23/12/2024

Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, kreshta më e lartë e vetëdijes sonë kombëtare

0
Kastrioti-Skenderbeu

SOT NË 555-VJETORIN E VDEKJES

Nga Albert Vataj

Ai, vepra dhe emri i të cilit do të shndërrohej në legjendë, do t’i përkiste përjetësisë, siç ishte dhe mbeti të gjallët e tij nga më të zëshmit kushtrime të ekzistencës sonë në histori.

Ishte 17 janari i vitit 1468, kryezoti i Arbërisë do të ndërroi jetë në moshën 63-vjeçare në vitin e 24 të mbretërimit.

– Mblidhuni, mblidhuni të gjithë o princër e sundimtarë arbëror.

Sot u bënë copë dyert e Epirit dhe Maqedonisë, sot u rrëzuan muret dhe fortesat tona, sot fluturoi tërë forca dhe fuqia jonë, sot u përmbysen fronet dhe pushtetet tona, sot u shua krejt së bashku me këtë njeri çdo shpresë jona, i tha këto fjalë Lekë Dukagjini me të dhënë lajmin për vdekjen e Skënderbeut.

Trupi i tij u varros në kishën e Shën Kollit në Lisus. Ceremonia e lamtumirës ishte e denjë për një mbret. Erdhën nga çdo kënd i botës të dërguar dhe ngushëllime që paqësonin plagën e kësaj humbje të rëndë që kishte pësuar Arbëria.

…atë natë- shkruan Marin Barleti në “Histori e Skënderbeut”, që ushtria turke dhe barbare mori arratinë, Skënderbeut, pas pendimit të shenjtë dhe rrëfimit dhe pas misteresh të tjera kishtare që i bëri me respektin e duhur, vdiq duke e dorëzuar veten dhe shpirtin Zotit të madh, më 17 janar të vitit 1466, -pra sot 555 vite më parë.

Skënderbeu, vijon Barleti, thuhet se u nda këso jete në moshën 63-vjeçare, në vitin e 24 të mbretërimit të tij.

Kur e dëgjoi se po qanin të vdekurin, Lekë Dukagjini, princi epirot, doli me vrap në mes të pazarit dhe me fytyrë të pikëlluar e më zë të mbytur tha, duke shkulur mjekrën dhe flokët: “Mblidhuni, mblidhuni me vrap të gjithë o princër e sundimtarë arbëror. Sot u bënë copë dyer e Epirit dhe të Maqedonisë, sot u rrëzuan muret dhe fortesat tona, sot fluturoi tërë forca dhe fuqia jonë, sot u përmbysën fronet e pushtetit tonë, sot u shumë krejt së bashku me këtë njeri çdo shpresë e jona.”

Gjithashtu, gjatë kohës që ai (Skënderbeu) po vdiste, kali, të cilin e shalonte kur e kishte për tu përleshur, u bë aq shumë i egër, i tërbuar dhe i pafrenueshëm, saqë s’donte të mbante më njeri mbi shpinë dhe pas pak mbaroi edhe ai.

Historia e Skënderbeut është themeli i të gjithë historive, të cilat tregojnë shtegun përnga ka kaluar populli ynë në udhën e gjatë të qëndresës dhe qytetërimit, rrugëtim i cili është i shtruar me sakrificat më sublime dhe blatimet më të shenjta. Figura e Heroit Tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu është një nga më madhështoret e gjithë asaj rrëfenje që ka ardhur deri në ditët tona. Nuk kishte më të lavdishme deri atëherë dhe nuk do të kishte derimtash një gjurmë yjesh në shkrepëtimën shëmbëllimit të dritës së hyjnis. E tillë është historia e këtij zemërluani, mendjendrituri dhe strategu të shquar të artit të luftës. Të tilla janë bëmat dhe trimëritë, urtësitë dhe gjenialitetet e zgjidhjeve vendimtare për fatin e luftës dhe lirisë. Ai ka kapluar kufinjtë e legjendës, sepse e këtyre përmasave ishte ardhja e tij.

Ariçka, mes të vërtetës dhe trillit është një kufi ndarës, shpesh i padukshëm, imagjinar si një sprovë e kureshtisë dhe ëndjes që sëmbon njohjen dhe përjetimin e atyre ngjarjeve, atyre episodeve që në vetvete përbëjnë vetë historinë e epokës së ndritur të Skënderbeut.

Skëndërbeu, ai ishte një e vërtetë e ndritshme në sytë tanë dhe në historinë e botës. Ai është një kapitull sakrificash dhe lavdie, luftrash të përgjakshme dhe përpjekjesh të paepura për të dëshmuar të drejtën e triumfit.

Skënderbeu ishte dhe mbeti kreshta më e lartë e historisë së shqiptarëve.

Gjergj Kastrioti Skënderbeu është, pa dyshim, ashtu siç e ka përcaktuar, më 1925, historiani i dëgjuar kroat Milan Šufflay “krijesa më hyjnore i kësaj race më të tmerrshme luftëtare, i cili që kur ishte gjallë u madhërua me legjenda të ndryshme nga Evropa Perëndimore. Arësyeja e këtij madhërimi të veçantë rrjedh: ngase Skënderbeu në krye të shqiptarëve përballoi furinë osmane në një kohë kur Evropa përjetonte një nga momentet më kritike të historisë së saj mesjetare. Armatat perandorake osmane, të pajisura me një energji të pashtershme luftarake, me në krye dy nga sulltanët më ambiciozë të Turqisë, pasi kishin përfunduar pushtimin e Gadishullit Ballkanik, iu turrën Hungarisë, për të çarë rrugën drejt Evropës Qendrore dhe Shqipërisë për të kaluar nga brigjet e saj në Gadishullin Italik. Përballë këtij rreziku serioz, fuqitë evropiane, në mënyrë të veçantë shtetet italike, qenë thellësisht të përçara. Në vend që të bashkoheshin për t’i bërë ballë bashkërisht rrezikut të madh, ato vazhdonin të luftonin midis tyre dhe të grindeshin me njëri-tjetrin, duke lehtësuar kështu vrullin pushtues të armatave osmane. Si rrjedhim, roli i Shqipërisë në këtë situatë dramatike ishte i barabartë me atë të Hungarisë. Të dy palët, si hungarezët, të udhëhequr nga Huniadi, ashtu edhe shqiptarët, të udhëhequr nga Skënderbeu, me rezistencën e tyre heroike penguan për disa dhjetëvjeçarë përparimin e sulltanëve, të parët drejt Evropës Qendrore, të dytët drejt Gadishullit Italik.

Si rrjedhim, me rezistencën e tyre ato u dhanë mundësi shteteve evropiane të kapërcenin përçarjet që kishin midis tyre dhe të përgatiteshin për të përballuar, ashtu siç e përballuan më vonë, valën e invazorëve lindorë. Për këtë rol historik që luajti Shqipëria dhe Skënderbeu, krerët e shteteve të Evropës ishin të ndërgjegjshëm që kur ishte gjallë Heroi. Ky rol u duk që në vitin 1450, kur sulltan Murati II erdhi në Shqipëri në krye të mbarë ushtrisë perandorake për të hapur rrrugën drejt Gadishullit Italik. Por siç dihet, atë vit ushtria osmane, u gozhdua në kalanë e Krujës, të cilën  megjithë përpjekjet katër mujore, Sulltani nuk e shtiu dot në dorë. Madje vetë Skënderbeu ishte i ndërgjeshëm se në Krujë luhej jo vetëm fati i Shqipërisë, por edhe ai i Evropës. Këtë e thotë vetë Skënderbeu në letrën që i drejtonte princit Italian të Tarantit G. A. Orsini, më 31 tetor, kur i shkruan: “Nëse unë do të isha mundur nga turqit, sigurisht Italia do ta kishte pësuar dhe si pasojë, ai zotërim që ju tani thoni se është i juaji, do të ishte i turqve”. Për këtë rol të rëndësishëm që po luante Shqipëria ishin të ndërgjegjshëm edhe fuqitë e Evropës, në mënyrë të veçantë, shtetet e krishtera që ndodheshin më pranë rrezikut osman. Për këtë arsye, fitorja që korrën shqiptarët në Krujë më 1450 ngjalli entuziasmin e Republikës së Raguzës. Shprehje e këtij entuziasmi  janë përgëzimet që raguzianët i drejtuan Skënderbeut pas disfatës së Sulltanit. “Me të vërtetë – shkruanin ata –ju përballuat me një ushtri të vogël- gjithë ato turma të panumërta të turqve, i dolët zot qytetit dhe kështjellave tuaja të paprekura kundër hovit dhe peshës së gjithë asaj përgatitjeje dhe për këtë punë do të fitoni shpërblim të amëshuar pranë Perëndisë. Po ashtu ndër mbretër, ndër princa të të gjithë botës do të keni lavdërime dhe lavdi të pavdekshme. Qofshi pasqyrë e shembull për të gjithë princat e të krishterëve dhe për mbarë kombet dhe emri juaj do të kurorëzohet prej fames së amëshuar”.

Ky ishte Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, të tilla ishin dhe mbeten përmasat e kësaj figure emblematike të identitetit tonë kombëtar, jeta dhe vepra e një figure që arriti të thithte interesin e gjithë botës dhe krishtërimi të kishte tek arbëri i madh, Kalorësin e Krishtit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok