25/04/2024

FRAGMENT NGA DITARI IM I LUFTËS

0

Livadhi i Haxhi Shefkiit – Te Vneshtët

KONTEMPLACION

(FRAGMENT NGA DITARI IM I LUFTËS, 2001-ME TITULL: “TË SHKRUASH NËN SHURUKAMËN E ARMËVE”)

SHKRUAN SYRJA ETEMI

DUKE SHIJUAR PARAJSËN E FERRTË

(ora 11 e 30 min.)

Në rropatjet e mia të jetës, jorrallë po më grishin hapësirat dhe terrenet impozante të buzësharrit, përkatësisht, ngrehinat atraktive e pitoreske të pyjeve e maleve, e pikërisht – i ashtuquajturi: Vneshti i Haxhi Shefkiis, në Bigurin joshës, i cili, gati për çdo fundjavë më merr me vete, duke më shmangur e kursyer për pak kohë nga rutina e përditshme dhe monotone e rropullisjes së jetës brenda katundit. Eci sa eci dhe piketohem në një taumë dheu e kullose për pak “jogë” shpirtërore, duke shijuar burkurinë mahnitëse – parajsore të Florës dhe Faunës, e cila fillon të “hazdiset” e të krekoset edhe në këtë fillimpranverë. Rri ulur këmbëkryq në Livadh, me shpinë të kthyer kah Guri i Bigurit (Te Çamët e Sllatinës), kurse – me fytyrë drejt hapësirës juglindore (kah Tearca) me qëllimin për të akceptuar sa më ëndshëm natyrën përrallore që më përkëdhel me dashamirësi dhe më “qorton” njëkohësisht  kur ndjen neglixhencën, anashkalimin, përbuzjen apo mospërfilljen evidente të shprehur nga ana e shumë njerëzve të fisit ndaj krejt kësaj mrekullie të Zotit.

Vëzhgoj e meditoj duke blatuar vetmeveti: “Eh, gjithë ky salltanet që po derdhet e shpenzohet kot  për gjëra materiale, e sa pak për përfitime shpirtërore…” Ja sikur të dinim të çmonim mrekullisht këtë vlerë, do të ishim shumë më të përgatitur t’i bëjmë ballë edhe kësaj kacafytjeje me dashakeqasit sllavë…!

Vështrimi vazhdon të përceptojë Rrafshin me imazhet e përfituara, të cilat aty për aty përpunohen në “studion” e kokës sime gati  të shalakatur nga lodhja, në gjetjen e gatishmërisë për t’i dhënë përgjigje secilës panoramë që më kap syri.

…Ja, jaaaa gjithë ky grumbull i madh shtëpish! Gjithë këto kube minaresh të faltoreve (objekte me vlerë materiale,e shumë pak me destinacion për  karrikim shpirtëror). Fshatra të vargëzitur njëri pas tjetrit, të cilët mund t’i dallosh vetëm përmes pyrgjeve të lartësuara drejt qiellit:( minare në Tearcë. Më larg të bie në sy edhe  minareja e xhamisë së f.Përshevcë. Nga ana pak më jugore, në një distancë prej disa kilometrash, të kap syri grumbuj shtëpish të mbështjellë me një aureolë të hollë e të tejdukshme mjegulle (ndoshta është f.Nerasht, sepse e kam vështirë ta identifikoj). Edhe këtu dallohet më shumë minarja e lartë e fshatit.

Dhe, fëësht… del edhe një përgjigje ndoshta aksiomatike, por deduktive dhe faktike: Këta njerëzit e fisit tim, më tepër duan të duken si fetar të devotshëm, sesa të jenë të tillë!…

Eh, gjithë këtë pasuri materiale e varfëri shpirtërore e gjen te  ky popull im i çuditshëm!… Edhe sikur çdo mëhallë të ketë nga një xhami, apo nga një shkollë – kotna sikoti… njerëzit e gjeografisë sime prapëseprapë vuajnë demencën infantile të mileniumit  që po hyjmë kaq të hallakatur…

…Meqë është ende fillimi i pranverës dhe, natyra akoma nuk ka veshur plotësisht petkun e blertë të saj, me lehtësi mund të spikaten karakteristikat arqitekturore të shtëpive të Rrafshit: objekte njëkatëshe, dy, madje edhe tre apo katër katëshe, me fasada stilesh e nuancash të ndryshme: të bardha, të verdha, të kuqe, bojëkafe etj. Nuk janë të rralla edhe anekset e shtëpive ose si i thonë kësaj ane: ”veçellejke”, pojata, madje mashna të zbrazëta  dhe garazhe me dyer të metalta, të drunjta a të plastikta.Tek – tuk të kënaq  syrin ndonjë kopsht i jeshilosur, pasi që bahçet dhe livadhet e dikurshme janë duke u uzurpuar me objekte banimi e duke u ngulfatur njëkohësisht. Nga natyra e blertë, të gajasin ngazëllimin disa drunj që sa po kanë plasur dhe kanë nxjerrë pipat e jeshiltë, kurse disa veç kanë hapur petalet e bardha, si që janë: kumbullat dhe pjeshkët, madje edhe qershitë e vishnjat… Ndërsa, bagremi, dushku, ara dhe gështenja, sikur ende po vazhdojnë dremitjen letargjike të dimrit kapriçoz. E, bredhat, si përherë – vigjilentë, qëndrojnë të krekosur në pllajën e Mbigurit.

Si një  orkestër instrumentesh të çakorduar, dëgjohet jehona e banorëve të këtyre vendbanimeve, e sidomos të bashkëfshatarëve të mi, (pasi këtë fshat e kam më afër). Të buçasin te veshi thirmat e tyre nga oborret, bahçet apo arat  gati të harruara nga padronët e tyre. Buçimë traktorësh, zhaurimë eskavatorësh, krrakatje skifterësh,  kubecësh e shqiponjash; cicërrima zogjësh, që nuk di t’ua them emrat me saktësi: vrabeca,  bilbila, lauresha, sinica, madje edhe ndonjë laskër apo gugufçe, e k.m.r. Nga një largësi të theksuar, ma merr mendja – nga një ngrehinë sakrale kristiane e komshive anksiozë e të bezdisshëm të fshatit përkarshi, të vjen te  veshi një “simfoni” e çakorduar”  në formën e një këngeje të amësht e bajate, e sajuar për inatin e kojshive muhamedanë përbri, me të cilët  urehen në skajshmëri deri në “kapjen e dyfekut”  kundër “ shoqi – shojt”, por, ama, që nuk bëjnë fare pa njëri – tjetrin, kur është në pyetje biznesi apo “allishverishi”…

Si në një përgjumje të beftë, për pak çaste ndjeva sikur gjendem në një botë përrallore. Por, nuk vazhdoi shumë dhe nga ky ekzaltim i momentit, më zgjoi kuisja e një “Kukuvajke”, që vajtonte këngën për “Konstantin – vojvodën”  dhe  “Sharrin – plak që po gjëmon…”, këngë këto që janë grabitur nga komshijtë kapuçbardhë e rebelë. Kisha harruar se mu këtë ditë Ajo festoka Pashkët ortodokse!… Nuk ia vlen të harxhoj shumë kohë edhe mëtej me kësi dënglash bajate, por, t’i lë të qetë ata  në manifestimin dehës deri në ekzaltimin maksimal. ATA janë të atillë, e, NE jemi të këtillë. Secili në kajden e vet…

Kjo sekëlldisje  momenti, nakatoset edhe me indinjatë tjetër që më sfilitë vazhdimisht. Është kjo indolenca dhe indiferenca e dykëmbëshave të Rrafshit ndaj kësaj Parajse tokësore, të cilën e përdhunon mizoria e një dore dhe mendjeje sa bizare, aq edhe djallëzore. Herë pas here të dëgjon veshi edhe ca zëra të çjerrë që të çmendin; ca dërdëllitje bla-bla-bla-shë, të nakatosur me zhaurimë mjetesh e makinash të vjetërruara: buçima rrënqethëse të motoçikletave dhe veturave plaka pa “auspuf”, që s’kanë takat ta përtypin edhe atë pak benzinë apo naftë  farmakosëse…

…Veç bukurisë së Zotit në një anë, në anën tjetër të vret syrin e të sëmbon zemrën papërgjegjshmëria e disa gjyhnaqarëve që shkatërrojnë këtë Kopsht të Edenit me hudhje mbeturinash kudo përreth, me pleh që tërmos dhe bërllok në të katër anë: najllona, plastikë, ambalazhe piesh gazuese, hekura e metale të ndryshkur, e… Ruana, o Zot! Prandaj, nga kjo gjendje sikur marr një të drejtë “hyjnore” për t’iu drejtuar krejt atyre që (nuk) më dëgjojnë:

O, ju individë të padëgjueshëm, pse nuk më lejoni të shijoj deri në fund këtë spektakël ambiental, këtë bukuri të magjishme të kësaj natyre të mrekullueshme? Deri kur do të zgjasë “sadizmi” juaj i pafund, duke u “kënaqur” me dergjën e Tokës-nënë dhe ajrit të pastër-jetëdhënës? Deri kur do të ma kontaminoni eterin me këto zëra të çjerrë përreth meje? O, ju minorenë të pandërgjegjshëm, deri kur do të vazhdoni me këtë gjen shkatërrimtar të ma rrezikoni jo vetëm hisen time, por, edhe hisen e brezave që do të vinë? Deri kur?…

Rri e mendoj dhe vazhdoj të pyes veten: A thua kjo që po bëjmë, është paja apo sermëja që ua lëmë ne bijve tanë? Nëse është kjo, dhe besoj se është, nuk mund të justifikohemi kur ata (brezat që do të vijnë pas nesh nesër a pasnesër), do të na shajnë e do të na mallkojnë …

-Ilaç apo terapi për krejt këtë?

-Edukimi i shëndoshë. Edukim dhe Arsim për shekullin njëzet e një, vëllezër… Arsimi është dritë, arsimi është fuqi që ndryshon gjendjen, që ndryshon botën. Por, ja kur tani edhe era e barotit  ka filluar të kundërmojë në këtëo hapësira tona gjeografike , sikur  edhe më tepër do ta humbim ekuilibrin. Prandaj, o njerëzit e mi, nuk duhet të lëshohemi në defetizëm e të humbim ekuilibrin: “Ekuilibri nuk është vetëm emër (gjendje statike), por një folje (dukuri dinamike) që shpreh veprimin e gjetjes së drejtpeshimit”.

SYRJA ETEMI

04.04.2001

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok