Vdekja e Gjergjit, 17 janar 1468 vjet pas Krishtit

0

Nga Gani Mehmetaj

“E kujtoja ditën e zisë së pakufishme. Asnjëherë pikëllim më të thellë nuk e mbërtheu Arbërinë. Qyteti i Lezhjes e mbretëria e Arbërisë frymonin rëndë sikur po i vinte fundi botës. Shpërthyen vajet e gjëmat jo vetëm nga malësorët që zbritën në qytet, por edhe nga ata që ishin brenda kështjellës. Shtetrrethim. Ushtarët rrinin të ngrirë në të gjitha pikat e mbrojtjes. Lajmëtarët  u dërguan në të katër anët me kumtin e zi, por edhe për të kërkuar ndihma. Armikun ia behu te dera. Zemërimi i tij kishte arritur në pikën e vlimit. Druanim për sabotime, ndërhyrje tinëzare. Lufta speciale së bashku me luftën në këmbë të bedenave nuk pushoi asnjëherë. Vegjëlia rrinin nëpër të gjitha rrugët e rrugicat, shihnin e nuk flisnin. Turma ishte shqetësuar.

Kolona e gjatë e dinjitarëve i shkonin prapa karrocës që e bartte trupin e mbretit. Anash ecnin kuajt e veshur me të zeza, me kalorësit e zymtë e të mbështjellë me pelerinë. Ata rrinin në gjendje gatishmërie si të prisnin goditjet e armikut. Qielli sa s’kishte rënë mbi qytet, aq shumë u afruan retë. Qielli paralajmëronte stuhi.

Në rendin e parë të dinjitarëve rrinte mbretëresha Donikë e trishtë dhe e shkëputur nga gumëzhima. Gjoni, princi i vogël, çapiste i përhumbur në këtë pështjellim të zi. Krah tyre princërit e dinjitarët e lartë të Arbërisë shtrëngonin nofullat, nuk bënin verë me gojë, ashtu të nxirë në fytyrë sikur të qe shkarkuar tërë qielli i murrëtyer e i zymtë i janarit mbi fytyrat e tyre. Të gjithë shikonin të pikëlluar e të frikësuar: kush do t’i mbronte? Kush do t’i udhëhiqte? Pyesnin pareshtur. Pamja e përhumbur ua thoshte atë që e ndienin. E ardhmja i frikësonte, e tashmja i zymtonte. Dëgjohej troku i kuajve dhe  fërgëllima e tyre.

Gërvima e rrotave të karrocës që e bartte arkëmortin sikur i këndellte rreshtat e gjatë të kësolltarëve, përderisa ushtarët me qëndrim gatitu nderonin të vdekurin më të famshëm të Arbërisë. Kortezhi i zgjedhur hyri në katedrale, i zymtë. Disa ushtarë brenda  rrinin të ngrirë në qëndrimin gatitu. Kortezhi bëri homazhe, duke u sjellë rreth kufomës së të vdekurit. Dolën  nga katedralja edhe më të zymtë sesa kur u futën. Populli priste ndonjë fjalë, por askush s’bënte ballë t’u fliste, t’i ngushëllonte.

Varrim më të trishtë banorët e Lezhës e të Arbërisë nuk kishin parë. Qe më i trishti në historinë e arbërorëve. Ata po ktheheshin nga fushëbeteja pa mbretin e tyre…

Nga  kufijtë vinin lajme shqetësuese. Lajmëtarët edhe në këtë zi shkonin e vinin të shqetësuar e të djersirë, kuajt u shkumëzonin, dërgonin e sillnin kumte. Lëvizjet e armikut vëreheshin në tërë vijën kufitare”.

17 janar, në mbrëmje

Hijet e rojave vijëzoheshin mureve të kështjellës së Lezhës. Muzgu e kishte pushtuar Arbërinë. Nata binte herët në janar. Qyteti dukej i vdekur. Dritë nuk shihej as në Pallat. Përtej kështjellës kalorësit shpejtonin të heshtur e të djersirë në terrin e natës. Pararoja u printe, i hapte rrugë kolonës më të ngadaltë që u vinte prapa. Një qerre me katër kuaj tërhiqte karrocën e mbuluar me mushama rrugës së vjetër, të rrahur nga kalorësit e këmbësorët që nga antika. Po të ngrihej mushamaja ushtarake do të shihej një arkëmort, për të cilën askush nuk dinte asgjë, por të gjithëve ua merrte mendja se kishte diçka të fshehtë, që më mirë të mos e dinin. U dhanë urdhër të ruanin karrocën me ngarkesën misterioze, ua caktuan vendin, ku do ta dorëzonin  dhe u thanë me gjuhën ushtarake: mos pyesni as mos lypni sqarime të tjera! Kalorësit nuk e thanë asnjë  fjalë, memecë u nisën, memec vazhdonin rrugëtimin. Memecëria i ndoqi gjatë gjithë rrugës. Karroca cijaste kur ndeshte në gurët e kalldrëmit. Kalorësit nuk ishin mësuar të ecnin kaq ngadalë, kuajt shpesh bëheshin të paduruar, por duhej të kalëronin ashtu sikurse i urdhëruan, në heshtje. Ishin përcjellje e pararojë e një ngarkese, do të luftonin deri në frymën e fundit po i sulmoi kush.

Françeskanët i shkonin arkëmortit  prapa, të heshtur, të  mbuluar kokë e këmbë me pelerinat e tyre të bruzta. Mbase vetëm ky grup më i heshtur se kurrë dinte diçka më shumë, a hamendësonte më shumë. Sa nga pesha e misterit, aq nga frika e së papriturës ecnin më të kërrusur e më të zymtë sesa të tjerët, që çanin terrin e natës për të kryer një urdhër. Fretërit shpejtonin hapin, në rresht dy nga dy pas karrocës, në heshtje luteshin pa pra për shpirtin e të parit të Arbërisë, mbretit të tyre, për natën e pasigurt të 17 janarit 1468 vjet pas Krishtit, dhe për Arbërinë, që lëkundej nga stuhitë e fuqishme të dimrit. Murrlani që frynte nga majat e alpeve i thante, herë-herë dridhmat ua përshkonin trupin. Pesha e misterit ishte sa pesha e arkëmortit, të cilin mezi e tërhiqnin katër kuaj të shëndoshë.

Asnjëri nga kalorësit nuk lodhej së menduari çfarë kishte në barrën që i prinin. Fretërve ua kishin bërë më dije se çka do që t’u thoshte mendja, duhej ta mbyllnin gojën, të mos ia tregonin të fshehtën e hamendësuar as varrit. Do t’i vinin dry gojës në këtë botë dhe në botën e përtejme, edhe nëse tundimi ishte i madh, sepse zjarri i Ferrit do t’i përvëlonte përjetë e mot.

Dridheshin kur e mendonin urdhrin e superiorit, hapnin sytë thuajse do t’u ndihmonte më shumë në këtë natë pa yje. Djalli mund t’i tundonte, t’ua kërkonte fshehtësinë. Hëna nuk i përshëndeti asnjëherë gjatë tërë rrugës. Hëna u tregua e pabesë gjatë gjithë kohës.

Kolona ecte e heshtur me arkëmortin më enigmatik dhe më të pazakonshëm që u rastisi ndonjëherë. Ndonjërit që i shkonte nëpër mend arsyeja e këtij rrugëtimi, e shtrydhte trurin që të kujtonte një ngjashmëri nga e kaluara. Nuk i kujtohej asgjë në kronikat kishtare, as në kronikat antike. Nuk u ndihmonte Dhiata e Re as Dhiata e Vjetër. Librat e shenjtë nuk flisnin për një arkëmort që e tërhiqnin katër kuaj, ndërsa një eskortë kalorësish u printe, në terrin e natës për të gjetur një varr të fshehtë, ku do të zbrazej fshehtësia tjetër.

Dy të fshehta do ta bënin misterin më të madh të shekullit e të shekujve në vijim.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok