijët dygjuhësh zhvillojnë aftësi më të mira komunikuese dhe njohëse.

NM: Çfarë roli luajnë prindërit në ruajtjen dhe zhvillimin e gjuhës shqipe tek fëmijët e tyre?

DD: Për ne, si mësues të diasporës, mësimi i gjuhës shqipe nuk ka të bëjë vetëm me mësimin e leximit dhe shkrimit, por edhe me kultivimin e ndjenjës së përkatësisë dhe krenarisë për rrënjët tona. Sa më mirë ta njohin fëmijët gjuhën amtare, aq më të forta do t’i kenë themelet e identitetit të tyre dhe aq më lehtë do të ndërtojnë ura mes kulturës shqiptare dhe asaj të vendit ku jetojnë.

Prindërit kanë rolin më të rëndësishëm në ruajtjen dhe zhvillimin e gjuhës shqipe tek fëmijët e tyre. Familja është shkolla e parë e fëmijës dhe gjuha që flitet në shtëpi ndikon drejtpërdrejt në formimin e tij gjuhësor dhe kulturor. Nëse prindërit komunikojnë vazhdimisht në shqip me fëmijët, ata krijojnë bazën më të fortë për mësimin dhe përdorimin e gjuhës amtare. Po ashtu, dërgimi i fëmijëve në mësimin plotësues të gjuhës shqipe dhe bashkëpunimi i ngushtë me mësuesit janë faktorë shumë të rëndësishëm për suksesin e tyre.

NM: Sa bashkëpunim keni me prindërit dhe si e vlerësoni përkushtimin e tyre ndaj mësimit shqip?

DD: Kemi një bashkëpunim shumë të mirë me prindërit dhe e konsiderojmë atë një nga faktorët kryesorë të suksesit në mësimin plotësues të gjuhës shqipe. Prindërit tregojnë interes të vazhdueshëm për ecurinë e fëmijëve të tyre, janë të gatshëm të komunikojnë me ne dhe të mbështesin aktivitetet që organizojmë gjatë vitit shkollor..

Ne besojmë se rezultatet më të mira arrihen atëherë kur mësuesi, nxënësi dhe prindi bashkëpunojnë ngushtë. Pikërisht ky partneritet na ka ndihmuar të krijojmë një mjedis pozitiv mësimor, ku fëmijët ndihen të motivuar dhe krenarë për gjuhën e tyre amtare.

NM: Në mësimin shqip sa rëndësi i kushtoni njohjes së historisë, kulturës dhe traditave shqiptare?

DD:  Përveç mësimit të gjuhës shqipe, rëndësi të veçantë i kushtojmë edhe njohjes së historisë, kulturës dhe traditave shqiptare, sepse ato janë pjesë e pandashme e identitetit tonë kombëtar. Ne synojmë që nxënësit të mos mësojnë vetëm të lexojnë dhe të shkruajnë shqip, por edhe të njohin rrënjët e tyre, figurat historike, ngjarjet e rëndësishme, zakonet dhe vlerat që kanë përcjellë brezat shqiptarë ndër shekuj.

NM: A organizoni aktivitete kulturore, festa kombëtare apo projekte që i afrojnë nxënësit me identitetin e tyre shqiptar? Mund të na tregoni ndonjë shembull?

DD: Sigurisht. Përveç procesit mësimor, një pjesë shumë e rëndësishme e punës sonë janë aktivitetet jashtëshkollore, të cilat i ndihmojnë nxënësit të afrohen më shumë me gjuhën, kulturën dhe identitetin e tyre shqiptar.

Gjatë vitit organizojmë aktivitete të ndryshme kulturore dhe artistike, si festimin e datave të rëndësishme kombëtare, programet për 28 Nëntorin- Ditën e Flamurit, 17 Shkurtin, si dhe veprimtari të tjera që lidhen me traditat dhe kulturën shqiptare. Në këto aktivitete nxënësit recitojnë poezi, interpretojnë këngë e valle shqiptare dhe prezantojnë punime të ndryshme që pasqyrojnë njohuritë e tyre për historinë dhe kulturën kombëtare.

Po ashtu, zhvillojmë projekte edukative që i nxisin fëmijët të hulumtojnë për figurat e shquara shqiptare, për traditat e krahinave të ndryshme dhe për vlerat që na identifikojnë si komb. Këto aktivitete jo vetëm që e bëjnë mësimin më tërheqës, por forcojnë edhe ndjenjën e përkatësisë dhe krenarisë për origjinën e tyre shqiptare.

NM: Çfarë mbështetjeje mendoni se nevojitet më shumë për ta forcuar dhe zgjeruar këtë mision arsimor?

DD: Për ta forcuar dhe zgjeruar misionin e mësimit plotësues të gjuhës shqipe në diasporë, nevojitet një mbështetje më e madhe institucionale dhe profesionale. Një ndër nevojat më të rëndësishme është dërgimi i teksteve shkollore nga Kosova ngase ka dy vjet që tekstet na mungojnë. Po aq i rëndësishëm është organizimi i rregullt i trajnimeve për mësueset, ashtu siç ndodh me kolegët tanë në Kosovë dhe në trojet e tjera shqiptare.

Një rol të rëndësishëm kanë edhe shoqatat, komuniteti shqiptar dhe prindërit, të cilët me përkrahjen e tyre mund të kontribuojnë në rritjen e numrit të nxënësve dhe në ndërgjegjësimin për rëndësinë e mësimit të gjuhës amtare.

Mësimi plotësues i gjuhës shqipe nuk është vetëm një proces arsimor, por edhe një mision kombëtar. Prandaj, sa më e madhe të jetë mbështetja institucionale dhe shoqërore, aq më të mëdha do të jenë mundësitë për ta ruajtur dhe përcjellë gjuhën shqipe te brezat e ardhshëm në diasporë.

NM: Si e shihni të ardhmen e mësimit plotësues të gjuhës shqipe në kantonin Vaud dhe në Zvicër në përgjithësi?

Shpresojmë që institucionet e Kosovës do t’i kushtojnë më shumë vëmendje mësimit plotësues të gjuhës shqipe në diasporë dhe ta shtrijnë dorën e mbështetjes drejt fëmijëve të mërgimtarëve. Këta fëmijë janë pjesë e pandashme e kombit tonë dhe një urë e rëndësishme lidhëse ndërmjet vendit ku jetojnë dhe atdheut të prindërve të tyre.

Ruajtja e gjuhës shqipe tek brezat e rinj në diasporë nuk është vetëm përgjegjësi e familjeve dhe e mësuesve, por edhe një interes kombëtar. Fëmijët që e njohin dhe e flasin gjuhën amtare janë një pasuri e çmuar për Kosovën dhe për gjithë kombin shqiptar, sepse ata ruajnë lidhjen me rrënjët e tyre dhe nesër mund të japin kontribut të rëndësishëm në fusha të ndryshme për vendin e origjinës.

Prandaj, do të ishte e mirëpritur një mbështetje më e madhe institucionale për shkollat shqipe në diasporë, për mësuesit dhe për nxënësit, në mënyrë që ky mision i rëndësishëm arsimor e kombëtar të vazhdojë me sukses edhe në të ardhmen.

NM: Cili është mesazhi juaj për prindërit shqiptarë që ende hezitojnë t’i regjistrojnë fëmijët në mësimin plotësues të gjuhës shqipe?

DD: Mesazhi im për prindërit shqiptarë është që ta shohin mësimin plotësues të gjuhës shqipe si një investim të çmuar për të ardhmen e fëmijëve të tyre. Gjuha amtare nuk është vetëm një mjet komunikimi, por edhe çelësi që i lidh fëmijët me identitetin, kulturën, historinë dhe rrënjët e tyre.

Shpesh dëgjojmë se fëmijët kanë shumë angazhime ose se mjafton të kuptojnë shqipen në familje. Megjithatë, të folurit, të lexuarit dhe të shkruarit në gjuhën amtare kërkojnë mësim dhe ushtrim të vazhdueshëm në shkollë. Fëmijët që mësojnë shqip nuk humbin asgjë nga integrimi i tyre në shoqërinë zvicerane; përkundrazi, ata pasurohen me një gjuhë dhe një kulturë më shumë.

I ftoj të gjithë prindërit që ende hezitojnë t’i regjistrojnë fëmijët në mësimin shqip, t’u japin atyre këtë mundësi të vyer. Nesër fëmijët do t’u jenë mirënjohës që ua ruajtën këtë pasuri të çmuar. Gjuha shqipe është trashëgimia më e bukur që mund t’ua lëmë brezave të rinj dhe një urë e fortë që i lidh ata përgjithmonë me origjinën e tyre.

Gjenevë, 10. 06. 2026

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

YouTube
YouTube
Tiktok