18/08/2026

ÇËSHTJA E SHËN NAUMIT DHE E VERMOSHIT (1921 – 1926)

0
Xhelal-Zejneli1

“MARRËVESHJE” TRAGJIKE NË DËM TË SHQIPTARËVE

Nga Prof. Xhelal Zejneli

Është një konflikt midis Shqipërisë dhe Mbretërisë Serbe-Kroate-Sllovene për përkatësinë e Shën Naumit dhe të zonës së Vermoshit. Ky konflikt ka lindur nga interpretimi i vendimit të Konferencës së Londrës të datës 11 gusht 1913, që i kishte përfshirë ato brenda kufijve të Shqipërisë. Edhe Konferenca e Ambasadorëve në Paris, me vendimin e saj të 9 nëntorit të vitit 1921 rinjohu Shqipërinë si shtet të pavarur dhe tërësinë tokësore të saj, në pajtim me vendimet e Konferencë së Londrës. Për përcaktimin në vend të kufijve, Konferenca e Ambasadorëve në Paris ngriti një komision (Komisioni i kufijve) i cili u gjend përpara pretendimeve të qeverisë së Beogradit, sipas të cilave Vermoshi dhe Manastiri i Shën Naumit duhet të përfshihen në kufijtë jugosllavë.

Ndërkohë, pala shqiptare mbronte vendimin e Konferencës së Londrës. Për zbatimin e vendimeve të Fuqive të Mëdha në Konferencën e Parisit për kufijtë e Shqipërisë, Lidhja e Kombeve krijoi gjithashtu një komision hetimor të paanshëm. Të dy komisionet u shprehën në favor të Shqipërisë.

Pasi shqyrtoi konfliktin, Konferenca e Ambasadorëve më 6 dhjetor 1922 vendosi që Shën Naumi të përfshihej në kufijtë e shtetit shqiptar. Në 4 shtator 1924, këtë vendim Lidhja e Kombeve ia përcolli për gjykim juridik Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës, e cila e vlerësoi të rregullt.

Megjithëkëtë, fundi i vitit 1924 e gjeti konfliktin të hapur për shkak se pala jugosllave e kundërshtoi vendimin e Konferencës dhe nuk e pranoi vlerësimin e Gjykatës Ndërkombëtare.

Në janar të vitit 1925, Ahmet Zogu iu drejtua Konferencës së Ambasadorëve me kërkesën që të rishqyrtohet çështja e përcaktimit të kufirit shqiptaro-jugosllav. Ky ishte një lëshim që bënte qeveria shqiptare për ndihmën e dhënë nga qeveria e Mbretërisë Serbe-Kroate-Sllovene, për rikthimin e Ahmet Zogut në fuqi.

Konferenca kërkoi që për çështjet kufitare të diskutueshme, dy qeveritë të angazhohen për të arritur marrëveshje.

Pas bisedimeve të gjata midis dy palëve, u arrit marrëveshje përkatëse. Qeveria dhe parlamenti i Shqipërisë pranuan t’ia lëshonin Jugosllavisë Shën Naumin dhe Vermoshin.

Në këmbim të tyre, Shqipëria do të përfitonte në kufijtë e saj fshatin e Peshkëpisë me 60 shtëpi dhe 300 frymë, fushën e Çërravës dhe disa sipërfaqe të tjera të vogla në zonën e Pogradecit.

Protokolli mbi kufijtë e Shqipërisë u nënshkrua në Firence më 26 korrik 1926, nga anëtarët e Komisionit të kufijve dhe nga përfaqësuesit e Shqipërisë, të Jugosllavisë dhe të Greqisë. Kjo marrëveshje njihet si “Protokolli i Firences – 1926.”

Më 30 korrik 1926, Konferenca e Ambasadorëve në Paris, bashkë me këta përfaqësues, nënshkruan aktin përfundimtar të përcaktimit të kufijve, të regjistruar më pas edhe në Lidhjen e Kombeve.

*   *   *

Manastiri i Shën Naumit – është një nga manastiret më të njohura. Ndodhet dhjetë kilometra në lindje të Pogradecit, në bregun lindor të liqenit. Manastiri i kushtohet kryeengjëllit Mëhill. U ndërtua rreth vitit 900 nga Naumi, i cili punoi, vdiq dhe u varros atje në vitin 910. Nga kisha e vjetër kanë mbetur vetëm themelet në trajtë trikonke (trifletësh). Kisha e sotme është ngritur mbi të parën rreth shekullit XVI. Në të gjenden edhe fragmente freskash të piktorit të shekullit XVI Nikollës së Onufrit. Vlerë të veçantë ka ikonostasi prej druri i zbukuruar me gdhendje të stilizuara dhe me ikona të vitit 1711 të Konstandin Jeromonakut*, piktor i fundit i shekullit XVII dhe i fillimit të shekullit XVIII i cili ka punuar në zonën e Korçës (Vithkuq, Voskopojë) dhe Elbasan. Shquhet për elemente baroke perëndimore, të cilat ushtruan ndikim te piktorët e mëvonshëm. Piktura murale e kishës është vepër e vitit 1806 e Tërpo Korçarit*, i biri i Athanas Zografit* Është e pikturuar edhe kisha e vogël, një ndërtim i mëvonshëm. Në brezin e sipërm shtjellohet cikli i mrekullive të Naumit, ndërsa poshtë janë figurat në këmbë. Mbi arkivolin e Naumit, në një kompozim origjinal, paraqitet vdekja e tij. Midis figurave që vajtojnë, dallohet Klementi i Ohrit*. Shën Naumi ka pasur një bibliotekë të pasur që u dogj bashkë me konakët e murgjve.

ShënimKostandin Jeromonaku ka qenë piktor dhe murg i ikonografisë pasbizantine i shekullit XVIII. Zhvilloi veprimtari rreth viteve 1692–1726. Punoi kryesisht në Voskopojë dhe në zonat përreth, duke krijuar ikona në dru me stil të veçantë.

ShënimTërpo Korçari (i njohur si Tërpo Zografi) ka qenë piktor, ikonograf dhe krijues freskash. I përket fundit të shekullit XVIII dhe fillimit të shekullit XIX. Lindi në Korçë. Ishte i biri i ikonografit të njohur Kostandin Zografit*. Vazhdoi traditën artistike të familjes Zografi. Punoi në vitet 1782 – 1819. Në veprat e tij shpesh shkruante: “Tërpo me dorën e tij, si djali i piktorit Konstandin nga Korça”.

Shënim: Vëllezërit Kostandin Zografi dhe Athanas Zografi ishin piktorë shqiptarë të shekullit XVIII nga Dardha e Korçës. Konsiderohen piktorët më të shquar të artit të ikonave shqiptare pasbizantine të shekullit XVIII dhe përgjithësisht të rajonit të Epirit.

ShënimKlementi i Ohrit (840-916) ka qenë peshkop bullgar, i nderuar nga kisha ortodokse dhe katolike, i nderuar si shenjtor. Në kalendarin gregorian kujtohet më 27 korrik kurse në atë julian më 9 gusht.

*   *   *

Me marrëveshjen dypalëshe të vitit 1926 ndërmjet qeverisë së Mbretërisë Serbo-Kroate-Sllovene dhe qeverisë së Ahmet Zogut (1895-1961), manastiri i Shën Naumit dhe territori i tij i kaluan asaj mbretërie. Sot i përkasin Maqedonisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

YouTube
YouTube
Tiktok