21/11/2024

GËZUAR DITËLINDJEN, AT GJERGJ FISHTA!

0

Nga Frank Shkreli

Thuhet se ditëlindja e njerëzve të mëdhej duhet shënuar, por jo, domosdoshmërisht, edhe kalimi i tyre në amshim, pasi njerëz të mëdhej – siç është At Gjergj Fishta për Shqiptarët – nuk vdesin kurrë.  23 Tetori (i vitit 1871), shënon datën kur ka lindur Gjergj Fishta, kolosi i madh, Nderi i Kombit, fati i kombit që e lindi — At Gjergj Fishta, fati i kombit për Shqipërinë e Lirë | Gazeta Telegraf —  Sot, kujtimi, veprat dhe emri i Fishtës nuk janë të ndaluara me ligj në Shqipëri, në Kosovë dhe as në trojet shqiptare në përgjithësi. Por ama as nuk promovohen, zyrtarisht, as veprat e tija dhe rrallë herë, ose pothuaj aspak, as nuk shënohet ndonjë datë që ka të bëjë me jetën dhe veprat e poetit dhe shkrimtarit të madh Gjergj Fishtës. Por edhe kur ndodhë që shënohet, duket sikur bëhet me gjysëm zemër, sa për sy e faqe. — Frank Shkreli: At Gjergj Fishta dhe Akademia e Shkencave e Shqipërisë një hap përpara, dy mbrapa | Gazeta Telegraf

Gjatë komunizmit në Shqipëri, por edhe në ish-Jugosllavinë fqinje komuniste, veprat dhe emri i At Gjergj Fishtës ishin rreptësisht të ndaluar, ndërsa Poeti i Kombit shqiptar konsiderohej si armik i popullit, fashist dhe madje edhe anti-shqiptar.  As që mund të bëhej fjalë për kujtimin e emrit të tij ose të veprave të tija, gjatë asaj periudhe fatzezë për Shqipërinë dhe Kombin shqiptar.  Por këtë boshllëk të madh kulturor mundohej ta plotësonte – sipas mundësive të saja – diaspora anti-komuniste shqiptare e pas Luftës së Dytë Botërore.

Një rast i tillë, që ma kapi syri duke iu referuar disa revistave të vjetra të diasporës shqiptare në Perendim, ishte 23 Tetori i vitit 1961. I binte të ishte 90-vjetori i lindjes së At Gjergj Fishtës.  Duke marrë parasysh trajtimin e keq që regjimi komunist shqiptar dhe ai jugosllav i bënin emrit të mirë dhe veprës madhështore të Fishtës – intelektualët e asaj kohe, një brez që nuk besoj të përsëritet më –një grup që mund të thuhet se përfaqësonte ajkën e kulturës shqiptare, ndoshta e të gjitha kohërave. Një grup që ishte arratisur nga komunizmi, në krye me Redaksinë e revistës “Shëjzat” , kishin vendosur që në mungesë të shënimit të 90-vjetorit të lindjes së Gjergj Fushtës në trojet shqiptare, të kremtonin 90-vjetorin e lindjes së Fishtës me 23 Tetor të vitit 1961, me një numër të veçant të revistës së njohur Shejzat.

Komiteti i nderit për të përkujtuar 90-vjetorin e lindjes së At Gjergj Fishtës (me 23 tetor 1961), përbëhej nga rreth 25 anëtarë ndër më të dalluarit e intelektualëve shqiptarë anti-komunistë të asaj periudhe dhe rreth 20-shkrimtarë dhe intelektualë të fushave të ndryshme, kontribuan artikuj shkencorë, “për t’i dhënë shkëlqim të denjë përkujtimit të Poetit Kombëtar”, në atë numër të veçant të Shëjzave, kushtuar At Gjergj Fishtës, në 90-vjetorin e lindjes (1961).

Në kryeartikullin e tij me titull, “Apostullata Kombëtare e Fishtës”, botuesi i Shejzave, Prof. Ernest Koliqi e kujtonte Fishtën, “Si Poet Kombëtar i cili synonte ndërtimin e Atdheut. Vjerrshimi për Të, ishte sidomos mjet për të nxjerrë nga thellësistë e shpirtit të popullit idenë e Shqipërisë që një robëri dërmuese pesë shekujsh kishte kredhë a zhytur në terratisje të plotë…Fishtës, ashtu si edhe më të mëdhejve të apostuj të shqiptarizmit nuk i shpëtonte fakti se varra më dëmprurse e mbetur në trup e në shpirt të Kombit nga e kaluara fatkqeqe ishte ndasia në mes Shqiptarëve… Me çiltërinë e vet burrërore, Ai na tregon mënyrën se si të arrihet bashkimi i vërtetë kombëtar, jo duke fshehur shkaqet e ndasive, por duke i zbuluar ato për të gjetur barin mjekues. Mësimin e lartë të këtij Apostulli të Madh të vëllazërimit shqiptar duhet t’a mbajmë gjallë sot e mot në zemrat tona, nqëoftse duam që të mos fiket hylli i Kombit në hapësirës e kupës qiellore”, ka porositur Ernest Koliqi në përkujtimin e tij, kushtuar At Gjergj Fishtës me rastin e 90-vjetorit të lindjes së  tij (1961).

Ndërsa Dhimitër Berati në “Kujtimet dhe Shënime” kushtuar mikut dhe bashkpuntorit të tij Gjergj Fishtës, në konferenca ndërkombëtare në mbrojtje të Shqipërisë dhe të drejtave të shqiptarëve, se veprat e përsosura të shkrimtarëve të mëdhej, si Lahuta e Malësisë e At Gjergj Fishtës dhe Historia e Skenderbeut  e Naim Frashëri, “Duhet t’i këndojmë, t’i mësojmë e t’i nderojmë veprat e tyre si një prirje e natyrshme ndaj Atdheut, si një shenjë dashurije për popullin tonë. Ato na e pasqyrojnë  ashtu si është, me të mirat e me të metat, me ndjenjat e mendimet që ka trashëguar nga gjysh-stërgjyshi, me zakonet e traditat që kanë ruajtur fisin e farën, gjatë shekujve”, ka shkruar Dhimtër Berati, bashkpuntor i ngusht i At Gjergj Fishtës.

Një tjetër bashkohas i Fishtës dhe njëri prej burrave nënshkrue të Pavarësisë së Shqipërisë, Ekrem Vlora,  në përkujtimin e ditëlindjes së Fishtës shkruante se Lahuta e Malësisë e Gjergj Fishtës, “Na shtiu në radhën e popujve të qytetëruar. Thash të qytetëruar! Mos u çuditëni! Sepse nuk është vetëm përparimi lëndor teknik që i jep një populli të drejtën të cilësohet i qytetëruar. Janë ndofta më tepër vlerat morale, mentore dhe shoqnore që e rreshtojnë në radhët e njerëzimit të përsosur. Shqiptari që ka qenë përherë i përbuzur  nga fqinjt e tij për këtë  pikëpamje ka vendin e vet në radhët e qytetërimit shpirtnor dhe ka një vend të lartë që e ka zenë që me kohë. E ka zenë se pse që nga koha e historisë së tija më të lashtë ka qenë i pajisur me gjithë ato cilësi me gjithë ato vlera shpirtënore me të cilat hyjnon Fishta në Lahutën e Malësisë. Por, Lahuta me të cilën ka kënduar Fishta vlerat e asaj Malësisë së tij kreshnike nuk ka tingëlluar vetëm për rrethin e ngusht. Ka tinglluar dhe vazhdon të ushtojë si kumona e kushtrimit anë e mbanë Shqipërisë”, ka shkruar Ekrem Vlora për jetën dhe veprën e At Gjergj Fishtës.

Është e pamundur që në këtë përvjetor, në një artikull të shkurtër përkujtimor si ky  me këtë rast, të pasqyrohen kujtimet e rreth 20-shkrimtarëve ndër më të mirët e Kombit, të shprehura me rastin e 90-vjetorit të lindjes së Fishtës në numrin e posaçëm të Shëjzave, kushtuar atij në vitin 1961. Por po e përmbyll me disa fjalë nga parathënja e kolegjumit përgatitës të këtij botimi të posaçëm për jetën dhe Veprat e Poetit, që janë një pasqyrim i mendimeve të tyre: “Në Shkodrën e Gencit, bri Rozafës ilirjane, (Fishta) nguli kvartierin e shtatmadhorisë së Shqiptarizmit. Të rijve që e rrethuan, ai ma i pari, në shkollën e vet u mësoi gjuhën gjyshore (1902), duke nisur nga alfabeti (1908) e deri në hovet më të nalta lirike. Të rriturve u dha në dorë LAHUTËN magjike për t’i këthyer këta në ushtarë të vatanit. Neofitët e rij të atdheut i radhiti të armatosun  mbas Marash Ucit e Oso Kukës, Abdyl Frashërit e Ali Pashës, Dedë Gjo’ Lulit e Vrionit, Patër Gjonit e Hafiz Myslimit. Në ball të luftës kundra armiqve të jashtëm, shpalosi flamurin me shkabën kastriote, të lirë e sovrane, të ndarët ndër fise e krahina, nga ndryshimet fetare e kulturore, i pushoi embël në prehërin e Barazimti kristjan”,  shkruajnë anëtarët e nderit të kolegjumit të numrit të veçant të Shëjzave kushtuar Gjergj Fishtës me rastin e 90-vjetorit të lindjes, në vitin 19961.

Në vlerësimet e tyre për Fishtën, ata kanë shkruar se Gjergj Fishta, “Mbas Zotit e Fesë ai dashuroi Atdheun dhe këtij i kushtoi mundin e vet e djersën, veç për t’a parë të lumtun e të përparuar. Hatroi zhgunin që bajti dhe hijen e tij e bëri të bekuar”.  Si i “bekuar” e thirrën kahdo që i shkelte këmba si përfaqsues i Shqipërisë dhe kombit në Konferencën e Parisit 1918, në Athinë në 1930, në Stambollë, 1931, në Bukuresht në 1932, në Amerikë, 1919, e në Romë, 1939.

At Gjergj Fishta pra, si i përkushtuar ndaj Fesë dhe Atdheut – “Shqiptar jetoi gjithë jetën. I varfën lindi dhe ma i varfër vdiq. Nuk grumbulloi pasuni, por i la Kombit pasuninë më të madhe, veprat që nuk dijnë kurrë mort!”, është shprehur  Karl Gurakuqi, njëri prej shkrimtarëve që kontribuan në numrin e posaçëm të revistës Shëjzat kushtuar 90-vjetorit të lindjes së At Gjergj Fishtës, botuar në numrin Nentor-Dhetor, 1961.

Gëzuar Ditëlindjen At Gjergj Fishta! Ndonëse gjithnjë i harruar dhe i anashkaluar, zyrtarisht, anë e mbanë trojeve shqiptare, në këtë përvjetor të lindjes, urojmë që vlerat e Tua të shprehura në Lahutën e Malësisë, të jenë një pasqyrë udhërrëfyese për brezat e ardhëshëm të shqiptarëve, në mbrojtje të vlerave historike kombëtare dhe në shpëtimin e identitetit kombëtar të shqiptarëve nga ndërhyrjet e ideologjive të huaja dhe të kulturave gjysmake sllavo-aziatike, historikisht, dashakeqse ndaj vlerave dhe interesave shqiptare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok