27/04/2024

KUSH ËSHTË ZOT SHTËPIE NË LDK?!

0

NGA IDRIZ ZEQIRAJ

Zakonisht, subjektet politike, kanë një zëdhënës, që flet në emër të partisë, përçon mesazhet e saj në opinion. Dhe, zëdhënësi është zëri autentik i kryetarit, kryesisë të partisë. Përndryshe, kur flasin anëtarët e partisë, kuadrot e saj, flasin në shumës, ose kur nuk janë të autorizuar nga partia, për të dhënë një deklatratë, për të shfaqur një mendim, që kërkohet nga ndonjë medium, gazetar, e theksojnë se “jap mendimin tim personal, jo të partisë sime”.

Kohëve të fundit, dëgjojmë deklarime paushalle, qoftë nga anëtarët e kryesisë të LDK-së, qoftë nga deputetët e saj apo të ish kuadrove të LDK-së, të cilët janë anashkaluar nga vota e anëtarësisë, përkatësisht, të elektoratit, për arsye të dyshimit të bazuar se kanë afri të pazakonshme me PDK-në dhe arsye të tjera të ngjashme.

Kuvendi i 10-të, i Jashtëzakonshëm i LDK-së, zgjodhi Prof. Lumir Abdixhikun kryetar të saj. Ndryshimi ishte domosdo e kohës, pas humbjes fatale të LDK-së, në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021. Braktisja masive e elektoratit të kësaj partie dhe kthimi vetëm pak muaj më vonë, i 100 mijë votuesëve, pikërisht, pas ardhjes në krye të LDK-së të kryetar Lumirit dhe të Kryesisë së re, ishte besimi dhe shpresa për reformat e gjatë-pritshme. Dhe, assesi nuk kishte të bënte me asnjë lloj zhgënjimi në Qeverinë Kurti, ndonëse ishte kohë e shkurtër për ta provuar atë.

Është, pikërisht, kjo zgjedhje dhe zgjidhje aprovuese e elektoratit, që obligon ekipin e ri drejtues të LDK-së, të këtë kujdes të shtuar, në raport me partitë-banda të PAN-it. Flirtet dhe koalicionet me PAN-istët e kanë fundosur LDK-në në 11 %. Opozitarizmi i LDK-së, duhet të jetë i argumetuar dhe jashtë ndikimit të PAN-it dhe të SHIK-ut të tij kriminal. U dëshmua, madje, katërcipërisht, se organizimi i grevës politike masive ishte i tyre, andaj, LDK-ja duhej ta kishte maturinë rugoviane. Ligja përjashton pagesën e grevistëve. Dhe, kjo rregullë është e përbotshme. Atëherë, pse zërat kakofonikë të vajtojcave të LDK-së, çakordueshëm, çirreshin për t`i paguar, jashtëligjshëm, grevistët e manipuluar nga PAN-i dhe SHIK-u i tij?!

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri ankohej se “Kurti i ka lënë 1 (një) muaj shkollat mëshelë. Udhës për t`u bashkuar edhe më shumë”, – apelonte ai!

Sigurisht e ka fjalën për LDK-në me PDK-në! Por, realisht, kush i mbylli shkollat? Tashmë, dihet – PAN-i.

E zëshme në kritika paushalle është Hikmete Bajrami si: “LDK përkrahë grevën. Kërkesat e Sindikatave janë legjitime. Të ekzekutohen pagat sot. Betonimi i rrezikshëm për Qeverinë. Kurti po shpërndanë mjete pa kurrfarë kriteri dhe adrese. Injorimi që po u bëhet Sindikatave, është injorim i nxënësve”! Këto deklarime, kanë edhe elementin e shpifjes të rëndë dhe të pabazuar, sepse ndarja e mjeteve është bërë për kategori skamnorësh, nevojtarë, shprehur fetarisht, “në vesh të Perëndisë”!

Akuza ndaj  ministrës Arbërije Nagavci dhe LVV, për grevën e porositur nga kryebanda PAN, është njësoj si akuza ndaj ish-ministrës Hikmete Bajrami, për milionat e grabitura, në Bank, nga banditët e Hashim Thaçit. Akuzat janë të koordinuara, thjeshtë, është bashkim politik dhe ideologjik i LDK-së me PDK-në. Pra, siç thotë populli: “LDK-ja po kërcen në dasëm të huaj”!

Rrezarta Krasniqi thotë se “Kurti u ka shpallur luftë mësimdhënësve, qëllimi është për t`i poshtëruar ata”! Realisht, mësuesit kanë poshtëruar vetëvetën, sepse u pajtuan me manipulimin që u bëri PAN-i. Akuza “se Kurti dhe Nagavci po refuzojnë dialogun social”, është akuzë e rreme. Sepse greva edhe pse ishte, kryekëput, politike, për çka e denoncoi Kurti, si të tillë, në Parlament, kishin takuar kryesindikalistin Atdhe Rykolli dhe kreun kukullë, të SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj. Thjeshtëzimi se “Kurti po lufton me Jasharaj”, ishte fiktiv, i rremë dhe banal, sepse Kryeministri ishte përballë banditëve të PAN-it dhe SHIK-ut të tij.

Deputeti, Dr. Avdyli, konstaton bindshëm, se “Greva ka pasur prapavijë politike, por pagat duhet të paguhen”!? Atëherë, pse të paguhen? Paksa kontradiktore. Sepse, një grevë me sllogane të rreme dhe fshehje të qëllimit politik, të organizuar nga banditizmi PAN-istë, gjithësesi, është e jashtëligjshme, dhe nuk meriton, jo vetëm pagesë, por as që duhet përfillur. Por, edhe sikur të jetë edhe e ligjshme, ligji e pamundëson pagesën e grevistëve. Ata janë barrë e Sindikatës. Dhe, ky është ligj botëror në fuqi.

Duke analizuar deklarimet e paargumentura, të disa kuadrove të LDK-së, me ngjashmëri tipike me përrallisjet e partive-banda të PAN-it, me keqardhje dhe brengosje të thellë, shtrojmë pyetjen dilemë: “Kush është zot shtëpie në LDK-e?!

Mjegullnaja PAN-iste u zhdaravitë, barrikadimi sindikalist i porositur!

I viktimizuari i shtirur, Jasharaj, ankohet se “Qeveria na ka goditur pas shpine!” Rrenë e kulluar. Ministri I Financave, Hekuran Murati, e ka thënë, madje, në mënyrë të përsëritur: “Kush punon duhet të paguhet, do ta repektojmë këtë obligim ligjor”. Ministrja e Arsimit, Arbërije Nagavci ka qenë edhe më e drejtëpërdrejtë, se “ata që nuk punojnë, në ditët e grevës, nuk do të paguhen”. Edhe më i shpjegueshëm ka qenë zëdhënësi i LVV, Përparim Kryeziu: “Paga mujore, është kompensim për punë. Kjo përcaktohet me ligjin për grevat. Rroga duhet të meritohet.” Deputeti Dimal Basha, me referim tek ligji, kërcënon pushtetarët e tij: “Dhënia e pagave, shkelje ligjore”.

Opinioni, edhe pse u bindë se, ligjërisht, nuk u takon paga grevistëve, për punën e pabërë, Qeveria, në kundërshtim me ligjin, i mëshiroi dhe i pagoi jashtëligjshëm, si paradhënie dhe në mirëbesim, për t`i plotësuar orët e humbura mësimore. Por, pabesisht, turpërisht dhe rrugaçërisht, vegla e PAN-it, kreu i SBASHK-ut, Rrahman greva, apelon: “Të shtunën nuk do të mbahet mësim!” Nënkryetarja e SBASHK-ut, Vjollca Shala, thotë se “puna jashtë orarit duhet të paguhet 150 %, nuk do ta përfillim urdhëresën e Ministrisë të Arsimit dhe nuk do t`i plotësojmë orët e humbura ditëve të shtunë!”

Kjo është anarki dhe poshtërsi – njëherësh. Edhe më i poshtër e kriminal është deklarimi i paautorizuar, nga prindërit e nxënësve, i të ashtuquajturit “Këshilli i Prindërve”, të cilët llomotisin: “Mësimi nuk bëhet me zor! Mësimi i të shtunave është gabim e ai do të refuzohet arsyeshëm! Një veprim civil, dinjitoz, i paanshëm e shumë i drejtë i mbrojtjes të fëmijëve u bë sot!”

E gjithë kjo tiradë fodulle, na kujton disa burra dhe gra injorante, të Mërgatës shqiptare, të cilat, duke mos dërguar fëmijtë e tyre në – Shkollën shqipe -, bojkotojnë dhe pengojnë edhe organizimin e arsimit plotësues në guhën shqipe, duke shkaktuar edhe mbylljen e këtyre shkollave, të cilat, me shumë mund e përpjekje arrijnë t`i hapin veprimtarët atdhedashës.

“Arsyetimi” është po aq idiotesk, sa edhe ai i “Këshillit të Prindërve” në Kosovë. “Nuk i dërgojmë fëmijtë në shkollë, sepse po u përzihet shqipja me gjuhën vendore, për shembull, me gjermanishtën, frdengjishtën, anglishtën, e tjera”!? “Filozofet” analfabete funksionale, na dalin më të afta, se sa specialistët titullarë shkencorë, në këtë lami, të cilët e mbrojnë mendimin se një nxënës fillorist, mund të mësojë edhe 4 deri në 5 gjuhë – njëherësh, duke e begatuar edhe vet gjuhëm amëtare.

Pahamendje, është një barrikadim i egër, i ndyrë, i bërë me nxitjen e PAN-it. Ndërkohë, zëvendësimi i ditëve të humbura në mësim-mbajtje, të shtunave, është studjuar nga inspektorët shkencorë përkatës, me tituj – Profesor e Doktor -, me përvojë disa dekadash në mësimdhënie, pavarësisht, përkatësisë partiake. Dhe, këta horrakë e hiçër, përrallisin, kinse, “në mbrojtje të fëmijëve”! E turpshme dhe kriminale! Absolutisht i saktë konstatimi i ministrës Nagavci: “Sindikatat nuk kanë për qëllim Marrëveshjen, duan barrikadim!”

Habitë kuadri, Safet Gërxhalliu: “Arroganca e pushtetit, do t`i kushtojë Kosovës në imazh”! Adresë e gabuar. Janë mësuar me shkeljen e rregullave ligjore, të bërë normë, me Hashimin dhe Ramushin, me shokë, të cilët për vota, abuzuan, skajshëm, me buxhetin e shtetit të Kosovës. Ata, me eksponentët drejtues të partive të tyre, edhe sot vazhdojnë ta shpërdorojnë paranë e popullit, duke paguar ligjshëm 12.700 veteranë të vërtetë, por, duke ngulmuar të paguhen edhe 52.300 “veteranë” të rrejshëm! Shtysa, veç përfitimeve tjera, edhe shtimin e klientelës elektorale partiake. Ky është abuzimi më i madh legal, me gjakderdhjen financiare prej miliona eurove, me të cilat do të mbulohej e gjithë jeta sociale në Kosovë.

Kryeministri Kurti, përsëritshëm, reagon se “Sahati i PAN-istëve u është ndalur, më 14 shkurt 2021. Tani, krerët e SHIK-ut, brenda Sindikatës, ia bëjnë opozitën PAN-it, duke e bërë grevën armë kundër Qeverisë!”

Tashmë, opinioni arsim-dashës dhe atdhe-dashës, arsyeton Qeverinë dhe respekton ligjshmërinë e saj. Ndërkohë, dënon  grevën unike të SBASHK-ut, në nismë të vitit shkollor, me rrjedhojen fatale, mbylljen e shkollave, për 318 nxënës, prej tyre 21 mijë fillestarë të shënjtorës – Abetare -! Bilanci i trishtëm: 27 milionë e 200 mijë orë të humbura, ose 12 % e vitit shkollor!

Në disa shkolla bëhet edhe një pazar i pistë: Për të  fituar edhe një ditë shtesë pushim, brenda javës, mësuesit, përgjatë javës, mbajnë edhe nga një orë mësimi shtesë! Opinioni i përgjegjshëm, grevistët po i konsideron si parazitë të neveritshëm. Dhe, i këshillon ata, se, nëse nuk plotësojnë ditët e humbura mësimore, sipas udhëzimit të institucionit përkatës, duhet të sanksionohen, sipas ligjit në fuqi. Pëndryshe, pagat t`i kërkojnë tek opozita, si organizatore ideologjike e faktike të grevës së shtatorit.

Qeveria e Kosovës duhet ta përshpejtojë aprovimin ligjor, të ngritjes së pagave për shumë kategori, duke djegur etapat burokratike. Afatizimi, që procedura përkatëse të vazhdojë deri në janarin e 2024, është jo vetëm burokratike, por edhe torturuese dhe skajshëm alogjike. Me ngritjen e përgjithshme të pagave, bie në numër, asistenca sociale.

Me ndërprerjen e menjëhershme të pagesës të shumë-mijërave të “Veteranëve” të rremë, një pjesë numerike e tyre, janë matrapazë dhe të inkriminuar, në bandat e disa komandantëve, tashmë, të denoncuar për krime makabre, zgjidhet përkujdesja sociale për njerëzit me nevoja akute. Sepse, janë disa kategori të tjera në nevojë akute, me parësi para arsimit, që nga rroga minimale, e cila nuk duhet konsideruar e zgjidhur dhe e mbyllur, me 264 euro pagë mujore, e deri ke policia, ushtria, shërbyesit civilë dhe me radhë, për të ardhur ke arsimi.

Bënë përshtypje, për të keq, rroga e lartë dhe honorarët, me tepëri, të deputetëve. Rroga më e lartë nuk guxon ta kalojë trefishin e rrogës mesatare. Ligjet për vota të Hashim dallaverës, duhet zhveftësuar me urgjencë. Shërbimin mjekësor të përgjithshëm dhe shujtat për policinë dhe ushtarakët, janë rrjedhë logjike e një shteti ligjor. Këto dy kategori punojnë, pa shkëputje 8 orë, por edhe 12 orë. Atëherë, pse të kenë shujta me 4 orë punë mësuesit dhe jo policët dhe ushtarakët?!

Nxënësit nxirrën nga shkolla, vetëm në raste rrezikimi të jetës së tyre, siç është lufta apo diçka tjetër e ngjashme, ekskluzivisht, për mbrojtjen e tyre. Dhe, në asnjë rrethanë tjetër normale, nuk guxon të ndodhë kjo. Dhe, aq më pak për përfitime të ulta politike!

Dëmi i madh të shkaktuar fëmijëve shkollarë, nga bojkotimi i mësimdhënies, përgjatë muajit shtator, nuk guxon të kalojë në heshtje, sikur nuk ka ndodhur asgjë! Njeriu i letrave, publicisti dhe gazetari i mirënjohur investigativ, hulumtues, Idriz Morina, ka një ide sa të qëlluar, aq edhe logjike: “Të merren në hetim krerët e grevistëve. Atëherë mësohen qëllimet”. Kjo ka gjetur mbështetje masive në Kosovë dhe Shqiptari, sepse do të zbulonte intrigimet mafioze të PAN-it, i cili, për interesat e ulta politike, është gadi ta pranojë maksimën armike “rrafsh Kosova!”

Dialogu dhe marrëveshja, që kërkojnë krerët e SBASHK-ut, të organizuar dhe të instruktuar nga PAN-i dhe SHIK-u i tij, kërkon përgjigje të prerë: Asnjë dialog dhe asfarë marrëveshje, me ata që duan ta defaktorizojnë shtetin e Kosovës, duke injoruar dhe refuzuar udhëzimet, ligjet e shtetit, njësoj si krerët banditër serbë, në Veri të Kosovës.

Qeveria e Kosovës, duhet ta marrë shumë seriozisht, mos zbatimin e mbajtës të mësimit plotësues të orëve të humbura, ditëve të shtunë. Vetëm në këto ditë, mund të bëhet mbikëqyrja e procesit mësimor. Ora shtesë është broçkullë, pallavër. Me keqardhje, është vënë në dyshim misioni i shënjtë i mësuesit, për derisa manipulohen nga matrapazë e horrakë, rrast të inkriminuar, të PAN-it. Çfarëdo kompromisi në këtë çështje, tashmë, fort të politizuar, do t`u hapte rrugë veprimeve të tjera, po kaq destruktive, deri në rrugaçëri unike!

Imperativ i kohës, ndryshimi i ligji për grevat dhe ligje tjera, anakronike për kohën digjitale! Shumë ligje aktuale mbrojnë kriminelë, hajna, parazitë e dembelë, të cilët favorizohen nga ligje absurde dhe burokratike e moniste.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok