09/12/2024

Flet Prof Lush Susaj: Përsëri bujqësia mbetet e nënfinancuar dhe e abuzuar

0
Lush-Susaj1

Bujqësia kontribon me 19% të PBB dhe financohet me rreth 0,6% të buxhetit.

Kontributi i saj këtë vit është 2% më i ulët se një vit më parë, duke arritur në 16.2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

-Bujqësia është mëkati më i madh i qeverisjeve të korruptuara të këtyre viteve.

Intervistoi: Albert Z. ZHOLI

Pesha e bujqësisë në ekonominë shqiptare po zbehet nga viti në vit. Kontributi i saj këtë vit është 2% më i ulët se një vit më parë, duke arritur në 16.2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, ndërsa sektorët që po marrin hov në ekonomi janë ndërtimi dhe turizmi.  Në tremujorin e dytë, bujqësia u rrit me 0.16%, ndërsa për të njëjtën periudhë një vit më vonë ra me 0.04%. Të dhënat e INSTAT tregojnë se ky ishte tremujori I 8-të radhazi që sektori qëndron në vendnumëro. Ndonëse çmimet e prodhimeve bujqësore janë rritur dhe kërkesa nga jashtë për prodhime shqiptare është e lartë, prodhimi nuk u është përgjigjur zhvillimeve të kohës. Të dhënat nga tregu sugjerojnë se dobësitë më të mëdha po shfaqen në sektorin e blegtorisë, ku rënia e numrit të krerëve ka qenë e orce. Në vitin 2024, numri i bagëtive në vend shënoi rënie me mbi 12%. Blegtoria është dega e dytë më e rëndësishme e bujqësisë, dhe rënia e saj ndikon në gjithë sektorin bujqësor. Ndërkohë, zhvillimet kanë qenë orcese në sektorin e serrave, ku çmimet e larta të eksportit kanë nxitur zgjerimin e sipërfaqeve të mbjella. Nga ana tjetër, zhvillimet klimatike me një pranverë me shira dhe mot të ftohtë, si dhe korrikun shumë të nxehtë, kanë dëmtuar frutat dhe prodhimin bujqësor në fusha këtë vit. Sektori bujqësor po përballet me emigrimin të lartë të orces punëtore jashtë vendit dhe drejt sektorëve të tjerë të ekonomisë, ku pagat janë më të mëdha.

-Flitet shumë për bujqësinë shqiptare. Dikur mbante një peshë të madhe në ekonominë e vendit, por mos interesimi i shtetit ka bërë që interesi për të të bjerë! Cili është kontributi i bujqësisë shqiptare në ekonominë e vendit sot?

  • Bujqësia kontribon me 19% të PBB dhe financohet me rreth 0,6% të buxhetit

Padyshim që bujqësia është sektori më i rëndësishëm për punësimin, zhvillimin e qëndrueshëm demografik, turizmin dhe të ardhurat për ekonominë familjare e atë kombëtare. Bujqësia është mëkati më i madh i qeverisjeve të korruptuara të këtyre viteve. Sepse nga bujqësia sigurohet mbi 19% e PBB, përkundrejt financimit me rreth 0,6 të buxhetit. Nga këtu buron edhe çmimi i lartë dhe ajo konkurueshmëria e ulët e prodhimeve tona në tregjet rajonale dhe europiane.

Ajo që duket lehtë është rrënimi i vazhdueshëm i kapaciteteve menaxheriale, profesionale e ligjore të bujqësisë, duke e lenë bujqësinë si një organizëm pa sy e pa tru, pa rregulla, pa standarte, e pa protokolle bashkëkohore, në një pamundësi të plotë për t’u integruar me standartet dhe tregjet e punës dhe të prodhimit bujqësorë rajonal e botëror.

Kjo e krijuar përmes mënjanimit dhe largimit të specialistëve, ekspertizës dhe elitës më të mirë të vëndit po mbahet gjallë në shërbim të lojës së dosjeve fiktive, abuzimit dhe gllabërimit të projekteve, të fondeve dhe të investimeve në fushën e bujqësisë dhe blegtorisë.

Është fjala për fondet dhe investimet që kurrë nuk përfunduan tek bujqësia, e as tek blegtoria.

Nëpër dosjet fiktive të punëve dhe investimeve të pakryera, ka aq shumë magazina frigoriferike, ndërsa në terren për mungesë të tyre, molla dhe produktet e tjera bujqësore po kalben ose po shiten në mënyrë abuzive, nën kosto. Aktualisht, prodhuesit e mollës në Kastriot të Dibrës, në Maliq, në Devoll, në Korçë etj, po e shesin mollën me 30 lekë/kg, ndërsa populli po e blen në tregjet e qyteteve me 120 lekë/kg, një rritje abuzive e çmimit me 400%. Mjafton që të shkohet në Devoll, në Korçë, në Pogradec, në Maliq, në Dibër, etj, që të mund të kuptohet se sa shumë është abuzuar me investimet për qëndrat e grumbullimit, marketingut, përpunimit, e sidomos për magazinat frigoriferike, që në jo pak raste nuk u ndërtuan e as nuk funksionojnë.

-Po nëse flasim për kantinat e verës dhe për vreshtat në tërësi?

E njëjta panoramë është edhe tek vreshtat dhe kantinat e pijeve alkolike, të cilat nuk janë në ato parametra, as në ato kapacitete dhe standarte që janë financuar e raportuar.

Investimet dhe prodhimet po shkojnë kot së koti edhe për shkak të injorancës në drejtim të teknologjive të prodhimit, të rajonizimit dhe të testimit të kultivarëve dhe nënshartesave, punë që nuk u krye kurrë nga specialistët e fushës e as sikurse duhet.

Pavarësisht nga sa thuhet sa për propagandë, në terren nuk ka asnjë garanci për drithërat dhe kulturat prashitëse. Kjo për shkak të mungesës së sistemit funksional të ujitjes dhe kullimit. Nga ku në verë nuk ka ujë në parcelë, ndërsa në vjeshtë dhe dimër ka përmbytje me pak reshje shiu.

Duket që për fermerin shqiptarë, asgjë nuk është e qëndrueshme e as e sigurtë edhe për shkak të mungesës reale të sistemit kombëtarë të prodhimit dhe çertifikimit të farave e fidanave.

Projektet dhe fondet për këtë qëllim janë shpenzuar disa herë, ndërsa sistemi akoma nuk ekziston e nuk funksionon në asnjë hallkë të tij.

Si gjithmonë, pasojat bien mbi fermerët, sigurinë ushqimore dhe mbi ekonominë kombëtare.

Është folur e financuar disa herë edhe për kadastrën dhe strukturat varietore të detajuara deri në rajone, zona dhe mikrozona, nga ku përveç dosjeve fiktive, në terren nuk ka funksionuar e nuk ka mbetur asgjë.

Në kushtet e mungesës së sistemit funksinal të kadastres, janë dhënë aq shumë fonde gjoja për të mbjellur pemëtore dhe vreshta çdo vit e në të njëjtën sipërfaqe toke. Duke e paraqitur e trajtuar pemën frutore dhe hardhinë sikur të ishte miser, spec apo domate që mbillet çdo vit, e jo sikurse janë, bimë shumëvjeçare, që sipas llojeve dhe teknologjisë ato mbillën një herë në 35-50 vjetë.

Janë kopsitur aq shumë dosje për stalla e për tufa bagëtish, por që në terren nuk ekzistojnë fare.

E njëjta situatë është edhe në lidhje me objektet e agropërpunimit, që në jo pak raste ekzistojnë fare. Ndërsa agropërpunimi, standartizimi dhe marketingu i prodhimeve tona le akoma më shumë për të dëshiruar, ndërsa tregu po mbytet nga prodhimet e huaja të importit.

Korrupsioni, fiktiviteti dhe injoranca në teknologji dhe menaxhment, duket se ka shkaktuar një katastrofë të thellë, e me pasoja afatgjata.

-Pra të gjitha këto probleme lindin për shkak të korrupsionit?

Po! Korrupsioni është me ligje dhe vëndimarrje abuziviste!

Pavarësisht nga ligjet dhe vendimarrja që duhet të favorizonin dhe mbronin prodhimin vëndas, realisht ka ndodhur dhe po ndodh e kundërta:

Sepse janë favorizuar dhe po favorizohen importuesit, që po e mbytin tregun me pemë dhe perime të mirësubvencionuara, e të prodhuara në Turqi, Serbi, Maqedoni, etj, duke i importuar ato në pikun e prodhimit vëndas. Kjo dukuri antiligjore e zhvlerëson dhe rrënon prodhimin vëndas dhe fermat bujqësore e blegtorale. Mungesa e zbatimit të masave mbrojtëse ndaj prodhimit vëndas, buron nga fitimet e mëdha të korrupsionit nga importuesit dhe importet.

Dijet shkencore, përvoja dhe këshillat e ekspertëve dhe menaxherëve të terrenit, duket sikur nuk kanë vlerë, sepse ekspertët dhe specialistët më të mirë të vëndit, tashmë janë spostuar, menjanuar e zëvendësuar me profilet tipike të servilizmit, mediokritetit dhe injorancës, që gjallon e po rritet kudo administratën bujqësore.

Në një trajnim bujqësorë të këtyre ditëve, njëri nga shokët e mi të fakultetit, e që sot është fermer i sukseshëm dhe specialist terreni, pasi dëgjoj shumë pasaktësi në ligjeratën e një trajnuesi, fjalë për fjalë e pyeti: “ku është rendimenti më i lartë tek pemtoret dhe vreshtat organike, apo tek ato konvencionale?”

Përgjigjia e trajnuesit pa punuar as edhe një ditë në bujqësi, e pa patur as fermë private, por që është zgjedhur jo nga meritokracia, i është përgjigjur duke i thënë se: “rendimenti më i lartë është tek pemtoret dhe vreshtat organike”.

Kjo përgjigje e gabuar tregon më së miri mënyrën se si politizimi, korrupsioni dhe injoranca profesionale, e ka vrarë dhe po e vret çdo ditë prodhimin dhe standartet bujqësore e blegtorale.

Unë nuk kam asgjë me këta njerëz pa dije e përvojë, sepse problemin e kam me korrupsionin administrativ e politik, që adreson zgjidhjen e problemeve tek këto lloj karakteresh që nuk njohin Zotin, as ligjet e shtetit, e që vetëm dinë të firmosin mbi çdo fletë që ju vihet përpara, e kudo në shërbim vjedhjes së projekteve dhe investimeve.

Vdekja e prodhimit bujqësor e blegtoral, po e godet çdo ditë edhe turizmin, pasi zhvillimi i turizmit pa prodhimin e produkteve të vëndit, është një pamundësi totale.

Mungesa e produkteve pa identitet varietorë, gjeografikë dhe historikë, është humbje klientele dhe reputacioni. E ku sikurse dihet, identitetin nga ku buron fitimi, reputacioni dhe suksesi, nuk e prodhon partia, as klani nepotikë e hajdutërorë. Përkundrazi, identitetin dhe reputacionin e prodhojnë, e implementojnë, e përhapin dhe e ruajnë shkencëtarët, specialistët dhe menaxherët me moral, dije dhe me përvojë.

-Çarë ka sjellë korrupsioni administrativ?

Së pari, korrupsioni administrativ po dëbon edhe specialistët e rinj, të sapodiplomuarit në UBT.

Korrupsioni duket që ka goditur rëndë edhe degët jetike e profesionale të Universitetit Bujqësorë të Tiranës. Kjo duket në faktin që, në këto 10 vitet e fundit, pothuajse të gjithë specialistët, që janë diplomuar për agronomi (në degët vreshtari, pemëtari, ullishtari, agrume, bimë arash, perime, bimë medicionale, etj), realisht janë lenë pa punë. për një kohë të gjatë janë mohuar e tërhequr zvarrë nëpër portalet fiktive, deri kur janë mërzitur dhe detyruar të emigrojnë.

Pasojat e kësaj sjellje absurde duken kudo, ku për pasojë nevojat për agronom janë më të mëdha se kurrë më parë.Korrupsioni dhe vendimarrja e gabuar, e ka goditur me top rrolin e pazëvendësueshëm të specialistit të terrenit, pa e ditur që patronazhistët, militantët, apo servilat, nuk do të mund të realizojnë kurrë teknologji, prodhime, e as standarte konkuruese.

Në vendin e specialistëve të rinj, si askund tjetër në botë janë rekrutuar e po mbahen në punë pensionistët, duke i salduar mbi karrigët e administratës pa meritë e pa patur fare nevojë.

Nga ky takëm pensionistësh servilë e të pangopur me kolltukun e pushtetit, po na shfaqen edhe ish sekretarët e byrosë së partisë së punës, të cilët edhe pas 34 vitesh demokraci, e kanë guximin dhe paturpësinë që të mënjanojnë e të zëvendësojnë në punën e tyre deri dhe profesorët dhe ekspertët më të mirë të fushave të bujqësisë. Për këtë arsye, unë mendoj se në moshën e daljes në pension, sidomos për pensionistët nostalgjikë dhe ish funksionarë të P.P, duhet të zbatohet ligji që të hapet rruga e meritokracisë dhe promovimit të specialistëve dhe ekspertëve të rinj.

  • Nënfinancimi dhe abuzivizmi i bujqësisë, është padije dhe gafë politike

Unë mendoj se nënfinacimi i bujqësisë është një gafë e trashë politike, që përsëritet edhe për vitin e ardhshëm, ku buxheti për Ministrinë e Bujqësisë do të jetë 14.6 miliardë lekë, (146 mln euro), me një rritje prej 673 milionë lekë (6.7 mln euro), krahasuar me vitin aktual.

Edhe ndryshimet e shtatorit 2024, “Për disa shtesa në vendimin nr. 130, datë 6.3.2024”, duket se nuk vlejnë për asgjë, sepse fondi prej 5 milion eurosh, është i pamjaftueshëm, e kjo sidomos në kushtet kur mungojnë financimet nga IPARD.

Edhe skema me të cilën ka startuar procesi-aplikimi dhe shpërndarja e fondit për mjete mekanike, mbulesa antibreshër, etj, ka filluar që të përfolet si një skemë e mbyllur, nga ku dyshohet për ndikim në rritjen artificiale të çmimit të mjeteve mekanike.

Në lidhje me masën 4 të kësaj skeme ku thuhet: “Për blerjen e traktorëve, makinerive dhe pajisjeve për mekanizimin dhe modernizimin e proceseve të punës në fermat bujqësore dhe blegtorale”, masa e përfitimit është 50% e vlerës totale të faturave tatimore, por jo më shumë se 5,000,000 (pesë milionë) lekë për subjekt.

Fermeret dyshojnë se skema që po zbatohet me ofertuesit e paracaktuar, e që zhvillohet me një cikël të mbyllur të aplikimit, të përzgjedhjes, të financimit dhe të kontrollit të produktit të blerë, është një praktikë që len hapësira për oferta dhe çmime të fryra, e jashtë realitetit.

Përshëmbull, në rast se fermeri do me marrë një traktor të markës italiane me motorr tip “Kubota”, do ta marrë atë me një çmim rreth 18000-19000 euro, nga ku 50% apo 9000-9500 euro do t’i paguaj vetë fermeri,  e 9000-9500 euro të tjera ja plotëson-subvencionon ministria përmes fondit prej 5 miljon euro.

Problemi duhet parë edhe në këndvështrimin se sa kushton një traktor i tillë, nëse fermeri e blen atë në Greqi, Itali, Kosovë, etj. Nëse këto paisje, që sikurse përfolet jashtë kushtojnë 50-60% më lirë, pse të mos blihen atje, dhe ministria ta kompensojë fermerin mbi bazën e faturës tatimore.

Nëse një plug me tre elementë punues, në ofertat e paraqitura në Shqipëri kushton 450 euro, përse të mos lejohet blerja e tij në Kosovë ku kushton vetëm 150 euro. Në këtë mënyrë, me të njëjtin fond prej 5 miljon euro, mund të ndihmohen më shumë ferma dhe fermerë. Natyrisht që nëse veprohet në këtë mënyrë, nuk do të burojë as mbetet gjë për korrupsionin. Parë nga ky këndëvështrim, mendoj që skema e përdorimit të fondit duhet riparë në shërbim të fermerëve.

Për shkaqe abuziviste e subjektive, pothuajse po vdesin veprimtari të tilla prodhuese, sikurse është sektori i prodhimit, përpunimit dhe marketingut të bimëve medicionale në Malësin e Madhe, ku fermat po falimentojnë për shkak të mbetjes së prodhimit stok, e ku sherebela nuk po shitet as nën kosto (sot është me 60 lekë/kg).

Në bisedat e përditshme, kjo humbje kolosale për punësimin dhe ekonominë e rajonit, thuhet se ka ardhur e që po thellohet për shkak të sherebeles, që vjen nga Turqia dhe vendet e tjera, e që paketohet në Shqipëri, për t’u shitur  në tregun Amerikan si produkt “Madein Albania”.

Në këto kushte, populli po varfërohet, po falimenton e po detyrohet që të emigrojë. Për këtë arsye, është urgjente që institucionet e vëndit të vihen në lëvizje për të sqaruar problemin, e për të stopuar shpopullimin dhe pllakosjen e vëndit nga papunësia dhe varfëria.

Duhet hetuar sa më parë, e nëse nga hetimi rezulton që këtë faliment po e shkakton sherebela e importuar, me patjetër që duhen stopuar praktikat që rrënojnë prodhimin dhe punësimin.

Është koha që institucionet shtetërore të mbrojnë popullin dhe prodhimin vëndas, duke ndërhyrë sipas ligjeve kundër importeve abuzive e korruptive, si dhe kundër fallsifikimit të markave dhe produkteve tona kombëtare të sherebeles, të hudhres, të levandules, të rigonit, etj.

Për ta përmbyllur, mendoj dhe shpresoj që fjalët dhe shqetësimi i përditshëm i fermerëve dhe specialistëve të terrenit, do të mund të dëgjohet e të merret në konsiderate për të mirën e shtetit dhe shoqërisë shqiptare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok