10/11/2024

Gani Azemi – jetoi gjithë jetën me dashuri për atdheun

0

Majtas: Hysen Gërvalla, vëllai i madh i heronjëve Jusuf e Bardhosh Gërvalla, Gani Azemi  dhe Xhafer Leci-Koshare,23.08.1999

Nga Xhafer LECI

Pak fjalë për jetën, familjen dhe veprimtarinë patriotike e atdhetare të Gani Azemit (30.07.1951- 25.11. 2012)

Në foto bashkëshortët, Gani e Mejreme Azemi

Çifti Gani dhe Mejreme Azemi, janë gazetarë e publicistë profesionalistë, në gjuhë shqipe dhe frenge, në mediet belge dhe shqiptare. Gjithashtu, ishin veprimtarë të shquar të çështjes tonë kombëtare. Çifti i harmonishëm e plotësonin njëri-tjetrin.

Dy librat e Gani Azemit :

1.-“Stina e zgjuar” 1982 shtypshkronja , “Viktor Hugo” Bruksel

Citate:

F.41 “Zgjohu nënë të thërrasin varret e Kosovës
Se kurrë nuk janë ngroh me rreze të lirisë…”

F.125.- “ Çka më duhet e gjora kokë,

Kur nuk jam zot në timen tokë…”

2.- “Letra për fqinjin tim serb” Nga Teuta Shkupi, përkthyer në frengjisht “Lettre à mon voisin serbe”

 

Me Gani Azemin jemi njohur  në fillim-vitet 1980-ta.

Po përmendi 3 raste nga kujtimet e mia: Me rastin e atentatit – vrasjes nga UDB-ja jugosllave të veprimtarit  Enver Hadri, më 25.02.1990, me shumë shokë nga Esslingeni i Gjermanisë, udhëtuam me autobus, të cilin e ngiste veprimtari Nami Ramadani, për të marrë pjesë në varrimin e tij.

Organizatorë kryesorë në varrimin e heroit Enver Hadri ishin: Gani Azemi, Ramadan Gashi, Reshat Sahitaj e tjerë. Pjesëmarrës ishte edhe kryetari i “Besëlidhjes Shqiptare”, Emin Fazlija, alias Emil Kastrioti, Ibrahim Kelmendi nga LPK. Xhafer Shatri, gjithashtu bashkëpuntor i Enver Hadrit, në pamundësi të pjesëmarrjes për shkak të refuzimit të vizës, kishte përgatitur një fjalë, e cila u lexua në momentin e varrimit.

Nga Amerika  kishte ardhur edhe Joseph DioGuardi, kryetar i Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane, i shoqëruar nga veprimtarët shqiptarë në Amerikë, Xhim Xhema, Rexhë Xhakli, Shaqir Gashi – Belushi dhe  shokë e bashkëveprimtarë tjerë të tij. Edhe pse të gjithë ndjenim dhimbje të mëdha, për vrasjen e Enver  Hadrit, duke  dëgjuar fjalimet e zjarrëta të organizatorëve atdhetarë, patriotë dhe intelektualë  të çështjes tonë  madhore, ata na lehtësonin dhimbjet dhe na jipnin forcë e shpresë, për të vazhduar aktivitete për bërjen e Shqipërisë Etnike, punë kjo hiq e lehtë, por hsitoria është si lumi, i cili nganjëherë del nga shtrati, por përsëri i kthehet shtratit.

Në Konferencën e Dytë të Degëve të LDK-së për Evropën Perëndimore, SHBA, Kanada dhe Australi me 16-17 janar 1999 në  Novotel Stuttgart, të cilën e drejtonte Hafiz Gagica, kryetar i Degës së LDK-së në Gjermani dhe Kolegjiumit të Degëve në Diasporë, ku merrnin pjesë Prof. Fatmir Sejdiu, Isa Mustafa ministër i Financave, Fatmir Rexhepi, Sali Çekaj dhe nga Amerika Marjan Cubi, Ramazan Bekteshi e Agim Hadri nga Kanada, të cilët unë i prita në Aeroportin e Stuttgart-it, ku me veturën time i solla në sallën e tubimit. Gani Azemi m`u afrua dhe me përgëzoi për shkrimet e mia që po bëja tek gazeta “Bota Sot”, duke më thënë : “ Mos mendo se nuk ka më të mençur se ti, por po u mungon guximi”. Unë u përgjigja:  Ka shumë më të mençur dhe më  trima se unë, por janë më të kujdesshëm se unë, për shkak të situatës së acaruar…

U qeshëm dhe u përqafuam.

Më 23 gusht 1999, për rivarrimin e dëshmorëve nga Gjilani, udhëtuam për Koshare me Sinan Gagicën (babai i Hafiz Gagicës) etj. Atje folën Kolonel Rrustem Berisha, Ramush Haradinaj etj.

Aty takova Xhemail Mustafën, këshilltarë i presidentit Dr. I. Rugova, së bashku me Halit Muharremin, ministër i Drejtësisë në qeverinë në ekzil të Bujar Bukoshit. Në pyetjen time, pak me humor, a jeni hiq burra të fortë? Ata u përgjigjën: “Kur nuk ka më të fortë se ne, jemi të fortë, kur ka më të fortë, u themi vazhdone rrugën. ”Në Koshare, pas një bisede që patëm me Gani Azemin  dhe Hysen Gërvallën, Ganiu më tha :” Sot të kesh kujdes çka po flet, sepse këtu ka gjithçka, situata është e rëndë, shumë shpejt  mund të vijë te ndonjë konflikt i papritur.”

E bëmë një foto, pa menduar se Ganiu do ikën në amshim në moshë të re. Do e ruaj si kujtim për gjithë jetën.

Gani Azemi, ka udhëhequr në Bruksel, së bashku me Ramadan Gashin (Ganiu Drejtues e Ramadani Sekretar), Zyrën e Republikës së  Kosovës për Beneluks  dhe Unionin Europian (1995-2000), gjithmonë duke qenë ndër bashkëpuntorët më të afërt të Presidentit Dr. I. Rugova.

Gani Azemi, si  veprimtar me përvojë të madhe edhe në fushën e diplomacisë, i shoqëruar edhe nga miku e bashkëveprimtari tij, Ismail Bytyqi, fillimi i bombardimeve nga NATO kundër Serbisë pushtuese dhe vrastare, në  vitin 1999, i gjen në bazën ajrore të NATO-s, në Aviano të Italisë, nga ku  informoi shtypin ndërkombëtar në Aviano, për situatën në Kosovë.

Gani Azemi, tri vitet e fundit para vdekjes së tij, punoi këshilltar në Ambasadën e Kosovës në Bruksel.

Gani Azemi së bashku me Enver Hadrin e të tjerë, ishin në ballë të disa nismave, si bashkëthemelues të Komitetit për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut…

Ndërsa Enver Hadri, tani hero i Kosovës, është shqiptari i parë, i cili ka hapur dyert e Parlamentit Evropian, duke prezantuar terorinë e Serbosllavisë pushtuese ndaj kërkesave legjitime të shqiptarëve në Kosovë dhe ish-Jugosllavi, të cilët vetëm pse kërkonin barazi kombëtare, vriteshin, burgoseshin dhe maltretoheshin në mënyrë shtazarake. Ndërsa Gani Azemi, Reshat Sahitaj, Ramadan Gshi, Ismail Bytyqi, e tjerë, pas vrasjes së Enver Hadrit, gjatë demonstratave të viteve 1990-ta, kanë arritur të mbajnë lidhje të mira, në përkrahje të lirisë për Kosovën nga Parlamenti Evropian.

Në Bruksel kishte 3 klube: “Bashkimi”, klub jugoslav thmeluar, në vitet ’70-ta; “Idriz Seferi”, themeluar në vitet ‘80-ta; “Anton Çetta” në fillim vitet ‘90-ta të mijëvjeçarit të shkuar.

Brukseli kishte një brigadë të veprimtarëve atdhetarë shqiptarë, e cila mbante lidhje të ngushta me veprimtarët e çështjes tonë kombëtare në SHBA, të gjithë të ndjekur dhe të denigruar politikisht, nga të gjitha trojet e Shqipnisë Etnike, ashtu sikur edhe  paraardhësit e tyre.

Shokët bashkëveprimtarë të Gani  Azemit në Bruksel ishin shumë: Enver Hadri (2 prill 1940 – 25.02.1990), i vrarë nga UDB-ja në  Bruksel, më 25 shkurt 1990, Ramadan Gashi, Vehbi Ibrahimi (23 maj 1938 -10 tetor 1981), i vrarë nga UDB-ja në Bruksel, 10 tetor 1981. (Vehbiu në atë kohë ka qenë sekretar i “Besëlidhjes Kombëtare Demokratike Shqiptare, më seli  në Donzdorf të Gjermanisë, të cilën e drejtonte kryetari i saj Emin Fazlija, alias Emil Kastrioti, tash i ndjerë. Vehbi Ibrahimin e kam njohur personalisht në vitin 1970, në Kufstein të Austrisë). Reshat Sahitaj dhe bashkëshortja e tij Behare Rexhepi, Ismail Bytyqi, Ramiz Zekolli, tani i ndjerë, Riza Kadrijaj-Budakova, tani i ndjerë, Agim Demaj, Agim Radoniqi, i ndjerë, Musa Hoti (11.07.1946 – 16.01.2004), i vrarë, gjegjësisht, i mbytur në Bruksel, më 16 janar 2004.

Kur flas për Gani Azemin,nuk mund  mos ti them pak fjalë për bashkëveprimtarin e Tij më të afërm, Ramadan Gashin, ai rrjedh nga një familje nacionaliste, e cila brez pas brezi ka zhvilluar luftime kundër Serbisë dhe Jugosllavisë së vjetër në kuadër të çetave të Azem Bejtë Galicës dhe në Brigadat e Shaban Polluzhës, kundër çetnikëve të Drazha Mihajlloviqit.

Pas ndjekjeve nga autoritetet e ish-Jugosllavisë, për shkak të angazhimeve për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, ai vendoset në Bruksel në vitin 1974, ku iu bashkua Enver Hadrit, të cilin e njihte që në Kosovë, si bashkëvendas që ishin të lindur në Pejë ! Ata bashkëvepruan në kuadër të Rezistencës Kombëtare të Shqiptarëve të Kosovës, deri në  vrasjen e Enverit.

Pas organizimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ramadan Gashi ishte Sekretar i Degës së LDK-së për Beneluks për disa mandate, dhe më vonë Sekretar i Zyrës së Republikës së Kosovës për Beneluks dhe Unionin Europian

Pas shpalljes së pavarësisë, Ramadan Gashi emërohet Konsull pranë Ambasadës së Republikës së Kosovës në Bruksel (2009 – 2013), pastaj këthehet në MPJ në Prishtinë, ku ishte Zyrtarë i Lartë për Afrikën.

Më datë 23 nëntor 2016, Ramadan Gashi emërohet Ambasador i Jashtëzakonshëm në Senegal, prej nga ai mbulonte Guinea Bissaun, Gambinë, Çadin dhe 13 shtete tjera të Afrikës.

Ai jeton në Pejë dhe Bruksel. Është i martuar Me Ganimete Gashin dhe kanë dy vajza e dy djem.

Plaku i maleve, Hysen Xhelili – Kalishta nga Gostivari, të cilin e kam takuar dy herë, në demonstratën e 30 majit 1981 në  Gjenevë, bashkë me HysenTërpezën dhe në  demonstratën e Strasburg-ut, në Francë, më 1983, ku me këtë rast e kam pyetur: Si e kaloni në Bruksel me vëllazërit nga Shqipëria, të cilët sikur ju me Xhemë Hasa i Simnicës të Gostivarit, që keni luftuar për bërjen e Shqipërisë Etnike, edhe ata janë djathtistë. Hyseni: “ Disa nga ata mendojnë se ne shqiptarët e mbetun në Jugosllavi, jemi aq të pasun, sa edhe magarit i japim sheqer me hangër!”

Në Bruksel kishte shumë emigrantë, veprimtarë nga Shqipëria, të  strehuar politik, pas mbarimit të LDB-re, të cilët drejtonin disa organizata djathtiste, por edhe parti, si Balli Kombëtar dhe Legalistët e Mbretit Ahmet Zogu, Kolonel Muharrem Bajraktarin, Dr. med. Idriz Basha, Naim Basha  e shumë të tjerë.

E djathta shqiptare luftohej brenda dhe jashtë vendit të trojeve të Shqipërisë Etnike, nga dy shtete  komuniste, Jugosllavia dhe Shqipëria.

U pa se komunistët shqiptarë dekoronin me medalje komunistët serbë. Edhe sot figuron në arkivat e Shqipërisë emri i kriminelit serb Aleksandër Rankoviç, ndërsa atdhetarët shpalleshin tradhëtarë si: Rexhep Mitrovica, Xhafer Deva, Shaban Polluzha e shumë të tjerë.

Pas çlirimit të Kosovës, Ganiu për herë të parë kthehet në Kosovë pas 21 vite në mërgim, në fund qershorit 1999, bashkë me mikun e tij, potikanin belg, Bart Staes, deputet në Parlamentin Europian. Në Aeroportin e Shkupit i kanë pritur, dajtë e Ganiut me miq e shokë, mbi 30 persona

Deputetin, për shkaqe sigurie, nuk kanë guxuar me e vendosë në hotel, por kanë fjetur në banesë të vëllait, Ramushit dhe gjatë qendrimit në Kosovë, kanë vizituar Kosharën dhe disa vende tjera në Kosovë.

Disa të dhëna, të cilat i kam mësuar gjatë një bisede nga vëllai i Gani Azemit, Sabri Azemi.

Të parët e familjes së Gani Azemit, ishin nga Sanxhaku i Nishit, fshati  Bellolin-e Krushumlisë. Kur ka ndodhur lufta serbo-osmane-turke dhe dëbimi masiv i shqiptarëve, 1877-1878-1879, janë vendosur në fshatin Babush i Muhaxherëve, afër Gadimes-së Ferizajit, ku është lindur Ganiu dhe paraardhësit e tij.

Prindërit: Jakup dhe Zejnepe Azemi, kishin 4 fëmijë, vajzën Hagjere, djemtë : Ramushi, Ganiu dhe  Sabriu, vetëm Sabriu ende jeton. Krejt familja e Ganiut në Prishtinë janë vendosur në vitin 1972, ku edhe sot jetojnë, përveç gruas së Ganiut, zonjës Mejreme Azemi dhe dy djemtë e tyre tanimë të rritur, të cilët jetojnë në Bruksel të Belgjikës.

Gani Azemi, në moshën 17 vjeçe merr pjesë  në demonstratat e vitit 1968 në Kosovë dhe, në demonstratat e vitit 1981 në Perëndim, ndërsa në demonstratat e mëdha të viteteve 1990-ta ka qenë njeri nga organizatorët kryesorë  në Belgjikë…

Ganiu pasi mbaron Shkollën e mesme Normale në Ferizaj, në vitin 1973/74, regjistron  Fakultetin Gazetari/diplomaci, gjenerata e parë në këtë drejtim. Ganiu si student, me një grup, bashkë me Prof.Ukshin Hotin, kanë udhëtuar në Amerikë. Ganiu, në momentin e kthimit, është nda nga grupi dhe e ka vazhdu edhe tre muaj.

Me t`u kthyer nga Amerika, e kanë marrë në sherbimin Ushtarak në Prilep të Maqedonisë.

Nga Prishtina pas një muaj i ka shkuar dosja e përgaditur për qendrimin e tij në Amerikë dhe kanë filluar maltretimet. Prof. Ukshin Hoti, nëpërmjet lidhjeve të veta, ka marrë vesh se Ganiu i ka punët keq dhe e ka porositur shokun e tij,  Aziz Purelku nga Kërçova, që ta vizitojë Ganiun. Dhe, e udhëzon të arratiset, sepse i gjallë nuk shpëton, se për çdo natë e kanë marrë në pyetje, për vizitën në Amerikë dhe Belgjikë, të cilin shtet e ka vizituar para se me shkuar në Amerikë. Ganiu ka vendosë të arratiset. Ka qenë ditë e enjte kur është ankuar se ka dhimbje lukthi. Mjeku në kazermë ka sugjeruar se duhet të dërgohet në spitalin e Shkupit. Të enjten e kanë transferuar, të premtën e kanë vizituar dhe kanë përgaditë t´i bëhen të gjitha analizat dhe rentgenat. Por nuk kanë arritur t`i kryejnë ditën e premte dhe ka mbetur me vazhduar ditën e hënë. Me përfundimin e orarit, mjekët kanë shkuar në shtëpi. Ndërkohë, Ganiu i hypë autobusit dhe arrinë në Prishtinë.

Pastaj, Ganiu ka udhtuar me autobus nga Prishtina në Bullgari dhe ka mbërri në Turqi. E ka zgjedhur si destinacion, për arsye se shumë shpejt e kalon kufirin jugosllav, ngaqë vija tjetër ka qenë shumë e gjatë dhe jo e sigurtë për Perëndim. Tri javë ka ndejtë në Turqi, për ta vazhduar rrugën drejt Perëndimit, duke fluturuar me avion në Romë të Italisë. Me mjete materiale e ka ndihmuar një shqiptar nga Peja, emri i të cilit nuk më kujtohet, ai kishte  emigruar në vitet 1950-ta, i cili ia ka dhënë djalin e vet për ta shoqëruar Ganiun drejt Perëndimit. Në atë kohë shumë shqiptarë nga Tuqia kanë migruar në Perëndim. Menjëherë nga Roma, me tren, kanë udhëtuar për Austri (Vjenë).  Pas 3 ditë qendrimi, kanë mbetur pa mjete materiale.

“Unë, thotë Sabriu, atëherë punoja në Gjermani, më erdhi një telegram nga Ganiu, ku shkruante se është arratisur nga ushtria jugosllave. Në mbrëmje, ora 19.00 jam nisur për Vjenë. Në mengjes, ora 8.00, kam mbërri në Vjenë. Ganiu, bashkë me shoqëruesin e vet ishin vendosur në Hotelin “Kongres”, përballë stacionit hekurudhor të Vjenës. Ende kishin qenë duke fjetur, ua nxora gjumin. Nuk ishim pa një kohë të gjatë. U çmallëm për disa minuta. Pas ngrënies së mëngjesit, unë kam udhëtuar për Maribor të Sllovenisë, ku kam pasur para të kursyera në Bankën e Lublanës, për  rrugëtimin e Ganiut. Të  nesërmen jam kthyer në Vjenë, kemi paguar fjetjen dhe ushqimin për pesë ditë. Kemi marrë biletat e trenit për Mynih, kemi shetitur tërë ditën, në mbremje unë kam udhëtua për Dresden, mdërsa ata për Belgjikë. Me mbërritjen në Bruksel, ka vazhduar për Namur, aty e kemi pasur një vendas, Qamil Hashani. Dhe, pas një pushimi, Ganiu është lajmëruar te organet belge, se është  arratisur nga shërbimi ushtarak jugosllav. Organet kompetente e kanë marrë nën mbrojte. Unë e kam vizituar Ganiun në fund të muajit dhjetor 1979, në qytetin Namur. Pas një kohe është transferuar në Bruksel”.
Arratisja e Ganiut  ka ndodhur diku më 15 qershor 1978, nga Shtipi i Maqedonisë, në Belgjikë ka arritur diku në fund të tetorit 1978.
 Wendlingen,25.05.2023

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok