23/12/2024

GAZETARI SALI NIVICA: NJË NACIONALIST I VËRTETË!

0
Frank-Shkreli13-800x560 (1)

MODEL PËR RININË DHE PËR GAZETARINË SHQIPTARE SOT

Nga Frank Shkreli

Kush ishte Sali Nivica dhe pse po e kujtojmë sot këtë atdhetar të shquar. Po e kujtojmë atë, në ditën e vrasjes së tij më 10-janar, 1920. I lindur në Kurvelesh — një bir i denjë i Labërisë dhe i mbarë Shqipërisë – megjithëse në moshë të re, ai e dalloi vetën në shumë fusha të veprimtarisë së tij: si publicist, botues i gazetës Populli, ai u dallua si patriot i flakët atdhedashës, si shkrimtar, por edhe si politikan, megjithse në moshë të re. Brenda një jete shumë të shkurtër (nën 30-vjeçare), para se të vritej barbarisht, Sali Nivica kishte arrijtur shumë më shumë se ndonjë prej nesh mund të arrijë në një jetë të tërë e të plotë. Me veprat e tija patriotike, ai kishte bërë emër në qarqet atdhetare dhe intelektuale të kohës në Shqipëri dhe në Kosovë, si patriot i flakët, organizator dhe veprimtar i kryengritjeve anti-osmane dhe anti-sllave. Fillimisht, ai nisi veprimtarinë e tij patriotike në gjimnazin që frekuentonte në Manastir, në fillim të 1900-ave. Atje u njoh me patriotin Bajo Topulli, (vëllai i Çerçiz Topullit), një figurë e njohur nacionaliste shqiptare – themelues i Komitetit të parë Kryengritës për Çlirimin e mbarë Shqipërisë – të cilit iu bashkua edhe i riu Sali Nivica. Bashkpunoi me Bajo Topullin, të cilit, kolosi i gjuhës shqipe, Eqerem Çabej i është drejtuar me fjalët e fundit: “Ti o shpirt bujar, derdhe tërë gazin e jetës për këtë Shqipëri … që t’i e deshe gjithë jetën, më tepër sesa shpirtin”. Me njerëz të tillë, të vlerësuar për kontributin e tyre, vepronte dhe bashkpunonte i riu Sali Nivica – në mbrojtje të Atdheut dhe të drejtave të shqiptarëve nga jugu në veri, duke filluar nga Manastiri e në Shkodër, e deri në Kosovë.

Më vonë Saliu i ri shkon në Shkodër, ku në Shkurt të vitit 1918 bëhet anëtar i “Komisisë Letrare”, në të cilën merrnin pjesë disa nga patriotët më të njohur dhe personalitetet më të shquara të gjuhës, kulturës, pore dhe të politikës kombëtare, si At Gjergj Fishta, Gurakuqi, Pekmezi, Mosi, Logoreci, Mjeda, Xhuvani etj. Merreni me mend këtë patriot të ri shqiptar në shoqërinë e këtyre kolosëve të Kombit duke diskutuar fatet e Kombit dhe duke mësuar prej tyre dashurinë e vërtetë për Kombin e vet!?  Duke marrë mësim nga më të mirët e Kombit, Sali Nivica, në këtë kohë, e shtrinë gjithashtu veprimtarinë e tij patriotike edhe në Kosovë, ku në Nëntor të vitit 1918 bëhet njëri prej organizatorëve të themelimit dhe anëtar i Komitetit të emërtuar, “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”, me qëndër në Shkodër.  Edhe në këtë organizatë, Sali Nivicës i jepet mundësia të bashkpunonte me figurat më të ndritura të Kombit Shqiptar, si Hoxha Kadri Prishtina, Hasan Prishtina, Bajram Curri, Kel Marubi, Sotir Peçi, Elez Isuf Ndreu, Gjergj Fishta, Ndre Mjeda, Vinçenc Prenushi, Sejfi Vllamasi etj.

Veprimtaritë e tija nepër organizata e komisione, në mbrojtje të interesave të Atdheut — në bashkpunim me më të mëdhejt e Kombit të asaj kohe dhe sot – i riu Sali Nivica, i cili falë rinisë së tij duhet të ketë qenë edhe më entuziasti në atë grup – i dyfishonte e trefishonte kontributin e tij, me punën në fushën e publicistikës, si botues I një gazete në Shkodër.  Sipas burimeve, si botues i gazetës së tij “Populli”, ai vuri në dispozicion gazetën që në numrin e parë të saj, Komitetit Mbrojtja Kombëtare e Kosovës – gazetë që e botonte me moton, “Për Lavdinë e Atdheut”.  Gazeta “Populli” nën drejtimin e atdhetarit të ri, Sali Nivicës — jo vetëm gjatë Konferencës së Paqës në Paris – por gjatë gjithë periudhës që ajo u botua – shërbeu si një “pararojë” e mendimit atdhetar-nacionalist të kohës për çlirimin dhe për bashkimin e Kosovës dhe të gjitha trojeve shqiptare, “nën sundim të Shqipërisë së lirë”.

Fatkqesisht — për botën e sotëme shqiptare dhe për të ardhmen afat-gjatë të Kombit shqiptar – subjekte dhe personalitete të historisë së shqiptarëve të para Luftës së dytë Botërore, si Sali Nivica nuk janë subjekte që pëlqehen të mbulohen nga media e sotëme “moderne”, majtiste.  Pra, nuk janë subjekte as personalitete historike që frymëzojnë njeri sot, mendojnë ata. Për fat të keq, për ta më shumë ka rëndësi, publiciteti i një çante 10-mijë dollarëshe e një kompanie evropiane të modës, ndonëse me shqiponjën dy-krenare në faqen e saj, se sa të përmendurit e një kauze ose personaliteti të madh të Kombit – si Sali Nivica — si një rast frymëzimi për brezin e ri të shqiptarëve, të cilët kollaj mund të joshen, nga reklamat e kohëve të fundit për çantën 10-mijë dollarëshe, që të largohen masivisht nga Shqipëria, ashtu siç po ndodhë, për fat të keq. Megjithse rinia shqiptare ka edhe shumë e shumë arsye të tjera — politike, ekonomike, korrupsioni, varfërie, mungesë sigurie e mungesë perspektive — që po arrariset ditën e natën — nga trojet shqiptare, madje edhe duke rreezikuar jetën në detet e hapura.

Bota e sotëme shqiptare, përfshir politikën dhe median, por edhe entet akademike shqiptare, nuk janë hiç të interesuar për të ditur ose për t’i kaluar brezit të sotëm ose të nesërm të shqiptarëve se kush ishte Sali Nivica dhe çfarë vlerash përfaqësonte ai për kohën që jetoi dhe për sot.  Një shënim që gjeta në lidhje me përvjetorin e Sali Nivicës (10 janar) ishte një shkrim i shkurtër në gazetën Dielli të Vatrës së Amerikës, nga studiuesi dhe historiani Dr. Dorian Koçi, i cili kujton dhe vlerëson Sali Nivicën: “Në këte vend idealistët janë të rallë, por aq të paktë sa janë, shkelqejnë me personalitetin e tyre.”  Dr. Koçi kujton 103-vjetorin e vrasjes barbare të Sali Nivicës, mesuesi, patriot e gazetar që në Shkodrën e viteve 20′ kishte themeluar gazeten “Populli”, shkruan ai dhe vlerëson rolin e gazetës së Sali Nivicës, gazetë e cila, sipas historianit Koçi, “Ishte një tribunë e mendimit të lirë e demokratik shqiptar dhe pasqyronte me pathos përpjekjet e Kombit për të krijuar shtet modern”.   Dr Dorian Koçi nënvijon se Sali Nivica, “Përfaqëson brezin e shkëlqyer të studentëve idealistë shqiptarë që u mëkuan me vargjet e Naimit, aksionin luftarak të vëllezërve Topulli, publicistikën therrëse të Konicës, epikën e satirën e Fishtes. Sali Nivica ishte një dishepull i tyre dhe vet me veprën e tij pasuroi dhe çoi përpara mendimin idealist e shtetformues shqiptar…”, përfundon vlerësimin e tij të shkurtër (por të vetëm që kam parë me këtë rast në median shqiotare) për veprën dhe jetën e patriotit Sali Nivica — studiuesi, Dr. Dorian Doçi, në shkrimin e tij për gazetën Dielli të Nju Jorkut.

Rrallë ose hiç ka momente kur shfrytëzohet rasti që kontributi dhe sakrificat sublime të patriotëve si Sali Nivica të përkujtohen zrytarisht nga entet qeveritare e shtetërore. Por në rastin e Sali Nivicës, ish-Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Z. Bamir Topi në Janar të vitit 2011, të pakën, ka përkujtuar dhe nderuar këtë patriot të madh të Kombit, duke i akorduar urdhrin e lartë, “Nderi i Kombit”.  Me atë rast, ish-Presidenti Topi vlerësoi karakaterin qytetar, historik dhe atdhetar të Sali Nivicës dhe zonës së Labërisë nga e ka origjinën ai: “Rruga jonë nëpër histori nuk ka qenë e lehtë, ajo ka qenë heroike dhe populli i kësaj treve nuk është kursyer në sakrifica sa herë shqiptarëve u është dashur t’i bënin ato. Nga gjiri juaj kanë dalë shembuj frymëzues, siç është rilindasi Sali Nivica, personalitet ky që idetë e mëdha i shëndërroi në histori…Ndërgjegjësimi që vjen nga kujtesa na bën të pohojmë sot njëzëri se krahina juaj e krejt Labëria kanë qenë gjithmonë një pishtar i ndezur në luftrat patriotike për zgjim kombëtar, pavarësi e konsolidim të saj. Sa herë jepej kushtrimi ata ishin rojtarë të fateve të Atdheut”, ka thenë Presidenti Topi. Sipas ish-udhëheqsit shqiptar, ndonëse në moshë shumë të re, Sali Nivica, krah për krah, dhe me më të mëdhejt e Kombit ishte një, “Mbrojtës i zjarrtë i integritetit territorial, përkrah Luigj Gurakuqit në Kancelaritë Evropiane, zë i parreshtur i Kosovës së martirizuar, intelektual e mendimtar, i vrarë pabesisht nga armiqtë e Shqipërisë më 10 janar të vitit 1920, me të drejtë do të meritonte përkufizimin e të madhit Gjergj Fishta se, “Sali Nivica ishte portë e shtyllë, e të thuesh nji shkam të cilit tash 10 vjet i turren tallaze të mëdha pa mujt me e brejtë kurrkund, burra të cilët rrallë i lindin nanat!”, ka cituar Topi vlerësimin e At Gjergj Fishtës, për Sali Nivicën.

“Mësuesi i popullit”, Sali Nivica ishte dhe mbetet një shembull i vlerave patriotike, intelektuale e morale, të cilin ne sot e vlerësojmë, si një nga mendjet e ndritura të asaj Shqipërie që synonte të shkëputej nga e kaluara duke fituar lirinë e duke parë nga moderniteti, si një nga themeluesit e gazetarisë, arsimit e fjalës së lirë në Shqipëri.  “Nderi i Kombit” është një dekoratë e merituar për ata që e udhëhoqën Kombin drejt lirisë, shtetformimit dhe modernitetit, për ata që sakrifikuan jetën për idetë, për idenë e madhe e të shenjtë të një Shqipërie të lirë, të pavarur e të denjë për të qëndruar në krah të shteteve evropiane” ka thenë Z. Topi duke shtuar:  “Të gjithë ne, brezat e rinj, fëmijët tanë, nxënësit dhe studentët duhet të formohen intelektualisht me parime të drejta historike sepse historia gjithmonë konfirmohet si mësuese e jetës! Ata duhet të dinë se mbijetesa e Shqipërisë në ato rrethana historike u realizua nga idealizmi dhe sakrifica e dëshmorëve si Sali Nivica!  Burra të tillë i dhanë gjithçka Shqipërisë pa interes, duke sakrifikuar edhe jetën e duke na lënë ne pasardhësve të tyre pasqyrën morale ku të shihemi çdo ditë, modelin etik të sakrificës, ndershmërisë dhe idealizmit, bashkëpunimit dhe dialogut që vendi ynë, natyrshëm, të realizojë ëndrrën e madhe: Shqipërinë e përparuar, Shqipërinë Evropiane”, ka vlerësuar ai kontributin e Sali Nivicës.

Nëqoftse rinia e sotëme shqiptare anë e mbanë trojeve iliro-arbërore e cila po lagohet masivisht nga Shqipëria dhe nga Kosova, ka nevojë për një shmebull patriotizmi e atdhetarizmi e pse jo edhe nacionalizmi të pastër kombëtar – ja ku e kini Sali Nivicën – që At Gjergj Fishta e ka quajtur, si njërin ndër, “burrat të cilët rrallë i lindin nanat” dhe njerin prej, “intelektualëve më të aftë dhe më konsekuent të kohës”, sipas vlerësimit të Luigj Gurakuqit.

*Nga burime të ndryshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok