22/12/2024

Gjergj Kastrioti e vuri veten në shërbim të së mirës dhe shpëtimit të kombit arbëror

0
Kastrioti-Skenderbeu

Nga Gjon Keka

Lufta kundër armikut është luftë për të mbrojtur nderin e kombit, identitetin dhe qenien e tij nga rreziku i skllavërimit dhe humbjes apo zhdukjes. Kombi ynë përgjatë historisë më tepër ka pasur luftëra në mbrojtje të vetvetes nga armiqtë e jashtëm sesa paqe për ta ndërtuar veten dhe zhvilluar sipas dinamikës së kombeve të tjera që nuk e patën këtë fat. Fati i kombit tonë ishte se ai u gjend në pikën e lakmueshme gjeopolitike dhe strategjike të kontinentit, ndërsa pasuritë e tij të mëdha nuk u shfrytëzuan nga ai vetë, por nga pushtuesit që e pushtuan këtë vend njëri pas tjetrit. Edhe periudha e sundimit turk në trojet tona është një nga periudhat më të errëta të historisë së kombit tonë, sepse me egërsinë e tyre këta pushtues të urryer popullin tonë jo vetëm që e skllavëruan, e dëbuan, e masakruan dhe i imponuan ideologjinë e tyre, por edhe ia ndërprenë zhvillimin dhe lidhjen amë me familjen e vet europiane. Ky pushtues barbar kishte krijuar bindjen se kombin shqiptar do ta sundonte përjetësisht, duke futur brenda vetë perandorisë së vet jeniçerë nga popuj të ndryshëm, e po ashtu edhe nga populli ynë, ashtu sikurse ndodhi me marrjen peng të Gjergj Kastriotit dhe kthimin e tij jeniçer i Sulltanit, e më pas edhe ngritjen e tij në rangje të tjera sipas talentit të tij dhe aftësisë së jashtëzakonshme që ai pati. Kështu mendonte Sulltani dhe i planifikonte qëllimet e tij agresive, në këtë mënyrë kërkonte ai ta mbante popullin arbënor nën shtypjen e tij të mallkuar. Por ja që doli një arbëror që ia prishi sulltanit planet e tij prej demoni, që ia ndali qëllimet e parapërgatitura dhe afatgjata për mbajtjen e Shqipërisë nën sundimin e egër të tij. Dhe ky burrë, ky trim, ky vizionar e strateg ishte Gjergj Kastrioti. Ishte vetë ai që ndali hovin e kësaj perandorie famëkeqe.

Natyrisht, duke e ndalur hovin e barbarisë së këtij pushtuesi, së bashku me arbënorët e tij Gjergj Kastrioti realizoi planin e shpëtimit të qenies së kombit të tij dhe të identitetit europian. Kthimi madhështor i Gjergj Kastriotit në Krujë, më 28 Nëntor 1443, si dhe ngritja e Flamurit me Shqiponjën e pamposhtur arbënore, qenë hapi i tij i parë i strategjisë së shpëtimit dhe rikthimit të kombit në udhën e dikurshme të etërve dhe të faktorizimit të forcimit përballë sfidave dhe armiqve të jashtëm e të brendshëm. Pas kësaj, duke e ditur se ai ka përballë një perandori famëkeqe, pra një armik me ushtri me potencial shumëfish më të madh sesa ushtria e tij, hapin e dytë pas kthimit në atdhe ai e bëri duke i ftuar të gjithë fisnorët dhe kryefisnorët për një kuvend të bashkimit të forcave. Ky kuvend u mbajt në Lezhë, më 2 Mars 1444, dhe u quajt themeli i unitetit të vendit, si në aspektin politik ashtu edhe në atë ushtarak e të vetë trungut natyror arbënor. Aty Sulltani realizoi hapin e dytë, që nënkuptonte për arbënorët unitetin e tyre për t’i bërë ballë armikut, i cili thurte plane për ta zhdukur Arbërinë dhe për ta shkatërruar shtetin apo mbretërinë arbënore që e kishte ringjallur Gjergj Kastrioti pas kthimit të tij. Kjo strategji e unitetit arbënor ishte strategjia e Heroit për t’i bashkuar të gjitha forcat në të gjitha fushat; gjithashtu, kjo strategji e unitetit ishte shembulli që trokiste në dyert e mbretërve dhe të princërve të Europës për t’i bashkuar njëherësh të gjitha forcat kundër armikut të përbashkët. Por, siç dihet, princërit dhe mbretëritë e asaj kohe i kishin mbyllur veshët për unitet, ndërsa tregoheshin të gatshëm vetëm kur ishte fjala për interesat e tyre egoiste, duke u zhytur kështu në luftëra njëri me tjetrin, në smira e xhelozi, si dhe në ruajtjen e fronit me çdo kusht dhe me të gjitha mjetet. Sepse për ta vetëm froni kishte rëndësi dhe, nëse një ditë u rrezikohej ai fron, ata do të lidhnin aleancë edhe me djallin për ta shpëtuar fronin – idhullin e tyre të vetëkënaqësisë. Dhe kjo ndodhi disa vite pas vdekjes së Gjergj Kastriotit. Kështu që Gjergj Kastrioti, i mbetur vetëm me arbënorët e tij dhe me unitetin që realizoi nga brenda, korri fitore të vazhdueshme kundër armikut turk.

Meqenëse fushat e betejës në histori përsëriten aq shpesh, ashtu si edhe cikli i ripërtëritjes së gjallesave, bimëve dhe luleve në pranverë, çdo shtet, e në këtë rast mbretëria e Kastriotit, duhet të bazohet në përballimin e luftërave periodikisht të përsëritura, të këtyre stuhive ekuinokse të njerëzimit. Përpjekjet e mbretërisë së tij për t’u përgatitur në paqe për fitoren, që do ta bëjnë atë të mundshme në një luftë të sapolindur dhe për t’i sjellë humbje serioze armikut, kanë qenë gjithmonë të fuqishme, si një politikë lufte apo strategji politike, e cila ka ndërhyrë në rrjedhën e historisë së kohës së tij, pra të mesjetës.

Strategjia politike e Gjergj Kastriotit paraqitej e tillë: në radhë të parë, ta forcojë e ta konsolidojë shtetin apo mbretërinë e tij nga brenda; së dyti, qëllimi i tij ishte t’i rriste marrëdhëniet materiale dhe shpirtërore të popullit të tij me fqinjët që kishin të njëjtin armik; ndërsa detyra e tij e tretë, në fakt, ishte prodhimi i një sistemi të shkëlqyer për ta mobilizuar ushtrinë e tij kombëtare.

Të gjitha këto detyra Gjergj Kastrioti i realizoi në kohë paqeje.

Porse duhet nënvizuar se edhe në këtë fazë tjetër të re, strategjia politike vjen sapo një luftë të bëhet e pashmangshme. Prandaj ai veproi me urtësi, duke bërë izolimin e kundërshtarit, duke nxitur vendet e tjera fqinje të mbajnë një neutralitet të rreptë ose të bashkëpunojnë me të. Ndryshe, edhe ata do të përballeshin me luftë të pamëshirshme dhe të pa kompromis, sepse mosbashkëpunimin me fqinjët Gjergj Kastrioti e shihte si mundësi për të rënë në ujdi me armikun, dhe kështu beteja me armikun të mos e kishte suksesin e dëshiruar prej tij, pra atë të shporrjes së pushtuesit turk njëherë e përgjithmonë nga trojet tona.

Nga këtu shihet që suksesi i tij i madh ishte rezultat i urtësisë së tij, i largpamësisë, vizionit dhe njohjes rrënjësore të artit të luftës, politikës dhe diplomacisë. Gjergj Kastrioti e dinte se cili është rregullatori i përgjithshëm i përparimit të kombit të tij, ndaj dhe për atë ai i shërbeu atdheut me tërë qenien e tij. Me vetëmohim, ai e vuri në shërbim veten për të mirën dhe shpëtimin e kombit të tij nga pushtuesi otoman.

Për ta përmbledhur karakterin dhe forcën e jashtëzakonshme të Heroit tonë, e vlen të ritheksohet se ai u bë mbrojtësi i atdheut të tij, identitetit të tij dhe vlerave të lashta rrënjësore europiane të kombit arbënor. Duke e mbrojtur atdheun e tij, ai në fakt mbrojti edhe tërë civilizimin e familjes europiane. Pushtuesi otoman u ndal në Shqipëri, sepse vetëm aty ai nuk mund ta kapërcente murin që kishte ngritur Gjergj Kastrioti me arbënorët e tij. Aty u zhvilluan betejat që, në fakt, i mbrojtën edhe kombet e tjera nga pushtimi i egër turk. Kjo ndodhi derisa Gjergj Kastrioti ishte gjallë, por pas vdekjes së tij këmba e pushtuesit turk u rëndua përsëri në trojet arbënore dhe sundoi aty barbarisht, duke e lënë kombin tonë në mjerim, të pazhvilluar, të shkatërruar, pa dije e arsim, pa gjuhë, duke ia shkëputur atij lidhjet amtare me familjen europian për 445 vjet, deri në rishpalljen e pavarësisë së Shqipërisë më 28 Nëntor 1912. Sidoqoftë, ja si shkruante me të drejtë bashkëkohësi i Gjergj Kastriotit dhe humanisti Marcantonio Sabellico: “Pas vdekjes së Gjergj Kastriotit, thonë se shqiptarët, të habitur nga trimëria e këtij burri zunë të shihnin tek ai diçka që kalonte përtej kufijve njerëzorë dhe ta kujtonin princin e dashur me këngë madhështore. Disa burra të besueshëm më kanë treguar se në valën e luftës dhe, pikërisht kur çdo gjë shungullonte e oshtinte nga armët barbare, grupe vajzash kishin zakon të mblidheshin çdo tetë ditë ndër sheshet ku kryqëzoheshin tri rrugë në qytetet ku kish sunduar dhe të këndonin lavdinë e të ndjerit princ, siç bënin burrat e lashtë në ahengjet e tyre”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok