Flet Prof. Lush Susaj: Ja problemet në Shqipëri nga korrupsioni tek përmbytjet dhe stoku i vajit të ullirit
– Tashmë korrupsioni është shfaqur në trajtën e korrupsionit elektoral, legjislativ dhe ekonomik.
-Nga korrupsioni galopant pjesa më e madhe e shoqërisë varfërohet, kriminalizohet, degradohet dhe dëbohet nga Shqipëria.
– Në Shqipëri, sistemi i korruptuar është ndërtuar dhe ushqyer për vite me radhë me anë të dhunës dhe imoralitetit të thellë shtetërorë e politikë
– Vihet re mungesa e theksuar e transparencës, etikës dhe llogaridhënies publike.
– Përmbytja dhe dëmtimi i prodhimeve burojnë nga injoranca dhe abuzivizmi me detyrën
-Përmbyjet e 19-20 janarit, janë fenomen njerëzor e jo natyror
– Buna, është ulur për shkaqe dhe ndërhyrje abuzive e antiligjore.
– Në 46 km gjatësi të lumit Buna, nga fondet dhe investimet për argjinaturat në terren duket që nuk ka mbetur asgjë.
– Nëse do të investohet realisht në grykëderdhje dhe mbi argjinaturën e majtë të Bunës nuk do ketë përmbytje.
– Shqipëria, e ka konsumin për frymë të popullsisë nga 2,5 litra/frymë në vitet 1990, sot ka arritur në rreth 4 litra/frymë.
-Ndërsa Greqia e ka mbi 25 litra/frymë. E në këto kushte e nivele, mendoj se nuk mund të flitet për prodhim të tepërt edhe sikur të prodhohet 4-5 herë më shumë vaj.
Intervistoi: Albert Z. ZHOLI
Dhe pse flitet në vijimësi sërish korupsioni mbetet problem kryesor në vedin tonë. Madje ai tashmë është thelluar pasi shfaqet në disa forma. Qeverisja e gjatë e PS dhe përçraja e opozitës ka bërë që përgjegjësia mbi të të mbetet jetim. Këtë vit doli dhe një problem tjetër. Prodhimi i mbarë i ulirit ka bërë që vaji i ullirit shqiptar të mbetet stok. Madje aktualisht 1 litër vaj ulliri është i barabartë me çmim me një litër vaj luledielli. Pse? Këto përgjigje do t’i gjeni në këtë intervistë….
E kemi theksuar disa herë se korrupsioni është fatkeqësia më e madhe e kombit dhe shtetit shqiptar, por cilat janë format e korupsionit në Shqipëri?
Këtu nuk e kam fjalën thjeshtë dhe vetëm për korrupsionin me pronat, me pozicionet e punës në administratën shtetërore, e as për fondet e vjedhura të investimeve dhe projekteve. Përkundrazi, dua të rikujtoj faktin që burimi apo nëna e të gjitha të këqijave për kombin dhe shoqërinë tonë, është korrupsioni politikë dhe kriminalë, i kudogjëndur dhe shfaqur në trajtën e korrupsionit elektoral, legjislativ dhe ekonomikë.
Në ËIKIPEDIA lexojmë që: “Fjala krrupsion nënkupton çdo shkelje të detyrës së personave zyrtarë ose përgjegjës në subjektet juridike dhe ekonomike, dhe çdo veprimtari e iniciatorëve apo përfituesve të kësaj sjelljeje, e drejtuar si përgjigje ndaj një shpërblimi, që drejtpërdrejt ose indirekt është premtuar, ofruar, dhënë, kërkuar, pranuar apo është pritur për t’u marrë për veten apo për një person tjetër”. Në këtë përkufizim ndërkombëtar, duket që e gjen veten çdo shqiptar, viktima të përditshme të sjelljes korruptive e kakistokratike të administratës politike dhe administrative të vendit. Nuk besoj që të ketë ndonjë shqiptarë apo ndonjë mik të sinqertë të shtetit dhe të shoqërisë shqiptare, që të mos e ketë kuptuar faktin që në këtë sistem të korruptuar politik e shtetërorë që është ndërtuar në Shqipëri, me përjashtim të një pakice dallkaukësh, politikanësh dhe administratorësh që pasurohen pa moral as meritë, ajo pjesa më e madhe e shoqërisë vetëm sa varfërohet, kriminalizohet, degradohet dhe dëbohet nga Shqipëria.
Në Shqipëri, sistemi i korruptuar është ndërtuar dhe ushqyer për vite me radhë me anë të dhunës dhe imoralitetit të thellë shtetërorë e politikë, nga ku buron degradimi shtetëror dhe trimëria e sundimtarëve në vjedhje dhe në abuzivizëm, sëbashku me paturpësinë dhe mungesën e theksuar të transparences, etikës dhe llogaridhënies publike.
-Çfarë sjellin këto fenomene?
Këto fenomene e pasoja, duket sikur e pamundësojnë bashkëpunimin dhe zhvillimin e qëndrueshëm të shtetit dhe politikës, si dhe minojnë në mënyrën më të përçudnuar strukturën dhe themelet e një shoqërie. Korrupsioni është përbindëshi që ka lindur e që po rritet nga heshtja dhe nga mungesa e reagimit. Tashmë nga korrupsioni elektoral dhe format, që burojnë prej tij, duket që kanë stopuar dhe bllokuar të gjitha kanalet dhe mundësitë e dialogut shoqërorë, politikë, ekonomikë e kulturorë të vendit. Në këto kushte, çdo shqiptar duhet të kuptojë që përballja dhe shërimi i shtetit dhe politikës nga korrupsioni, është domosdoshmëria më jetike. Kjo pasi nga trashje e mëtejshme e fijeve nepotike, korruptive dhe hajdutërore, përballja do të bëhet gjithnjë e më e vështirë dhe më e kushtueshme. Lutemi Zotit që shërimi i shtetit dhe politikës sonë të bëhet me reforma dhe me mjete demokratike, e të mos degradojë kurrë më në konflikt të dhunshëm, nga ku dihet që përfitojnë vetëm zyrtarët dhe segmentët e kriminalizuara të sistemeve të korruptuara.
-Ju rreshtuan disa mënyra të korrupsionit të cilat madje kanë sjellë dhe fenomenin e përmbytjeve. Ku egziston lidhja mes tyre, pra përmbytjeve, dëmtimit të prodhimeve dhe korupsionit?
Përmbytja dhe dëmtimi i prodhimeve burojnë nga injoranca dhe abuzivizmi me detyrën.
Edhe nga reshjet e dy ditëve të fundit (datat 19 dhe 20 janar 2023), në mënyrën më të panevojshme e të përsëritur, u përmbytën fushat e Nënshkodrës, si dhe qyteti dhe ultësira e Lezhës. Kujtoj faktin që sipërfaqja e përmbytur, është një territor i mirëstudjuar dhe me lartësi 2 – 9 m mbi nivelin e detit. Në këto kushte, përmbytja është fenomen njerëzorë e jo natyrorë. Aftësia ujpërcjellëse e shtratit të lumit Buna, është ulur për shkaqe dhe ndërhyrje abuzive e antiligjore. Për pasojë, banorëve të kësaj fushe të begatë, po u pamundësohet jetesa, e kjo për shkaqe korrupsioni dhe injorance administrative me investimet dhe fondet e adresuara për kullimin dhe ujitjen, të cilat nuk shkuan kurrë në destinacionin e duhur.
Kujtoj faktin që, pavarësisht nga dosjet fiktive dhe demagogjia, në 46 km gjatësi të lumit Buna, nga fondet dhe investimet për argjinaturat e vazhdueshme dhe për thellimin e grykëderdhjes dhe të shtratit të Bunës, në terren duket që nuk ka mbetur asgjë. Në këtë mënyrë, kapaciteti ujëpërcjellës i Bunës dhe kanaleve të kullimit, vetëm sa janë reduktuar, e në këto kushte përmbytjet dhe katastrofat ekonomike do ta shoqërojnë shoqërinë dhe shtetin tonë, përsa kohë që nuk ka menaxhim efektiv të fondeve dhe investimeve.
Sikur të mos mungonte korrupsioni 32 vjeçarë me fondet dhe investimet në prita malore, argjinatura, grykëderdhje dhe kanale, po për shkaqe korruptive, nepotike dhe antiligjore, janë lejuar edhe ndërtime të shumta abuzive në shtratin e lumit dhe mbi argjinatura, të cilat ngushtojnë shtratin dhe ulin kapacitetet ujëpërcjellës.
Në mënyrë korruptive është mbjellur dhe po ushqehet çdo ditë përmbytja dhe fatkeqësitë e tjera, të cilat janë dhe duhen quajtur me emrin që ato kanë, fatkeqësi korrupsioni.
-A ka zgjidhje reale për të mos patur përmbytje nga lumi Buna? Cilat janë ato dhe pse nuk janë bërë?
Nëse do të investohet në grykëderdhje dhe mbi argjinaturën e vazhdueshme të krahut të majtë të Bunës, le të punojnë hidrocentralet dhe të bjerë shi sa të dojë. Buna nuk ka se si të dalë nga shtrati, e fusha e Nënshkodrës, nuk ka se si të përmbytet. Pasi dihet që duke filluar nga deti Adriatik e deri në Liqenin e Shkodrës, kemi të bëjmë me një territor mbi nivelin e detit, e për fatin e mirë nuk jemi në kushtet e Hollandës.
Për të mos harruar edhe faktin tjetër shumë të debatueshëm të këtyre ditëve, ku vetëm për shkak të korrupsionit, nepotizmit dhe të injorancës administrative, është krijuar situatë e pakuptimtë stoku për vajin e ullirit, njëri nga produktet ushqimore më të kërkuara në botë.
-Sa ullinj produkt i vjelur prodhohet në Shqipëri? Po vaj ulliri dhe a është cilësor?
Kujtoj faktin që Shqipëria, e ka konsumin për frymë të popullsisë nga 2,5 litra/frymë në vitet 1990, sot ka arritur në rreth 4 litra/frymë. Ndërsa Greqia e ka mbi 25 litra/frymë. E në këto kushte e nivele, mendoj se nuk mund të flitet për prodhim të tepërt edhe sikur të prodhohet 4-5 herë më shumë vaj.
Kujtoj faktin që Shqipëria, nga një prodhim mesatar prej 10000-12000 ton vaj në vit (1987-1990), këtë vit ka arritur në rreth 20000 ton/vit, e që urojmë që ky prodhim të vazhdojë e të dyfishohet në të ardhmen. Kjo për shkak se, mbetja e vajit stok nuk është për fajin e prodhuesve, e as për fajin e natyrës, dhe as për shkak të mungesës së tregut. Përkundrazi, në tregjet rajonale e botërore, ka një uri dhe kërkesë shumë të madhe për vajin e ullirit. Ndërsa administrata jonë duket që fle gjumë, në vend që të negociojë e të gjejë tregje dhe mekanizma për ta grumbulluar, amballazhuar dhe tregëtuar këtë produkt të shkëlqyer të tokës shqiptare. Këtë mendim ma përforcoi edhe më shumë një bisedë që ditën e djeshme (datë 19 janar 2023), pata me një punonjës të një ambasade të një vendi dhe populli mik të sinqertë të Shqipërisë, e që kërkonte vaj ulliri për ta dërguar në tregjet e vendit të tij. Ai me tregoi se si ka bërë disa përpjekje dhe telefonata në Ministrinë e Bujqësisë, nga ku i kanë adresuar për tek një drejtor (emrin e të cilit nuk ma tha), e ku drejtori një herë ju ka thënë se tani për tani nuk flas dot sepse do të shkoj në një mbledhje, e më pas ai nuk ua ka hapur më telefonin. Në këto kushte, punonjësi i ambasadës ka udhëtuar vetë deri në Vlorë, në përpjekje për të siguruar një kontratë për vajin e ullirit, e që për fat të keq, mora vesh që edhe aty nuk është ra dakord për çmimin prej 4-5 euro/litër. Nevojat e këtij vendi mik të Shqipërisë (dhe të vendeve të tjera të Europës dhe Azisë), janë shumë të mëdha, e në këto kushte kërkohet vetëm një përpjekje e vockël shtetërore për ta grumbulluar, subvencionuar dhe evaduar sa më parë prodhimin e vajit. Nga kjo ndërhyrje do të mund të shpëtohen fermerët nga varfëria, fshatrat nga shpopullimi dhe mijëra rrënjë ulliri nga prerja dhe abandonimi. Zgjidhja është këtu në Tiranë, mjafton pakëz dëshirë, përkushtim dhe komunikim informues me seksionet e ambasadave të vendeve mike e partnere të Shqipërisë. Unë shpresoj në dëshirën e mirë të institucioneve për të luftuar injorancën, mefshtësinë dhe korrupsionin. Besoj në reagimin kundër korrupsionit degradues, besoj në faktin që sa më parë që të përballemi me të keqen e rritur nga mungesa e gjatë e reagimit, aq më të lehtë e kemi rrugën dhe përspektivën e zhvillimit Euro-Atlantik të shtetit dhe shoqërisë.
Zoti e ndihmoftë vetëdijen, zgjimin dhe reagimin progresiv të kombit dhe të shoqërisë shqiptare!