24/12/2024

Flet tenori, pedagogu, “Mjeshtri i Madh”, Kastriot Tusha

0
Kastriot-Tusha1

Erdhi koha për koncerte, Pandemia na ndau nga skena dhe suditoret

Nga Albert Z. ZHOLI

Kastriot Tusha lindi në Elbasan më 14 prill 1963. Mësimet fillestare për kanto i mori me mësuesin F. Feçi në Shkollën e Mesme të Muzikës “Onufri” (1979-1983) të qytetit. Në vitet ’84-’89 mësimet për kanto i vazhdoi në Institutin e Lartë të Arteve (sot Akademia e Arteve të Bukura) në klasën e Gaqo Çakos. Mbasi kryen studimet në vitet 1988-2002, rreshtohet prnë solistëve të Teatrit të Operas dhe Baletit, njëherësh edhe si këngëtar, solist pranë Ansamblit të Këngëve e Valleve Popullore, si interpretues i këngës popullore elbasanase dhe rrethinave të tjera (kohë më parë ai e kishte kultivuar këngën popullore mbas një kursi kualifikimi që kishte kryer në viet ’83-’84 pranë AKVP-së). Në Teatrin e Operas dhe të Baletit, Tusha realizon një veprimtari të ngjeshur koncertore me pjesëmarrje të gjerë në mjaft role në operat shqiptare dhe të huaja, me koncerte të llojeve të ndryshme, me repertor të pasur, ashtu si në fushën e muzikës së lehtë dhe asaj ppullore, si brenda vendit dhe jashtë tij, si në Gjermani, Itali, ShBA, Zvicër, Turqi, Angli, Danimarkë, Kosovë, Maqedoni, Kanada, Norvegji, Suedi, Irlandë e gjetiu.

Takimet me të janë gjithmonë mbresëlënëse. E shikon gjithmonë të qeshur dhe miqësor. Kur takon studentët e tij të thonë se është një pedagog që ta heq emocionin si me magji. Pra, ai është jo vetëm një tenor i mrekullueshëm, por dhe një pedagog korrekt dhe një njeri paqësor dhe modest.

-Situatë pandemie. Ju gjithmonë jeni mësuar në lëvizje, jeni mësuar në aktivitete dhe në salla ku gumëzhin spektatori. Si është ndjerë këtë periudhë Kastriot Tusha?

-(Qesh) Ka qenë situata më e vështirë për  artin, muzikën, këngëtarët dhe instrumentistët. Një situatë që as nuk mund të mendohej. Mbi një vit e gjysmë larg spektatorit, larg akrtiviteteve masive, larg  skenave por dhe auditorëve të mësimdhënies.  Kënëgtarit jeta pa skenën, pa njerëzit, pa aktivitete dhe sheshet të mbushura plot jeta i duket e vakët, pa  temp, e përgjumur. Kemi qenë të detyruar të punojmë dhe të bëjmë prova në salla të mbyllura, në vende larg njerëzve dhe të punjomë individulisht për të ruajtur zërin, për të ruajtur nivelin artistik. Na ka munguar bashkëpunimi me artistët e tjerë brenda dhe jashtë Shqipërisë. Kjo periudhë ishte një periudhë meditimi, reflektimi. Njëkohësisht jam munduar të shikoj dhe gjithë punën time në tërë vitet  skenike. Bëra një bashkëbisedim me veten për arritjet suskeset, mangësitë.  Pra nuk kam qënduar në vend, por sërish është ajo skena e madhe që na mungon dhe na jep forcë, emocion,  dhe na orienton drejt së ardhmes së suksesshme. Janë studentët që na e bëjnë më të bukur ditëm Janë pyetjet e tyre, kërkesat e tyre, dëshirat e tyre për të ecur në jetë. Në ëkto kushte larg tyre jemi ndjerë si pa krahë, pa motiv ditor, pa dialogun e përdistshëm. Studentët të venë në lëvizje, të detyrojnë të punosh më shumë.

Flitet shumë për shkollën shiptare të muzikës. Aktualisht shkolla shqiptare e kantos, vazhdon të jetë shkollë sipas modelit të shkollës ruse apo ka ndryshuar?

Çdo gjë evoluon. Në vitet e demokracisë shkollës shqiptare të Kantos vazhdimisht i është ndryshuar kursi, duke ju përshtatur shkollës italiane, që ka qenë pararendësja e shkollave të tjera. Për çdo vit ne kemi rritur nivelin pedagogjik të mësimdhënies duke i dhënë përparësi shkollës italiane dhe pa i mohuar vlerat shkollës ruse. Mund të themi se sot është një kombinim pro me përparësi shkollës italiane. Kjo për vetë arsyen se tashmë shumë pedagogë tanë janë shkolluar, apo kanë marrë mësime suplementare, kanë marrë pjesë në seminare apo kurse të ndryshme në shkollën italiane të kantos. Kjo për shumë arsye por tashmë edhe për arsyen e thjeshtë se e kemi më afër gjeografikisht, sikundër dihen rezultatet e shkollës italiane të kantos, aq më tepër që nga këngëtaret dhe këngëtarët tonë lirik, janë me dhjetëra që këndojnë në skenat e operave italiane, por edhe gjermane, austriake, etj…

-Ju keni qenë disa herë  Kryetar i Jurisë për studentët që pranohen në kanto? Si ishte cilësia e konkurruesve dhe juria a ka vend për hatëre, tarafe, ndërmjetësira, por edhe mitmarrje, etj ?

Tek ne afrohen konkurrentë shumë dinjitoz, shumë të përgatitur, ku ne e kemi pasur shumë të vështirë vlerësimin real. Kjo vjen pasi tashmë janë të gjitha mundësitë që konkurruesit të parapërgatiten nga pedagogë apo mësues profesionistë dhe të nxjerrin në pah paraprakisht aftësitë e tyre, pa ardhur ende në konkurrim. Pra çdo konkurrent vjen në këtë ditë, i konsoliduar, i parapërgatitur, i mirë informuar dhe me dije të vazhdueshme në këtë degë. Sot nuk vijnë kurrë konkurrentë të rastësishëm, apo konkurrentë spontan. Asnjëherë. Konkurrenti vjen pasi i kanë dhënë vlerësim paraprak specialistët, pasi kanë bërë mësime parapërgatitore. Ndërsa përsa i përket pyetjeve a hyn miku, njohja, apo e tjera mund të them me bindje se as nuk e çoj në mend. Ky profesion nuk do mik. Skena nuk do mik. Skena është skenë, ajo të nxjerr blof. Të skarcon. Zërin nuk ta fal askush, përveç zotit. Nqs ke zë, ti ke fituar. Nuk mund të mbulohet dielli me shoshë, nqs ne bëjmë akrobatllëqe në dëm të cilësisë, në dëm të talentit dhe aftësisë, pasi aftësitë e konkurruesit janë të dukshme, janë konkrete. As e kam menduar ndonjëherë një vlerësim mbi këto baza, mbasi dështimi do ishte i dukshëm, do ishte i pafalshëm.

-Kur është momenti më i vështirë tek konkurruesit?

Momenti më i vështirë është ai i fillimit, kur konkurrenti do fillojë të këndojë apo të përgjigjet. Këtu del roli ynë si pedagog si drejtues. Kurrë nuk duhet të mbash një qëndrim autoritarist, të ashpër. Pasi ka shumë konkurrues që nuk e kalojnë këtë gjendje. Detyra jonë si juri është ti flasim bukur, ti flasim me qetësi, ti flasim me dashuri, tu heqim emocionet se vetëm kështu ata heqin emocionet dhe japin maksimumin. Këtë e kemi pasur parasysh në të gjithë punën tonë ën vijimësi.

Pedagog dhe tenor, këngëtar, ku ndiheni më mirë dhe ku më me përgjegjësi?

Unë ndihem mirë në të dy profesionet por dhe ndihem keqpasi jam përpara një përgjegjësie të dyfishtë. Kënga të jep popullaritet, të qenit pedagog të jep seriozitet, të dyja bashkë përbëjnë një përgjegjësi të madhe që duhet ta përballosh me çdo kusht. Një gabim në një profesion detyrimisht ndikon dhe në prestigjin e profesionit tjetër, ndaj hapi duhet të jetë i kujdesshëm. Janë dy profesione që kanë të përbashkëta por edhe veçantitë e tyre, ndaj them se në këtë autostradë, përgjegjshmëria është e madhe, kujdesi ndaj vetes i madh, maturia maksimale dhe ekuilibrat mes studentëve dhe fansave duhen ruajtur me elasticitet.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok